E premte, 29.03.2024, 02:55 PM (GMT)

Mendime

Berat Buzhala: Enverist, me E të madhe

E shtune, 18.10.2008, 01:30 AM


Berat Buzhala
Enverist, me E të madhe

Nga Berat Buzhala*

Djaloshi Bill Ayers, në vitet ’60 dhe ’70, i trishtuar me pasojat e luftës së Vietnamit, ka gjetur prehje në organizimin e grupeve radikale majtiste. Ai, për ta kundërshtuar luftën e pambaruar kurrë të SHBA-ve, kishte formuar organizatën ilegale “Weather Underground”, që kryente aksione ilegale. Ndër të tjera, ky i ri mendjelehtë kishte planifikuar ta hidhte në erë Pentagonin dhe selinë qendrore të FBI Asnjërën prej këtyre dy ndërtesave nuk mundi t’i hidhte në erë, por paradoksalisht Ayers për pak sa nuk po e hedh në erë ëndrrën jetësore të Barack Obamas për t’u bërë Presidentet i SHBA-ve.
Fati e ka dashur që me kalimin e viteve, Ayers, që sot veten e konsideron si komunist me ‘k’ të vogël, të punësohet si Profesor në Universitetin e Çikagos, ku punonte edhe Obama. Fati e ka dashur që gjithashtu këta të dy, pasi që ishin në të njëjtin universitet, të ndodheshin në një bord, për një temë të caktuar. Kaq u desh për të nisur një furi mediale kundër Obamas, pse kishte pranuar të punonte me një njeri që në mendjen e tij e kishte hedhur në erë qendrën e ushtrisë amerikane. Kot që Obama, kur ishte bërë ky plan mendor, ka qenë vetëm 8 vjeç. Ndryshe, sot Ayers, në universitet, mban titullin Profesor i Dalluar dhe është njëri prej reformatorëve kryesorë të kësaj shkolle.
Djaloshi Hydajet Hyseni, në vitin 1981, ishte maskuar me një palë mustaqe, kishte hipur në njërin prej lisave që gjenden në bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë dhe kishte thirrur herë “Kosova Republike” e herë “Enver Hoxha”.
Hyseni dhe shokët e tij, gjatë asaj kohe, përdornin argumente të gabuara për të arritur qëllime të drejta. Kërkonin demokraci, duke pasur në kuletat e tyre fotografinë e satrapit më të madh të asaj kohë në Evropë, shokut Enver Hoxha.
Fati e ka dashur që me kalimin e viteve, Hyseni, që sot veten e konsideron ende Enverist me “E” të madhe, t’i gëzojë frytet e demokracisë së vërtetë, duke qenë në të gjitha mandatet e mundshme deputet i Kuvendit të Kosovës, që zgjidhet me votën e lirë të qytetarëve. Pjesë e një sistemi të urryer aq shumë prej diktatorit Hoxha.
Një mik imi, e ka gati si slogan të tij thënien se - “Sa herë ndërrojnë faktet, i ndërroj qëndrimet”. Pjesa më e madhe e kosovarëve, që për një kohë të gjatë janë rrahur, burgosur e dhunuar prej pushtetit jugosllav, vetëm pse e donin verbërisht diktatorin Hoxha, arritën që me ndryshimin e fakteve në terren të ndërronin edhe mendimet e tyre. Kur u shpalosën publikisht monstruozitetet e kryera prej Hoxhës dhe shpurës së tij, kosovarët – pjesa më e madhe – i ndërruan qëndrimet e tyre. Kjo është krejt në rregull. Nuk mund ta gjykosh askënd pse hipotetikisht nuk e ka ditur që Hoxha në Shqipëri po bënte kërdinë mbi bashkëkombësit e tij. Nuk mendoj se ia vlen ta gjykosh as at matufin plak e me plis të bardhë, që me krenarinë e një të çmenduri mbante lart fotografinë e diktatorit Hoxha. Por, po, ia vlen të gjykohet, edhe atë shumë rëndë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, që tha se për pavarësinë e Kosovës, përveç “Bushit, Klintonit, Blerit, Shirakut, Shrëderit, Demirelit, Mesiqit, Kuqanit”, duhen falënderuar edhe prijësit e shtetit shqiptar, ku një vend të “veçantë e zë Enver Hoxha”. Tha edhe shumë gjëra të tjera monumentale për diktatorin e tmerrshëm, që pa dyshim i ka fyer deri në poshtërim të gjitha ato mijëra familje shqiptare, që për shkak të tij janë dehumanizuar deri në asht. Pa pikën e hajgarës, të dielën një gazetar i Shqipërisë, më tha në Prishtinë, se “Si ju duket ju në Kosovë, që ne në Shqipëri një ditë, për arsyet më banale, ta kremtojmë ditëlindjen e Titos?”
Prandaj, ky problem më shumë është serioz sesa qesharak. Po të mungonin në ditëlindje deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe aty të ishin prezentë vetëm disa individë që kanë pushuar të mendojnë pas datës 11 prill 1985, ky turp edhe do të kapërdihej.
Ama problemi është shumë serioz, kur një deputet i Kuvendit, që është edhe anëtar i Kryesisë së partisë më të madhe në Kosovë, del edhe flet, e edhe prezantohet, si përfaqësues i institucioneve të shtetit. E ndaj këtij rasti nuk reagoi askush publikisht. E kush të reagojë? Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi? Nëse vetëm një fjalë do ta thoshte Krasniqi për këtë rast, do të ftohej publikisht prej bashkëmendimtarit të tij Hyseni, që përpara se t’i shajë të tjerët, ta heqë foton e Xhaxhit prej shtëpisë së tij.
Krejt barra bie mbi shefin e partisë, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Nëse Obama po bën be e rrufe se me komunistin Ayers nuk e lidh asgjë tjetër përveç universitetit, Kryeministrin Hashim Thaçi me komunistin Hyseni e lidhin më shumë gjëra. Dhe këtu nuk është më çështje e mendimit të lirë, ku gjithsecili ka të drejtë të ketë idhuj politikë. Për diktatorin Hoxha nuk mund të ketë preferenca personale. Ose mund të ketë, por së pari PDK duhet ta sqarojë pozicionin që mban si parti politike për këtë problem. Nëse jo, kjo nuk dëshmohet duke provuar ta heshtin problemin. Distancimi bëhet ndryshe. Nuk mundet që brenda një partie politike, dhe brenda një kryesie të ngushtë, një anëtar të përbëhet në doktrinën liberale, e një tjetër në atë marksiste. E gjithashtu askush nuk mund të shtiret që e adhuron vetëm një pjesë të Enver Hoxhës, por e urren pjesën tjetër të tij.
Enver Hoxha është një dhe i pandashëm. Kah do që e kthen, të shfaqet më i shëmtuar.

*Kryeredaktor i gazetës “Ekspres” në Kosovë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora