E premte, 29.03.2024, 12:06 AM (GMT)

Kulturë

Eshref Ymeri: Proza tregimtare e shkrimtarit Sotir Athanasi

E merkure, 26.02.2020, 06:53 PM


Nga proza tregimtare e shkrimtarit Sotir Athanasi

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Duke lexuar çdo vepër artistike, lexuesi i vëmendshën rri e përsiat në heshtjen e vet. Dhe është e pamundur që lexuesi të mos bjerë në përsiatje kur lexon diçka nga krijimtaria artistike e shkrimtarit aq origjinal Sotir Athanasi. Krijimtaria e tij, sidomos në gjininë e tregimit, është fort mbresëlënëse.

Para do kohësh lexova përmbledhjen e tij me tregime, me titull “Romancë nën Harkun e Triumfit”.

Fati i shkrimtarit Sotir Athanasi dhe i vetë veprës së tij artistike, janë çelësi për zbërthimin e idesë së saj. Vepra e tij është gjithmonë unikale dhe origjinale: në të është ngjizur personaliteti i papërsëritshëm i autorit të saj. Pikërisht mbi këtë veçori të krijimtarisë së tij artistike mbështetet këndvështrimi i veçantë i interpretimit të saj, që shërben si mënyrë e leximit të kësaj përmbledhjeje me tregime përmes personalitetit të autorit.

Kur e mbarova së lexuari përmbledhjen në fjalë, më erdhi ndër mend një shprehje e bukur e Viktor Hugoit (Victor Marie Hugo - 1802-1885), i cili thoshte:

“… shkrimtarët duhen gjykuar… në përputhje me disa ligje të pandryshueshme… të artit dhe me disa ligje të veçanta që lidhen me personalitetin e secilit prej tyre”.

Dhe me të vërtetë: shkrimtari Sotir Athanasi e tërheq lexuesin si me magji me natyrshmërinë e rrëfimit. Ai mund të ndodhet në një kafene me miq apo të njohur, mund të gjendet duke shëtitur me ta diku jashtë qytetit, mund të jetë duke udhëtuar me makinë, me tren apo me avion dhe aty për aty, në vetëdijen e tij vjen e merr formë një subjekt tregimi me përmbajtje mjaft emocionuese.

Tema e çdo tregimi të tij është objekt i fantazisë krijuese të autori, çka e bën lexuesin të mos e lëshojë librin nga dora, deri në faqen e fundit. Tema të tilla, si ajo e dashurisë me ecuri fatlume apo me fat plot trishtim, tema e marrëdhënieve prindër-fëmijë, tema e ballafaqimit të së mirës me të keqen, tema e miqësisë, tema e tradhtisë, tema e kristalizimit të karakterit të njeriut, tema e mirënjohjes dhe e mosmirënjohjes, tema e luftës së klasave në kushtet e diktaturës komuniste, tema e dhimbshme e braktisjes së vendit pas vendosjes së pluralizmit, tema e vlerësimit të talenteve, tema e indiferentizmit të shqiptarëve, e mishëruar aq bukur në tregimin “Kompleksi Gjenoveze”, janë me të vërtetë mallëngjyese dhe herë-herë marrin nota prekëse, deri edhe ngashëruese.

Shkrimtari Sotir Athanasi, me mjeshtërinë e magjisë së fjalës artistike, e përcjell lexuesin nga njëri tregim te tjetri, duke ia mbajtur pezull kërshërinë për fundin e secilit prej tyre. Ai ka një talent të veçantë për ta bërë lexuesin përjetues të emocioneve të veta. Një dhunti të tillë e zotërojnë vetëm shkrimtarët e talentuar.

Tregimet e këtij shkrimtari bin në sy për teknikën e hollë letrare, për analizën e thellë të gjendjeve emocionale të personazheve, në bashkërendim me një subjekt  befasues. Ai e njeh mirë botën e brendshme dhe shijen e lexuesve dhe di se si t’i ndezë emocionet e tyre. Prandaj me përmbajtjen e tregimeve të veta ai e trondit fantazinë e tyre.

Mjaft oigjinal është stili i tregimeve të shkrimtarit. Ai përdor dy mënyra për shtjellimin e idesë së tyre. Të parën ia përcjell lexuesit me mjete artistike, duke i krijuar përshtypjen, sikur shkrimtari “e ka arratisur veten” nga përmbajtja e tyre. Mënyrën e dytë, në vetëdijen e lexuesit, ai e rrezaton me gjuhën e personazheve ose me përsiatjet e veta fort tërheqëse. Pra, në tregimet e tij ai është herë “i  arratisur”, herë i pranishëm.

Ky lloj stili në rrëfimtarinë e shkrimtarit Sotir Athanasi më kujton një thënie fort kuptimplote të shkrimtarit realist francez Gustav Flober (Gustave Flaubert - 1821-1880), cili theksonte:

“Ashtu si puna e Hyjnisë, shkrimtari në librin e vet duhet të jetë kudo dhe askund, i padukshm dhe i kudondodhur’.

Këtë ide të shkrimtarit francez e çon më tej shkrimtari rusoamerikan Vladimir Nabokov (1899-1977):

“... në veprat, në të cilat autori është i padukshëm në një mënyrë ideale, prapëseprapë ai është i pranishëm në të gjithë librin dhe mungesa e tij vjen e shndërrohet në një prani plot shkëlqim”.

Në prozën tregimtare të shkrimtarit Sotir Athanasi të lë  mbresa të fuqishme strukturimi i saj, thënë ndryshe, kompozicioni, pra, ndërtimi i tërë elementeve të përmbajtjes së saj. Përshtypje të veçantë i bën lexuesit kompozicioni i brendshëm i tregimeve të tij, i mishëruar mjeshtërisht në vizatimin e portreteve të personazheve apo në përshkrimet e mjedisit.

Tregimi me titull “Mbi një diskutim në kohën… e Konicës” të zhyt në vramendje të thella. Heroinë kryesore e atij tregimi është ajo fshatarja angleze dyzeteshtatëvjeçare, Susan Boyle,  që ishte paraqitur para jurisë për të konkurruar me këngën e një këngëtareje të madhe amerikane. Paçka se jurisë ajo ju duk një profane hesapi, kur filloi ekzekutimin e këngës, atë dhe sallën i ngriti peshë nga entuziazmi. Dhe shkrimtari Sotir Athanasi, i cili Shqipërinë e do si jetën e tij, e vazhdon rrëfimtarinë me nota tejet emocionuese:

“Ishte hera e parë që atë sallë e atë juri ne e pamë, jo vetëm për të mbushur kohën me një program që përfundoi në diçka, lidhja, e cila, ndonëse me dhimbje, trokiste në atë “institucion” me emrin MENDËSI.

Sa shekuj larg qëndrojmë ne?

Domethënë shoqëria jonë shqiptare nga gjëra të tilla, të cilat jemi mësuar t’i gjejmë vetëm nëpër përralla…

Skepticizmi im këtu duhet ta ketë, mbase, me shumë të drejtë, origjinën. Tatëpjeta për një popull aty duhet të ketë konturuar zanafillën dhe mbrapshtësia, kjo fqinjë e rrezikshme, sigurisht që aty banon, edhe pse s’kuptohet që troket bindshëm në prag…”.

Me përmbajtjen e këtij tregimi, shkrimtari ka hyrë thellë në pasqyrimin e disa dukurive sociale në vendin tone. Përmes një të vërtete konkrete, të shpalosur në rrëfimin për atë fshataren angleze që doli për të kënduar para jurisë, ai ka zbuluar dy të vërteta artistike:

Së pari, ai, tërthorazi, e vë theksin te roli i punës dhe rëndësia e saj në formimin e personalitetit të njeriut, çka duhet të gjejë vlerësimin e duhur nga ana e shtetit dhe e strukturave përkatëse të shoqërisë. Mos vallë ajo fshatarja angleze pati vendosur të paraqitej në konkurs për të kënduar para jurisë pa një përgatitje paraprake? Kurrsesi. Nuk mund të mos imagjinohet se sa kohë e gjatë i është dashur asaj të punojë me vetveten për mënyrën e ekzekutimit të këngës së asaj këngtares amerikane, për të arritur deri në atë nivel kur u prezantua para jurisë. Puna e gjatë dhe e palodhur e asaj fshatareje të thjeshtë angleze, e cila e la pa mend jurinë dhe publikun në sallë me mjeshtërinë e ekzekutimit, më sollën në kujtesë një vlerësim të jashtëzakonshëm të shkrimtarit, publicistit dhe personalitetit politik francez Emil Zola (Émile Zola - 1840-1902). Pikërisht për punën. Ai thotë:

“Unë kam pasur të vetmin besim, të vetmen forcë: punën... punën! Kini parasysh, zotërinj, se puna është i vetmi ligj që drejton botën. Jeta nuk ka tjetër qëllim, ekzistenca nuk ka tjetër kuptim dhe të gjithë ne vimë në  këtë botë vetëm për të marrë pjesë në punën e përbashkët dhe mandej të zhdukemi”.

Së dyti, shkrimtari nxjerr në pah rolin e talenteve në zhvillimin e shoqërisë. Duke mos i vlerësuar talentet, qoftë shteti, qoftë shoqëria, atëherë, siç e nënvizon shkrimtari me shumë të drejtë, “fillon tatëpjeta e një populli”. Por në mjediset e shqiptarëve harrohet një fakt mjaft interesant: njerëzit e talentuar janë edhe më të guximshmit në jetën e shoqërisë, prandaj edhe fjala e tyre duhet dëgjuar me shumë vëmendje.

Para disa ditësh, Kryeministri Rama u ndal me një fjalim para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, në ceremoninë e diplomimit në Pallatin e Kongreseve. Gjatë fjalës së kreut të qeverisë, nga të pranishmit u dëgjua një student të flasë me zë të lartë kundër tij, duke theksuar fenomenin shqetësues të largimit të të rinjve jashtë Shqipërisë për të punuar atje si mjekë. Studenti theksoi se diplomat e tyre shërbejnë si bileta për jashtë vendit. Për fatkeqësinë e shqiptarëve,  Kryeministri Rama, në vend që të reagonte krejtësisht me gjakftohtësi, ta ftonte pranë vetes atë student, të mësonte se kush ishte ai student, ç’rezultate kishte pasur në mësime dhe t’i dëgjonte me shumë vëmendje shqetësimet e tij, reagoi në një mënyrë fare të pahijshme, duke iu dejtuar të pranishmëve që të përgatitnin një recetë për kurimin e tij, pra, duke e fyer publikisht. Pak më vonë, në një emision televiziv, u bë e ditur se ai student i përket sërës së ekselencës, prandaj edhe në atë takim iu drejtua Kryeministrit Rama me një guxim qytetar shembullor. Por shokët e tij studentë në sallë, në vend që të shpreheshin njëzëri në përkrahje të tij, duartrokitnin kryeministrin me një servilizëm të pështirë.

Në atë takim, me reagimin ndaj atij studenti shumë të talentuar, Kryeministri Rama zbuloi kompleksin e inferioriteti që e bluan përbrenda në çdo hap të jetës së tij. Prandaj edhe ndaj çdo vërejtjeje që i bëjnë publikisht të rinj dhe qytetarë të guximshëm të vendit tonë, ai reagon sikur ta kishte pickuar grenza.

Pra, ja ku shfaqet në mënyrë të shëmtuar indiferentizmi i shqiptarëve, të cilin shkrimtari Sotir Athanasi e stigmatizon artistikisht në këtë përmbledhje me tregime.

Proza tregimtare e këtij shkrimtari ta ngroh shpirtin. Kjo për faktin se të vërtetën jetësore ai e ka idhull të krijimtarisë artistike, paçka se e vërteta ngjall edhe qëndrime kundërvënëse në jetën e njerëzve. Dhe kjo është e shpjegueshme, sepse jeta nuk karakterizohet nga gjëra vetëm ideale dhe këtu qëndron edhe bukuria e saj.

Santa Barbara, Kaliforni

25 shkurt 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kadri Tarelli: Psherëtij

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora