E marte, 29.09.2020, 11:45 AM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Udhëzues për ta çliruar Serbinë nga egoja kolektive nacionaliste!

E marte, 25.02.2020, 10:40 PM


Udhëzues për ta çliruar Serbinë nga egoja kolektive nacionaliste!

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Sipas psikologut të shquar e me ndikim në jetën shoqërore bashkëkohore, Eckhart Tolle, egoja kolektive identifikohet me grupe të caktuara shoqërore, siç janë kombi, partitë politike, firmat dhe kompanitë e biznesit, institucionet, sektet fetare ose ideologjike, lidhjet dhe shoqatat, klikat e oligarkitë e deri te tifozeria e klubeve të futbollit. Egoja kolektive, shkruan Tolle, ka të njëjtat tipare si edhe egoja individuale. Që të ekzistojë kërkon të ketë kundërshtarë dhe konflikte bazuar në perceptimin se vetëm njëra palë ka të drejtë dhe gjithë të tjerët sillen ndaj një grupimi të caktuar me të padrejtë. (Eckhart Tolle: Eine neue Erde, faqe 147)

Në rajonin e Europës Juglindore e sidomos në Ballkanin Perendimor egoja kolektive bazuar te nacioni dhe raca është një sëmundje e ngjizur pas lindjes së nacionalizmit si rrymë ideologjike dhe krijimit të shteteve kombëtare e të pavarura. D.m.th harku kohor i kësaj ngjizjeje shkon deri te 200-250 vite më parë. Mënyra e ngjizjes ka qenë krijimi i miteve, me të cilat prej më shumë se dy shekujsh janë mëkuar në një farë mase të gjithë popujt e rajonit. Por modeli i kësaj ngjizje është marrë te kombi serb. Nominimi i parë i koekzistëncës së miteve ishte kisha, shteti dhe elita e Serbisë. Miti i viktimizimit prodhoi tek serbët fiksionin se ata “janë të kërcënuar”! Se “ata kanë gjithnjë të drejtë, madje edhe kur vrisnin princin austriak, Franz Ferdinand, edhe kur vrisnin popujt e tjerë jo serbë në rajon”! Se ata “janë popull i zgjedhur” e kështu me radhë.

Në kulmin e dhunës së shtetit serb kundër popujve të tjerë është vënë re kimia perfekte e lidhjes midis egos personale të liderëve dhe egos kolektive të popullit dhe kombit serb. Kjo dukuri shfaqet ende në kohët e sotme, kur lidershipi i Serbisë shfaq të njëjtën mendësi egoiste si edhe vetë populli serb në raportet me shtetet përreth. Armiqësi e tejskajshme, por disi e fshehur, me kroatët. Armiqësi e hapur ndaj Kosovës! Konflikt në Bisnjë-Hercegovinë e me Podgoricën! Inteferenca të vazhdueshme manipulimi në Shkup! Të gjitha këto në një sfond të zhvillimit të sub-koshiencës kolektive egoiste të vetë qytetarëve serbë.

Egoja kolektive prodhon shumë xhelozi. Kjo ndodh praktikisht e më së shumti te serbët, te lidershipi dhe qytetarët e Serbisë, sepse lidhja midis egos dhe xhelozisë te serbët ka të bëjë me logon e të qenit superior në rajon.. Në këto kushte zgjidhja e konflikteve midis Beogradit dhe kryeqyteteve të tjera të rajonit, veçmas me Prishtinën, nuk duhet kërkuar te joshja dhe “neutraliteti” i Serbisë. Sa më shumë që Beogradi i referohet “neutralitetit”, aq më shumë rrëshqet në aleancën e tij tradicionale në drejtim të Moskës. Sa më shumë që liderët serbë flasin për paqen, aq më shumë punojnë për forcimin e ushtrisë dhe të aftësive ofensive luftarake. Sepse në Serbi, ndryshe nga vendet fqinjë të saj, nuk bëhet fjalë për “përgatitje për mbrojtjen”, por për aftësi sulmi kundër popujve të tjerë, nëse këtë e favorizojnë rrethanat gjeopolitike. Dhe gjithçka përfundon në piedestalin e dëshmisë egoiste të të qenit i fuqishëm, më i fuqishëm se të tjerët në rajon, madje se të gjithë tjerët të marrë së bashku.

Ne Bashkimin Europian, në SHBA dhe qendrat e tjera perëndimore ka pasur dhe ka një “mirëkuptim” të kësaj situate në Serbi. Duke menduar se “neutraliteti” serb nuk cenon integrimin e Serbisë në BE dhe “marrëdhëniet e mira të partneritetit me NATO-n”, perëndimi ka nxit egon nacionaliste kolektive të serbëve që të ushqehet me urrejtje, hasmëri dhe dehje hakmarrëse ndaj popujve të tjerë jo serbë, veçmas kundër shqiptarëve në Kosovë. Aq sa raporti agresor(Serbia)-viktimë (Kosova) është përmbysur në favor të agresorit serb. Ndërkaq shoh se dikush nga NATO dhe me të drejtë vendet fqinjë të Serbisë shqetësohen prej asaj që Beogradi furnizohet me armë moderne dhe raketa të ushtrisë ruse. Në fakt Perëndimi po ushqen forcimin e lidhjeve të egoizmit individual të Aleksandër Vuçiq me egoizmin kolektiv serb dhe prodhon kësisoj një Milosheviç të dekadës së tretë të shekullit XXI në Serbi.

Ka mundur që ekzistenca dhe forcimi i egos kolektive nacionaliste në Serbi të shfrytëzohej në një mënyrë tjetër, me qëllim realizimin e interesave gjeostrategjike të SHBA-ve dhe BE-së në Europën Juglindore. Rruga dhe metoda më e mirë do të ishte që të mbahej parasysh komponenti i xhelozisë kolektive në Serbi. Nëse Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina do të përgatiteshin për hapa më të shpejtë integrimi në BE sesa Serbia, Beogradi do t’i kishte zgjidhur tashmë me kohë të gjitha konfliktet me vendet e saj fqinjë. Shpejtësia e këtij integrimi i mbështetur për vendet e lartpërmendura me investime dhe me presionin e implementimit të qeverisjes demokratike liberale, legjitime dhe me pushtete të balancuara, do ta kishin nxitur Serbinë të nxitonte në integrimet euro-atlantike. Kjo metodë sjelljeje e Perëndimit ndaj Beogradit mund të aplikohet ende sot dhe do të shihet se si lidershipi serb do të nxitojë të tejkalojë konfliktet e ta çojë Serbinë në pararojë e integrimeve euro-atlantike.

Integrimi i Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në NATO, ndërkohë edhe i Shqipërisë në BE do ta ndryshojë plotësisht boshtin e politikës së Beogradit. Në këtë rast lidershipi i Serbisë do të nxitonte të konkurronte vendet e tjera fqinjë të saj. Serbia është mësuar prej më shumë se një shekulli ta konsiderojë veten lider në rajon. Në pamundësi për ta konkurruar Slloveninë dhe Kroacinë, e ka pranuar humbjen ndaj tyre. Kësisoj do të ndodhte edhe në rast se Beogradin do ta konkurronte në progres dhe integrime Tirana, Prishtina, Shkupi, Podgorica e Sarajeva. Ose do ta pranonte sfidën, ose do të nxitohej për të kapur trendin e progresit dhe integrimeve. Në të dy rastet Serbia do t’i pranonte fqinjët e saj, sepse pa pranimin e tyre nuk do të kishte asnjë mundësi konkurrimi në treg dhe në aleancat e saj gjeopolitike.

Metodika e gabuar e qasjes së Perëndimit ndaj Serbisë është një prej arsyeve pse sot konfliktet në rajon qëndrojnë aty, prezent. Por ka edhe një qasje tjetër të gabuar nga politikanë të ndryshëm në rajon, ku spikatin Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Zoran Zaev. Kjo ka të bëjë kryesisht me iniciativat rajonale. Vendet në konflikt shekullor me Serbinë, përkatësisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina, duhej dhe duhet ta kushtëzojnë pjesëmarrjen e Beogradit në iniciativat rajonale pikërisht me zgjidhjen e konflikteve. Teoria se përmes joshjes së Serbisë në integrimet rajonale mund të “zgjidhen” edhe konfliktet, veçmas midis Prishtinës dhe Beogradit, është jo vetëm e gabuar. Përkundrazi, kushtëzimi i pjesëmarrjes së Serbisë në këto iniciativa do të sillte paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Europës Juglindore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora