E premte, 29.03.2024, 12:43 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Të jetosh brenda gënjeshtrës apo brenda të vërtetës

E hene, 24.02.2020, 08:44 PM


TË JETOSH BRENDA GËNJESHTRËS APO BRENDA TË VËRTETËS

“Shpëtimi i njerëzimit ndodhet në zemër të njeriut, është pjesë e fuqisë njerëzore për të reflektuar, gjëndet në modestinë njerëzore dhe në përgjegjësinë e njeriut.  Pa një revolucion global në sferën e ndërgjegjës njerëzore, asgjë nuk do të ndryshojë për më mirë.” Vaclav Havel

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, në përvjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit komunist, Enver Hoxhës në Shqipëri, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun Historik Kombëtar, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës dhe me Institutin “Ali Hadri” në Prishtinë, zhvilloi konferencën ndërkombëtare shkencore me temë, “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1990”.  Konferenca u paraqit si një mundësi për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e ish-Sigurimit në vend dhe jashtë tij, për ngjarje historike, profile njerëzore dhe organizata në emigrim.

Përveç një numri të madh ekspertësh të njohur në këtë fushë, në konferencë folën edhe Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, si dhe Ministri i Diasporës në qeverinë e Kryeministrit Rama, Pandeli Majko, ndër të tjera personalitete.  Subjektet e trajtuara në këtë konferencë ndërkombëtare, sipas të dhënave në portalin e AIDSSH ishin tejet interesante për mua personalisht dhe për shumë të tjerë që i përkasim periudhës së emigracionit politik shqiptar 1944-1990.

Përshëndes Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për punën e bërë në këtë fushë, si dhe entet e tjera bashkpunuese për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare mbi emigracionin politik shqiptar gjatë luftës së ftohtë.  E konsideroj këtë ndërmarrje të AIDSSH si një hap në rrugën e duhur drejt përballjes eventuale të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste.  Por le ti këthehemi Konferencës Ndërkombëtare, Emigracioni Politik Shqiptar, 1944-1990, Bazuar në të dhënat e botuara në portalin e AIDSSH, thuhet se përveç referatave mbi subjekte të ndryshme nga ekspertë u paraqit edhe ekspozita me materiale dokumentare autentike, të deklasifikuara e të hapura për herë të parë për publikun e interesuar.  Sipas të dhënave të botuara për punimet e konferencës, Znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit, bëri një paraqitje të punës së AIDSSH që çoi në realizimin e konferencës së parë mbi emigracionin politik, në bashkëpunim me partnerët: Znj-a Sula foli me shifra, bazuar në dokumentacion:

“Në këtë problematikë komplekse, natyrisht do të prekim temat e nxehta, por jam e sigurt që diskutimi do të vazhdojë.  Rreth 13.600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur ato të ikur përmes ambasadave.  Nga këta, rreth 4784 ishin gra dhe fëmijë.  Dominonin këtu të ikurit e vitit 1945 dhe 1948.  Në shifrat e larta të emigracionit të shqiptarëve në shekuj dhe gjatë tranzicionit të zgjatur, kjo përmasë duket vetëm një fraksion. Por, ky fraksion është shumë i rëndësishëm për vendin tonë.  Të integruar tërësisht në shoqëritë pritëse, sot ata paraqesin një urë të fortë komunikimi me vendet më të zhvilluara dhe me aleatët tanë.  Ato nuk reshtën së dashuri Shqipërinë dhe së qeni aktivë në forma të ndryshme, duke denoncuar shkeljet e të drejtave njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe duke ngritur zërin për të drejtat kombëtare”, u shpreh, ndër të tjera Shefja e AIDSSH, Znj. Gentiana Sula, duke hapur punimet e konferencës.

Fjalën e mori edhe Z. Bernd Borchardt, ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili foli, ndër të tjera, mbi atmosferën politike në Shqipëri, duke thënë se, “E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar”.  Përfaqsuesi evropian bëri thirrje për themelimin e komisionve të së vërtetës, duke nënvijuar se ato, “kanë luajtur rol thelbësor në shumë vende, pas mizorive të diktaturave.  Kultura e kujtesës e lidhur me viktimat dhe me vuajtjet, përforcon ndryshimin e rrëfimit që është i nevojshëm për të ndërtuar një shoqëri liberale pas shpërbërjes së një diktature.  Siç e ka përkufizuar presidenti i ndjerë i Çekisë Václav Havel: ndryshimi është,“të jetosh brenda gënjeshtrës, apo brenda të vërtetës”, ka cituar ai ish-disdentin dh e ish-presdientin çek.
Ndërsa, Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, z. Brian Williams, iu drejtua të pranishëmve dhe nepërmjet tyre qeverisë dhe shoqërisë shqiptare duke thënë se: “Nëse kam një mesazh për të transmetuar sot për këtë konferencë, është që Kombet e Bashkuara besojnë fuqimisht që zbulimi i plotë dhe i vërtetë e së shkuarës ka vlerë direkte sa i takon përpjekjeve të sotme për të ndërtuar demokracinë.  Ka lindur nevoja për një proces gjithëpërfshirës të zbulimit të së vërtetës në Shqipëri- dhe këtu dua të nënvizoj e mbështes çdo gjë që kolegu im i OSBE tha mbi këtë temë”. Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend, përfaqsuesi i OKB-së shtoi se, “Historia e Shqipërisë ka rëndësi absolute për situatën e sotme.  Si mund t’u kërkosh qytetarëve t’u besojnë institucioneve qeverisëse, nëse këto institucione nuk hedhin dritë dhe nuk bëjnë të njohur gabimet e tyre në të shkuarën?  Të marrësh përgjegjësi për gabimet e së shkuarës nuk është një shenjë dobësie, është akt kuraje. Të japësh llogari për të shkuarën -drejtësinë tranzicionale- është kusht i nevojshëm për të ndërtuar institucione llogaridhënëse dhe demokratike në Shqipëri”, është shprehur përfaqësuesi i OKB-së në Shqipëri, Z. Brian Williams.

Përshëndeti gjithashtu konferencën Ministri i Diasporës në qeverinë Socialiste Rama, Z. Pandeli Majko.  E dëgjova kumtesën e tij të shkurtër, duke pritur më kot se zyrtari më i lartë i qeverisë në atë tubim dhe si ish-kryeminister i vendit, shpresova se do të thoshte diçka për nevojën që Shqipëria, më në fund, duhet të ballafaqohet më seriozisht me të kaluarën komuniste, ashtu siç e thekësuan këtë nevojë, zotërinjtë ndërkombëtarë në Shqipëri, Brian Williams dhe Bern Borchardt. Por, jo!  Tirana zyrtare, për 30-vjet tani preferon të jetojë, “brenda gënjeshtrës”, duke e pasur frikë të vërtetën, përsa i përket krimeve të komunizmit në vend. Përkundrazi, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, si askund tjetër në Evropë, individë dhe nostalgjikë të komunizmit në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, vazhdojnë të cilësojnë emigracionin e pas luftës si, “kollaboracionistë” dhe “surretër”.

Fatkeqësisht, pjesëmarrja e Ministrit të Diasporës, Z. Pandeli Majko dhe fjalimi i tij i shkurtër në konferencën e javës së kaluar mbi emigracionin politik shqiptar të pas luftës, nuk bëri asgjë për të na bindur se mund të ketë ndonjë ndryshim nga ana e qeverisë shqiptare përsa i përket ballafaqimit zyrtar me të vërtetën e së kaluarës komuniste në Shqipëri, siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, tani anëtare të Bashkimit Evropian, pjesëtare të cilit pretendon edhe Shqipëria të bëhet.  Por kot e kini se me Enverin dhe me Nexhmijen nuk shkohet në Evropë!  Ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste, Tirana zyrtare, siç duket, ka zgjedhur që për një kohë të gjatë – për derisa të mund ta shtyjë kështu -- të vazhdojë të jetojë, “brenda gënjeshtrës” dhe jo “brenda të vërtetës” të së kaluarës komuniste.  Është kot të presim e të besojmë se ky brez politikanësh shqiptarë do të ketë fuqinë njerëzore dhe morale për të reflektuar.  Në mungesë të ballafaqimit zyrtar me të vërtetën e të kaluarës komuniste, kam drojë se asgjë nuk do të ndryshojë për më mirë në Shqipërinë tonë -- ndërkohë që presim dhe shpresojmë me të ndjerin Vaclav Havel, ndoshta më kot -- “për një revolucion të vërtetë në sferën e ndërgjegjës së tyre njerëzore”.

________

FOTO DHE FJALIMET E PLOTA NGA PUNIMET E KONFERENCËS NË FAQEN FACEBOOK TË AUTORITETIT TË DOSJEVE---NJË MATERIAL SHUMË I PASUR DHE INFORMATIV PËR TË GJITHË ATA QË JANË TË INTERESUAR NË TEMËN: IMIGRACIONI POLITIK SHQIPTAR 1944-1991, FALË PUNËS SË MREKULLUESHME TË AIDSSH DHE ENTEVE TË TJERA BASHKPUNUESE NË ORGANIZIMIN E KONFERENCËS !

https://www.facebook.com/AutoritetiDosjeve/photos/pcb.2946199035432700/2946166725435931/?type=3&theater



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora