E enjte, 25.04.2024, 03:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Kostandin Vogli

E hene, 24.02.2020, 08:00 PM


VIBRIMET POETIKE TË PROZATORIT KOSTANDIN VOGLI

Në të 12-të poezitë e këtij cikli keni një krijues që në këtë përmasë nuk e keni parë. 79 vjeçarin Kostandin Vogli e keni njohur deri tani si fabulist, tregimtar dhe romancier. Ka shkruar edhe poezi, është përfshirë në librat e botuar për Muzgun nga poeti dhe botuesi Mark Simoni, në portale dhe gazeta të ndryshme, por si poet në këtë cikël të plotë unë që e kam ndjekur me vite dhe kam redaktuar shumicën e librave të tij, nuk e kisha njohur më parë. - Dr.sc. Bardhyl Maliqi

Kostandin Vogli

SHOKUT TË FËMIJËRISË

Trazoj dallgët e ajrit,

Gërmoj hapsirën,

Nga kurrizi i Shëndëlliut do të rrokullis kujtimet

Të të dëgjoj edhe një herë zërin.

Aromë prronjesh më vjen nga qielli,

Aromë lulesh, shkurresh, pemësh, rrugicash.

Aromë e rrapit të madhërishëm ku luanim.

Aromë e maleve,

E fshatit që e doje aq shumë,

Aromë e shoqeve, shokëve.

Aroma ime

E shokut tend me pirje gjaku nga gishtat në kishë.

Ato ke marrë me vete.

Por kufiri është larg

Orët punojnë vetëm në tokë.

Hapsira lundron së bashku me ju.

Jehonat janë shteruar,

Shtërpuar si burimet në verë.

Fërfërimat e pemëve na ftonin

Kerkonim muzgun,

Përkëdheljen e hënës.

Dhe fërkonim dhimbjet e ditës që lodhëm,

Nëpër muret e fshatit të djegur.

Ah shoku im,

Shpata e hijeve jetëmarrës

Na këputi shiritin e lumturisë.

Ngre kokën lart

Të dalloj sytë e tu të xhamtë,

Flokët e verdhë,

Fytyrën tënde të bardhë,

Si qumështi i deleve të tua.

Rreze drite m’i thyen qepallat.

Malli më ktheu vite mbrapa

Ku luanim rrëpirave me këpucë të shqyera.

Ditët kalonin të thjeshta

Me kujtimet e ëndërrimet.

Pemët janë mbarsur. Dardhat, kumbullat.

Qëngjat vrapojnë të kërkojnë hijet,

Rreth vathës i shtiu reflektimi i diellit.

Xixëllonjat i bënin trupat tanë fluoreshente.

Apo kërkon shiun e marrë

Që kërciste strehëve të llamarinave.

Fshehurazi të rrëmbenim nga një fetë bukë

Dhe të vraponim me ullinj në duar.

Ato kërkon shoku im i fëmijërisë?

Jo !

Ti je në amshim.

Shpirti yt më sheh mua.

ZËVËNDËSOHEN NGJYRAT

Në ditët që nuk kisha prehje,

Këputesha si gjethja.

Por dikush do zgjaste dorën në rënie

Dhe kredhje në ëndërrime.

Si pylli pa ujë frymoja

I ngeiur dhe pa zogjë që shkuan,

Cicërimat nëpër udhë.

E verdha zëvëndësoi të kaltërtën,

Më vonë ngjyra gri të verdhën.

Kur zvogëlohet dita

Dhe jelet e kalit të bardhë

Të valviten anës së detit të tërbuar.

Dimri kërrusur lëkundet nga era,

Që ka vënë kujën.

Pres që të rikthehen cicërimat,

Kur jeshilja të zëvëndësoj grinë

Dhe të gjallërohet pylli.

Zjarri i muzgut ngrohu horizontin xanxar,

Me shpresë vrojtojmë shkumën e bardhë,

Që anija në rikthim lë pas.

ISHIN NDEZUR YJET

Ku lind dielli e hidhja shikimin

Që rrezet të mos vinin të fikur.

Isha si gjethe e ndrydhur,

Sepse muajt e artë ishin mbytur.

Mua të uriturit të bukës së thatë

Më mungonin edhe thërrimet.

Ishin kohë të strukura në të verdhë,

Të mbarsura nga epshet e pa ndrojtura të hijeve.

Gri e copëzuar shëtit shtigjeve,

Të përshkruaj nuk jam në gjëndje.

Trupat tanë të shkundur,

Lotët e krypur ta shtojnë etjen

Dhe barku i uritur nuk ndjen ngrohje.

Aromën e pranverave me ankth i prisja,

Të më thërmonin kujtimet.

Do të mbaronte me mua një ditë historia,

Kotësia e orëve të ankthit

Do të zbërthehej.

Unë shkallët e zbritjes përsëri do t’i ngjit

Dhe do me hapet porta.

Në korniza muresh të rrëzuar lash stamposur filmimet.

Mure të rinjë tani drejt ngritjes

Dhe mua,

Askush nuk do të më prekë.

Nata është e qetë pa rënkimet,

Se ishin ndezur yjet!

DITA RëNKOI SA ISHIN SHUAR YJET

Ti, o Durrës, që të thërrasin plak,

Sa tragjedi ke parë që nga mjegullnaja,

Sa termite të kanë rrënuar,

Sa kocka njerëzish ke mbuluar,

Se vlon brënda teje

Energjia e pa shteruar.

Dihet se cili prej tyre ta prishi bukurinë,

  ta mbuloi freskinë

E atij arti të shekujve të thellë.

Asaj kulture të trashëguar

Dhe nën gërmadha të fshehur

Me gjak mbrujtur si këtë Nëntor.

Të tërmetit të pa paramenduar

Që erdhi i zverdhur,

Me pemë të zhveshura.

Njerëz plot, rrugëve të alarmuar,

Shikonin si formoheshin pirgjet me rrënime,

Nën erën e ftohtë të natës krehur,

Që kuis çative të shkrehura.

Shikonin prapsinë e papritur që solli fundvjeshta,

Nuk e prisnin që agimi i asaj dite,

Që filloi e mbrapshtë,

T’i gjente jashtë shtëpive të ngrohta,

Duke përshkuar shpirtrat në sfilitje.

Dita rënkoi sa ishin shuar yjet

Të shëmbur pallatet shikonin të tmerruar

Kur pasmesnata sekontat numëruar

Dhe tmerri rregjistroi ulërimat.

Dikush i pa që Hëna e trembur u largua

Dhe yjet u fikën të tmerruar,

Planetet po fshihnin njeri- tjetrin

Dhe ëngjëjt që numuronin trupat,

Por dot të pa fajshmit nuk i shpëtuan.

Zëri mëngjesit nuk u prit të zgjohej nga gjumi.

Pasmesnata e kishte zgjuar

Dhe numuronte të ikurit që skuqën rrënojat

Në misterin e natës pa aguar,

Ku u prekën në thellësi indet e tyre.

Ata që panë, e prishur fytyra,

që s’ mundë të përshkruajnë.

Dhe ata që rrëmonin gërmadhat me thonjë,

Dhe ata që nxirrnin me jetë nga rrënojat,

Se çfarë panë e dëgjuan

Nën ato betone keq të gatuar,

Që si prej hiri u shkërmoqën.

Dhe njerëzit ju drejtuan zotit.

Ç`na bëre!

Por unë e dëgjova vet kur u përgjigj:

Mos më ngarkoni me faje.

Unë kam dhënë natyrën dhe tokën të jetoni.

Shpesh herë

Nga papastërtitë i pastroj dhe jashtë i hedh.

Ndërsa ju shqiptarët ndërtoni me to betone.

KOHË E SHKUAR

Shtëpia e fëmijërisë

Aty notonte malli i dridhëruar.

Kërkoja kthimin e kohës,

Tek portat e shpirtit.

Gërmoj ndjesinë time

Të gjej fjalët enigmatike.

Në netët e ftohta dimërore

Vetëm në krahët e gjyshes e gjeja paqen.

Ajo ishte rrahja e zemrës sime.

Shpirti i saj,

Si mbështjellëse e kokrrizave të shegës.

Pak dridhërues,

Si zog delikat kur më perkëdhelte.

Por ajo

Kishte një shpirt shumë të guximshëm.

Më zgjonte nga ëndërrat e frikshme

Dhe unë në atë fytyrë të rrudhur mbështesja buzët.

Ajo frymonte e lumturuar.

E ndiente veten në krahët e trandafilit,

Se mua më quante trandafil.

U ndodha pranë oxhakut të nxirë

Dhe zhbirova në thellësinë e viteve.

Mu fantazua flaka e vatrës

Në çengel varur

Një kusi e nxirë nga rrahjet e tymrave.

Gurgullonin fasulet brënda saj.

Me një lugë druri,

Disa kokrra m’i hidhte në vatër.

Unë i merrja me gishta.

Më digjnin. Edhe gojën.

Dhe gjyshja përsëri më hidhte,

Pa çka se në kusi më shumë ujë kishte.

Në prehrin e saj të butë,

Me të ashprat duar më ledhatonte trupin

Dhe më këndonte një këngë

Ku nga Vrgjet e saj buronte malli

Mbi zemrën time pesë vjeçare

Dhe ngjethej lëkura ime e bardhë.

Ishte pak ezmere gjyshja ime

Me një fytyrë të hollë, të dobësuar,

Ku i rëndonin më shumë kokallat dhe lëkura,

Por kullonte ëmbëlsi dhe dashuri.

Zakonisht e heshtur, por me mua këngë,

me këngë yetësonte dhimbjen e rrobave të zeza,

Por bënte durim,

Për dy djemtë në internim dhe tjetrin partizan.

A ishin të gjallë?

Edhe vetë kishte luftuar në malin e bardhë.

Nuk i trembej vdekjes gjyshja ime.

Në këmbë qëndronte,

Të ngulura në tokë si Pani.

Si ai dukej me putrat e mëdha,

Se ashtu i kanë gratë e fushës e të malit.

Atë këngë vaji më këndonte.

Me mua harronte dhimbjet e urinë.

Ndiente fluturimin e aromës së ullinjve,

Ishin nxirë, por kush t’i shkundë?

Vetëm kakarisja e pulave copëzohej në plasaritjet e dritareve.

Gjyshes ato zhurma ja ngrohnin ajrin e ftohtë,

Që përplasej

Në kollonat ku vareshin vergjet e misrave.

Dhe shikimi tretej midis hapsirave bosh.

Dhe i ngrinte lotët brënda qepallave

Të njomte të zezën e syve.

Pritja dhe mungesa e lodhnin.

Pas pak do hanim të gjithë fasule,

Me bukë misri të thekur

Dhe një kokërr qepë të shqepur.

E ku kish më mirë

Gjyshja ishte rrahja e zemrës time.

Kur nisesha në rrugën pa kthim,

Nuk më linte të bëhesha pre e ferrit.

Kaq solemne e mbushte këtë ajër.

A ma shihte ajo shpirtin tim!

Me rrahje të forta e falnderonte zemra ime.

Ajo këndonte me melodinë e saj,

Unë mendimet nga qielli do t’i kthej.

Do t’i zbres nga Shëndëlliu dhe Mali i Bardhë.

Ato janë malet tona.

Tek dhoma e zjarrit,

E vatrës së dëshiruar.

Qëndroja në këmbë përball saj.

Kërkoja gjyshen.

THATËSIRË

U fshesua qielli

Nga retë e arnuara që bënin paradë mode,

Nën rrezet e flakta ajëri avullonte.

Fshehur stuhive qëndronte dielli,

Larg reve vazhdonte aventurën.

Të trishtuara vareshin gjethet,

Pa u pjekur u derdhën frutat nga degët.

Parakaloi muzgu i nxehur flakë drejt mesnatës,

Të shuhej kërkonte pak freski.

Hëna e kafshuar nga Dielli,

Pak gjallëri u dha gjetheve.

Lehtësuan kokët kallinjtë e grurit.

Zogjtë po perkëdhelnin barkun.

Panorama e portokalltë kërkonte shpërlarje.

Të hutuar peshkatarët vozitnin varkat lakuriq,

Në fund të detit arratisur peshku.

Gjallesave duhma po u merrte frymën.

Bari kërkonte lagështirë,

Ashtu si pemët e etura,

Si zogjtë që frynin puplat të strukur nën hijet.

Njerëzit i luteshin Zotit.

MËSIM I PËRGJAKUR

Fshati I zhuritur në barkun e malit,

Si gjerdan i pa këputur që i mungojnë xhevairet.

Trupi i nxirë, i lehtë,

Lavdi e humbur në shekuj të shëmbur.

Derdh lotë Shëndëlliu,

T’u zbardhë mureve shkëlqimin

Dhe trokitja e hapit zgjon kujtesën,

Rrugicave që kanë psherëtirë dhimbjen e ngarkesën.

Tretet Shëndëlliu me eshtrat e thara nga gjaku

Dhe flakët i përpinë qiejt

Dhe gjaku që u derdh pragjeve

Do harronte se kishte parë e duruar.

Por nuk do të harronte se kishte dëgjuar britma,

Tingëllima armësh Natën e Pashkës.

Koha ia përpjek qerpikët,

Fytyrën e tjetërsuar

Ia lajnë dallgët e Joint

Nga bishat e Ali Pashës sypërgjakur.

Janë tharë puset,

Krojet kërkonin nuset me djepet në duar

Kur ecnin majë gishtash gur mbi gur

Dhe vajzat me gërshetat si grurë

Dhe dashuritë nën hijen e vreshtave

Me shportat plot rrush e puthje

Që ua dhuronin trimave…

Ishte e kohës pabesia,

Por ata na mësuan si të vdesim

Ballëlartë, me trimëri!

KUNDËRAKUZË

Jam përbuzur për shumë kohë, i prishur biografie,

Nga pritja jam lodhur

Të mësoj

Armiqtë e popullit si janë?!

A u dukem unë një i tillë?

Unë jam,

Apo ti që më akuzon mua.

A mund të quhet armik

Një që ankohet për mjerimin

Apo mund të ketë kritikuar

Dhe ata që na drejtojnë.

A mund të quhet i tillë

Një që kërkon të drejtat e tij?

Unë mendoj se armiku ke qënë ti.

Mendoj se shkaktari i vuajtjeve je ti.

Ti je armiku, e jo unë e ai, ata dhe ato,

Që ngrenë zërin se punojnë si skllevër.

Unë jam si ai uji i burimit,

Ndersa ti ujë prroit në përfundim.

Dhimbjet i kam kaluar plot durim

Me pellgje lotësh.

Kurthet fatale, pabesitë më thyenin vertebrat,

Ku të gjithë ju, mundoheshit të më rripnit mua,

Të arnuarin me xhaketë e pantallona.

Brënda syve me janë thyer mendimet,

Më janë zhbërë kujtimet.

Pritja më ka lodhur që të mësoj

Se populli të akuzon,

Se armiku paske qënë ti!

ME BUZëQESHJE HESHT LOTIN

Fjala enigmatike

Lotë në heshtje.

Enigma jetime në hije.

Fjalët nuk kanë këmbë

Janë

Gërvishje mëndjesh.

Unë

Qëndroj larg tyre.

Me buzëqeshje çaj yjet

Dhe hesht lotin.

TË VAZHDOJË ËNDËRRA

Malli im kërkon durim

Më mbyt trishtimi.

Në krahët e tu,

Një fluturim në ëndërra.

Ta dish e dashur

Aty më zë gjumi

Dhe aty zgjohem.

Aty kam fshehur zemrën time

Brënda teje.

Do ta shuaj vet zjarrin

Në pyllin e dëndur.

Sa të jem në krahët e tu

Tëvazhdoj ëndërra.

Mos më zgjo.

NATA E PASHKËS

Kush e shikonte atë brezë muresh

Si njëshirit i përzhitur nga zjarret,

E dinte

Se aty paskan jetuar dikur njerëz.

Ka gëluar jeta atyre mureve.

Kanë frymuar dhe

Kanë vdekur.

Kanë ndërtuar e prodhuar.

Kanë kënduar,

Janë martuar,

Kanë vallzuar e gëzuar,

Kanë luftuar,

Janë vrarë e kanë qarë deri asaj nate,

Ku gjithshka u rropos,

U përmbys,

U dogj e asgjë nuk ekzistoi më paskëtaj.

Gjëja e gjallë u vra,

U rrëmbye apo mori arratinë.

I gjithë fshati u përfshi në flakë

Nga kanibalë me thika në dhëmbë dhe

Me urat e zjarrit në duar.

U dogj për të djegur qëndresën.

Trimërinë,

Krenarinë,

Shqiptarinë.

I malluar për fshatin tim

Për fshatin e shkrrumbuar,

Fshatin e kthyer në kujtesë të zymtë,

Fshatin e të parëve të mi.

Të trimave,

Të kapedanëve,

Të rezistencës.

Fshatin hero të bregdetit.

Fshatin e djegur disa herë

Nga Osmanët dhe Ali Pashai.

Mëndja ime pushtohet nga nostalgjia,

Por bri saj këlthet dhe mëria.

Sa breza do ken kaluar në atë fshat

Shumë të vjetër,

Para se gjëma e kobi të ndodhte.

Sa emra trimash janë harruar

Dhe sa kujtohen akoma duke sfiduar harresën,

Historitë dhe kujtimet

I dogji kronika e zezë e atyre hordhive,

Të cilët erdhën tinësisht,

Pas shpine, pa kuaj, pa zhurmë,

Si hienat me anije të zeza,

Duke rrëshqitur në natën e zezë,

Mbi sipërfaqen e zezë të detit,

Me shpirtëra të zes,

Për të nxirë shpirtrat tanë

Edhe gurët.

Për të nxirë barin e porsa çelur të Prillit,

Për të nxirë nënat,

Trimat,

Historinë.

Për të nxirë trupat e vrarë

Nën rrezet përvëluese të diellit,

Të pa varrosur.

Të shumtë ishin ata që u vranë

Apo ikën në natën e zezë.

Digjet qielli nga flakët.

Fluturon ajri i djegur.

S`ka frymëmarrje

Gurët e shtëpive shkretëtirë.

Hordhitë prishën ëndërrat

Dhe shpirtërat humbën.

Kush i shpëtoi shpatës

Mori fatet mbi shpina dhe,

U nisën drejt të panjohurës.

VIJ NGA BREGDETI

Në qoftë se më pe që të vij i ngarkuar

Me ullinj e vaj

Vij nga bregdeti.

Në qoftë se më pe të vij me duart plot

Me limona e portokaj,

Vij nga bregdeti.

Në qoftë se më patë të ngarkuar

Me oktapodë dhe peshq të gjallë,

Vij po nga bregdeti.

Në qoftë se e patë kur kaloi si hënë

Një vajzë

Ta dini, kështu i ka bregdeti.

Dhe po patë që të shkëlqej si yll,

Një djalë,

Me siguri ështe nga bregdeti.

Dhe një lule trëndelinë

Erë të vacantë do të mbajë

Edhe një sheleg i pjekur me shije në Maj

Që ta ka ënda këmborën dhe zilen në stan,

Me siguri nga mallet e bregdetit.

Edhe një dorë dhe ta shtrydhësh

Po mbajti erë gjak,

Kujtoni historitë!

Është nga bregdeti ajo baltë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora