E shtune, 20.04.2024, 12:56 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Ik nga kurvizmi

E diele, 23.02.2020, 01:01 PM


Ik nga kurvizmi

Nga Edison Ypi

Majtas e djathtas rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësish. Po të vazhdosh të ecësh mbi këto rrugë, pas pak do çmendesh. Ik. Ik e mos u duk.

Mozaiku kriminal ta mpin trurin. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol. Ik nga kurvizmi propagandistik, ik nga syt këmbët.

Në bulevard ta err shikimin varri i kurvit. "Është vepër arkitektonike", "dëshmi historike," "brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur", janë rrena trashanike për të mos i lënë shqiptarët të ikin nga kurvizmi. Ik o ik. Ik si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.

Sheshi tek Pazari i ri mban emrin e një vrasësi me pagesë që e mbajnë për dëshmor. Ik-ik-ik, dhe kurrë mos u kthe.

Krim në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare pa asnjë lidhje me preferencat e elektoratit. Shpifje, intriga, kurthe. Të mbushet balli me djersë. Nëpër trup të kalojnë me mornica. Mos humb kohë me çmendurira. Ik.

Ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, këmbehesh nëpër shkallë me një sigurims që të sheh vëngër sikur i ke vra babën.

Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t'i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret.

Në rrjetet sociale tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra në kërkim të burrit duke fotografuar veten në një mijë mënyra. Burra-lavire pa asnjë zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg nga Shqipëria ndodhen aq më trima hiqen. Nuk durohen. Ik nga këllirat, ik e mos u duk. Ik nga kokën këmbët. Barkaz a me kurriz, duke u përplasur a duke u rrokullisur, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.

Kurvistat më të ndyrë kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.

E ç'të duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi. Ik o budalla, ik. Ik këmbeji kaltërsitë e Llogorasë me blozat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me qelbësirat e haleve që do pastrosh.

Ik qafën thefsh. Ik edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar. Ik ku të mundësh. Vetëm në Shqipëri mos rri. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u kthe.

Ik o shqiptar ik. Ik nga kurvizmi.

Ik sa më parë, sa më larg. Hiç mos u sëkëlldis se shqiptarët paksohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria kurrë nuk ka qënë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët kurrë nuk kanë qënë më pak se kanë mundur të jenë.

Mos u merakos se pasi të kesh ikur do vijnë t'i pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmi u kultivua me aq zell e pasion prej vetë shqiptarëve në atë masë sa tashmë ka rrënuar gjithçka, askush nuk do mund të ndezi vatrat e ftohura dhe ngjalli shtëpitë e vdekura.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora