Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysen Kobellari: Album me fabula dhe epigrame

| E enjte, 20.02.2020, 06:44 PM |


Album me fabula dhe epigrame

Nga Hysen KOBELLARI

JASTËKU I ËNDRRAVE TË MIJA

Një jastëk e ka kushdo,

Një jastëk për kokën,

Një të tillë e kam dhe unë,

Një jastëk të vogël.

Mbi jastëk, ja, një qëndismë,

Dielli që bën zjarr.

- O jastëk, besnik i fismë,

Mik edhe thesar !

Moj e mira, ç’ke qëndisur

Përse s’më rrëfen ?!

Unë mbështes kokën mbi pupla,

Nën të bota zjen.

Moj e mira, ç’ke qëndisur

Dafinë e pëllumba !

Kokën e vura ngadalë

Rashë mbi të dhe humba …

Ç’bëra ditën, keq a mirë,

Numëroj me gisht.

Jastëku më fton të shtrihem :

Falu paqësisht !

Sikur ha një ëmbëlsirë

Fabulat,

mos m’i shaj, o Petrika,

me atë gjuhë mashkullore;

A nuk e ndjen,  o të raftë pika,

se në to ka frymë të lartë hyjnore ?!

Ka frymë nga Bibla e Kurani,  brenda

Urtësi e Popullit aty gëlon;

Lexon,  e të mendosh ta paska ënda,

po bëj kujdes,  gjithë Bota aty vlon !

Mua shamë,

unë jam prej mishi;

Në të butë Djalli hyn më lehtë

Tërë të dobëtit ai i tundoi,  i grishi,

mendo,  se ku të çon ai i  shkretë ! ...

Mos më pandeh,  or mik,

një fabulist dhe ... aq !

S’bie më poshtë se një Profet i mirë !

Veset e mbarë njerëzimit i zgërlaq,

që Bota veten ta pastrojë

sikur ha një ëmbëlsirë ...

Hiqma samarin, më shih plagët !

Një kalë të bukur ka Aliu

me lajle - lule përmbi krye;

Ka dhe samar kalë - doriu

kaluan vite dhe s’iu thye ...

Bëra një ditë bisedë me kalin,

i thashë se je një kafshë pa halle;

Ai mbi gardh përplasi ballin :

- Zotni, me mua mjaft u talle !

Si  çdo gjallesë përmbi tokë

nuk gjen gjëkundi kalë pa halle;

Në këtë pikë jemi shokë,

jemi së bashku në një valle ...

Unë  e besova ç’më tha kali,

fjalët e tij nuk janë harram :

- Hiqma samarin, o lum djali

dhe  m’i shiko plagët që kam !

Opozitën,  pse e dua  ?!

Shumë herë ti po më pyet,

o Çelo :

-  Opozitën,  pse e do  ?!

Po, nuk ka si të mos e dua,

nuk më lë të gaboj rëndë,

nuk më lë baltë nën thua !

Po dhe shtegu në i daltë,

më mbulon komplet me baltë ...

T’i  thuash  derrit - Dajë ...

- Më thuaj Dajë ! -

i tha Derri një miushi kërthi,

po kokëfortë kishte qëlluar

i gjori mi.

- Të them Derr,  siç je,  o  i uruar ! -

ia plasi miu i zemëruar.

Ndaj mori Derri inat

dhe në govatë

nuk i la asnjë thërrime.

Miu mbeti keq,

u lig,  u tret e bëri fir ...

Derri inatçor bënte sehir

e qeshte si dreq ...

Miut i bënë zorrët demonstratë

krejt barku iu ngrit kokës

në revoltë.

Dikur u dorëzua kokëforti mi,

i tha Derrit -  Dajë ! ...

Derri u kënaq.  Qeshi : Hi,  hi, hi !

Dhe la ca thërrime miu t’i hajë.

I mjeri mi,

mbeti skllav i tij ...

A di qeni nder ?! ...

Një qen të bukur pata,

të bukur sa më s’ka;

I bardhë, me këmbë të gjata,

i zgjuar,  marshalla !

Unë s’i kam dashur qentë,

tërë bota le ta dijë;

po kur e do familja

do bëhesh si fëmijë ...

Pra, e nderonim qenin,

ish krenaria jonë.

Ca miq erdhën vizitë,

një mbrëmje,  natën,  vonë.

Qenushi u gëzua,

nga kjo vizitë

pasdarke

Dhe hipi përmbi stufë

tenxheres erë i marrke ...

Po ç’desh ai atje,

e kishim lënë pa ngrënë ?!

Ndaj desha ta ushqej

sepse më vinte rëndë.

Pra, ia afrova mishin,

të ngulur në pirun;

por oh,  ç’ma kapi gishtin

ky qeni firaun  ! ...

Dhe gjak pikoi gishti,

gjak prej zemrës sime;

S’e vrava qen mavrinë,

shpëtoi për një qime ...

Pa ma mjekuan gishtin

fëmijët tim, për tmerr;

pastaj foli dhe miku :

- Nuk ditka qeni nder !

Gazetarët

Ata kanë punë të vështirë,

ç’është e vërteta.

Që kur doli Media Televizive

pak shitet gazeta ...

As mbjellin,  as korrin;

Fjala dhe letra

për ta janë farë dhe arë.

Por ndonjëherë, nga nevoja

edhe priftin e bëjnë me barrë ...

Edukimi  i  fëmijëve

- Duam ne një Profesor ! -

thirrën kafshët në një kor.

U hap lajmi vesh më vesh :

- Dhelpra është Profesoresh ! ...

Ajo mori shkop e shkumës,

gjysylykë sipër hundës.

Dhelpra kish si metodikë

veç lirisë shembuj praktikë.

Për ndonjë që s’merrte vesh

Përkëdhelje dhe ... Peshqesh !

Shkuan javë,  ikën muaj

Dhelpra nervash zë të vuaj;

Një qenush qimeplatin

vetëm grindet, ulërin ...

Me të mirë e me të keq

Qen - mistreci dorë s’heq.

Dhelpra ,  hop ! , sa forcë pat,

ia pllaviti në surrat ...

Nënë e qenit mban fjalim :

- Ç’kuptim ka ky edukim ?!

Qeshte Dhelpra nëpër pluhur :

- Një shuplakë në kohë të duhur !

Bëj fole atje ku je  !

Na dashke të largohesh nga Politika,

or mik ?!

Të mërziti fort ky art që të prosval ...

Po dale, dale,  aq kollaj nuk ik,

ke përpara dhe një goxha mal !

  SKALION TË PARË  qëndron familja,

që piu sisë sa plasi

nga Politikë - kopilja ;

  SKALION TË DYTË gjithçka lëviz,

Farë e Fis,

Degë e Lis ...

Kjo botë u kokoleps me interesa,

se po të ikësh ti, na valon fshesa.

E kush të lë,  të luash nga instikami ;

Bëj fole atje ku je,

se bëhet nami !

Dhelpra mëson të bijën

Na ishte një dhelpër,

nënë e zhuritur;

Na kishte një bijë,

fare të paditur.

E bija me gjahun ishte e parrahur,

Zanatit të skiljes s’ia kish marrë krahun ...

Lëshohej, e shkreta në tufën me pula,

Por asnjë nuk kapte :

- Hej, të humbtë vula !

- e mallkonte çupën dhelpërakja nënë.

- U rrite, moj bijë dhe Alfën s’ke nxënë ?!

- Më mëso, moj nënë, nga përvoja jote,

Si të bëj, e mjera, si vepron zotrote ?!

- Dëgjo, bija ime !  Njërës verja synë,

Ky mësim ka ardhur nga i lashti ynë.

Një, lakmo të kapësh. Kopenë harroje.

Mos u sul pas gjelit, pulës dalëboje !

Këshillën e nënës në vesh vëth e vuri

Dhe të parën herë zoçkëzën ç’e zuri ...

Të ftojnë, popull i dashur  !

Të ftojnë,  popull  i  dashur

në tryezë politikani.

Veshin hape, llapëtrashur,

veç premtime merr Sovrani.

- Populli është Buall,  -

del llafi i ngrohtë. -

Nuk merret vesh

ç’mendon e ç’thotë ! ...

Jeta jote,  rrokopujë;

Pranë sofrës me premtime,

gojëzënë

s’pi dot as ujë !

Zgjedhja e shërbëtorit

Miut bishtgjatosh njëherë

punë i ofruan. I thanë një mbrëmje:

- Ku dëshiron të shkosh, o i mjerë,

të bëhesh shërbëtor,

të nxjerrësh bukën tënde ?!

Shkon te Ari Trashaliu ?

Ai e ka shtëpinë plot me trima,

ka ca pasuri, mall e gjë, sojliu,

veshur e mbathur me opinga ...

Apo Luanit do deshe t’i shërbesh,

Atij që krifën e mbulon me brucë;

Që rron si në përrallë me bir e luaneshë,

të gjithë të veshur me këpucë ?!...

- Më mirë tek Luani, - vendosi Miu. -

Që mban këpucë e rron si bej,

Se, sido ndodhte e,  ç’sjell veriu

Aty një palë opinga do t’i gjej .

Ndryshe, po shkova te Ari sojliu,

po s’pata fat, dale, mor dale,

se pas opingash,

mos mbetem zbathur fare !

Atdheu sot

Për të liqtë je parajsë,

për të mirët, bëhesh ferr;

Mëmëdheuthi im i dashur

midis jetës edhe vdekjes

jep e merr.

Nga koka po na vdes shteti,

prej këmbësh e ngjall mileti;

Me durim e guxim

Pastrojmë gjakun ndër vena,

Teksa përmes plumbash engjëjt e Tiranës kërcejnë

M a k a r e n a ...

1997