E enjte, 18.04.2024, 12:20 PM (GMT+1)

Editorial

Sami Repishti: Fytyra e absurdit në Kosovë

E shtune, 18.10.2008, 02:40 AM


Sami Repishti
Fytyra e absurdit në Kosovë

Nga Profesor Sami Repishti

Manifestimi përkujtimor i lindjes së diktatorit, satrapit aziatik E. Hoxha, në Prishtinë dhe disa vende tjera të Kosovës nuk është thjeshtë i pabesueshëm; ai është bizar, grotesk, pa dyshim absurd. Ndërsa Nëna Shqipëri rënkon akoma nga plagët e përhershme të shkaktuara nga një regjim shtazarak, si ai i PKSH/PPSH dhe kryetarit të tyre maniak, në Kosovën e martirizuar nga komunistët jugosllavë, kryesisht serbë, festohet me thirrje histerike ditë lindja e njërës nga figurat më të shëmtuara të historisë shqiptare - ndoshta edhe më e shëmtuara. Qe nga nandori 1944 deri në mars 1992, më shumë se 6000 burra e gra shqiptare janë vrarë me gjyq e pa gjyq; më shumë se 26.000 shqiptarë janë arrestuar, internuar, burgosë dhe torturuar, kryesisht për “faje verbale”; më shumë se 12.000 familje, pleq gradhe fëmijë të prindërve të persekutuar kanë kaluar vite të gjata - deri 45 vjet- në kampe përqendrimi, e punë të rënda nën kërbaçin e policit të kuq; me qindra e mija shqiptarë janë persekutuar në mënyrën më të egër, për 45 vjet me radhë, e në format më çnjerëzore që Sigurimi famëkeq i Shtetit shqiptar mësoi nga të tjerët, ose zbuloi në kërkimet e tij për të perfeksionuar persekutimin. Vuajtja u bë ushqimi i përditshëm; gënjeshtra fitoi statusin e komunikimit social; terrori u përqafua me entuziazëm si mjeti më i lehtë e më efektiv për të vulosë një status quo ku liria ishte vrarë me plumb, ku e vërteta quhej krim, dhe ku dashuria për vëllaun e motrën ishte mbytë nga zhurma e një propagande që kërkonte thellimin e përhershëm të “luftës së klasave” sinonim i pabarazisë sociale, dhe arbitraritetit pa rekurs.

Për 45 vjet, Nëna Shqipëri u izoluanga bota e jashtme; familjet në dy anë te kufirit u ndanë për jetë. Qindra të rij që kërkuan lirinë u vranë nga rojet e kuqe ose u copëtuan nga qentë e tyre. Vetëm “udhëheqja” udhëtonte për “shërbim”, “kura mjekësore” dhe dëfrim jashtë shtetit. Nëna Shqipëri u bë sinonim i një vendi ekzotik, të çmendur, dhe të rrezikshëm për racën njerëzore. Të varfër pa kufi, të zhveshur, të lodhur deri në kockë, tre milionë shqiptarë përkulën kurrizin në punë të rënda të planeve të çmendura pesë vjeçare, për një copë buke, për një presh, për një domate…!

Kur më 1991, mbas përmbysjes së regjimit gjakatar komunist në Shqipëri, një popull i rraskapitur nga frika e uria u vërsul si i çmendur për t’u larguar nga vendlindja, larg nga toka nënë qe u ndërrua në njerkë. Të rinj e të reja shqiptare, shpresa e vendit u arratisen me rrezikun e jetës, në vende të panjohura, në shtete që nuk i dëshironin, në mes të popujve të huaj që i përbuznin dhe i përçmonin, e sot jeton në emigracion.

Vëllëzër e motra shqiptarë të Kosoves! Në qoftë se nuk keni turp të “respektoni” kujtimin e një tirani monstruoz, të paktën keni mëshirë për viktimat e pafajshme të regjimit qe ai krijoi dhe mbajti, pa mend dhe pa pendesë. Mos harronise “shqiptarët e Shqipërisë” janë vëllëzër dhe motra qe ju duan, qe ju ndihmojnë, dhe që dëshirojnë vetëm të mirën tuaj. Me mija janë vrarë nga E. Hoxha që ju, sot, nderoni, vetëm sepse kundërshtuan politikën e tij pro-jugosllave që persekutonte “Shqipërinë Lindore“ siç e quajmë ne. “Edhe flamuri kuq-ezi-do të valojë përsëri - në Kosovë dhe Çamëri- plot me gaz dhe ne liri” ka qenë kënga jonë djaloshare e mbytur në gjak nga pushka partizane e komunistëve shqiptarë. Ju lutem, mos harroni mija të rinj dhe të reja kosovare që u vranë më 1944-45 atje tek ju në Kosovë, e qe u torturuan, u burgosen për vite të gjata nga Sigurimi i Shtetit, e që unë i kam parë në burgjet shqiptare, i kam dëgjuar, i kam prekë me dorë plagët e tyre, dhe kam qarë kur kanë vdekë në burgjet e errëta komuniste, dhe i kam varrosë në vende të panjohura, pa shenjë, pa gjurmë…Fytyrat e tyre të zverdhura nga uria e kamxhiku i rojës së kuqe shqiptare më ndjekin akoma sot, e sytë e thellë të kufomës sikur më thojnë: ”Mos naharroni! Erdhëm sepse deshëm Nanën Shqipni: Kjo Nanë na vrau. Ju lutëm mosna harroni!”

Por manifestimet e fundit enveriste në Kosovë tregojnë se ata viktima jo vetëm që janë harruar, por vriten sot për herë të dytë, kësaj radhe nga vëllëzërit e motrat e tyre kosovare. Manifestimet e fundit enveriste në Kosovë janë pa dyshim fytyra e absurdit kosovar. Ata janë turpi iKosovës, dhe i kombit shqiptar. Ata janëshfaqja më monstruoze dhe imorale enjë pjese të popullit shqiptar të Kosovës- që nuk njeh të drejtën e çdo individime jetue i lirë dhe me dinjitet, dy armiqtëmë të mëdhenj të komunizmit.Ata përfaqësojnë klasën që ka humbur arsyen dhe që është zhveshë nga ndërgjegjja. Zëri i arsyes dhe i ndërgjegjes ka vdekë në mendjet e tyre të turbullta dhe në zemrat e tyre të akullta, sepse ata mohojnë sakrificat e shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, në luftën kundër komunizmit. Kam shumë frikë se këta janë fanatikë recidivistë, dhe elementi i hedhur jashtë kuadrit të shoqërisë njerëzore të qytetëruar.

Vëllëzër e motra shqiptare të Kosovës: Ju lutëm kini mëshirë për ne, viktimate komunizmit gjakatar. Dënonie diktatorin!

*Autori është Ph.D., professor nëCity University of New York (ret.) dhe aktivist për të Drejtat e Njeriut. Ish i burgosur politik në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-1960)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora