E shtune, 20.04.2024, 05:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Të shtrenjtat lulet e freskëta!

E merkure, 19.02.2020, 07:48 PM


TË SHTRENJTAT LULET E FRESKËTA!

Tregim nga Kristaq Turtulli

59 dollarë dhe 99 cent bleva buqetën me lule pikërisht në dyqanin ku Merita shqeu syçkat e bukura nga habia:

‘Ua, nëne, të shtrenjta qenkan lulet e freskëta!’ Klithi.

‘Lulet e freskëta dhe nuse bardhat sigurisht janë të shtrenjta,’ i thashë buzagaz.

Ajo fërkoi hundën vogël, majuce dhe mërmëriti:

‘Hëm, lule janë dreqi ta hajë! Unë s’do i blija kurrë...’

Merita hyri thjesht në jetën time, shkundi vetminë, molën e tmerrshme që, gërryhen njeriun ngadalë, pandierë dhe, në mënyrë të pashmangshme. Ngujuar në kthinën e vogël, nën darën e fortë, të ftohtë të qytetit të madh. Ku ndjehet i tendosur rituali i pandryshueshëm; stresi të mbash me thonj vendin e punës, ngjitja dhe zbritja në trena dhe autobusë. Gjumi i shqetësuar dhe, shumë gjëra të rëndësishme rrëshqasin nga mendja. Miqtë e vërtetë të fëmijërisë së bashku me lojnat, argëtimet dhe shëtitjet buzë mbrëmjeve nën rrugën e blirëve mbetën në memorie, strukur në rrugicat e ngushta me kalldrëm të qytetit të dashur.

Në muajt e parë të emigracionit, disa miq të rastësishëm më përshkruan tavernat me ngjyra të ndezura të nxitnin kureshtjen time. Butësisht e, qeshur nën buzë më tërhoqën në bodrumet e nëndheshme të lokaleve, përmbytur prej dritave vezulluese, pranë avullit turbullues së rakisë dhe duhmës marramendëse së lakuriqësisë. Nepsi im nuk është prerë për tu shkapërderdhur në mjedise të pista. U tërhoqa heshtazi pa e bërë të gjatë...

Në kontinentin e largët dhe të ftohtë, vitet rrjedhin pa kuptuar, muajt dhe stinët ndjekin rrëmbyeshëm njëri tjetrin. Nëna u mplak, u rrëgjua shumë shpejt. I lutem të vijë te unë, por ajo nuk do të lërë vatrën e të parëve. Justifikohet se ka frikë se mos vdesë rrugës, për turp dhe faqe të zezë, kur avioni të jetë lart në kupë të qiellit. Mundohem ti mbush mendjen për lehtësinë dhe kushtet e favorshme të fluturimit me avion. Nëna nuk tundet nga e saja.

Më flet në telefon zë holluar, më shkruan shpesh. Më këshillon  të mos e zgjas, por të vendos, të krijoj si gjithë të tjerët folësen e ngrohtë familjare. Meraku dhe trishtimi i saj është i shpallur në sy.

-Biro, gjej një çupë dhe shkujdesu, më dëgjon ç’të them?- Ngulmonte nëna në telefon.

-Mirë nëno,- i thashë, por s’di si ti shpjegohesha nënës; gjetja e një njeriu të mirë, të lidhësh jetën nuk është kostum me porosi.

Nëna ngulmonte në të sajën.

-Biro mbushe të tridhjetat dhe një qind të bëhesh!- Uron zë ëmbël, gjithë përdëllim dhe shton: -S’ ke ç’ pret, hajt, vendos, më dëgjon biro?

-Të dëgjoj nëno, të dëgjoj, ja, do gjej ndonjë indiane, kineze apo xhamajkiane.- I thashë me shaka dhe shtova: -Këtu ka me shumicë; aziatikë, verdhashë, zezakë, ti mbledhësh me lopatë.

-U, u, u, ç’ thua kështu bir!- foli nëna zë shuar. Dëgjova në telefon kapërdimën e rëndë të pështymës së nënës në stomak. Heshti një copë herë, siç duket fshiu buzët dhe vazhdoi zëdredhur: -Posi, posi, të njeh nëna ty të njeh, nuk shkel në dërrasë të kalbur. Biro, qyteti ynë është me nam për vajza të bukura, të ndershme dhe punëtore.

-E di, -fola zë ulët. Më erdhën përnjëherë nëpër mend vajzat e hijshme të qytetit tim  dhe një prej tyre Miranda, të cilën e kisha simpatizuar në gjimnaz dhe e putha një buzëmbrëmje në muzg. U martua dhe iku në Australi.  I mbështjellë prej nostalgjisë dhe pa e kuptuar as vetë  shtova:- Atëherë nënë më gjej një vajzë siç e di vetë.

Nëna u gjallërua, zëri i saj u bë i mprehtë.

-Të gjen nëna ty, -tha dhe shtoi:- Jam plakë, por kemi plot miq.

Lidhja me Meritën u bë me rekomandimit e miqësisë dhe të fqinjësisë dhe dëshirën e mirë të nënës. Siç ndodh rëndom me djemtë e mërguar dhjetëra male, dete, oqeane kaptuar. I thanë nënës për Meritën, vajzën e Kumrie Tamburasë që punon në postë. Nëna e pëlqeu e, gjithë shend e verë më lajmëroi të shkoj, të shoh vajzën dhe, për hair qoftë.

Takimi me Meritën dhe familjen e saj u bë në shtëpinë e Lefterisë fqinjës sonë të vjetër.  Merita qëndronte ulur në cep të divanit të kuq të Lefterisë, veshur me një fustan të thjeshtë, me lule por që i derdhej bukur në trup dhe mbante sytë përtokë. E kisha të turbullt kujtesën për Meritën, siç ma treguan në fotografi me veshje sportive, buzëqeshje të ëmbël si në kartolina. Ajo jetonte në lagjen e lumit por mua më binte shumë rrallë rruga për andej. Në takimin dypalësh më shumë folën Kumria, nëna e Meritës dhe Lefteria, fqinja jonë. Nëna luante kryet ngadalë dhe fshinte lotët me cepin e shamisë së bardhë. Ajo pa u çmallur mirë me mua, s’ i durohej të më tregonte nusen e ardhshme:

-Biro, të ngrohet nëna e gjorë me fllad nuseje,- mërmëriti.

Hesht. Më rëndon lëmshi i madh të mallit dhe nostalgjisë. Merita bardhoshe e kolme, plot vlagë, afsh, mban kokën pakës të anuar mënjanë. Gjoksi i plotë ngrihej dhe ulej me shpejtësi, buzët e plota gjithë tul, pakës të hapura. Flokët e zinj dhe të dredhur i derdheshin si ujëvarë. Në qafën e bukur dhe të bardhë i dallohej një nishan i zi. Pa e kuptuar më hipi dëshira marroqe ti puthja atë nishan. Ajo puliste qerpikët e gjatë, si krahë dallëndyshe dhe e pasigurt shtronte mbi gju palën e fustanit të kaltër. E vështrova, më pëlqeu, e freskët e ëmbël, ndezëtare, me dy gropëza të hijshme në faqet e purpurta, s’ kish të sharë. Buzëqeshte ndrojtur, me shikim butë në dysheme.

Ceremonia e prezantimit e dy njerëzve që do lidhin jetën së bashku, përfundoi. Përfaqësitë u tërhoqën me buzëqeshje mirëdashje. Na lanë të dalim të shëtisim, të bisedojmë dhe të njihemi mirë. Dita plot diell, në bulevardin kryesor të qytetit kanë shpërthyer lulet e blirëve. Ne ecnim në heshtje ngadalë, krah për krah, nën erën e mrekullueshme të blirëve dhe, kurmi i saj fërgëllonte. Theva heshtjen dhe nisa ti flas për qytetin e madh, jetën e vrullshme, ujëvarën e famshëm të Niagarës, liqenet e ngrira në dimër. Të rinj dhe të reja luajnë me patina. Merita dëgjonte, s’fliste, e ndrojtur por sytë i vezullonin.

Lefteria më rekomandoi lokalin e fshatit të Boboshticës me ambiente të qeta dhe intime. Lokali ish vërtet interesant dhe karakteristik. Darkuam me mish qengji. Vetëm unë flisja, ajo dëgjonte e përqendruar. Më ndërpriste rrallë, me pulitjen e pandërprerë të qerpikëve. Kur u ndamë e pyeta:

-Merita dëshiron të jetosh me mua në Kanada?

Ngriti kokën vrulltas dhe me lëvizje nazike hodhi flokët mënjanë. Më vështroi gjatë dhe luajti kryet në shenjë pohimi. Pohim i çiltër, s’ka nevojë për shumë fjalë. E putha lehtë në buzët tulta. Ajo nuk lëvizi, qëndroi symbyllur. E putha përsëri...

Pres Meritën, ta përqafoj me mall dhe dashuri, të puth buzët e saj të kuqe si dy qershi belice, ti përkëdhel flokët e zinj dhe kaçurrela, i derdhen në shpatullat e hijshme si ujëvarë, të prehem një copë herë në gjoksin e plotë dhe të fortë. Të ndjej erën e këndshme të kurmit të saj dhe të besoj, gjithsecili ka nevojë të dojë dhe ta duan.

Rregulloj me kujdes letrën e tejdukshme të buqetës me karafila dhe trëndafila. Bredh vështrimin moskokëçarës në mizërinë e pritësve të afërmeve të tyre, të grumbulluar përpara dyerve vetëlëvizëse të aeroportit të madh. Jeta si gjithnjë është e ngarkuar me ikje, pritje, takime, çmallje dhe përqafime. Udhëtarët e lodhur nga fluturimi i gjatë, të rënduar nga valixhet, lumturohen kur dëgjojnë klithmat e gëzimit dhe të pritjes.

U mbaj erë me ëndje karafilave dhe trëndafilave. Janë të freskëta. Erëmirën e luleve e ndjejnë gjithë pritësit, kthejnë kryet nga unë kur lëviz afër tyre. Bëj kujdes kur mbledh gishtat rreth buqetës, mos zhubros letrën e tejdukshme mbështjellëse dhe lëviz rrëshqanthi me frikën e përplasjes së paparashikuar.

Buqetën me lule e bleva 59 dollarë dhe 99 cent në dyqanin luksoz të luleve ‘Ada’. Sa herë bënin shëtitjen e së dielës Merita ngadalësonte hapat, thithte me etje erën e mrekullueshme të luleve dhe sodiste me zili karafilat, trëndafilat, tulipanët, vendosur kujdesshëm në vitrinë. Habitej me aromën dhe freskinë e tyre, paçka se jashtë binte borë. Por çmimet e luleve të këtij dyqani janë të kripura. Kur përcolla Meritën i premtova:

-Kur të kthehesh do të pres me karafilat dhe trëndafilat e dyqanit të luleve ’Ada’.                       Sigurisht, kur të vijë, tu mbajë erë  do rrahë shuplakat dhe do bërtasë prej kënaqësisë.      Iku e përhumbur prej merakut të sëmundjes së papritur të babait dhe s’më ktheu përgjigje.

Kumria dhe Lefteria më këshilluan, të shpallnin fejesën dhe të bënin celebrimin në gjendjen civile, të lehtësoheshin procedurat burokratike të tërheqjes sa Meritës në Kanada. Nuk ka kuptim që çifti i ri të qëndrojë i larg njëri tjetrit. Merita është shegë e arrirë.

Nëna u sëmur dhe në aeroportin e ri të Rinasit më përcolli Merita. Mu duk shumë e bukur Merita. Era luante marrëzisht me flokët e zinj dhe kaçurrela. Pa u larguar ndjeva mall për të. U puthëm, u përqafuam. Vështrova ngulët fytyrën e saj të trëndafiltë. Ajo mblodhi supet e hutuar dhe mbështeti kokën e bukur në gjoksin tim. Zemra ime rrahu me vrull...

Në krye të gjashtë muajve Merita erdhi në Kanada. Zura me qira një dhomë të madhe e një kuzhinë me pamje piktoreske nga liqeni. Të gjitha mobiliet, divanet, kolltukët, shtratin e madh, bufenë, televizorin i bleva në dyqanit italian të ‘Lionit’. Mbushja e ambientit me orendi moderne më kushtoi, por unë kam punuar aq sa të krijoj kushte të mira jetese për veten dhe gruan e re.

Merita gjithë energji. Një fllad i freskët, gjithë musht dhe jetë fryu në ambientin e rregulluar me shije në familjen e re. E regjistrova Meritën në kursin e përshpejtuar të gjuhës angleze. Shpesh herë ajo kaplohej prej mendimeve dhe kur e pyesja me thoshte:

-S’ është e lehtë të largohesh prej vendlindjes. Më zë malli për familjen sidomos për të babanë, Demirin, kam debulesë.

Demiri, burrë i imët, fjalëpakë, me sy të fryra që e ka për zemër konjakun dhe fërnetin. I dhurova një shishe me konjak, ai më vështroi sy të rrëmbushur dhe iku në dhomën tjetër.

Lodhja e punës dhe stresi e përditshëm u fshi si me dorë. Në shtëpi më priste një njeri që më do dhe e dua. Streha e shtëpisë është e ngrohtë.

Një natë përpara bërjes së seksit Merita mu lut të jem pak i kujdesshëm.

-S’ ka përse të nxitohemi të zënë fëmijë,- më tha.

E pashë me habi.

- Më fal, të lutem më fal,- ia bëri ajo. Më rrasi kokën e bukur në gji dhe shtoi:- Të shijojmë mjaltin pa kokëçarje...

E aprovova pa mëdyshje. Merita buzëqeshi e kënaqur dhe si një lozonjare u lëshua e shkujdesur në krahët e mi. Kam parë shumë miq, kanë fëmijë, mezi u del të paguajnë morgiçin, çerdhet e fëmijëve, taksat, punojnë burrë e grua me turne të kundërta. Më ankohen, për vështirësitë dhe përballonin e jetesës.

Mbas katër muaj duke më puthur dhe përdredhur si dhelpërushe mu lut ta ndihmova të futej në një kurs privat të plotë për farmaceutikë. Pagova për të dhjetë mijë dollarë. Paratë janë kurrgjë në krahasim me ndihmesën që do japë në të ardhmen familjes sonë të re. Merita studio me këmbëngulje. Shpesh herë bëhej nervoze dhe e paduruar. E qetësoja. Ajo gëzohej dhe më puthte fort në buzë.

Disa trille femërore Merita i fshihte me fanatizëm. E vështroja i habitur. Më puthte cepin e buzës, pastaj mi kapte me majat e dhëmbëve, përdridhej përpara hundës dhe qeshte si çilimi. Tërhiqesha në çast, nuk më dukej fort e hijshme të ngulmoja. Do dukesha në sytë e saj një skuth i keq. Zakonisht femrës i pëlqen të mbajë për vete disa sekrete të vogla simpatike, për tu bërë pakës enigmatike. Qeshja me zemërgjerësi dhe ajo shkrihej prej kënaqësisë.

Në ceremoninë e marrjes së certifikatës, të përfundimit me sukses të kursit mora lejë nga puna. Merita qëndronte hijshëm ulur në stol veshur me uniformën blu dhe kordele të kuqe të gradientit dhe më përshëndeti lehtë me dorë. Më shumë isha unë i emocionuar se sa ajo. Kur iu thirr emri Meritës për të marrë certifikatën brofa në këmbë i emocionuar duartrokita dhe fërshëlleva. Ajo eci rëndë- rëndë, më erdhi për të qeshur. Darkuam në lokal luksoz, në qendër të qytetit. Pimë verë ’Bordo’, lashë dyqindepesëdhjetë dollarë. Të dy ardhëm në qejf. Kur hymë në dhomë Merita më kërkoi ta mbaja në krahë. E ngrita hopa e putha në gushë. e gudulisa. Por kur u zhveshëm lakuriq të bënim seks, çuditërisht u bë krejt esëll. U ngrit vrulltas në këmbë, veshi me shpejtësi te brendshmet, këmishën natës dhe më kundërshtoi prerë, me ngulm.

Të nesërmen si zakonisht u ngrita herët. Kokën e kisha pak të rëndë prej verës që piva më vonë, mbasi kundërshtimi i saj më mërziti. Merita u rrotullua në shtrat, futi krahun poshtë jastëkun, puliti qerpikët dhe u shtriq. Ndiqte me vëmendje lëvizjet e mia. I thashë:

-Ditën e mirë!

Ajo luajti kryet dhe fërkoi mjekrën mbas jastëkut. Shikimin e kish i zbrazët, asnjë gjurmë nga euforia e djeshme. Zbrita poshtë, ndeza makinën dhe u nisa për në punë. S’ më shqitej prej mendjes ndryshimi i beftë i Meritës për të dhënë ngrohtësi. Më habiste gjithnjë me ca ndryshime dhe trille të befasishme, sa ndjehesha i pështjelluar. Herë më dukej më e brishtë si një fëmijë e llastuar. Prekej shpejt dhe për hiç mos gjë, trishtohej e përlotej.

Kur u ktheva, gjeta Meritën në kuzhinë, qante me dënesë. Harrova në çast mërinë mbrëmshme. E afrova pranë, i përkëdhela flokët e butë si kadife:

-Përse qan moj zemër?- e pyeta.

Ajo ngriti kokën, mjekra i dridhej, prej ngashërimit. Fytyra e saj mu duk e zbehtë dhe sytë e skuqur. Mu dhimbs gruaja. Është e tmerrshme kur qan gruaja. I bëra kafe të fortë dhe prita me gjakftohtësi të ndalte ngashërimin dhe të fliste.

-Babai, Demiri, është i sëmurë nga zemra,-më në fund mora vesh.

Ah, Demiri, pijetari shembullor i konjakut dhe fërnetit.

Ajo fshiu hundët dhe shtoi:

-Në vendlindje mjekët të shikojnë duart dhe përkujdesja për të sëmurët është për faqe të zezë.

-Sille këtu,- i thashë pa e zgjatur.

-Oh, sa i mirë je!- ia bëri Merita u çel në fytyrë. Brofi prej shtratit dhe mu hodh në krahë.

Tërhoqa formularë nga ambasada, i dhashë Meritës ta mbushë dhe ti a nisë menjëherë familjes. Kur shkoja në punë e lija gruan të ngrehur. Kontrollonte postën dhe qëndronte në pritje të telefonatave, për aprovimin e vizës së të atit për të ardhur në Kanada.

Viza u aprovua, Merita shkoi me ngut në vendlindje të sjellë të atin. Unë tërhoqa nga banka dollarët e fundit, ti bëjmë këtu operacionin koronar të zemrës. E merrja në telefon, më dilte Kumria, e ëma, më fliste me zërin si piskamë, më shurdhonte veshët:

-S’ka kohë. Gjysmë njeri mu bë njeri çupa. Kokë mushkë, i qëndron të atit në spital, natë e ditë. Mu leqendis çupa...

Vështroj orën e dorën, po afron koha të shfaqet Merita, të vrapojë e malluar drejt meje. Të më hidhet në krahë, ta puth me zjarr. Jam i emocionuar, e kam nga mallëngjimi dhe padurimi. Ikja e saj më la shtëpinë bosh. Nuk thonë kot, burrë e grua mish e thua. Të mos qëndroj vetëm në shtëpi, punoj dy turne bashkë.

Pi shpejt e shpejt kafen. I hodha dy lugë sheqer por përsëri mu duk e hidhur. Lë gjysmën pa pirë dhe me padurim, mbaj sytë e mbërthyer nga dyert e mëdha lëvizëse, ku dalin pa ndërprerë udhëtarë.

U interesova dhe mësova; avioni Alitalia, Romë-Toronto, ka se tre orë që mbërriti në aeroport. Merita s’ po duket. Çfarë ti ketë ndodhur zemrës sime të dashur?! Mu shtua meraku. Ndoshta vonesë në doganë, qetëso veten. Doganierët e aeroportit janë tmerrësisht të padurueshëm, gërmojnë dhe futin kudo hundët kudo, si minj.

‘Kumria më tha, nusen e ke të merakosur me sëmundjen e të atit dhe mbërritjen,’ më tha nëna në telefon.

‘Për mbërritjen mos e vrasë mendjen. I rregulloj të gjitha unë. E takove, u çmalle?’ Pyeta nënën.

‘Kë, nusen?

‘Po’

‘Jo. Ku mblidhet ajo.’

‘Si kështu?!

‘Ku di unë. Erdhi ditën e parë, sa  bëri ku-ku xa dhe s’e pashë më. Po s’ ka faj e gjora. Mendje prishur bëhet njeriu kur sëmuret prindi.’

‘I shkove krushkut për vizitë.’

‘Ku ta gjej , më thanë është në spital, në Tiranë.’

‘I gjori Demir!’

‘Ashtu, posi, i gjori Demir? E lakmon të shkretën raki.’

Mos ndoshta gjatë fluturimin i ndodhi Demirit, ndonjë krizë e fortë e fortë zemre? Eh ç’ është njeriu, flakë kashte!

Buqeta e madhe me lule më lodhi krahun, e hodha në dorën tjetër. Pritësit kthejnë kokën dhe u mbajnë erë luleve të buqetës sime. Lëviz dhe shpërndaj aromë lule erëmirë. Nuk u pendova që pagova 59 pesëdhjetë dollarë dhe 99 cent.

Gishtat që mbajnë të shtrënguar tufën me karafila dhe trëndafila mu qullën shpejt, lëvizën pakujdesish mbi mbështjellësen e lëmuar dhe të tejdukshme. Fleta u zhubros dhe kërciti lehtë. Gishti i vogël u pickua dhe u gjakos prej gjësendi. As vetë nuk e mora vesh nga u ndodh ai tel i mprehtë apo gjemb në atë buqetë të shtrenjtë me lule kundërmuese, që përgjaku dorën.

Më mbërtheu një nervozizëm i pakuptueshëm. Fshiva gjakun me një copë letër që mu ndodh në xhep. Lëviz sa më afër, mbajt lart mbi kokat e turmës buqetën me lule. Më bren meraku i ngjeshjes së pakontrolluar të tyre.

Mbështetem në kolonën e betontë dhe nuk vendos ç’ duhej të bëj. Të marr dhe një kafe tjetër, por rreziku i pagjumësisë ma largoi këtë dëshirë. Dyer hapen dhe mbyllen me shpejtësi, dalin udhëtarë të rënduar prej valixheve. Dreqi ta hajë qenka torturuese pritja. Sidomos kur pret gruan. Sidoqoftë pritja dhe takimi i afërt merr një kuptim të madh dhe zemra të gufon prej gëzimit.

Oh, ja! Më në fund doli Merita tërheq pas dy valixhe të madha dhe të kuqe. Kur iku mori me vete valixhen e vogël, blu. Fytyra e Meritës duket e skuqur si e flakëruar dhe, flokë shpupurishur.

-Merita, Merita!- i thërres  dhe tund buqetën me lule. Shtyj me bërryla turmën dhe turrem drejt saj, ta ndihmoj. Mos më lodhet  gruaja. Kut ta takoj do ti them.

-Merita, të porosita disa herë. Kur të vish mos merr asnjë leckë me vete. Këtu janë shumë më të mira dhe më të lira. Eh, si janë gratë! Mu qesh. Nuk duhesh tu mërzitesh.

-Merita!- thërres.

Ajo shkund kokën me vrull. Më hedh vështrim të ngrirë dhe pulit qerpikët. Trup tendosur tërheq valixhet në drejtim të kundërt.

-Hej, Merita!?

Kaq të jetë hutuar, të mos më dëgjojë?! Mbase i janë shurdhuar veshët Meritës nga ai dreq fluturim!? Kot s’ mora lejë, të shkova me të. Por menduam që lejen time ta konsumojmë në Kubë. Kur je i vetëm në vend të huaj, preokupohesh, e do më shumë njeriun që lidh jetën. Eh, Merita, Merita, do më bësh me zemër ndonjë ditë.

Afrohem me ngut dhe qëndroj përpara saj, i lumturuar.

-Oh, Merita, më në fund erdhe,- i them dhe i zgjas buqetën me lule. I çliruar prej ankthit, i malluar hap krahët ta përqafoj.

Merita ngriu. Tërheq me forcë kokën prapa. Më vështron ftohtë, me egërsi s të jem i huaj. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit.

Atë çast pranë nesh u afrua një djalë i gjatë, hundëgjerë, fytyrë egër, me një vëth të madh në veshin e djathtë.

-Hapna rrugën!- më hungëriti.

-Hej, po takoj gruan time, - flas i pështjelluar.

-Largohu! Ç’ grua do të takosh ti! - Shkrofëtiu ai.

-Ore, je mirë nga trutë ti,- bërtas. Goja mu bë farmak:- Merr vesh, po takoj gruan time?!

Inati më shkund gjoksin. Ç’ kërkon ky njeri prej meje. Shtrëngoj grushtet gati për sherr dhe ndërkohë vështroj përreth mos shoh ndonjë polic. Merita përgjon e ngrehur vështrimin e tim të murrëtyer. Ma bleu mendjen. Brenda një viti i studioji ligjet kanadeze dhe më ka kaluar ujët nën rrogoz, me telefonatat dhe letrash sekrete. Lëpiu buzët e përthara dhe na bëri me kokë të lëvizin diku më tej

-Hajt qetësojmë gjakrat:- Pëshpëriti dhe eci e para. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan zhurmshëm pas parketit.

Diku qëndroi, hodhi vështrim gjetiu dhe foli zë ashpër, urdhërues, të huaj për veshët e mi:

-Do na çosh në shtëpi, apo të shkojmë të flemë gjetiu?’

Merita e brishtë, delikate që trishtohej dhe përlotej për hiç mos gjë, qe bërë e rëndë, autoritare, e paturpshme. Dora më djersiu tmerrësisht, tufën me karafila dhe trëndafila e hodha gjithë maraz, e ngjesha në dorën tjetër. Pëllëmba mu shpua, mu përgjak keq. Kapërdihem me vështirësi, përqendroj nervat. Një shkundje e madh po ndodhte. Po përse? Gryka më djeg e përvëlon. Zë të mbytur fola:

-Të pres me orë të tëra... Të çoj në shtëpi.

-OK. Do të vij me Çimin,- u grind ajo.

-Po kush është ky Çimi ta hajë dreqi?- Gërhas me dhembje.

Rrotat e vogla të valixheve fërkuan ashpër parketin. Më gërryen zorrët.

-I dashuri im,- dëgjoj.

-Çfarë?!- ia bëj zëngjirur. Vështroj sy çakërritur njeriun që kam përpara, që quhet gruaja ime.

Me tërbim bëj shuk buqetën me lule të freskëta, me karafila dhe  trëndafila, blerë në dyqanin më të shtrenjtë, luksoz të luleve ‘Ada’.

I thosha asaj: ‘Të mbetet e freskët e plot aromë dashuria jonë...’

Prandaj janë të shtrenjta.

I flaka në koshin më të parë. Dora mu përgjak sërish...

Mars 2011- 2020



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora