Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Një udhëtim letrar me poetin Agim Basha

| E hene, 17.02.2020, 07:00 PM |


NJË UDHËTIM LETRAR ME POETIN AGIM BASHA

Nga Mihal GJERGJI

Shfletova ditarin tim të para disa viteve. Mes të tjerash edhe mbresat e poetit Koçi Petriti gjatë një udhëtimi të tij në Kurvelesh. Qëndroja shpesh në shoqërinë e këtij liriku të shquar. Ai kishte ndaluar në Lekdush, në vendlindjen e poetit Agim Basha dhe më rrëfente përshtypjet e tij.  “Kisha lexuar poezi të Agimit. Ka një guxim të çuditshëm që ta jep vetëm imagjinata, ide interesante dhe mjete shprehëse të admirueshme. Kur vizitova vendlindjen e tij, kuptova  arsyen e rrebelimit poetik. Mes këtyre maleve hijerënda, njerëzit ngjajnë me rrëketë e rrëmbyera, poetët me shqiponjat, sepse këtu e kanë strehën. Gjithmonë i përfytyroj këta njerëz me fermeletë (shamitë) e lidhura te balli dhe jataganin në brez, ndërsa shikimin përtej atyre shkrepave, që vetëm shikimi mund t’i prekte. Udhët nderen buzë humnerave, ndërsa ëndrrat nuk di se ku mund të qendrojnë këtu. Streha e sigurt e mikut janë zemrat e këtyre banorëve”.

Ndërsa unë  s’kam mundur të japë mendime shteruese për Kurveleshin, asnjëherë, megjithëse jetova tridhjetë vite atje, mandej e ngarkova brenda shpirtit në udhëtimin tim të gjatë e të vështirë. Çfarë është në të vërtetë ai peizazh mahnitës; muzeum natyror, djep perëndish apo vend gjykimi rrebelësh? Askush s’mund të kundërshtojë idenë time, se pikërisht në ato lartësi tronditëse është vendndodhja e Zeusit. Krahina emërshquar, vendi i besëlidhjeve të mëdha, dikur djepi i perëndive, tashmë i braktisur edhe nga zërat njerëzorë. Mitet kanë qendruar përjetësisht aty, mjafton të mbani vesh dhe mund të dëgjoni. Flasin vetëm për të djeshmen, ndërsa e sotmja ka veshur pelerinën e heshtjes, çuditërisht. Kurveleshi i sipërm, zemra dhe çatia e Labërisë. Fshatrat, si gishtrinjtë e dorës, të shtrirë si për humnerave pellazge. Kur bashkohen formojnë grushtin e qëndresës dhe drejtohen nga jugu ose jug-perëndimi. Andej ka ardhur gjithmonë e keqja, andartët me urët e zjarrit dhe nipërit e Duçes që dërgonte lëvdime për krahinën kryengritëse. Sipër, nderet qielli sovrani Zeusit.

Nga këto lartësi janë ‘derdhur’ trimat leshra bërshimë, tamam si rrëkete e grykave të serta, që zbresin në det. Kujtimet e Çezarit dergjen rrëzë mureve të kalasë, atje, në Nivicën e bukur. Romakë, bizantinë e osmanllinj kanë lënë kockat në ato shtigje, ku “edhe djallit i duhet të eci ditën dhe me shkop në dorë”. Këndrevica, “bukuria që vret”, mbi shpatullat e gjera ka hedhur mjergullën e bardhë. Gjymtyrët i shtrin e i shplodh deri buzë Vjosës, kryet puthin kaltërsinë. Gjalmëzezat, bashkë me qumështin e gjirit, kanë mëkuar edhe historinë e lavdishme. Portat e baladave janë të hapura, mund t’i prekni ato pa drojë, mjafton që të guxoni. Mund të flisni me cilin shekull të doni, mund të filloni me Hodo Beun, (“fushë e Delvinës u nxi/ tetëmijë su vari/ i shkreti Hodo Ali/ i kish djemtë çilimi…”), me Sinan Gjostojën (“del Sinan Labi përpara/ me dy goburetë lara…”), me Çelo Picarin, me Hetem Toton (ende rëndon barra e tradhëtisë mbi eshtrat e këtij burri mendjendritur!). Aty jane edhe Bilbilenjtë, të trembëdhjetë, sikurse Krishti me apostujt e tij. Janë të shumta historitë tronditëse, emrat e trimave po ashtu. Dikur ishin bashkë, së gjalli dhe pas vdekjes, tashmë të ndarë. Koha pa kohë i ka veçuar. Po t’u përmendni emrat, ata janë gati të shkundin nga supet baltën e varreve. Dhe ju do ndjeni që era do bëhet kuje, bashkë me ju do lotojë edhe hëna. Dallgët e fustanellave kanë heshtur. Edhe xhufkat e kuqe. Shkollat kanë mbetur si bujtina të braktisura. Kanë ikur banorët. Barra e varfërisë është e papërballueshme. Vendet e adhurimit (kisha, xhami e mekame) ulerijnë nga dhimbja, në pritje të hapave të munguar.

Zotin s’ e vranë banorët, pushteti që pranuan mbi krye, dje dhe sot…Ca gurgdhendës të vonuar, vendosin gurë sipër gurëve, tamam si kashta sipër tjegullave të çatisë, zgjerojnë dhe ndonjë rrugë. Dhe mirë bëjnë, por janë këputur urat lidhëse mes shpitrave njerëzorë. Urrejtja i ka shembur. Vallë, si dhe kur mund të ringrihen ato?! Deti është shumë afër. Pak kilometra rrugë dhe mund të mberrish në Kudhës, ose Qeparo, sipër atij ballkoni magjik. Thonë se gjurmët e asaj rruge të re janë projektuar, madje kanë filluar punimet. Le të shpresojmë. Vetëm atëherë turistët mund të vërshojnë brenda këtij muzeu minatyror. Para një viti, në shoqërinë time lëviznin dy turistë gjermanë. Ndaluan aty dhe bënin fotografi. U befasuan dhe më pyesnin; për natyrën, fshatrat, njerëzit…Zgjata dorën në drejtim të fshatit karshi dhe i pyeta për afganët. Ngritën supet të habitur. Pastaj drejtova dorën në fshatin tjetër dhe i pyeta për Rripin e Gazës. E kuptuan humorin tim dhe njëri prej tyre më tha se, ju poetët jeni të vështirë për t’u kuptuar.

Vetë natyra është një mister për syrin njerëzor; malet me lartësitë marramëndëse, kodrat veshur pyje dhe blerim, lumenjtë që derdhen mes grykave të thella, pastaj njerëzit, aq të ngjajshëm me atë natyrë befasuese. Edhe banorët s’kam mundur t’i kuptoj asnjëherë, me dukje njerëzore e sjellje prej xhindesh, gjithmonë kryeneç e vetmitarë, ndërsa bashkohen vetëm kur sulmohen nga pushtuesit e huaj, vetëm atëherë. Ajo që më ka çuditur më shumë, është qëndrimi thuajse aprovues ndaj pushtuesve të brendshëm, pranimi në heshtje i ligësive që burojnë prej fshehtësisë së vendimmarrjeve skllavëruesve.

S’dua të besoj që kjo sjellje ushqehet nga ndjeshmëria për gjakun apo rracën. Gjetiu duhet kërkuar shtysa e brendëshme. Edhe njeriun e kanë shoqëruar misteret qysh me lindjen e tij, mandej hap pas hapi. Nga shkretëtirat e Mongolisë deri në qytetërimet parakolumbiane, sikurse në qytetërimet greke, romake, kelte, skandinave apo egjiptiane, sumere, etj. Ajo cfarë nuk kuptojmë tek tjetri, shpesh e quajmë mister. Krijimtaria e poetit Agim Basha, autor i disa librave,  më shtyti në një meditim të thellë. Është vërsniku im, bashkëudhëtar dhe bashkëvuajtës, jo vetëm me mua. Tashmë jam duke bërë montimin e pamjeve të dikurshme ruajtur në kujtesë, dhe vargjeve që thonë aq shumë, për dje dhe për sot. Tamam si rregjizori në montazhin e filmit. Jetuam të dy atë kohë të trazuar, ku rendi njerëzor u shkërrmoq nga jonjerëzorët, ku idhujt e rremë ishin cdo ditë përballë njerëzve që mishëronin moralin dhe vlerat. Ata që u vriteshin ëndrrat cdo ditë, që u prangosej liria, përbënin shumicën, ndërsa vrasësit ishin të zgjedhurit, një grusht të besuarish, fatkeqësisht me gjak shqiptari ndër deje.

Nënat e të vrarëve s’harrojnë, mandje as mund të tretet dashuria e tyre nën pirgjet e dheut. Kjo më ka nxitur të jem një vëzhgues i mprehtë i varreve. Jeta me vdekjen dhe natyra me njeriun këmbejnë materien me njera-tjetrën. “Desha të shkruaj dy gisht letër/ për babain në ditën e shënuar të tij/ ti thoja të më falte ca gabime akoma/ tani që, qielli i tij s’ka më kufij.../ Desha ti them ca gjëra të thjeshta/ që s’ja thashë dot sa isha fëmijë”. Shikoni pra, mendimet e larta janë këshilltarët e poetit. Vendlindja e Agimit, Lekdushi, ngjason me një telajo varur në qiell. Buzë humnerave dhe mbështetur në gjirin e maleve, me vështrimin kaltërsive, si ekran drite, një grusht shtëpi krah njera-tjetrës. Dhe sa shumë ndryshojnë këta banorë nga fshatrat e tjera, sikur të mos ishin në të njëjtën krahinë(!). Provoni të vizitoni Nivicën dhe do ndjeheni si në fshatrat e Çamërisë. Pse dhe kur janë vendosur këtu? Ja pra, kjo është vendlindja jonë, dashuria e së cilës na mban lidhur. “Shtegton një mall, si hije nëpër natë/ i vihem pas, lidhur si me magji/ më çon diku e më kthen prapë/ por nuk më thot si për çudi…” Përjetimet e Agimit nuk janë vetëm të tij. Ata pak njerëz mbetur atje (si kontradita në lëvizje) të shikojnë si të zbrisje nga qielli.

Urrejtja dashka kohën e saj për t’u tretur. Kush ndodhet në dimensionin psikologjik inferior, ti si vëzhgues apo ai që ke përballë? Si ti përkthejmë vështrimet, lëvizjen e duarve, fytyrën si ekran ekspozimi, gjuhën e trupit? A jemi në gjëndje ta lexojmë brendinë e tjetrit vizualisht, apo duhet doemos të hyjmë në marrëdhënie bashkëbisedimi? Po më tej? Unë s’mund të pranoj teorinë sipas të cilës janë perënditë ato që i dhanë njerëzimit misteret e tyre. Aspak, sepse të gjitha janë atribute të njeriut, vetëm të atij. Madje, sot nderohet përunjësisht zoti që ka krijuar njeriu dhe jo ai që ka krijuar njeriun (natyra). Skulptura e Arpoktatit që i përket qytetërimit të lashtë grek, tregon djaloshin me gishtin e vendosur te goja. Përse vallë? Simbolika e këtij veprimi do të thotë të heshtësh, të ruash një të pathënë brenda vetes. Cfarë ka parë ky njeri që kërkon ta fshehë edhe përtej vdekjes? Ja, përballë kësaj statuje ngrejmë pyetje pa fund dhe hamendësojmë duke u larguar me mendimin se brenda saj fshihet një mister. Jemi te arti i krijimit. Një dorë mjeshtri e ka gdhendur atë. Pra, edhe arti ka ngjyrime mistike. Kjo skulpturë bart realitetin e një kohe që s’e kemi parë apo jetuar, jemi ndoshta dy apo tremijë vite larg. Atëherë mund të themi se mistikja është e panjohura, apo jo? Një tjetër skulpturë në Egjipt tregon një djalosh (Orin) të buzëqeshur.

Përmes artit njeriu realizon përmbushjen e ekzistencës së tij, kryesisht të brendisë. Ajo që është e perceptueshme te shqisat, thoshte Platoni, është pasqyrim i asaj që është e kuptueshme te mendja. Pushtetin joshës dhe imponues e zotëron bukuria, e natyrës dhe qënieve të gjalla, kryesisht elementi femëror. Ndoshta imazhet e bukurisë së fshehur shpalosen tek gjërat e bukura që shikojmë. Pikërisht këtë pasqyron edhe Agimi në poezitë e tij. Në ditarin tim gjeta disa rreshta vlerësues të lirikut të shquar Koçi Petriti për idetë dhe fuqinë e mendimit në poezinë e Agim Bashës. Mirëpo tjetër gjë dua të përcjell në këto rreshta të kursyera. Përjetoni dhe ju magjinë e vargjeve të poetit nga Lekdushi. Dua të besoj se arti është pararendës i njeriut (autorit). Fjala poetike eshte lulja e lastarit shpërthyer mbi trungun qindravjeçar. Ndaj poetët ngjasojnë me yjet, lindin, ndiçojnë në yllësinë e largët dhe pastaj na humbasin nga sytë. Në këtë udhëtim me poetin Agim Basha, zilet dhe këmborët e tufave të rralluara, më kujtojnë se gjuha e bukur shqipe ende s’ka vdekur. Këmbët e shpien njeriun atje ku i thotë zemra, e në ikje, të ndjek si një simfoni trishtimi isua e këngës që këndohej dikur: “Kurvelesh, zemëra ime, Kurvelesh…”