E enjte, 18.04.2024, 08:17 PM (GMT+1)

Mendime

Moza Boletini: Tafil Boletini në mbrojtje të hebrejve

E hene, 17.02.2020, 07:29 PM


Tafil Boletini në mbrojtje të hebrejve

Nga Moza Boletini

Sipas materialit të mësipërm dhe disa dokumentave që më dërgoi Gazmend Boletini nga Mitrovica, bëhet fjalë për shpëtimin e hebrenjve në Prefekturën e Elbasanit në vitin 1943, ku në qendër ndodhet portreti i intelektualit e patriotit Tafil Boletini, atë kohë Prefekt i qytetit të Elbasanit. Ky material pasqyrohet edhe me disa foto të hebrenjve mbijetuar në atë qytet falë përpjekjeve të vetë Prefektit Boletini. Aty dhe në disa nënshkrime të tjera të tij shihen në detaje lista me emra fëmijësh, të rriturisht, letër njoftimet e tyre, që për t'i shpëtuar gestapos, me iniciativën e Tafil Boletinit ju ndryshohet vendlindja, profesioni. Kërkesës së kuesturës gjermane për emigrantet atë kohë për Elbasanin, Tafil Boletini i përgjigjet me një shkresë zyrtare ku shkruan përbri emrave, e datëlindjeve të hebrenjve, edhe profesionet: lindur ne Prishtine; profesioni: tregtar, shtëpiake, nxënës, e kështu me rradhë.... Letra i drejtohet Ministrisë së Brendshme në Mars 1943 dhe mban firmën e Prefektit Tafil Boletini.

Këto janë ngjarje të jetuara, si pjesë e historisë që tregon qartë se edhe shqiptarët e Kosovës kanë dhënë një kontribut të çmuar për shpëtimin e hebrenjve dhe këto janë fakte të pamohueshme.

Tafil Boletini ishte diplomuar në Turqi për jurist e avokat. Nip e luftëtar besnik i heroit Isa Boletini që e ka shoqëruar në të gjitha betejat, luftërat e takimet e tij me politikanët e kohës, shqiptarë e të huaj. Ka qenë prezent me Isën në udhëtimin kalorsiak deri në Vlorë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ku rrugës që nga Mitrovica e largët deri në Vlorë përveç motit të keq, hasën në banda kusarësh e prita të turko-malazezëve.

Isa e mbante afër në këmbë të vëllait të tij më të madh Ahmetit, që shkjau e turku e vrau për ta hequr qafe, pasi edhe ai ishte një trim i vërtetë, strateg e njeri i mençur.

Tafil Boletini ka lenë pas mjaft kujtime për familjen, axhën Isë, i cili e rriti, edukoi dhe shkolloi, si birin e tij. Edhe në momentet e fundit të jetës së Isës në Podgoricë, ka qenë prezent dhe si i mbijetuar i asaj masakre, ka folur për pabesinë e konsullit francez dhe vrasjen nga forcat serbo sllave të Isa Boletinit, djemve, nipave e mbështetësve të kauzës së tij të drejtë.

Tafil Boletini si daja i babait tim, deri në ditën kur humbi jetën aksidentalisht në Tiranë, vinte shpesh në familjen tonë. Jetonte tek e bija Shemsija e familja e saj, deri sa u largua nga kjo botë, e na la pas dhimbje të madhe. I pëlqente dhe e tërhiqte biseda me tim atë, si dy intelektualë të mirëfilltë e si prindi me të birin flisinin qetë, shtruar për hallet e jetës, familjes duke përmenduar edhe ngjarje të luftës. Kujtonin Ahmetin, Isën e plot bij e trima të asaj familje e luftëtarëve të tjerë që shkrinë  çdo gjë për Kosovën e popullin shqiptar.

Isha fëmijë, por shpesh qëndroja pranë tyre e dëgjoja me vëmendje, se si ishte ndërtuar historia e jeta e familjes tonë. E kisha xhan Dajë Tafilin, vëreja që edhe ai më donte shumë. E dija ditën kur vinte tek ne e me padurim prisja të dëgjoja prej tij ngjarje dhe histori patriotike. Pra një pjesë e familjeve hebre në Shqipeëi janë shpëtuar edhe nga Prefekti i Elbasanit në vitin 1943, juristi Tafil Boletini. Falenderoj të afërmin tim Gazmend Boletini për dërgesën e këtyre materialeve e disa dokumentave të tjera që dëshmojnë përkujdesjen që ka treguar Tafil Boletini në mbrojtje të popullit hebre në vitin 1943 në Elbasan. Gjithashtu vlerësoj punën e përkushtuar e të shkëlqyer të Gazit që bën çdo ditë në Muzeumin Isa Boletini në Mitrovicë, vend historik që vizitohet çdo ditë nga personalitete të botës, amerikane etj, si dhe turistë dashamirës të çështjes shqiptare.

SHBA, Shkurt 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora