Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Maliqi: Përtej harrimit

| E hene, 17.02.2020, 11:31 AM |


Bardhyl Maliqi

PËRTEJ HARRIMIT [1]

Çfarë ka përtej harrimit? Cilët janë kufijtë e tij?

Apo harrimet janë si amebat - qenie pa kufij,

Trupa njëqelizorë që ndryshojnë formën e vet,

Shumë shtete një komb, shumë kombe një shtet?

Klithje e përmallim në rrugën e gjatë,

në lëkurë të huaj deri në atë pikë,

fjala u bë mall, fjala u bë brisk,

u bë tel e u këput nga era nëpër ditë.

Ra, por nuk u zhbë as në kohë të egra.

Lart mbi Karadak shndrin një plis i bardhë,

mbi krye burrash me flokët e gjatë,

që i shpurpurit dhe gërshet i lidh era.

Në dëborë janari kur lulëzojnë bajamet,

vocërraket tanë me abetare në gji,

shpirtra që ndriçojnë në  dallgë e stuhi,

këmbëzbathurit e mi me ëndrra në sy!

Mos më quani Promete, as Zot i mëkatit,

mëlçinë ma ha zhgaba e xhelatit,

nga Tartari vjen në trojet e të parëve tanë,

zgjimit të këngës i ndruhet psiqika e saj e vranë!

Kur flet shpirti, nuk ka pritje, grua,

nuk i ik ftesës sate erëmirë,

jo se nuk di të thurr vargje për dashuri,

por jashtë diç më grish, jam biri yt, Liri!

Klithje e përmallim e dhimbje pambarim,

se gjethet ma kujtojnë vdekjen tënde.

Përherë me ty, shtegëtar ditësh,

endacaku i rrugëve rubairash rende.

Si frymëmarrja e tokës është kënga ime,

përjetim nate me shi, gugatje pëllumbash,

me erërat bëhem një në rrugët e padukshme,

ku parandjenje e klithjes Luginën trand në endje!

Presheva brenda saj si në gji të natës struket,

I mungon puthja rrugës, ku macet trupojnë.

Asgjë e jashtëzakonshme, veç kujtimit pranveror

dhe aromës së asaj, që nuk u bë gruaja ime.

Peisazh i ngrirë nga metaforat e zbrazura,

si t’ia bëjmë historisë në këtë skaj të dheut?

Në këtë baltë të gjetur jemi tash mijra vjet,

kur sllavët s’ kishin as dhe, as flamur, as shtet!

Na vrasin, na zhbëjnë në detin kuq e zi të Tivarit,

ku arkëmorti ynë shkundullon e flet,

kroi i Idriz Seferit çurgon nëpër fletë,

dhe Durmish Presheva vrap në Vlorë u gjet.

Në kufij zemrash agojnë mëngjezet e vrarë.

kur vdesin para diellit vëllezërit Gërvallë

por hapat me Shtutgardin nuk janë fort larg,

mortja edhe vargjet troksain në prag.

Nëpër Grykë të Urnës përmendorje e gjallë,

ndër fatamorgana venë e vijnë shqiptarë,

me  gisht i ndalin tanket në Grykë të Konçulit,

nëpër lumenj gjaku, bjeri burri-burrit!

Sa emra, ujë e gurë, ka Shkupi e Bardhari,

flamur i shpalosur Shaip Mustafë Shqiptari,

me shembjen e Kanunit, Anton Çeta  i pari

Gjarpërinjtë e gjakut tash vret preshevari.

Bashkë me Adem Demaçin në një tavolinë,

nga maja e Lëkurësit vrojtojmë gjithësinë,

dhe flasim për Qosen-përmendore e gjallë,

Danjollët e gabriollët e shprishur dheut mbarë.

Nëpër Grykë të Urnës Qerim Arifi i parë,

ndër fatamorgana venë e vijnë shqiptarë,

me  gisht i ndalin tanket në Grykë të Konçulit,

nëpër lumenj gjaku,  bjeri burri-burrit!

Lisat s’i merr era, ata frymojnë liri,

çarte Kalin e Trojës, brushës very dry,

or Rexha i Nonës, që bën histori,

përgjaki baladat, troku i kalit nxi.

Unë i falem njeriut që rron kokëlartë,

Ramadan, Mexhid, Albinë e Briartë,

që thurin ngjarje  plot pathos e bukuri,

për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin e ri!

Këkon kohë të qeta Sadete Presheva,

Në klasa auditore, libra me poezi,

Oh, me Mriko Gashin mburret sot Kosova,

me vorbulla e plagë, uji netët e bardha i gdhi.[2]

Në ty prehet fluturimi i dallëndyshes,

poetja jonë Fehime Selimi!

Poetët si piktorët e fjalës së bukur skicojnë,

buzëqeshjet e tua tek ato fluturojnë.

Fytyrë e babës na ndjek sherrxhi a urtanë,

ne peizazhet e mrrolun ua heqim nga fytyra,

ndaj qeshet Zhunica, Presheva e Valmira.

s’jemi më të vetëm, mbahuni ju etër!

Përtej Harrimit- kjo baladë për Dhearin,

Ç’na duhet dielli pa ty, lum djali!

Lirinë e ëndërruar përjetësojmë në këngë,

me lirë zogjsh në krahë, qendrojmë në vend.

Mes klithjeve përpëlitem në tym e flakë,

punë Sizifi, ngatërrohen numrat në sokak,

në takim me vetveten dhimbja është terun,

anatomija e saj si këmishë e nderun.

Çast dëshpërimi në tragjikët e Migjenit të Ri,

si kopsht i çuditshëm, i mbjellë pa dashuri.

Fjala nuk është fjalë e thënë pa zemër,

fjala sekrete pa titull, pa  shenjë e pa emër!

Unë i falem njeriut që rron kokëlartë,

Ramadan, Mexhid, Feime e Briartë,

që thurin ngjarje  plot pathos e bukuri,

për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin e ri!

Cila je ti që më vështron kaq pranë,

te kulla e Mujo Ulqinakut, te bronxi i randë,

në orën trembëdhjetë, kur duhej ti erdhe,

Te drama e Mirushit je, të shoh nën perde.

Një çast, një puthje, aty ku flladit deti,

shtatë vjet s’janë shtatë ditë a lum Meti,

transformimi i hidhur, lojë e vonuar mbeti,

por lumi Kokit sot pa lotë mbeti!

Për udhë jam sërish, të them lamtumirë,

kemi mbetë si statuja në peisazh të ngrirë,

çdo ikje është tragjike, pa ty mbet errësirë,

magji e bukur kthehu, Preshevës së pavdirë!

Ne, or miq, në ikshim derën  e lemë hapur,

vetëm dhimbjen lëmë si gotë të pazbrazur,

hiqi sysh ferrat, se kthehemi sërish,

prej zemrës në zemër takohemi befasisht.

Udhëtimi rend në troje biblike

edhe kumti i vdekjes në shpatull të këndezit,

në Kala të Preshevës duket edhe zhduket,

kthimit tonë i ndruhet në agun e mëngjezit.

Bashkë me ne vjen drita, zbardhet e vërteta,

natën njëqindvjeçare ja pamë sherrin ferrit,

në këtë shformësim hijesh tjetër formë ka kthimi,

horoskopët e rrejshëm ia panë sherrin sherrit!

E shtatë kumte pëshpërisim mbrëmjes

thuaje fjalën e drejtë, shkurt  e pa lak,

mos u rrëzo para hijes sate, ashtë e më asht,

pavdekësinë tonë, or mik, e çojmë në cak.

Mësojmë të ecim shtigjeve të ardhmërisë,

kam gjithnjë nënkresë gurin e të parëve të mi.

brengë i kemi tapitë që na përcëlloi dushmani,

gjak i gjakut tim, lule është vatani!

Edhe djalli e citon biblën, e thotë dhe Shekspiri,

me shtatë vrima i bën fyejt Aristidhi,

vdekja me pavdekësinë s’piqen në asnjë pikë,

dhe kënga e përdalë rend nëpër mëhallë…

Kohën mos e plak në kërkim të vetëvetes,

tërë jetën mbetëm një çetë profetësh,

vargje të mbyllura në guacka deti,

fjalët stoli perlash në ballë planeti|

Rruga rend si fjalë, si ngulje meteori,

vdekja veritikale i ka hije burrit,

Ora e kohës klloçit dhimbjet tona,

tek rend të kap orën në çdo fund nëntori!

Mashtrimi çel në rrënjë pikëlllimi,

luftoni përdëllimet të mos mashtroheni kurrë,

takohuni me veten diku përtej harrimt,

se lisat s’i bëjnë hije lisit e as trimi trimit!

Do të takohemi sërish ndoshta përtej kohës,

kur? Nuk e di, por ne s’na shkel vetëvetja,

ty farë e keqe, tash t’i thyejmë pasqyrat,

kurrënjëherë mos të të pëlqejë vetja!

Ti ëndrrvona, ke makthe aluçinacionesh,

vuan nga mosdija e lojës së shahut,

Gjarpër i harruar në ekspozita tmerri,

Azilant kokëbosh luan kukafshehti.

Është koha të kërkojë falje nga Nënë Tereza,

ajo lutet për ne tej nga Amëshimi,

metamorfozë kryeneçësie ti Azem Shkreli,

fare e zanafillës është Beqir Musliu!

Si bukuri e zezë ecën në teh të shpatës,

shkon Ali Podrimja bri Fatamorganës,

bukuri e akullt kur dilte ylberi,

idil i pakuptimitë pas mortit na theri.

Në kraharorin tënd të gufuar do të doja të flija,

aty tek ngjitem shkallëve të ylberit,

Dashuritë tona mbajnë emrin e Merit,

jemi të gjithë Lasgushë, çapitemi zabelit.

Gabimi yt është se e merr kokën ndër duar,

dhe bredh jashtë mureve në botën e trazuar,

njëqind e ca vjet në vena më rrëshqet errësira,

mos më lini vetëm, heu ju marrtë e mira!

Fundi i jetës s’është fundi i vetvetes,

Bota kurrë nuk matet me kutin e vetes!

Kanë ndryshuar kohët. moj ti. e mira ime!

Mos i beso përrallës me Dhëndërrin gjarpër!

Botën e brodha, më mbet Presheva e shkretë,

po ç’them kështu, Preshevën e kam brenda vetes!

Lodhje të errëta kanë ata që i plandos vdekja,

I gjallë mbi të gjallët, unë mbetem vetvetja!

Mos i prisni lisat, mos i rrnoni shtëpiat,

vocërrakët kanë dalë të mbledhin karthijat,

fuqia ime e shpirtit s’shihet në pasqyrë,

as fjala e moçme s’jep në sqep të korbit shpirt!

Shtëpia nuk nëmet në emër të jetës,

errësira jote është vetëm për varre.

Unë flas në emër të mbijetesës sonë,

që traktorin e kohës shkon përmbi zezonë!

Mbi dheun e Arbrit mbetet vetëm dashuria,

ti vërtet germën “Sh” të parën e ke,

Nuk vjen nga Karpatet si ndryshk përmbi dhe,

diellin e ngrohtë të jugut, ti e ke Atdhe!

Do bëjmë si t’ia bëjmë, të dalim në verë,

Vijnë të agimtë kasnecët e lirisë,

trimat u bëjnë homazh dëshmorëve,

piramidave të kuqe të shqiptarisë!

Ne dimë edhe të vdesim si burrat aty pari,

kur kushtrimin e epërm e jep Adem Jashari,

Djemtë në luftë shqipja i ka tretur,

e ata ringjallen - feniksët e paepur!

Sot e dje, pikë në zemër na ka mbetur,

rrugës së parrahur, gjak rrjedh plaga,

kam mbetur aty, te Ura e Qabesë,

Shqiptari i fundit, por me besë e shpresë!

Shkëlqim yjesh të shuar janë Perandoritë,

trup e shpirt e jetë jemi ne, bijët e harrimit,

ti me thikë kërcënon pse jetojmë bashkë,

gazin mbajmë brenda, dhimbjen nxjerrim Jashtë!

Nga shqetësimet e thinjura, mbushen puset me lotë,

t’i vrasim kukuvajkat, shpendkeqët në pullas,

që me patriotët e sotmë ngjajnë orë e çast,

mallkuar plaku Noe, që i prure me varkë!

Metamorfoza e njeriut qenka e çuditshme,

ndryshe lind e sillet ndryshe, miu bishtdallëndyshe.

vetëm kënga e zëri e tradhëton,

gugutë e pëllumbit në klithje korbi i shndërron.

Por Presheva e njeh sorrën që zbardhon,

lyer me gëlqere, “yll” që vezullon.

Rrëzë bjeshkëve të Karadakut ajo i shtjell motet,

Di ti ruajë vitet e pathyera ndër shoqet.

Kalëron Olimpin duke parë Ostrovicën,

Një mijë bukuri në vërshimë loti,

anatomia e dhimbjes së dashurisë së pashijuar,

Atdheun e mbajmë si zjarrin ndër duar.

Imazhe të pashlyera me këngë në buzë,

në tej largësi të vërej si shpuzë,

zogu  dashurisë na cicëron në vena,

në kërthizë të kohës, në bash të vendit jena.

Trekëndëshi magjik për Preshevën prore,

është këmbonë dhimbje, përgjakje  lirie,

Shenjat e shenjta nëna i njeh, i kanë hije,

janë ëndërrbardha në ditë robërie.

Trimat e saj mundin muzgun e pafund,

porsi dita që lind e perçen e natës shkund,

në pritje të lirisë, veç për ty , moj Loke,

unë e ngre plisborën lart e përmbi shoqe.

Ëndrrat femijërore ngre vertikalisht,

kronikat e zeza i hedh në gurishtë,

linja dashurie ngado ngre kushtrimi,

O Presheva jonë, nuse përdëllimi!



[1] Këto Impresione poetike që burojnë nga leximi I librit me të njejtin titull të Mexhid Mehmetit ua kam kushtuar Preshevës dhe bijëve të saj.

[2] Lojë në vargje me disa nga titujt e librave të Mriko Gashit