E enjte, 28.03.2024, 08:53 AM (GMT)

Kulturë

Nexhat Halimi: Mëkatet e shenjtëritë

E diele, 16.02.2020, 10:39 AM


Nexhat Halimi

Mëkatet e shenjtëritë

( Esad Mekulit )

Njerëz, po të ktheni në qytetin e pabanuar

Mos i shkelni gjymtyrët e tij të fjetura në gur

Ato janë tëra madhështitë dhe mëkatet tona

Mos e matni peshën tuaj kaq lehtë, njerëz

E filluam prej atij hiri, gisht-thyer në nyja

Le të mbetet ai pjesë e paepur e historisë

Brezat nesër të mësojnë cilët qemë, e të flasin

Për qiellin nën vetëtimë nga vizatuam ëndrrat,

E të shkruajnë gjëra trishtimi e krenarie për ne

Njerëz, po të ktheni në qytetin e pabanuar

Shikoni e mos i shkelni gjymtyrët e fjetura

Ato e kanë zjarrin e ashtit të gjethuar në gur

Muzgu

Shtriga mbi fshesë kalëron përrallës

Rrethojës me tela gjemborë varen mi`të

Mbi tisin e plumbtë të muzgut

Korbat çelin sqepat me jargë të verdhë

Çukisin vizatimin e ëndrrës së vet

Pika gjaku bien mbi kohën e ikur

Që s`kthehet kurrë më në këtë qytet pa sy

Plot eshtra plot krënde plot hi dhe fletë

Rrethuar nga eshtrat mbi eshtra fjetur

Sytë mbyll, kotet përjetshëm mbi hijen

E lart qiellit të plumbtë shtriga ja përsëri

Pëlcet gjarpër i qelqtë i vetëtimës në hi

Shiu psherëtin diçka për mua dhe ty

Shiu i ftohtë e  i flakët në të njëjtin sy

Pullazi

Ngjyra e zezë i sulet me dhëmbë ujku të uritur

Mbi parmakë nga bie hija e çarë e tokës së etur

Lart qielli në flakë nga vetëtimat e gjakut memec

Në sqepat e tjegullave të gjelbra nën ofshamë

Lulet e hirit tim lulëzojnë në tufë urie të gjallë

Dhe marrin frymë etshëm e rëndë ditët me shi

Kërpudhat e përhirta dhe myshqet e verdhë

Shiu ia zgjon dhembjet në kujtimet e fshehura

E zë të lotojë për pëllëmbën e qiellit të rrënuar

Për zjarrin e mishëruar në gjithësinë e puplës

Nga retushohet flatrimi në shi i ëndrrës së ikur

Ndërmjet pafundësisë dhe vegimit të mëngjesit

Era nga fryn dhe e motra e qan gjergj elez alinë

"Shi s`asht tuj ra, sytë e motrës të pikojnë vëlla"

I ndrydh vegimet në gji, shenjë gjaku të largët

E shi s` pranë të bjerë dhe gjithnjë bën vjeshtë

Porta gungaçe

As emër ka rruga oh as numër ka porta

Portë me vragë prej dërrasash gungaçe

Vetëm sa t`i pengojë qentë të hyjnë

Në secilën hapje vdes nga rrëfimi i vet

Në secilën mbyllje rizgjohet e gjelbër

Nga druri i gjatë midis pyllit të vjetër

Çahet nën hijen e rëndë të qiellit në vaj

Në secilën çarje e pjell dhe vjell vetvetja

E zjarri i zi i akullt i ëndrrës, e zogu i vrarë

I vetëtimës së vizatuar mbi hirin e lagur

Qan  buzët e prera nga nata e therur

As rruga ka emër e as porta ka numër

Po u ra të trokisni aty mos e bëni dot

Do të mbeteni pa veshë pa sy dhe gojë

Rruga e zezë

Ik rreth, gjarpër në hirin e vet.

Mbi rrashta zvarrë, mbi jargë.

E pylli prej eshtrash e fantazmash

E bart mbi gungën e vet hijen e kalit

Qerren e zezë nga e tërheq

Udhë që e ka vetëm shkuarjen

Është fara e djallit brirë ndezur

Unaza e besimit të verbër në zot

Ti ndërsa udhëton nga fundi yt

Në arkivolin prej drurit të arrës

Te muri i vdekjes këputet nga koka

Era ndërsa çel e mbyll portën e vetme

Nëpër të cilën hyn dhe s`kthehesh

Nga dritarja  këndohet me lirë

Gruaja nga i shkon pas kortezhit

Me bukurinë e zezë të ditës

Zogu i zi

Me një flatër në asht

Me një flatër në hi

Zog me pupël në urtinë e çuditshme

Ndërmjet mjeshtërisë së artit të vrasjes

E artit robërues të fluturimit në mit

Bie në ashtin e dorës së djathtë

Të mollës me rrënjë në rrashtë,

Glasin në ashtin e dorës së majtë

Të rrapit mjekërbardhë të rrëzuar.

Çukit kafkën e marrë të historisë

Mbi zotin e vet, mbi djallin e vet

I bën vezët e zeza të farës së hithit

Larg nga gjarpri me lule gjaku në kokë

Me një flatër në përrallë

Me flatrën tjetër në teatër

Guri

Guri qëndron në drejtpeshim

Me hartën në hijen e vet të verdhë

Është qimja e zotit, apo e djallit të zi

Mes udhës së buburrecit me hejbe

Nga e kalon akrepin e orës së ndalur

Të arrijë te dera e shtëpisë së vogël

E të bëj vetëvrasje nga vetmia

Kjo kuçedër me bisht të gjelbër

Fshehur kaherë në përrallë të ikur

Nga guri te guri të rizgjohet ajo

Që s`mund të zgjohet kurrë më dot

Vdekja e përrallës

Natën vritet ditën e vajton vetveten

Synxjerrë shëtit pyllit prej brirësh

Hëna nga e djeg barin rreth pusi të zi

Tërë ditën fshehtas zhytet në tokë

Tërë natën del nga toka e verbër

Me një lagraç të ngulur në zemër

E zemra kurrë s`i pikon gjak

Veç qeshje të marrë veç qelb dhe lot

Nga dritarja e mjegulluar e mashtrimit

Shikon veten nga derdhet në pika uji

Nga guri i verdhë që i jep kuptim

Një zog i zi i bie në sup ujë të pi

Zog i ndezur i përrallës së vdekur

Nata

Brenda rrethojës bie natë e përhershme

Dorë e padukshme ashti e çel portën

Të hysh nga ku s` do të kthehesh kurrë

T`i  hash mollët e gurta të kohës qorre

Asgjë s` shihet. Dëgjohet vetëm heshtja.

E deti i mbyllur përbrenda guacës së fshehtë

Rreth së cilës lakuriqë, të vdekur e të bardhë

Enden humbur qeshjes së marrë e klithjes

Grithin veten pështyjnë cungun e paBesimit

Mbi të cilin në vetmi digjet qielli i thatë

Me lëkurën e vet të vrarë nga lia

E një qeshje derdhet nga fundi i barkut

Një kollitje e ngjizur e gjelit të sëmurë

E kurrsesi të agojë vaj e kurrsesi të agojë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora