E premte, 19.04.2024, 03:14 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Zhytësi i perlave

E merkure, 12.02.2020, 09:19 PM


ZHYTESI I PERLAVE

Sprovë nga Timo Mërkuri

Shumëkush e di që perlat[1] janë një nga gurët më të kushtueshëm dhe më të bukur në botë  sidomos kur i sheh të lidhur në gjerdane. Por duhet specifikuar fakti që perlat janë gurët e vetëm në rruzullin tokësor që rriten nga një organizëm i gjallë, madje brenda tij. Si kundër reagim i organizmit të disa gocave të detit ndaj pranisë së kokrizave të rërës brenda guackave, ato prodhojnë enkas një lloj substancë me të cilën mbështjellin[2] në mënyrë të vazhdueshme kokrizën e rërës duke e izoluar nga organizmi i saj,  forcimi dhe ngurtësimi i të cilës krijonë një rruzull  të shndritshëm, kryesisht të bardhë ose me nuanca  që quhet “perlë” ose “margaritar”. Në më të shumtën e rasteve kjo kokrizë rërë që hyn brenda organizmit të gocave të detit hidhet  nga oktapodhët në momentet që goca e detit është duke kërkuar ushqimin dhe  ka të hapura dy guackat e saj. Oktapodhi  pozicionohet mbi gocën e detit në  një lartësi 5-6 metra prej nga “llogarit” instiktivisht rrymat detare dhe hedh kokrizën e rërës në mënyrë që të bjerë brenda guackës, me synimin  të pengojë mbylljen e kapakëve guackorë dhe në këtë mënyrë të  mund të ushqehet me organizmin e saj..

1- Procesi i rritjes[3] së perlës brenda trupit të goës së detit është një process që zhvillohet me dhjetra e qindra vite deri në momentin që ajo gjendet nga zhytësit, hapet  dhe u miret perla. Por duhet të dimë se jo të gjitha gocat e detit rritin brenda vetes perla. Për të krjuar një gjerdan, zhytësi i perlave  duhet të zhytet në thellësi të detit dhe të nxjerrë  me qindra apo me mijra guacka, për të siguruar perla të mjaftueshme për një gjerdan.

2-  Por zhytja nuk është thjeshtë kënaqësi, ajo përmban në vetvete  rreziqe shumë të mëdha.   Së pari prania e madhe e peshkaqenëve[4]  egër  në këto ujra të ngrohta detare përbën rrezikun më imediat të zhytësave. Të notuarit mes peshkaqenëve është sfidë e madhe shansesh jo favorizese.  Po ashtu fakti që gocat e perlave jetojnë në thellësi të mëdha detare[5], për të arritur zhytësi gjer te ajo duhet që të ketë  mushkëri të forta për të mbajtur ajrin në kohën e zhytjes. Ata ose do pranojnë mundësitë e pakta të gjetjes së perlave në thellësitë e vogëla, duke u kënaqur kryesisht me  organizmin e gocës së detit[6] ose do stërviten për zhytje të thella[7].

2.1-Por vështirësia më e madhe që pohojnë zhytësit është fakti se këto goca deti, midhje apo pina jetojnë të ngjitura nëpër shkëmbinj  të thellësive detare dhe njësojë si  ata, janë mbuluar edhe me myshqe dhe leshtërikë detarë me të njëjtën ngjyrë dhe madhësi.  Duhet një shikim i mprehtë për ta dalluar dhe veprime të shpejta e të sakta për ta shkëputur gocën e detit nga shkëmbi ku është puthitur, por mbi të gjitha duhet një  njohje e madhe e botës nënujore me qëllim që lëvizjet dhe veprimet të jenë të sakta dhe jo rastësore. Kjo edhe për arsyen se koha në dispozicion është shumë e kufizuar.

3-Sigurisht që ne flasim për perla origjinale, jo për “perlat e urtësisë”të rritura artificialisht në gjirin Ago të Japonisë nga Kokichi Mikimoto qysh nga viti 1893 dhe vazhduar sot nga familja Sakaguchi, e cila “prodhon” perla me një efektivitet prodhimi prej 5 përqind[8].

4-Perlat qysh në kohët e vjetra janë konsideruar si simbol bukurie[9] . Varësia më e vjetër me perla që njihet  është gjetur te skeleti i një princeshe persiane  datuar 520 vjet para Krishtit. Vitet 1500 në Angli  njiheshin si epoka e perlave, ndërkohë që Mbretëresha Elisabeta I, ishte aq e tërhequr ndaj tyre sa që e quanin “mbretëresha e perlave”…Gjerdani me perla janë  “gurët” më të bukur që ëndëron çdo vajzë të mbajë në qafën e saj ditën e dasmës dhe ditët e shënuara që vijnë më pas…

5-Një breg shkëmbor plot me “perla” lashtësie  është e shkuara “perlë”e kombit tonë e “ritur” brenda “guackave” historike. Me “ngjyra”,“formë“ dhe “madhësi” të ndryshme ajo është materializuar në balada e legjenda, mite e përralla apo  këngë kreshnike. Ashtu si perlat edhe ato janë  krijuar nga populli ynë si reagim ndaj faktorëve të ndryshëm historikë, që si trupa të huaj (kokriza rëre) kanë hyrë brenda organizmit të tij shoqëror. Me qëllim të izolimit brenda organizmit të tij të këtij faktori të jashtëm, në pamundësi të nxjerjes  jashtë jetës së tij,  populli ynë krijoi artin e tij gojor, substancën me të cilën mbështolli në formën e legjendave, miteve, përrallave apo këngëve faktorët dhe aktorët e jashtëm agresorë, kohën që i pruri dhe mënyrën si erdhën, qëndrestarët, qëndresën  dhe mënyrën e kësaj qëndrese, madje disa herë duke e lënë në proces zhvillimi ngjarjen, ashtu si disa perla që vijojnë të rriten edhe pasi janë nxjerrë e shkëputur nga gocat e detit. Siç qëndrojnë  gocat e detit në thellësi, puthitur nëpër shkëmbinj e mbuluar me të njëjtin leshterik, duke u bërë kështu të padalluesëhm, ashtu edhe perlat e artit gojor popullor qëndrojnë në thellësi të epokave dhe shekujve, mbuluar me “leshterikët”e kohës,  ku shpesh herë shikimi njerëzor nuk jep rezultat në gjetjen e tyre. “Leshtërikët” më të cilat janë mbuluar, shpesh herë në formën e emrave, riteve, besimeve apo veshjeve fetare të huaja a të mëvonëshme fshehin qënësinë dhe  praninë e tyre në kohën e e krijimit reaalisht. Këtu hyjnë në skenë “zhytësit” e “perlave” të artit gojor të krijuar nga populli ynë shekuj dhe epoka të kaluara, për gjetjen dhe hapjes e “guackave” duke ekspozuar “perlën “ e vërtetë të krijimit të popullit.

6-Një ndër këta “zhytës”, madje ndër më  produktivët është Anton Nik Berisha i cili në këtë drejtim “intuitivisht ju drejtua të pashkruarës, gojores dhe njëkohësisht qiellores, asaj që nuk egziston e shkruar diku, në pergamenë, në shkëmb, pllaka balte apo letër, asaj që është e shkruar në qiell[10]”. Realisht Anton Nik Berisha “është i vetmi shkrimtar që ka thelluar dijet duke ndriçuar zgafellat e errta të prozës dhe poezisë gojore shqipe[11]” sepse ai “nuk është një  krijues i zakonshëm, ai është një bashkpuntor me të papriturën, me dërgesat nga lart, me “rastësitë “ magjike që nuk janë rastësi”.[12]  Anton Nik Berisha guxon të “japë vizione të reja në lidhje me poezitë homerike”[13], por unë do të shtoja, veç sa ka parashtruar studiuesi Fatmir Minguli në veprën e tij me titullin kuptimplotë.. Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë” se seria e veprave të Anton Nik Berishës që kërkojnë vëmëndjen e krijuesve dhe studiuesve është shumnë më e gjërë. Do dëshiroja të flisja për studimin e tij “Dëshmi e lashtësisë së këngëve tona kreshnike”, për mjeshtërinë e zbërthimit të enigmave që mbart arti gojor shqiptar. Në fakt, arti ynë gojor i ka të shkruara nëpër reshtat e vargjeve të tij të gjitha të dhënat identitare, si në faqet e një letër njoftimi.Problemi është se ne përpiqemi ta lexojmë atë “letër njoftim” me “alfabetin” e sotëm, pa marë parasysh ndryshimin dhe evolimin e gjuhës shqipe, pa marë parasysh faktin se arti ynë gojor nuk ka lindur si një vepër artistike por ka lindur si një mesazh, si një kumt, si një porosi. Madje ai është dokumentuar në një kohë shumë më të vonëshme se epokëlindja e tij, pikërisht në kohën e lindjes së shkrimit. Por epoka e lindjes së shkrimit është shumë e largët nga epoka e lindjes së veprës dhe është e natyrëshme që mes dy epokave, si midis dy deteve, lumenjtë e kohës të zbrazin aluvione, të cilat ritin “leshtërikët” që mbulojnë gocat e detit me perla. Edhe vetëm ky studim i autorit vlen si “hartë” orientuese në udhëtimet studiuese në lashtësinë e artit tonë gojor, në dallimin e elementëve identitarë të veprës, në evidentimin e vlerave artistike të saj etj, etj.

Analiza e kontributit të Anton Nik Berishës nuk mund të jetë objekt i një shkrimi si ky, që e mer shkasin nga libri i sipërcituar i  Fatmir Mingulit dhe nga një studim i Anton Nik Berishës. Më e shumta  që mund të bëjë ky shkrim është të tërheqë vëmëndjen e krijuesve dhe studiuesve  drejt tij, ashtu si tërhiqet vëmëndja  drejt një zhytësi perlash që del nga thellësitë e detit me rrjetën-çantë të mbushur plot me goca deti të hapura përgjysëm, brenda të cilave  shkëlqejnë perlat.

6.1- Dhe më lejoni të shtoj te ky shkrim një “histori[14]” e shkruar nga Vedat Kokona në parathënien e librit.. “Volter Shpirtciltri Zadigu Kandidi"[15]..ku në një pasazh shkruhej se… Atij, Volterit i kujtohej diçka e bukur që e pati lexuar dikur në një libër: Një shkrimtar e krahasonte veten me një pikë uji që ankohej se nuk e njihte njeri në mes oqeanit. Një “xhindi” magjistar i erdhi keq për ‘të, e mori dhe ia dha ta gëlltiste një midhjeje (gocë deti), dhe kështu ajo u bë “inxhia” (perla) më e bukur në botë që kërkonte kushdo ta mirte për vete…Nuk dihet si vazhdon kjo histori, në se gocën e detit e mori ndonjë peshkatar apo zhytës  por dimë që Anton Nik Berisha ndjehet i qetë në “oqeanin” e tij studimor. Specifikohen në portretin e tij  qepallat që hapen si kapakë guacke ku ndrijnë sytë si dy perla plot shkelqim. Kaq shumë është lidhur me  “perlat” e popullit sa që shkëlqimin e tyre e ka absorbuar organizmi i tij dhe e emeton si dritë sa herë flet për artin gojor shqiptar. Dhe unë ju siguroj se kjo nuk ndodh falë ndërhyrjes së ndonjë “xhindi”.

Sarandë, më 5-11.02.2020



[1] Perlat rriten brenda një  lloj guacke deti, tip midhje apo pina në disa ujra të ngrohta detare si psh në brigjet e Australisë veriore, ku psh qyteti i Brumit njihet si Porti i Perlave. Vendrritje e perlave është edhe Oqeani Indian,  Gjiri Persik, Deti i Kuq , Gjiri i Manarit, midis Sri Lankës dhe Indis, Filipine, Arqipelagu Sulu etj.

[2] [2] Identike sic prodhojnë bletët propolisin, duke mbështjellë dhe izoluar trupat e huaj që hyjnë në koshere

[3] Perlat që rriten në shumë pjesë të botës arrijnë një madhësi me diametër 11 milimetra deri në 18 milimetra. Vetëm një gjerdan me këto perla të mëdha mund të vlejë më shumë se 500.000 dollarë

[4] Në vitin 1688 Uilliam Damperi e emëroi gjirin ku gjeti perlat e para si “Gjiri i peshkaqënve” për shkak të pranisë së madhe të peshkaqenëve.

[5] Platoni dhe Homeri, tregojnë se në Greqinë e Lashtë, zhytësit përdornin  pesha (gurë) deri në 15 kg për të shpejtuar zhytjen në thellësi deri në 30 metra për të mbledhur sfungjerë apo koralin e kuq.  E njëjta praktikë ndiqej nga zhytësit indigjenë edhe për perlat, të cilat rriten në thellësi edhe më të mëdha. 

[6] …e cila është një ushqim  i mirë , madje edhe efektiv për gratë  që kanë problem për të ngelur shtatzëna…

[7] Kjo thellësi ka sjellë nevojën e  modernizimit të zhytjes, krahas fillimit të  prodhimit artificial të perlave...

[8] Vetëm 5 % e gocave (midhjeve) prodhojnë perla, të tjerat dështojnë dhe përdoren  si midhje për ushqim.

[9]Më shumë se 2000 vjet më parë në Romë, perlat ishin gjëja më e çmuar që mund të blihej me para ..krahas statusit  si simbol fuqie, prestigji, pasurie dhe statusi shoqëror. . Jul Çezari, perandori  adhurues i perlave në shek.I para erës sonë aprovoi  një ligj që i ndalonte njerëzit e shtresave më të ulëta ekonomike t’i mbanin ato.

[10] Fatmir Minguli.VEPRA QË I BËJNE NDER LETËRSISË DHE BOTËS SONË…“Faik Konica” Prishtinë  

   2019 fq 68

[11]  F.Minguli…Po aty ..fq 69

[12] F.Minguli…Po aty..fq 74

[13] F.Minguli…Po aty  fq 77

[14] …ofruar nga Fatmir Minguli

[15] "Volter Shpirtciltri Zadigu Kandidi" Shtepia botuese Naim Frasheri, Tirane 1990, f.11.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora