Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nebi Dragoti: Motivet e Parmës

| E merkure, 12.02.2020, 08:11 PM |


NEBI DRAGOTI

MOTIVET E PARMËS

LOJË NDJENJE

S’jam ters rrugaç që rrugëve bredh,

pra, qenin te porta mos ma lësho.

Në natyrë dal, natyrën kam qejf;

zemra për ty s’ më rreh. Mos mendo!

Qeni s’më leh më, bishtin tani tund,

ti nuk dalke, të ruajnë ty me qen?

Dashur pa dashur çdo lidhje merr fund,

me ty kështu s’ lidhet njeri për jetë.

Tani mëso mirë ç’është dashuria:

dashuria s’ lidhet me zinxhir si qen.

Vashat tona të bukura viseve të mia

nuk ruhen e fatin e zgjedhin vetë.

S’ jam ters rrugaç që rrugëve bredh,

qenin te porta kot mos ma ndërse!

Dal gazmor, shijoj natyrën e qetë

e për ty zemra, jo, aspak s’ më rreh.

VALLËZIM DIMRI

Veson edhe ditën,

brymë nëpër drurë

dhe drurët u thinjën,

dhe veshën okitën.

Veç dafina reziston

me dendesi gjethesh të gjelbërta,

si nuse, si nuse

në gjirin e vet zogjtë strehon.

Ah, sikur degët që prek

me ngrohtësi vargjesh t’I ngroh,

por dimri s’ më le,

“ se ç’ bëj, e di unë”, më thotë.

Variacione natyre

shtjellon dimri kaçurrel:

me erën bën koncert,

vallëzon,

akull shtron,

borën lulebardhoshe hedh.

SFILATË NATYRE

Vjeshta zotëron natyrën gjithandej:

era vjeshtore me gjethet pikturon,

gjithandej vagabondja natyrën zhvesh,

shtron qilima shumëngjyrshe në tokë.

Dimri i sertë, i rreptë mbi qilima shkel

me rrobe akulli a rrobe bore për qejf

me costume dimrore gjithçka vesh

e në këtë mrekulli qesh a nuk qesh.

Ke parë ti, kam parë unë dhe të gjithë:

vjeshta qilima gjethesh platit përtokë

e dimri na fërshëllen me alfabetin mors,

me sfilatë mode stinët njeriu shikon.

Në ç’ stinë iki e s’ vi, jo, nuk e di,

të sigurtën sfilatë natyre do ta kem

pranverë, verë, dimër plot stuhi

mbi varrin tim do të luaj ky refren.

HARMONI

Në Veri të Italisë, metaforikisht,

në Parma ka qetësi,

qetësi e gjithanshme në gjelbërim.

Gjelbërim jete pastë për të gjithë!

Me këtë qetësi sikur zbritur nga qielli

gjithë natyra shendetshëm me paqë

është mbarsur në harmoni.

Harmonia njerëzore

me aromë kënaqësie pa djallëzi

për kulturë flet me siguri.

***

Dendësi mjegulle sheh,

bulëza uji në degë

reflekse ngjitëse si lot,

ç’ margaritarë në mëngjes!

Mjegulla shtrihet, zbardh,

mjegulla rrezet ndalon,

ndërsa dielli plot inat

i bie me rrezet shkop.

Këto mjegulla t’i shtyjmë,

t’i tretim që ty të shoh.

Shpërthe , moj e allta ngjyrë:

do diell jeta mbi tokë.

FLUTURIM PAQËSOR

Kam ëndrra që fluturojnë si zogjtë,

si zogjtë udhëtarë në ajër pa kufi.

Këndojnë zogjtë hareshëm nëpër botë,

hareshëm paqësore këndofsh ti, poezi !

Kam ëndrra që fluturojnë si zogjtë,

si zogjtë shtegtarë ajrit pa kufi.

MISION POETIK

Ç’ dreq njeriu qënkam,

ç’ vëzhgues i rreptë që jam:

përkulem

si agronom në token e lëruar,

plisa dheu shkërrmoq me duar

në dheun e largët Italian.

Qënka njëlloj kimikisht

si tokë Shqipërie,

si edhe e shteteve të tjera njëlloj

për rritje të çdo bime,

për rritje të kulturave të drithërave

për plotësim ushqimesh, njëlloj.

Për vëvhgim poetik

si ajri për jetën vlen,

vlen si oksigjen

ky mision…

Madhështi idesh rrezato, varg,

pra ç’u duhet popujve aggression,

të zihen,

të grinden,

luftra të bëjnë,

të derdhet gjak,

kur çdo tokë banorët e vet mban!?

Ç’ dreq njeriu qënkam,

ç’ vëzhgues i rreptë që jam!?

PEIZAZH PARKU

Park natyral shlodhës parmez*,

park i qetë me drurë të lartë serbes…

Për njeriun ç’ park i madh komod,

në shëtitje rraca njerëzore shikon.

Në mesin e parkut liqen artificial,

shpendët gazmor çohen shatërvan.

Refren zërash shpendësh në paqë;

ju këngë paqeje përhapuni çdo anë!

*parmez, Parma.

NGROHTËSI LIRIKE

Sa e ftohtë kjo natë parmeze

me gjysmë hënë të ftohtë laqrt,

lulka akulli shtron porsi pelte

dhe formon tabllo hëne me art.

Kjo natë parmeze kaq e ftohtë

si pikturë e   karakterit të njerëzve,

kur unë dëshiroj fjalën e ngrohtë,

kur dhe s’kam ç’u bëj indiferentëve.

Mbase… indiferentizëm nata mbjell,

se, ja, sa indiferentë edhe yjet lart…

Lirikë bukuroshe, në letër më zbret;

lirika ime çliron ngrohtësi në varg.

***

Mua kafja e Durrësit më shijon vërtet,

ooo, më shumë se në çdo vend tjetër,

kur dorë e sinqertë shqiptari ma sjell

me shqipen kaq të ëmbë duke qesh…

Ah, kafja e Durrësit më shijon vërtet!

VASHË E PARMËS

Vashë e Parmës kaq serbese,

në rrugë kryeneçja vashë;

të ta ulja kryeneçësinë,

por ç’e do, ah , jam plak!

Ah, të isha djalë i ri,

djalosh i bukur siç isha,

do ta këpusja kokën si lule,

do ta fusja në gjoks

e në zjarr dashurie

të bëhej flake,

bashkë të treteshim

tërë një jetë!

Ah, të isha djalë!

FOKUSIM BUKURIE

Natyrë sheh e shijon bukuri!

Dorë qëndistari

gjithë madhështi ka ngritur

kostelacione shtetesh përrallore

për piedestale shekujve:

njeri, o njeri,

dora jote, mendja jote

dritë, dritë jete,

mrekulli!

MOTIV POLITIK

Tokë, ajër, qiell

pasuri e rruzullit toksor

ndriçuar nga një diell…

Popujtë jetojnë:

miqësi, dashuri ndër kombe të ketë!

Popujtë luftën urrejnë,

ja, ç’ devizë e shkëlqyer!

Politika të marri shembull;

politika e ndërkryer

kur do të jetë në rregull?...

FILOZOFI JETE

Bar këtu e lule livadheve

e drithëra buke gjithandej;

pemë ,bagëti,

industri le të ketë,

le të ketë shkencë.

Industri lufte mos të ketë!

Jeta në lulëzim të përhershëm

e qeshur, pa lot, pa gjak

le të jetë!

***

Këtu në Veri të Italisë

me dorën e ngrirë

veriu dimër bën

siç dimër bën në çdo vend,

ndersa lart ndriçon vetëm një,

bukuroshja, e qeshura

Hënë.

DËSHIRA

Tjetër dëshira,

tjetër arritja

për atë që ti do…

Duhet përgatitja,

fuqia,

dituria.

Këtë ta dish

dhe, sigurisht,

nuk janë të milimetruara

hapat njësoj

për të gjithë.

NESËR

Këmba lodhet gjithë ditës

edhe duart gjithashtu.

Vjen mbrëmja:

shlodhet dhe truri,

dhe sytë,

dhe veshët,

se…nesër

ka prapë rrugë.

PSE?

Pse lindja e ditës qesh

dhe pse, pse

agimi bukurosh shton shpresë?

Dielli

ëndrrat budallaqe përze

dhe njeriut i thotë:

“ Përpara,

përpara

ec!”

AEROPORTET

Aeroportet presin, përcjellin

tonelata ndjenjash dashurie:

zbarkojnë mall për çmallje.

Gjithandej ka rreze ndjenjash intime.

Aeroportet presin krahhapur

përvluar mallit për t’u çmallur,

por edhe përcjellin me pak lot në sy.

Mua më përcjell dhe Atdheu…

Atdhe, si t’ia bëjmë mallit ne të dy?!