E enjte, 28.03.2024, 02:22 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, Erion Veliaj krijoi karikaturën e qytetit bashkëkohor

E marte, 11.02.2020, 07:33 PM


Në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, Erion Veliaj krijoi karikaturën e qytetit bashkëkohor

Nga Kastriot Myftaraj

Tirana e vitit 1920 ishte një qytet tipik i trashëgimisë “urbane” osmane në Shqipëri, një vendbanim i madh më tepër. Tiranës të vitit 1920 i mungonin elementët e një qyteti modern të kohës, duke qenë i vetmi kryeqytet në Europë që i mungonin: rrugët e asfaltuara, rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm, një rrjet modern i kanalizimeve të ujërave të zeza. Ujërat e zeza derdheshin ne lumin e Lanës përmes kanaleve të hapura. Tiranës i mungonin zonat e gjelbra publike, ndonëse nuk i mungonte gjelbërimi në oborret e shtëpive private. Tiranës i mungonin ndërtesat moderne. Pjesa më e madhe e ndërtimeve të qytetit ishin me tulla prej balte (qerpic) të prodhuara në mënyrë primitive. Tiranës së kohës i mungonte rrjeti i furnizimit me energji elektrike. I ashtuquajturi qytet ishte një labirinth rrugëzash lakore.

100 vite më vonë, në 2020, kur qyteti drejtohet prej pesë vitesh nga Erion Veliaj, kjo problematikë e Tiranës duket se veç sa është përkeqësuar, në përmasat e një karikature urbane.

Ja Karikatura urbane e Tiranës, në vitin e pestë të sundimit të bashkisë së saj nga Erion Veliaj, i vetëshpallur Lali Eri, i cili ka siguruar për Tiranën disa çmime botërore, propagandistike.

Pikësëpari është Tirana televizive, ku Lali Eri shëtit me banorët e lumtur, në sfondin e banesave me hapësira të gjelbra përreth, që në kryeqytetin tonë i gjen veç në disa lagje rezidençiale të shtrenjta.Tirana televizive është një lajm i rremë që nuk ka asnjë lidhje me Tiranën reale, të zymtë, me rrugë të prishura dhe të përmbytura, me ballinat e ndërtesave me veshje suvaje të dëmtuar, ku ujërat luftojnë me suvanë për të shndërruar ngjyrat, me pemë të mbjella në rresht, rrëzë trotuareve, ashtu siç ndodh në qytetet ku nuk është menduar për hapësira të gjelbra.

Ende dhe sot, mespërmes Tiranës kalon një kanal i madh, i hapur i ujërave të zeza, i quajtur ndryshe edhe Lumi i Lanës. Këtu shkarkohen ujërat e zeza të një pjese të madhe të Tiranës. Varësisht se nga fryn era, nëpër lagjet e Tiranë përhapet aroma e keqe e dalë nga qenefët (fjalë osmane që na e kujtoi së fundmi kryeministri për të etiketuar gazetarët, fjalë që shënon kanalizimet e ujërave të zeza, në kohën kur këto ishin të hapura).

Sot mbulimi i Lanës do të ishte një investim më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm se shkëputja e tij nga rrjeti i kanalizimeve të shkarkimit të ujërave të zeza. Çfardo që të thonë veprimtarët e shitur mjedisorë, përgënjeshtrohet nga realiteti.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë dhe ndër të paktët në botë, I cili nuk ka furnizim të rregullt me ujë të bardhë natyror, që në Shqipëri quhet “ujë i pijshëm”. Tirana furnizohet me “ujë të pijshëm” nga një thuajse kënetë, e quajtur administrativisht Liqeni i Bovillës. Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ka sjellë pejsazhin e çuditshëm të depozitave ujore mbi tarracat e ndërtesave.

Nuk është se Bashkisë së Tiranës i mungojnë paratë për projektin e ujit të pijshëm. Vetëm buxheti I dy viteve të fundit (2019-2020) I kapërceu 400 milionë eurot. Kryetari I Bashkisë Veliaj, është vetëparaqitur si një njeri me marrëdhënie shumë të mira me donatorët e huaj financiarë qëkurse ishte një veprimtar i shoqërisë civile. Për të pra nuk do të kishte qenë e vështirë që të gjente fondet e duhura financiare për këtë projekt. Kuptohet, nëse gjërat do të ishin siç thotë ai. Gjithsesi, Tirana është një treg në përmasa të tilla që I ka mundësitë ta zgjidhë këtë problem edhe pa ndihmën e huaj.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë ku nuk është zgjidhur problem i plehrave. Disa tendera të dyshimtë kanë bërë që biznesi i plehrave të bjerë në dorën e personave të dyshimtë, të cilët me anë të shoqërive të regjistruara në off-shores, shërbejnë si emra të huazuar, për pronarët e vërtetë, të cilët janë njerëz të rrethit të kryebashkiakut.

Në kohën kur në krye të bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama, u dhanë disa leje ndërtimi për pallat me mbi 20 kate. (e shumta 24 kate). Lulzim Basha, në katër vitet e tij dha edhe ai ndonjë leje të tillë, por nuk e kapërceu kufirin e vendosur nga paraardhësi. Erion Veliaj është i pari kryetar bashkie i Tiranës që nisi të japë leje ndërtimi për pallate mbi tridhjetë katëshe.

Kështu, Tirana, brenda mandatit të dytë të Veliajt, do të bëhet i vetmi kryeqytet në botë me pallate mbi tridhjetëkatësh, pa pasur një rrjet metroje që të lehtësojë qarkullimin. Kjo tregon se zhvillimi urbanistik i qytetit kontrollohet nga oligarkët që kanë përparësi fitimin e momentit.

Një nga “mrekullitë” e Tiranës se epokes “Veliaj” është i ashtuquajturi “pylli orbital”, një fjalë e sajuar nga Veliaj për të fshehur realitetin e zhdukjes se hapësirave të gjelbra brenda qytetit, për shkak të betonizimit.

Tirana është sot me siguri një nga tre-katër kryeqytetet më të pandriçuar në botë, ose për ta thënë më saktë, më të errët në botë, sa i përket ndriçimit publik.

Tirana është sot një nga qytetet më të ndotur në botë.

Tirana sot ngjan më tepër me një pejsazh hënor të stilizuar si qytet, dhe të ndriçuar aty-këtu, se si qytet bashkëkohor. Megjithatë sot Veliaj është një nga kryebashkiakët më të pasur të botës dhe ai është pasuruar falë keqpërdorimit të fondeve publike të qytetit të vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora