E premte, 29.03.2024, 07:34 AM (GMT)

Kulturë

Vilson Culaj: Saga e shtegtimit individual e shekullor të gjakut Arbëror

E hene, 10.02.2020, 09:21 PM


ROMAN I INTUITËS SOCIOLOGJIKE DHE GJAKIMIT TË LIRISË SHPIRTËRORE E DINJITETIT NJERËZOR

(apo Saga e shtegtimit individual e shekullor të gjakut Arbëror)

Reflektim për romanin ‘’DY BOTË’’ të shkrimtarit Elvi Sidheri

Shkruan: Vilson Culaj

I zhveshur nga çdo ndikim subjektiv, vendosa ta lexoja romanin “ DY BOTË “ të shkrimtarit Elvi Sidherit për t’i qëndruar besnik autorësisë së tij dhe thënies magjike të Borhesit “ se librin e mirë duhet ta lexojmë së paku dy herë në jetë”.

Ky roman ka në qendër të rrëfimit fatin e individit femër dhe gjakimin e saj për t’i krijuar vetes frymën identitare dhe të lirisë personale, pa e cënuar as kurrë dinjitetin, idealet, integritetin as vizionet e saj personale.
Vendosja e personazhit të femrës (LIVIAS) në qendër të rrëfimit dhe përqafimi i kohës kozmogonike kur në trojet shqiptare po bëhej luftë për mbijetesë dhe kryqëzoheshin fate kombesh në një ambient tragjik – kaotik dhe kur po ndërroheshin mileniumet, autori Sidheri përmes reflektimeve shumështresore filozofike e letrare jep shenjat e Gnostikës universale të tij, i cili shkrimtar me mjeshtëri të lartë artistike, letrare, diskursive, di të depërtojë e reflektojë thellë në botën ndërpsikike të individit, shoqërisë, kombeve, kulturave, racave e besimeve të ndryshme të cilat endin fatin e tyre nepër planet si palma në stuhi.

Ketë roman lirshëm mund ta emërtojmë si një rrymë letrare Bihervesioniste ku individi gjakon botën e sjelljes e veprimit të lirë, botës së njohjes dhe lirisë personale pa ndikime të jashtme, kurse bota dhe liria e cunguar e kërcënon çdo ditë.
Kalimi apo tejkalimi i këtij rubikoni e vë në qëndër personazhin e Livias, e cila e gjendur midis dy botëve shpirtërore, botës së traditës dhe getos në njerën anë dhe asaj të gjakimit individual të lirisë personale në anën tjetër, përmes fuqisë shprehëse dhe imagjinare, por me taban të frymëzimeve reale të romancierit Elvi Sidheri, merr kuptimin e mbijetesës, frymëzimit, integrimit, gjallimit dhe ngadhënjimit të fatit të individit i lidhur këmbë e duar nga vargonjtë e ceneve e cektësive të traditës. Ky roman zbërthen një realitet jetësor e letrar të strukturuar mjeshtërisht ku në esencë shpërfaqet historia e prekshme shpirtërore me elemente të gjallimit në kohë dhe hapësirë.

Titulli eufemik i Romanit “ DY BOTË ” nuk është i pa shkas dhe është një lloj kapërcyelli letrar përballë mileniumit të ri, ku përballen e gërshetohen: liria me kufizimet, paqja më luftën, jeta me barbarinë, ëndrra me realitetin, etja për mbijetesë dhe gjakimi për pavarësi ekonomike e sociale, vrulli imagjinar i jetës me kufizime, përplasja e civilizimeve dhe bota e dyzuar e një femre zhytur në sfidën e madhe të jetës për të vendosur frymën e dashurisë në mes të dy meshkujve.
E tërë kjo arkitekturë letrare zhvendoset mjeshtërisht në qytetin verilindor të Kukësit ku bota humanitare në miniaturë kishte vershuar në atë qytet për ta shpetuar një popull të tërë i cili po kërcënohej me zhbërje nga barbaria serbe. Në mes të luftës, paqes, lirisë, idealeve personale, e humanizmit dhe ëndrrës për ta përqafuar progresin lind e rilind në atë kaos babilonik një dashuri plot dilema, sfida, e dualizma shpirtërorë e një femre shqiptare e cila me vlug shpirti gjithmonë edhe kur ishte fëmijë kishte ëndërruar shkollimin, integrimin dhe pavarësinë emocionale – ekonomike , kundruall shkëmbinjëve të thepisur të traditës shekullore që vret ëndrrat e shumë femrave.
Pra, është kjo saga ekzistenciale e Evës shqiptare që tenton me çdo kusht ta shkëpusë kërthizën ndërpsikike me traditën që vret, pa vetëdije. Është etja integruese e dizajni ndërpsikik i një vajze e sfiduar nga ligjet e ngurta e cila nuk do ta konsumojë botën, por ta shijojë shpirtin e botës përmes dashurisë.
Në këtë përballje mitike romanore fiton emocioni përballë arsyes ku Livia zgjedh Hozenë spanjoll për fat të jetës ndërsa Kristiani danez do ta kryqëzonte ndjenjën e saj thënë simbolikisht në mes të dy botërave, dhe ky peng kujtimi në fakt reflektimit mjeshtëror, letrar dhe artistik të Elvi Sidherit do bëhet edhe objekt e subjekt i këtij rrefimi, sa sfidues po aq intrigues e metapsikologjik.

Vajza e përballjeve të  mëdha nga babai aventurier e pijanec dhe i shfrenuar në njërën anë, nëna fisnike, sfida me thjeshtrën e saj, gjyshit fisnik e të kujdesshëm, tutoren shpirtërore të saj, motër Faustinen ( elemente, shkaktarë e personazhe që ndikuan në formësimin e saj ndërpsikologjik ) nga përkthyesja në kampin e refugjatëve, Livia pas gjithë kësaj Sage kishte marrë rrugën e mërgimit pas një vulosjeje të dashurisë me fjalë e buzë dhe bashkë me Hozenë për ta realizuar ëndrrën e saj të kahmotshme që e kishte  blatuar në mendje e shpirt. Baladë e re në botën e re do fillonte për  vajzën shqiptare dhe pa eksperiencë në jetë e cila ishte mësuar që përmes botës së vogël ta shpjegonte e lakmonte e përvetësonte botën e madhe.
Ajo duhej të kalonte 77 fortuna në jetë për ta përqafuar jetën e paqen e saj të trazuar, gjithnjë më pengun e dy dashurive, e dy botëve në zemër. Pas një shtegtimi si në rrathët e Dantes, por në shërbim të jetës dhe integrimit, personazhi i Livias, përmes dorës mjeshtërore, e mendjes shpirtërore të shkrimtarit Elvi Sidherit, pas ca vitesh na del e konsoliduar dhe e realizuar në të gjitha dimensionet e jetës. Shtegtimi i kryepersonazhit nga Kukësi e kampet e refugjatëve shqiptarë nga Kosova, në Itali ( për studime ). Nga Italia në Spanjë, nga Spanja në Brazil dhe nga Brazili për në Gjenevë, përmes mjeshtrisë se autorit Elvi Sidheri , shoqërohet përherë me personazhe arbëreshe ( jo pa qëllim ) sikur autori dëshiron ta ngrejë kumtin e idealit të tij se sa të vlefshëm jemi ne si popull, sa të shpërndarë dhe me ndikim, por na duhet një gjakim, qasje, përkushtim e ngulm me i madh për vetënjohje, vetëvlerësim, e vetëbesim për t’i përqafuar idealet tona kombëtare. Është ky pra nacionalizmi racional e letrar dhe faktik i autorit Sidheri, i cili përmes mjeteve shprehëse letrare dhe planit ideo - artistik shpërfaq kozmopolitanizmin e tij të fituar, por gjithmonë duke ndier brenda vetes gjakun arbëror.
Mes dy botëve endet bota e personazhit jep mesazhin dora mjeshtërore e Elvi Sidherit, për sa kohë e vite të lëvizjes nëpër botë të Livias, tanimë përkthyese, profesoreshë gjuhe, e pasur ekonomikisht dhe një jetë harmonike me Hozenë i përzgjedhur nga emocioni e jo nga vullneti i plotë i zemrës dhe shpirtit. Ajo ka një zë të brendshëm klithës Brenda gjithë kësaj harmonie e Odiseade dhe veten e ndien të varfër dhe si  një qengj e harruar në mal përballë furtunës që e ngacmon çdo herë memorien dhe reminishencën e saj.
Romani në fjalë është një lloj hulumtimi i thellë në botën e ndërligjshme të psikologjisë së individit i cili i ngërthyer, e zhytur ndërmjet lirisë personale, ëndrrës për një jetë ndryshe, emocionit, dilemës dhe pasionit, zhvillon një luftë të brendshme dhe mistike përbrenda unit të pacënuar duke klithur në vetvete edhe në momente të kënaqësisë e lumturisë “ Zot, i kam mbetur borxh dashurisë gjer në fund të jetës sime.” Ky roman pra është Saga e lundrimit shpirtëror të qenies femër përtej unit të trazuar njerëzor që thith nga ambienti e tradita tharmin e kufizimit dhe ylberin e lirisë individuale bukë tjetër duke i gatuar jetës,

Gjithë këtë kozmogoni emocionale të kryepersonazhit, autori Elvi Sidheri di ta mbajë gjallë gjatë tërë rrëfimit romanor falë njohjes së tij universale duke ndërthurur e përshkruar brenda mesazhit me qindra nëntekste, nënshtresime letrare e gjeografike, vendndodhje, rrethana, kultura popujsh, civilizimesh, ndërthurjesh e ndërveprimesh dhe shkembimesh shpirtërore mes gjuheve dhe kulturave të planetit.

Rrëfimi romanor merr formë dramatike veshur me dilemen e madhe të jetës: “ të jesh apo te mos jesh në lirinë tënde “ , me rastin e takimit të sërishëm të Livias me Kristianin në qytetin e Gjenevës pas 14 viteve, ku në përballjen e madhe të unit, parimit, moralit fiktiv, dilemave dhe luftës së brendshme shpirtërore ngadhënjen dashuria si forca më sublime e këtij nënqielli. Ketu autori Elvi Sidheri bën shkëlqimin e tij letrar ku përmes figurash, simbolesh, e metatekstit letrar krijon hendeqe emocionale, ( jo pa qëllim ) sa të zjarrta po aq intime e mistike mes këtyre situatave ekzistenciale ku uni njerëzor ka luftë të brendshme dhe fisnike i ndrojtur nga mëkati fiktiv i mollës së ndaluar dhe kafshuar.

Penë e artë dhe e maturuar është pena e Elvit aty ku gufon emocioni, por e përndritur aty  ku shkëlqen dimensioni shpirtëror, arsyeja dhe mjeshtria letrare.

Autori Sidheri nuk është hermetik në metarrëfimin e tij kulturor e letrar, por përmes frazeologjizmave dhe kapërcimeve psikologjiko- letrare, lë hapur dilemën e një dashurie të pakusht mes dy qenieve rinore të cilat me fuqi të njëjtë shpirti i gëzohen jetës dhe dashurisë të liruar e zhveshur nga çdo mjegullinë e paragjykimeve e trashëguar dhe e kristalizuar në breza.

Është pra kjo situatë mes dy botërave, e konceptuar mjeshtërisht  nga shkrimtari Elvi Sidheri i cili përmes talentit të tij letrar dhe përthithja nga të gjitha kulturat e botës ëndërron e gjakon për liri personale nga çdo individ i cili ushqen dilemën e madhe “të vuash apo të dashurosh”.

Pra : romani është i shkëputur nga elementi fiktiv dhe fuqia shprëhese ideo – artistike e shkrimtarit Elvi Sidheri e natyralizon ngjarjen dhe terrenin makro letrar e emocional deri në kufijtë e mohimit të memories dhe së kaluarës.

Në këtë olimp ndjenjash dhe etjes për jetë, ngadhënjen liria shpirtërore për ta ekuilibruar agun e një periudhe të re në jetën e kryepersonazhit.

Ky roman i tejkalon përmasat e eksperimentit e zotësisë letrare sepse ngërthen në vetvete frymën e ligjësisë e jo të ekzistimit formal apo një lloj emitimi të jetës nën hije. Ky roman ngjason në një ,, Psalm në tehun e shpatës ‘’ për lexuesit që nuk e zotërojnë fuqinë e kontemplacionit letrar , andaj duhet frymë e re tek receptuesi në frymen e re letrare që po  ofrohet lëxuesit mbarë shqiptar .

Diskursi letrar i Elvi Sidherit lundron mes dramës dhe lumturisë se heshtur, por edhe pengut të dashurisë e kujtimit moralist, shpresës faljes e dashurisë që nuk di të mallkojë me fjalë, zemër, as sy.

Ky është pra kapërcimi magjik i kohës në kripto - logjikën artistike të Elvi Sidherit i cili di ta shenjtërojë Kohën e dashurinë përmes letërsisë dhe përvojës empirike, dhe si  një Esen modern reflekton me mjeshtri letrare në botën kozmopolitane dhe letërsine postmoderne që moti i mban në duart e tij.

Ky roman zberthen një realitet  jetësor e letrar të  strukturuar, konceptuar, e dizajnuar me nje metodë unike meditative e shpërthyese në rrafshin letrar,  ku në esencë shpërfaqet historia e prekshme shpirtërore me elemente të gjallimit në kohë dhe hapësirë duke rrezatuar fakte e ngjarje si një lloj gjakimi për transformim të shoqërisë në shumë rrafshe jetësore.

Rrëfimi romanor është i njëjtë me rrëfimin e personazhit kryesor si të ketë jetuar autori përbrenda tij ku vetëm regjistri i ndërdijes së autorit e ka kodin e çelësin magjik për  t’i zbërthyer situatat e frymimit letrar e artistik. Pra vetëm lapsi e mendja e autorit e mban në dorë kodin Hyjnor të kurorëzimit vetjak letrar.

Autori Sidheri di të arsyetojë mirë para se të ndërmarrë veprim konkret krijues, andaj prozat e tij ngjasojnë me një kompleks muzash e përjetimesh të cilave ,, dhembi i kohës s’u ka ndërruar aspak formë as ngjyre.

Autori ka një qëllim e mision fisnik që përmes artit dhe letërsisë t’i hapë dyer shtigjeve të një perspektive të re letrare e zhveshur nga shabllonizmi i gjertanishëm.

Kjo është magjia e shkrimit që i sfidon edhe ditët tona të pakta në këtë atdhe të përkohshëm. Pra, janë mendimet, frymëzimet, shkrimi, meditimi,  vizioni dritëlargët ,arsyeja, e shpirti që ndjen që na dallon prej krijesave tjera të planetit.

Këtë mision autori Sidheri vetëm se e ka konceptuar e jetësuar që sa vite në ndërdijen dhe jetën e tij praktike.

Nga leximi vertikal dhe plot përkushtim i romanit vërehet se autori ka në vete shumë testamente shpirti e shumë balada të gjakosura, por nuk pranon askurrë që ,, murgun e rrëfimit e ngushëllimit ‘’ ta takojë në ishujt e harmonisë së rrejshme  e  mashtruese.

Sidheri bekon shtigjet e veta përmes skicash e reminishencash përvëluese e dhimbjesh moraliste që si zë i dytë i dykohësisë e përjetimesh vërtetojnë plagët e heshtura duke reflektuar aq poetikisht ku shpirti letrar ngrihet mbi murin e kujtesës, si Feniks për të rilindur si njeri vertikal.

Në fund të kësaj kumtese mund ta themi bindshëm  se romani ,, DY BOTË ‘’ është flakërimi e ndezja shpirtërore në të kaluarën jetësore  ku kjo përvojë shpesh di të mahnitë dhe të shndërrohet në legjendë e baladë të syve. Sytë e përtej dy botërave që shijuan e përjetuan një epokë e baladë personale e kolektive, mu si historia e ngjarjes se këtij romani të mrekullueshëm.

Kryemotiv jetësor i këtij romancieri nuk është maksima erdha pashë dhe fitova si Cezari dikur, por kryeqëllim jete e këtij shkrimtari të talentuar është :

Erdha në këtë botë për të lënë gjurmë të dinjitetshme letrare.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora