E marte, 23.04.2024, 03:38 PM (GMT+1)

Mendime

Ferid Selimi: Kosova dhe integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare

E enjte, 16.10.2008, 08:41 PM


Kosova dhe integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare

Shkruan: Ferid Selimi, MSc

Integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare nuk duhet parë si një “tradhti kombëtare” serbe, por si një patriotizëm në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar.

Republika e Kosovës, (tashmë e njohur nga mbi pesëdhjetë shtete), si shtet qytetar, po bën përpjekjet maksimale për të integruar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, pa dallim etnie, gjuhe, kulture, race, feje ose ideje politike. Mirëpo, tani për tani, edhe pse Qeveria e këtij shteti më të ri në Botë, nuk ndal orvatjet për të treguar gatishmërinë e ndërtimit të një shteti multietnik, pakica serbe injoron organet udhëheqëse të Kosovës e posaçërisht ky injorim u intensifikua që nga shkurti i këtij viti kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Integrimit të pakicës serbe në shtetin e Kosovës, me të drejtë i jepet vend i posaçëm. Liderët politik të Kosovës, përpiqen që nëpërmjet këtij integrimi të përmbushin premtimet që kanë bërë karshi ndërkombëtarëve. Mirëpo, për t’u përmbushur një premtim i tillë, nuk varet vetëm nga dëshira dhe iniciativa e njëanshme e shtetit më të ri në Botë, por edhe gatishmëria e pakicës serbe që jeton në Kosovë. Ky integrim  nuk është bërë ende realitet, por kjo nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës të ndalet në përpjekjet e saj që në të ardhmen e afërt të bind liderët politik, qytetarët serb në Kosovë si dhe Qeverinë e Serbisë, se integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare është pikësëpari në të mirë të tyre e pastaj edhe për vetë Kosovën.
Në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, numri i votuesve serb në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare të Kosovës, ishte simbolik. Megjithatë, ata morën njëzet vende në Parlament. Dhjetë vende që dolën (kinse) nga zgjedhjet dhe dhjetë ulëse që ishin të rezervuara për ta. Mirëpo, deputetët serb edhe pse të privilegjuar në çdo aspekt, u larguan nga Parlamenti i Kosovës. Këtë veprim ata e bënë, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo lë të kuptohet që ata nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, Parlamentin dhe Qeverinë e saj, edhe pse ka individë që kanë pranuar të jenë ministra dhe zëvendësministra.
Serbia, në Kosovë organizoi zgjedhjet Parlamentare dhe Lokale. Zgjedhje ato që nuk u ndaluan nga Qeveria e Kosovës e as nga UNMIK-u. Nga ato zgjedhje, dolën anëtarët e Kuvendit të ashtu quajtur të “Kosovës dhe Metohisë”, këshilltarët komunal dhe kryetarët e të gjitha komunave të Republikës së Kosovës ku jetojnë serbët. Me këtë akt, serbët treguan që nuk janë të gatshëm të integrohen në shoqërinë kosovare. Ndërsa, mbajtja e zgjedhjeve të shtetit serb në Kosovë, nuk ishte tjetër, pos cenim i integritetit të shtetit të Kosovës. 
Edhe pse, Kosova më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë, pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës si dhe komunat tjera me shumicë serbe sidomos ato në veri të Kosovës, asnjëherë nuk e pranuan këtë realitet dhe ato  veprojnë sipas juridiksionit të Republikës së Serbisë. Pakica serbe në Kosovë, asnjëherë (pos kur është emëruar ndonjë ministër a zëvendës ministër) nuk e ka përfillur juridiksionin e Kosovës. Liderët politik serb që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, veprojnë me direktiva të Qeverisë së Serbisë që është shtet fqinj i Kosovës.
Integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare nuk duhet parë si një “tradhti kombëtare” serbe, por si një patriotizëm në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar. Ky patriotizëm nuk tregohet duke injoruar organet udhëheqëse të Republikës së Kosovës, por duke punuar për të ardhmen e popullit të tyre në këtë shtet që tashmë është realitet. Çdo vonesë nga ana e tyre do të thotë dështim i politikës së Qeverisë së Serbisë ndaj bashkëkombësve të vet që jetojnë në Kosovë. Qeveria Serbe duhet inkurajuar serbët e Kosovës që të integrohen në çdo sferë shoqërore në Kosovë, ngase vetëm në këtë mënyrë ata mund të ecin drejt një ardhmërie dhe një integrimi të plotë në jetën demokratike. Qeveria e Serbisë duhet të dëshmojë para Botës se është pro-evropiane dhe pro vlerave demokratike. Në të kundërtën, nuk do të mund të arsyetojnë premtimet e dhëna para opinionit ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë të largohen nga politika ekspansioniste  serbe e viteve të nëntëdhjeta e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Serbia ka forcë politike, por duhet vetëm vullnet dhe dëshirë për ta bërë këtë. Në këtë mënyrë, pakica serbe në Kosovë nuk do të mbahet peng e një politike të gabuar të shtetit amë, por do të ecin drejt integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora