E enjte, 28.03.2024, 06:42 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: A mund ta zëvendësojë taksën reciprociteti?

E diele, 09.02.2020, 02:45 PM


A mund ta zëvendësojë taksën reciprociteti?

Nga Enver Bytyçi

Një miku im, komandant i policisë kufitare në Kakavije të Gjirokastrës kur Greqia filloi fshesën kundër emigrantëve shqiptarë në vitin 1994, më thoshte para dy dekadash:

Grisja e pasaportave të emigrantëve shqiptarë nga policia greke në kufi u bë shqetësim serioz për ne asokohe. Një ditë vendosa të bëj të njëjtën gjë dhe unë pa marrë asnjë leje nga qendra, vendosa të bëj të njëjtën gjë me grekët që vinin në Shqipëri. Për fatin tonë erdhën tre biznesmenë grekë. Sapo ata u shfaqën dhe i dorëzuan pasaportat e tyre greke ne i grisëm në sy të tyre dhe ata i kthyem mbrapsht. Sapo njoftuan palën greke na erdhi komandanti i tyre i postës kufitare dhe kërkoi që të mos grisnim pasaporta të qytetarëve grekë që hynin në Shqipëri e ndërkohë u zotua se edhe nuk do ta bënte një veprim të tillë me shqiptarët.

E përmenda këtë rast për të dëshmuar se çfarë do të thotë reciprocitet. Qeveria e re Kurti e Kosovës është zotuar që taksën Haradinaj ta zëvendësojë me masa reciprociteti. Po çfarë kuptojmë me këtë? A është shembulli i mësipërm një model reciprociteti?! Apo reciprociteti do të prodhojë deklarata dhe kundërdeklarata verbale në linjën Prishtinë-Beograd?!

Ndoshta një studim i hollësishëm për atë çfarë ka ndodhur me qeveritë e kaluara, të cilat në shumë raste kanë dëshmuar varësi nga politikat e Beogradit, do të ishte i domosdoshëm. Megjithatë ndjehet një lloj skepticizmi sa i përket aktit të zëvendësimit të taksës Haradinaj me ato që quhen “masa reciprociteti”! Dyshimi dhe skepticizmi shtohen nga fakti që shumëkush beson se kjo po bëhet si kusht kompromisi që bashkësia ndërkombëtare të mbështeste krijimin e një qeverie të kryesuar nga Albin Kurti. Këtë aspekt të çështjes e rithekson gjithashtu ish-kryeministri Haradinaj në një letër publike drejtuar pasuesit të tij në krye të ekzekutivit.

Megjithatë kur flasim për reciprocitet, atëherë është mirë që qeveria e re ta shpjegojë konceptin e saj. Nëse ndërmerr iniciativën e heqjes së taksës, më së pari duhet të këmbëngulë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që Beogradi ka nënshkruar me Prishtinën. Por a ka gjasa ta realizojë këtë?! Nuk besoj. Serbia nuk do t’i zbatojë ato marrëveshje që e shtyjnë atë drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës. Gjithsesi, Albin Kurti, por edhe Vjosa Osmani, duhet të sqarojnë publikun se cilat janë hapat konkretë të vendosjes së reciprocitetit.

Në të shkuarën nuk kishte reciprocitet midis Thaçit dhe Beogradit. Thaçi iu nënshtrua pa kushte të gjitha presioneve të Serbisë. Por nuk do të kishte shumë ndryshim, nëse reciprociteti perceptohet si mënyrë e njëjtë sjelljeje midis dy vendeve dhe dy shteteve. Kjo sepse p.sh nëse Serbia vazhdon fushatën dhe diversionin e saj kundër pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës, Prishtina dhe qeveria kosovare nuk mund të bëjë të njëjtën gjë kundër Serbisë. Në këtë rast do të duhet sqaruar se cili model reciprociteti mund të aplikohej nga ana e qeverisë. Nëse Beogradi vazhdon të lobojë, e bllokojë Kosovën për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare përmes mitmarrjes, çfarë nënkupton reciprociteti i qeverisë Kurti në këtë rast? Të njëjtën gjë, pra lotimin me mitmarrje të këtyre vendeve që ta pranojnë Kosovën bie fjala në UNESCO apo Interpol?!

Reciprociteti me Serbinë jo vetëm është një nocion abstrakt, por është i pazbatueshëm që në start. Duhet që të dy vendet të jenë subjekte të barabarta ndërkombëtare që midis tyre të aplikojnë atë që quhet marrëdhënie reciprociteti. Ndërkaq reciprocitetit në kohët e sotme moderne deri diku i ka humbur kuptimi, sepse interesat e vendit mbrohen tashmë në mënyrë pragmatike. Taksa ishte dhe në konceptin tim mbetet pjesë e një qëndrimi pragmatik.

Më e pakta që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të kërkojnë është që para heqjes së taksës të garantohet e nënshkruhet një marrëveshje paraprake midis Prishtinës dhe Beogradit me të cilën qeveria, presidenti dhe parlamenti i Serbisë të angazhohen me ndërmjetësim ndërkombëtar, amerikan dhe evropian, për heqjen dorë nga praktikat e lotimit, diversionit dhe bllokimit të shtetësisë së Kosovës. Këtu kam parasysh lotimin kundër njohjeve si dhe kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është kush minimal e ndërkohë një skemë, të cilën e ka promovuar i ngarkuari i Presidentit Amerikan Trump në Kosovë, Richard Grenell.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora