Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Këngës i hapet cdo portë

| E shtune, 08.02.2020, 10:29 AM |


Këngës i hapet cdo portë

Tregim i jetuar

Nga Shyqyri Fejzo

Karvani me 7-8 kafshë ngarkese që samarët e tyre rënkonin nga thasët me fasule, arra, bulmet e lesh e kishte kaluar Lozhanin e tani ishte afër burimeve të Senishtit. Një tufë e përzier, dhen, qingja, dhi e disa viça drejtohej nga tre katër djem të rinj që bagëtitë të “bënin udhë” drejt pazarit të Korçës. Ishte e shtunë e sapo filloi thyerje e ditës. Një ditë e bukur marsi, e pa zakontë për këto anë ku dimri ikën i përtuar. Kur u afruan tek Burimet e Senishtit karvani u orientua të ngjitej mbi xhade. Aty ishte një lëndinë e gjërë, në anët e së cilës shtrihej pylli me lajthi e shkozë. Hasani i Myftarajve nga Shënepremtja, i cili ia kishte marrë mirë dorën pazarit të Korçës, komandonte.Të gjithë e dëgjonin dhe i bindeshin urdhrave të tij. U shkarkuan e sistemuan ngarkesat e kafshëve, u lidhën viçat  mushkat e kuajt, u mblodhën dru të thata në pyll e pas një çerek ore po kërciste zjarri. Pas hedhjes së shortit u vendos që një nga qingjat e bëshëm të bashkëfshatarit tyre të therej e të shkohej në hell. Dhe kjo punë u krye saktë pasi u bë dhe vlerësimi i qingjit, që do paguhej kolektivisht.  Pas dy orësh, era e mishit të pjekur të çponte hundën. Nga disa çanta dualën shishet e rakisë, fsheret e djathit dhe shpejt e shpejt u sajua një sofër e madhe me batanie, mushama e mbulesa të holla, që më pas do mbante mishin e pjekur. Urimet filluan e shishja e rakisë po vinte rrotull. Shumica e urimeve drejtohej tek Tefik e Rrapo Hyka. Jo se ishin pak më të moshuar se të tjerët. Ata ishin këngëtarë popullorë dhe nami i tyre i kishte kapërxyer kufijtë e Shënepremtes.Pastaj ata rrallë delnin në pazarin e Korçës.

Rrugës, bashkëfshatarët e tyre tentuan ti nxitin të këndojnë, kur bënin ndonjë pushim të vogël, por ata nuk kënduan.

-Mos u mundoni kot-ndërhyri Hasani.-Goja,po nuk hëngri dhe piu, nuk flet e nuk këndon. Apo nuk është kështu. Them se deri në Korçë, kemi koha që ta lodhemi, të shlodhemi, po edhe të këndojmë- e kishte mbyllur ai, pa mbrritur ende tek Burimet e Senishtit. Kur u poq mishi e kokoreci dhe u nda për sejcilin,urimet u shtuan e morën zjarr dhe shishet e rakisë po ndërronin njëra-tjetrën. U ngritën shëndete e u bënë dolli. Pazarakët të qeshur vesh më vesh shikonin njëri-tjetrin.

-Tani, ka ardhur koha që bilbilat e Hykajve tja thonë një kënge.- Rrapoja me Tefikun shikuan njëri-tjetrin. Nuk pritën tu thotë përsëri ndonjeri, po ja filluan këngës.

--Ç’ kini gjunjë që u pretë?

Sëmurë jini a bëni vetë”-eeee!

Një iso e bashkëfashatarëve të ardhur në qejf shoqëroi këngën. Melodia e saj mori lginën e Gorës, përplasej në kodrinat e luginat e vogla për gjatë lumit Devoll dhe shpërndahej në të dy anët. Zhurma e lumit të mufatur nga shkrirja e dëborës në male, ëmbël e butë dukëj sikur shoqëronte këngën e mbante dhe ajo iso. Kishin kënduar tre katër herë. Ka të thëna se shija e çdo prodhimi bujqësie apo blegtorie është më e mirë kur konsumohet në vendin ku prodhohet. Por, edhe aty, buzë lumit, pranë burimeve të Senishtit, me atë shoqëri të mpleksur nga nevoja e pazarit, shija e ushqimit dhe kënaqësia që ndjenin ishte e madhe.

-Nuk besoj se do e lëmë pa bërë një këngë e valle në këmbë-foli Hasani. Të gjithë si duket atë komandë kishin pritur për të shpirë pak këmbët e ndryshuar pak gjendjen. Aty, pranë rrugës ishte një shesh i vogël dhe pazarakët, çakër-qejf, hoqën disa gurë e shkarpa e formuan një rreth sa një lëmë për këngëtarët valltarë.Tefiku dhe Rrapoja,pa pritur tu lutej ndonjëri, u futën në mes të sheshit dhe ja filluan këngës duke hedhur vallen dyshe. Në fillim me zë pak të ulët e të lajkatuar si dinin ata e më pas me zë më të lartë. Gazi dhe hareja kishin arritur kulmin aty tek Burimet e Senishtit. Atë moment në xhade u shfaq një karvan kalorësish që vinin nga ana e Goçës, e shoqëronin lëvizjen e ujrave të Devollit. Të 11 kalorësit e dy këmbësorë ndaluan kuajt e mushkat dhe nën urdhrat e të parit të krushqeve të tyre, lidhën kafshët, shpinë gjymtyrët dhe erdhen tek rrethi i pazarakëve.

-Mirë se ju gjetëm dhe gazi tu trashëgohet-uroi i pari i krushqve, me një faqore raki në dorë.

-Mirë se na ardhët. Juve tu trashëgohet gazi se ne jemi vetëm pazarakë sot-ja kthen Hasani i pazarakëve urimin. Si u përshëndetën me njëri-tjetrin, pyetën e u përgjigjën për miq të përbashkët, dhe për dasmën, djali i kujt ishte ai që martohej e ku do e merrnin nusen, e kthyen nganjë herë dhe nga rakia e dhëndrrit. Hasani, që kur u nda mishi kishte lënë disa thela rezervë.”Për këto punë më mirë pyet të vuajturin e jo të diturin,” ka thënë ai i lashti.Ja.erdhën krushqit. Na sajndisën e ne nuk e bëjmë faqen rrogoz” mendonte Hasani duke u shpërndarë meze mishi të pjekur  krushqeve.

-Këta burrat tuaj sikur po hiqnin një valle. Tani që erdhëm ne, ndaluan. Po jua bëj një bromp dhe vazhdoni vallen- tha i pari krushqeve. Këngëtarët shikuan për një moment njëri jetrin dhe pastaj dualën në sheshin e vogël pranë xhadesë. Gjëmoi përsëri zëri i Tefik Hykës.”Ç’deshe trandafil në Përmet… eee! I përgjigjet ëmbël-ëmbël e me një një zë melodioz partneri i tij, Rrapo Hyka. Si erdhën dy herë rrotull, duke kënduar e kërcyer, të dy këngëtarët shkuan menjëherë  tek ata që mbanin ison.

-Urdhëroni ju krushqit tani- foli Hasani i pazarakëve. Krushqit shikonin njëri- tjetrin e pastaj të parin e tyre. Më në fund dolën dy krushq për tju përgjigjur sfidës. Ja thanë këngës me një zë të vrazhdë, sikur do reitonte.Ai që ja mbante nuk piqej gjëkundi me atë që ja thoshte.

-Ule pak kajkun e këngës ti që ja thua dhe ti Zelo që po jam ban ngrije pak që të bëheni pendë e mirë.A i patë ju se si e kënduan këta pazarakët?-udhëzonte një nga krushqit, që më vonë u muar vesh se ishte daja i dhëndrrit. U erdhi rradha përsëri Tefikut e Rrapos. Krushqit dhe pazarakët mbetën gojë hapur. Ata u bënë gati përsëri të shkonin tek ata që mbanin ison, po në moment ndërhyn i pari i krushqeve.

-Vazhdojeni, vazhdojeni. Ta dëgjojmë nga ju se këta tanët nuk katranosën gjë.-foli ai i menduar. Këngëtarët vazhduan më tej, deri sa e përfunduan këngën e bukur duke hedhur valle. Të dy shkelnin në majë të këmbëve.Uleshin afër tokës duke u mbajtur vetëm me njërën këmbë, bënin bukur me dorë, kryqëzonin me njëri tjetrin krahun e djathtë, rrotulloheshin dhe pastaj kryqëzonin krahun e majtë të qeshur.

-Hë! Kësaj i them valle unë,ja.-fpli i pari  i krushqeve duke krojtur kokën.-Ta merrni vesh ju o pazarakë të Shënepremtes,  unë kësaj rradhe ndodhem kali i belarave. Vetë jam nga Tomorrica. Por Selmanin që marton djalin në Opar e kam mik me qokë. I pari i krushqeve, dihet, zgjidhet. Dhe ata më zgjodhën mua. Po në Gorë e di që është vështirë të tundësh si duhet atë këmborë që të kanë vënë në qafë. Krushq që të bëjë këngën si duhet nuk kam. Ju e patë vetë këtu në vallen që bënë.Ehu!uuu! Ku jini ju e ku qënkemi ne. Ndaj do ju lutem që Tefiku dhe Rrapoja të vinë krushq me mua. Njerzit e nuses na presin sonte për darkë. Nesër, të djelën, marrim nusen dhe kur të zbresim në xhade, po të doni këngëtarët i kthejmë. Do i përcjellim deri në qafën e Shënepremtes në kuaj. Ose, më e mira, të vinë me ne në Opar si krushq të zgjedhur nga ana ime.- Ky mendim duket se krijoi habi në pazarakët e Sënepremtes dhe krushqit e Oparit. Për disa sekonda gjendja mbeti pezull.

-Ju kini dalë krushq të merrni nuse, po jo të mblidhni këngëtarë..Sot ne i kemi pazarakë. Këta nga do që shkojnë, këngën e marrin me vete. Në fshat dhe në zonë nuk u gjendet shoku. Nuk ka dasëm, a sebep tjetër që Tefiku me Rrapon mos shkojnë. Ky propozim i juaj na duket i çuditshëm-foli Hasani duke përdredhur bzët.

-O Hasan! Ti paske dhe miq në Opar, paske Nuron që edhe ne e kemi mik. Mos ma prishni.Më hiqni këtë litar që kam në qafë. A më kuptoni?-vazhdonte kryetari i krushqeve.

-Syri ka dhe turp o i pari i krushqeve. Si do thuhet  në fshat e zonë për këtë? Pastaj shokët e tu si mendojne? Mund të ketë dhe hatër mbetje.- u hodh Tefiku.

-Tek Selmani i Oparit, nuk di si e presin këtë punë o i pari i krushqeve-merr përsëri fjalën Rrapoja.

-Ju e dini më mirë se unë ore miq.Këngës i hapet çdo portë.Dhe ju në Opar ku do shkojmë i kini portat të hapura kat e kat..

-Shikoni. Këtë punë unë e mendova mirë që kur ju pashë ju se si këndoni e kërceni. Krushqit e mi, tek miku ku po shkojmë, le të këndojnë, nuk i pengon njeri. Kurse për mallin e bagëtitë që kanë Tefiku dhe Rrapoja, do i blejmë ne. Dy djem nga të mitë do i vënë përpara dhe do i çojmë në Opar. Dp zbresim dy krushqit tanë më të rinj nga kuajt e do hipni ju- po ndante detyrat i pari i krushqeve.

-More ashtu kemi kuajt tanë ne, po nuk po mbushim akoma mendjen-foli Rrapoja.-Hë! Si thua o Tefik?-I u drejtua shokut të vet.

-U pa kjo puna jonë sot o Rrapo. Ne të dy pazarit nuk ja themi shumë.Do na ngrenë ndonjë këngë në Shënepremte si;”U nisët për Pazar dhe sosët në Opar,oji,oji” filloi të këndonte Tefiku.

I pari I krushqeve e pa që po e bluante karroqen pa pyetur shumë për killën e pazarkëve. Ju turr të dy këngëtarëve i përqafoi dhe i nxiti të ndajnë bagëtitë e tyre dhe vetë të nisen me krushqit.

-Ne do të vimë.Të kuptojmë se çfarë halli e sikleti ke sot. Kishim nisur një muhabet me bashkëfshatarët tanë pazarakë. Do ja themi dhe nja dy herë dhe pastaj të përzihemi me ju.-foli përsëri Tefiku. Ai e kapi Rrapon për dore dhe përsëri kënga valoi si ajo, në luginën e Devollit. Këndonin dy krushqit e rinj nga Shënepremtja e ja mbanin ison krushqit dhe pazarakët. Edhe kur hipën mbi kuaj në rradhë menjëherë pas të parit të krushqeve, ata u nisën më këngë në gojë..”E,e,e,e,! Ku bëhet ky muhabet…! Tek Selmmani ka lezet…” oji,I,I”.Isoja e këngës shpërndahej lginës së Devollit. Bashkëfshatarët e Shënepremtes përshendetnin tek Burimet e Senishtit, duke tundur peshqirë, qylafët e çfarë tu zinte dora. Krushqit ngjiteshin në rrugën malore dredha dredha përballë duke kënduar e përshëndetur.