E premte, 29.03.2024, 10:06 AM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Gazetat...

E shtune, 08.02.2020, 10:22 AM


GAZETAT…

Nga Tahir Bezhani

Mal Pykën e kishte ngujuar brenda  një mot i keq tash katër ditë me radhë. Çdo gjë në shtëpi ia zinte rrugën, edhe bashkëshortja duke kryer punët e shtëpisë.I fliste për çdo gjë, pa asnjë arsye, e rëndonte me fjalë. “Pse e ke lënë këtë karrike këtu, pse ke shtrëmbëruar tavolinën, ajo atje e pa pastruar, karriket nuk janë të drejtuara, gotat nuk janë në vendin e tyre, e shumë fjalë të  tjera pa lidhje, pa arsye  krijonte nervozë ndaj bashkëshortes. Ajo nuk bëzante, e kishte nuhatur se ishte nervoz, rrinte deri vonë duke shikuar televizorin, duke dëgjuar ato dreq lajme që ia hëngrën jetën, jo vetëm  bashkëshortit tim, por të gjithëve….

Mal Pyka sillej nëpër dhomë mendueshëm, sikur kërkonte diç të humbur moti e me vlerë. Afrohej afër xhamit të dritares , shikonte motin se si ushtinte, ato rrebeshe shiu që krijonin pellgje uji në oborrin e tij. Pullat e shiut në ato pellgje dukeshin si mëshikëzat e bretkocave në pranverë, kur ia thonë këngës në korin e tyre. Ullugjët e shtëpisë kërcisnin në katër këndet, thuase  do të rrënohej çatia  nga stuhia.

-Phiiaa!-edhe ky mot me shi, na mbylli brenda!... Tërë ditën nuk lexohet, as televizori tërë kohën nuk shikohet. Jam mërzitur brenda, foli në heshtje. Sikur të isha te klubi tani, do kisha pirë makiato, ndoshta do vinte edhe ndonjë mik afër, në tavolinën time.

Me këto mendime të nxehta nëpër kokë , ra në divan, në këndin e kuzhinës, ashtu në heshtje , shikonte lëvizjet e Lulës nëpër dhomë, tretej në vorbullën  jetës me problemet e saj. Fëmijët , dy djemtë i kishin dalë jashtë shtetit, që në kohën e luftës. Ajo vetmie bluante në brendësi. E merte malli për fëmijët , mendonte pleqërinë që po i ofrohej dhe mërzitej. E dinte mirë edhe shkaktarin e kësaj zbrastësie, zbrazjen e Kosovës , por  heshte e në heshtje vuante….

Duke “lavruar” botën me mendimet e trazuara, e kishte zënë  gjumi, një gjumë “shiu”i ëmbël, si thonë. Nuk u zgjua derisa bashkëshortja, Lulja, e zgjoi për të drekuar. Mal Pyka me zor u ngrit. Sa e ndjeu veten të lodhur, si të kishte ardhur nga mali e jo nga shtrati.

-Paskam fjetë shumë- i tha Lulës. Pse me le  kaq gjatë!-i foli asaj.

Pasi drekuan së bashku, doli në oborr , pastaj edhe  para derës së oborrit të shtëpisë. Vërejti se moti kishte ndryshuar , kishte pushuar shiu  dhe retë e zbrazura ishin tretur hapësirës qiellore. Derisa soditi natyrën e bukur rreth e rreth fshatit, ato kodra që ishin bleruar pas shiut, ai ajri i pastër që depërtonte në thellësi, i jepte çuditërisht qetësinë e duhur të çastit. Kaluan dy-tre fqinjë rrugës së fshatit, përafër derës së Mal  Pykës.

-Si je o Malë?- i foli më i vjetri, Plisi. E quanin me nofkën “plisi” sepse qeleshen e bardhë e mbante në vetull , me anim në të djathtë të kokës. Në fakt ky ishte kushëriri, Alushi, një burrë i mbajtur mirë dhe gjithmonë kishte dasëm në kokë…

-Mirë o Baci Alush, mirë jemi, por ky shiu na qelbi, që sa ditë. A mos do Zoti e del diell edhe për ne!

-A i  dëgjove  lajmet mbrëm Malë?-e pyeti Plisi.

-Aiiii, Baca Alush , pash Zotën më le të qetë! M’u ka mbushë koka e tërë trupi lajme, rrena , pallavra, premtime, hajni, krime, vetëm fjalë të thata…Na i lamë duart, si gomari ëndërr po rrimë. Kosova e Shqipëria u zbrazën, mbet’  vatani ta mbrojnë pleq e plaka….

Plisi kuptoj se Malën e kishte përfshirë një dozë nervoze dhe e përshëndeti duke vazhduar  rrugën për te shtëpia.  Duke ecur rrugës, i tha vetes, ”për zotin ka të drejtë Mala. Krejt janë hallakatë kjo udhëheqësi, poshtë e lart , sikur ta kishin pronë të veten këtë Kosovë, Shqipërinë. Sa gjaku u derdh për këtë vend nëpër shekuj, kurrë të rehatuar jo!... E more Malë Pyka, qebesa je burrë i mençur  anise do vite i ke edhe ti mbi atë kurriz thatan, tha me vete dhe u fut brenda shtëpisë  Plisi.

Ndërkaq , Mal Pyka , pasi shetiti do kohë  rrugëve të fshatit, pas  motit me shi disaditor , hyri brenda dhe po mendonte se si ta kalonte natën në ardhje .  Shetitja e asaj pasdite të vonë e kishte freskuar sadopak, ia kishte larguar atë lodhjen e “ngujuar” në  brendi të vetës.

Të nesërmen mëngjesi kishte aguar me rreze dielli, të cilat ishin futur në dhomën e Mal Pykës edhe përmes perdeve të dritareve . Shikoi dhomën e ndriçuar nga rrezet e diellit pas disa ditësh. U gëzua si fëmija, që i do lojrat për mot të mirë. Hapi dritaren, pa gjitha ato kodra përrreth , natyrën e bukur e të gjelbëruar , lulet e pemëve mbushur me zhurmë bletësh, që të jepte knaqësi jete. U vesh shpejt e shpejt, doli në oborr dhe po thithte ajrin e pastër. Pastaj thirri të shoqen, Lulen, t’ia sillte një kafe në oborr, në atë rreze dielli që ia ngacmonte brendësinë e errësuar…

Lulja ia solli kafenë aty ku e kërkoi Mal Pyka dhe e pyeti se a do mëngjesin tani apo ma vonë, çfarë do?  Pastaj shtoi ajo , çfarë do bësh sot në këtë ditë të gjatë, a mos dëshiron të shkojmë te ndonjëra prej ilakave, të ndërrojmë vend, ndeje, biseda të shkëmbejmë?

Mala nuk i tha as po e as jo. Të shohim, më vonë.  Ka mundësi, pasi të kthehëm nga qyteti. Do shkoj sot të takoj një mik personal. Diçka më shtërngon në grykë, Lule…

Lulja nuk e zgjati bisedën me bashkëshortin. Pas shërbimit me kafe, filloi punët e rëndomta qe e prisinin çdo ditë , ato me fëmijët , pastrimin e gatimin e zakonshëm. Ndërsa Mal Pyka , sa mbaroi kafenë , ndrroi rrobat, u pispillos aq sa kishte mundësi me atë moshë, mori kuletën me para dhe i tha Lules se po shkon në qytet. Ajo ia kujtoi që të marrë kuletën dhe telefonin me veti. Mala buzëqeshi për kujdesjen e saj dhe duke dalur, ia fali një buzëqeshje të ëmbël si kujtim dite, të ngrohtë si dielli i asaj pranvere.

Ngutej Mal Pyka për ta zënë autobusin, që shkonte në qytet. Kishte edhe pesë minuta kohë, por nuk e kishte edhe aq larg. Me një ecje të shpejtuar e zuri kohën dhe u ul në  ulëset e përparme të autobusit. Duke biseduar me bashkëvendas të tij e udhëtarë të tjerë, shumë shpejt kaluan tridhjetë minuta rruga. Mala zbriti në vendin ku dëshironte. Hapi i parë i ditës që bëri, iu drejtua një kioske gazetash dhe bleu shtypin e ditës, tri nga ato të përditshmet. Nuk i kishte lexuar që disa ditë. Pastaj mësyni klubin e tij të preferuar.  Aty ngjante të kishte edhe ndonjë mik a shok të moshës së tij. Mala merrte një pension të vogël moshe , sa për kafe e gazetë dite , të tjerat shpenzime, kujdeseshin djemtë nga Gjermania.

Pasi hyri në klubin “Qetësia”, zuri një tavolinë në këndin e djathtë, nuk pa njeri të njofshëm. Porositi një makiato të madhe dhe filloi ngadalë ta shpaloste shtypin ditor. Të gjithë titujt e gazetave, rend me rend i lexoi , për t’iu kthyer leximit të rregullt. I la në tavolinë, gjysëm të hapura , hurpi në makiato dhe ofshani thellë, duke pëshpëritur, ”jo , jo , nuk e ka ndërmend të rregullohen punët shpejt , kaluan njëzet vite pritje, e kush e di edhe sa e sa tjera shkojnë. Po një  ditë nuk do jem as unë,   pastaj çfarë më vlejnë ato të “mira”?!....”

Pasi mbaroi makiaton , filloi me të përditshmen e parë, nga faqja e parë e tutje. Gjatë leximit, fytyra i ndërronte , dukej njeri në kolor, fshinte djersët me palomë , kërciste me dhëmbë, nuk bëzante, i vinte keq nga njerëzit që kishin filluar të vinin në atë klub.  Akrepat e orës kishin kapë dhjetën e ditës. Asnjë i njohur  nuk iu bashkua deri tani. Pos që e përshëndesnin nga larg disa të njohur, me një “tungjatjeta” dhe uleshin me shoqëritë e tyre. As Malës nuk iu prish qejfi, ku e di sa, sepse kishte marë gjithë shtypin e ditës për lexim, pas disa ditëve.

Mala trokiti në tavolinë me gishtin e dorës së djathtë dhe kamarieri, sikur i mbiu aty, i tha urdhëro baca Malë!

-Ma sjell edhe një makiato dhe një raki rrushi me uji, djalo!

Menjëherë vuri gishtat e duarve te tëmthi i kokës, filloi një bisedë si pëshpëritje nëpër buzë, pastaj një e qeshur me të madhe i pëlciti çuditshëm:

” Hahaaaaaa, hahahahaaaaaaa! “

Vizat për qytetarët e Kosovës nga fundi i majit” ose “në fillim  të qershorit”. Hahahaaaaaa!”. Në Parlament u rrahën, u shanë”, hahaaaaaaa! “Do i rrisim rrogat e arsimtarëve e puntorëve, këtë herë 100%.”-lexonte më tej. Hahahaaaaaa!Vizat herë në maj, herë në qershor, pastaj në dhjetor , ”për festa do i kemi vizat për në Evropë” që dhjetë vite , i njëjti refren i rrenave, mashtrimeve, pa fije turpi….”

Ndaloj pakës Mal Pyka dhe hurpi në makiato , e cila iu kishte ftohur, kishte mbetur në harresë….

Dëgjoi zërat në tavolina duke pëshpëritur  se: “Mala paska huqë, i paska shitë drutë, paska shkitur në akull , paska luajtur nga mendja e kresë….” etj.  Këto shushurima fjalësh e ngacmuan edhe më tepër Mal Pyken. Pasi lexoi edhe gazetën e radhës , filloi të bërtas edhe me shumë, me zë edhe më të lartë.Keqardhja e të pranishmëve në klubin “Qetësia”, vërtetë ishte serioze sepse u dhimbsej të gjithëve , e posaçërisht atyre që e njihnin që moti, si një burrë me të gjitha vlerat e virtytet që përfaqësojnë dinjitetin e një njeriu cilësor.

Dita po ecte me ritmin e saj. Ora kishte arritur tre pasdite. Në lokal thuaja se askush nuk kishte mbetur. Kishin vajtur në punët dhe shtëpitë e tyre. Kur shikoi rreth e rrotull , pa se ishte vetëm, nuk kishte pse të  priste, asnjë kolegë nuk e pati sot afër vetes , pos shtypin e përditshëm, i cili e demoralizoi tejmase, skajshmërisht ia humbi shpresat e mendimit se do bëhet mirë në këtë Kosovë të lodhur. Kjo padurueshmëri filloi t’ia keqësojë edhe gjendjen shëndetësore. Me atë lodhje dite, në orët e mbrëmjes, i lodhur,   mbërrini te shtëpia.

Lulja  i doli para dhe e pa se ishte tjetër njeri bashkëshorti i saj. Sytë iu kishin skuqur, trupi e kishte lëshuar, shante si kurrë më parë , pa lidhje fliste për njerëzit e  posteve në pushtet….

Ajo nuk foli, por e tërhoqi ngadalë deri në kuzhinë , duke lutur që të hajë drekën e përgatitur. Mala refuzoi çdo ushqim. Dua shtratin tim , i tha Lulës. Ajo e shoqëroi te dhoma dhe e mbuloi me plafin që e preferonte përherë Mala. Por, kot!... Nuk fjeti tërë natën. Si i pagojë rrinte , në heshtje. Gjendja vetëm sa iu keqësua.

Të nesërmen Lulja telefonoi ambulancën dhe Mal Pyka u dërgua urgjent te mjeku. Konstatuan se duhet të ndalet në repartin e neuropsikiatrisë disa ditë…

E dëshpruar së tepërmi, Lulja u kthye në shtëpi , njoftoi dy djemtë në Gjermani për rastin e babait të tyre , ndërsa vet u ndie tepër e vetmuar në jetë. Kishte frikën se pa djemtë po se po, por halli ishte te Mala, mos po ia gjen diçka e keqe! U ul në një karrike , aty ku zakonisht rrinte edhe  Mala, filloi të qajë dhe të sillet nëpër dhomë,   duke iu lutur të madhit Zot që” Malën mos t’ia gjejë asnjë e keqe.!”

E dëshpëruar, u zhyt thellë në mendime, duke kujtuar gjithë jetën e kaluar me Malën, gjitha peripetitë e jetës, vuajtjet e durimet e pafundme, për një ardhmëri më të mirë në shtetin tonë, i cili u ul me gjakun e rinisë e popullit tonë për liri. Kurrë nuk më ka vajtur mendja se në lirinë e shtetit të fituar me gjakun e të gjithëve, vjen dita që burri im, Mala , Mal Pyka, të çmendet nga padrejtësia, prej atyre që nuk u ngopen kurrë me pasuri….

Malli për djemtë që dolën jashtë shtetit fill pas lufte, e griu  brenda, si eshkë digjej në heshtje e tymi nuk i dukej. Tani i plasi në kohën më të keqe për mua dhe familjen tonë.

Një zë u degjua te dera e oborrit. Ajo doli për të shikuar se kush ishte duke thirrur. Tani iu duke vetja ne dy rrole, edhe burrë edhe grua.  Duke ecur, pëshpëriste në vete:

“O Zot! O Zot! Të lutem mos më sill lajme të këqia!. Vetëm Mala  dua të më rikthehet shëndosh, asgjë tjetër….”

Tek dera therriste përsëri dikush…

Gjakovë, Janar 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora