E enjte, 20.02.2020, 01:55 PM (GMT)

Komente

Fran Gjoka: Prindër mërgimtarë më shumë kohë dhe kujdes në mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët

E shtune, 08.02.2020, 12:07 PM


Prindër mërgimtarë më shumë kohë dhe kujdes në mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët

“Historikisht mërgimtarët shqiptarë kanë punuar, kanë jetuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë i të parëve tanë, “që s’e tret dheu i huaj”, deri në ditët tona, duhet të ruhet. Hemoragjia e pasviteve ‘90 të shekullit të kaluar…”

Nga Fran Gjoka

Emigracioni, gjatë gjithë periudhave të historisë, ka qenë dhe është një fenomen tipik social me karakter ndërkombëtar. Edhe Shqipëria në këtë aspekt nuk ka bërë dhe as nuk bën përjashtim. Periudha e vështirë e tranzicionit u shoqërua me një hemoragji të pandalshme të procesit të emigrimit të popullsisë së vendit tonë, sidomos në drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, sigurisë për të ardhmen dhe kualifikimit arsimor të fëmijëve. Pra, emigrimi i popullsisë në përgjithësi dhe i fëmijëve në veçanti, krahas anës pozitive, mbart me vete edhe rrezikun e një fuzioni apo asimilimi gradual të gjuhës sonë shqipe, sidomos tek fëmijët dhe tek rinia shqiptare, që jeton aktualisht në mërgim. Fatet ekzistuese të një kombi përcaktohen në fund të fundit nga gjuha dhe kultura e tij. Popullsia e një vendi, që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallëherë e flet gjuhën e tij amtare, është i prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë dhe mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë dhe në shumë raste bëhet më skeptik ndaj vetvetes.

Shkolla shqipe në Memmingen (Gjermani)

Është interesant fakti se gjuha shqipe ka një zhdërvjellësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë vënë re edhe mjaft albanologë dhe gjuhëtarë, të cilët thonë se kur dëgjohet e folura e shumë vendeve të Europës, duke krahasuar me shqipen, gjuha jonë ka një tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Kjo ndodh sepse shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve Indo – Europiane pra, veçohet si një nga më të vjetrat në Europë dhe Ballkan. Është detyrë imperative e mësuesve atdhetarë shqiptarë për t’u mësuar dhe shkruar gjithnjë shqipen brezave të fëmijëve emigrues e shoqëruar me një përkushtim në hapjen e shkollave të reja në gjuhën shqipe. Shqiptarë të vërtetë, patriotë dhe atdhetarë ka plot, si ata që dërguan libra, hapën shkolla, hartuan programe, mësues që punojnë me devotshmëri për vite me radhë jashtë Shqipërisë, nuk mungojnë. Këtu më vjen në mend një thënie e një emigranti me banim në Itali, i cili, kur ra fjala për gjuhën e nënës, më pati thënë: “…Gjuha është e vetmja armë që vërteton se ne jemi shqiptarë kudo që ndodhemi…”. Parë nga ky këndvështrim, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje mësuesve atdhetarë, prindërve emigrantë, që t’u mësojnë fëmijëve si ta flasin dhe të shkruajnë pa ndërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për ta përdorur përgjithmonë të pastër. Historikisht mërgimtarët shqiptarë kanë punuar, kanë jetuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë i të parëve tanë, “që s’e tret dheu i huaj”, deri në ditët tona, duhet të ruhet. Hemoragjia e pasviteve ‘90 të shekullit të kaluar, që ka bërë tashmë të shpërngulen nga atdheu, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen, me djem dhe vajza, mjaft familje shqiptare, ka detyruar mërgimtarët shqiptarë, këtej e matanë kufijve shtetërore, që t’iu përshtaten kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë eminent rreziku i humbjes së kulturave nacionale pra, edhe të gjuhës nga breznitë e reja. Është për t’u theksuar se tashmë për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë, të cilët, në të shumtën e rasteve e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi se përfshin hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë. Në përgjithësi, për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave, kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarët lokalë si në qytetet Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo, Athinë etj. Është pozitiv fakti se në shumë qytete në Amerikë, aty ku komunitetet shqiptare janë të organizuar, janë ngritur dhe funksionojnë shkolla dhe kurse në gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në Europë ka shembuj pozitivë të funksionimit të këtyre shkollave, si në Zvicër, Gjermani, Suedi, Itali etj., ku funksionojnë shkolla të hapura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave mbetet i qartë: fëmijët e mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim – lexim në gjuhën amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqipe, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve, si dhe artin, kulturën dhe traditat kombëtare. Rëndësi e veçantë, në këto shkolla shqipe u kushtohet veprimtarive të lira jashtë klase, si puna me librin, funksionimi i bibliotekave, konkurse dhe biseda për librin etj. Në ekranet televizive kemi dëgjuar cicërimat e bukura, emocionale dhe krenare të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e bukur amtare, në tubime të tyre, të prindërve dhe të komunitetit. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit dhe të rejave që po hyjnë në shkencë dhe teknikë, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë e bukur të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjitha brezave që do të vijnë. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e Naimit tek fëmijët, nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin e ku jetojnë ata, janë evidente. Ata, pavarësisht nga mjedisi i huaj ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur gjuhën shqipe, askush nuk i pengon të flasin vetëm shqip në familje, të komunikojnë me fëmijët e tyre vetëm përmes gjuhës sonë amtare. Fjala vjen, të mos na duket vetja modern kur në çdo fundjavë me familjen kalojmë në njërin prej lokaleve angleze, italiane, gjermane, greke, të mos fyhemi në se flasim në ambiente të tilla familjare në gjuhën tonë të bukur.

Për shqiptarët emigrantë, megjithë përpjekjet e mundimshme për ruajtjen e gjuhës, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët e tyre. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes, por fëmijët duhet të projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten, pa harruar gjuhën e mëmëdheut, ashtu siç e ruajtën për qindra shekuj me radhë arbëreshët e Italisë. Prandaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e shqipes. Në demokracinë gjermane, askush nuk gëzon respekt se i cilës kombësie je dhe çfarë kontributi ke dhënë, por në radhë të parë është aftësia në fushën e prodhimit dhe shkollimit, prandaj për ne shqiptarët modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është një model që duhet imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk duhet të pretendohet të gjendet një zgjidhje – mrekulli, por të bëhet ajo që është e mundur, ajo që varet nga ne shqiptarët.

Ka vite që  në Shqipëri vazhdon hartimi dhe shpërndarja e një abetareje mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet më së miri, shihet se ka një interesim maksimal për këtë tekst të ri të gjuhës shqipe. U bënë vite që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë – Shqipëri, për një shqipe standarde. Të dy akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapësirave e vendeve shqipfolëse, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm.

Shpresojmë se Këshilli Ndërakademik do të merret si gjithnjë me vrojtimet dhe vlerësimet e politikave gjuhësore për ta bërë shqipen tonë një gjuhë mbarëkombëtare, sepse emigracioni ndërkombëtar shqiptar është shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, Francë, SHBA, Kanada, Zvicër, Suedi, Austri etj. Megjithë predispozitën e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave, apo për të hapur klasa për mësimin e gjuhës amtare, ende ka probleme në këto vende. Është emergjente të kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të veçanta, që duhet ndërmerren dhe kërkohet të mendohet nga organet Kombëtare të hapen dhe funksionojnë shkolla, si në vendin tone, ashtu edhe në vendet e tjera ku kërkohen të ngrihen këto shkolla për mësimin e shqipes. Në se ne shqiptarët bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, edhe shteti shqiptar të programojë diçka të frytshme pra, të organizojë dhe të drejtojë veprime drejt rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko – administrative, që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar, atëherë gjuha jonë do të zërë vërtetë vend të nderuar mes gjuhëve të tjera europiane. Vetëm kështu u vijmë në ndihmë në ruajtjen e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë që jetojnë përkohësisht jashtë Shqipërisë. “Shkolla” e familjes mërgimtare për mësimin e gjuhës shqipe kërkon, veç të tjerave, të mbështetet më mirë nga politikat arsimore shtetërore me mësues e programe shkencore. Me të drejtë preokupohemi për analfabetizmin në sistemin tonë arsimor dhe në shkollat tona, por ç’emër t’i vëmë atyre dhjetëra, qindra fëmijëve shqiptarë, që ende vetëm e belbëzojnë gjuhën shqipe pa lë të njohin historinë, kulturën, gjeografinë dhe traditat e këtij kombi. Kësaj drame duhet t’i jepet fund! Shumë përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në emigrim. Ata duhet të jenë më aktivë dhe më krijues në organizimin sa më efektiv të kurseve, shoqatave dhe shkollave për mësimin e gjuhës amtare.

Indiferentët, dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën që hapën Rilindësit tanë, historia do t’i dënojë dhe shoqëria njerëzore do të mbajë qëndrim kritik ndaj tyre. Nga Bostoni i Amerikës, Konica, para shumë vitesh, do të shprehej: “…Erdhi më në fund dhe për gjuhë shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Me të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë, dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd…!”

Lind pyetja: Çfarë duhet të bëje shteti dhe qeveria shqiptare për emigracionin?

Mendoj se ka shumë për të bërë. Të mbajmë parasysh se janë afro 500 mijë fëmijë shqiptarë nëpër botë, që kanë dëshirën të mësojnë në shkolla gjuhën shqipe dhe për këtë shteti ynë mund të ndihmojë si me programe të përshtatshme, ashtu dhe me tekste serioze dhe metoda bashëkohore për mësimin e gjuhës shqipe. Kjo të unifikohet dhe të mos i lihet spontanitetit apo disa njerëzve që priren nga dëshira të mira, por që nuk i kanë as aftësitë e duhura, as mundësitë dhe potencialet arsimore, pedagogjike dhe  intelektuale.

Ndaj shtrohet nevoja e një impenjimi dhe vlerësimi më të madh nga prindërit mërgimtarë që të punojnë maksimalisht me fëmijët e tyre për të folur e shkruar gjuhën tonë amtare shqipe.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT