E shtune, 20.04.2024, 09:37 AM (GMT+1)

Mendime

Fahri Dahri: Gjenocidi ortodoks grek dhe pasojat gjeo-etnike (4)

E diele, 02.02.2020, 07:28 PM


DAHRI-NJTË

Në mungesë të të dhënave të hershme për breznitë, gjenezat familjare, një tjetër faktor goditës etnik perandorak, detyrohemi të kufizohemi në shënimet familjare që kanë arritur deri në ditët tona që nga fillimi i shekullit të XVI-të - XVII-të. Vendbanimi Risian (Rrëzanj) në rregjistrat e taksapaguesave të vitit 1613, ka patur 205 taksapagues dhe 175 çifte. Në atë shekull banorët e fshatit ishin me emra katolikë. Ndërrimi i besimit nga katolik në mysliman fillesën e ka në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XVII-të.

Sipas shënimeve të trashëguara, emrat e kryefamiljarëve të “Dahrinjëve” shkojnë deri në vitin 1609, dhe fillojnë me emrin Hizdër, në vazhdim Nuh, Kasim, Arif, Osman, Resul, Dahri, Nuh, babai im - Behaudin, Fahri (tre djemtë e mi me fëmijët e tyre- tre mbesa dhe dy nipër). Siç shifet të gjithë emrat deri tek unë i përkasin besimit islam. Kjo tregon se para Hizdrës emrat ishin të besimit katolik dhe babai i Hizdrës quhej Gjikë. Nga kjo familje, sipas shënimeve rezulton se në fillimet e viteve 1600 është pranuar feja myslimane me kryefamiljarin Gjikë, i cili e quajti djalin e tij Hizdër. Nipi i Hizdrës, Kasimi arsimohet dhe emërohet imam i fshatit. Ky fakt vërtetohet se lagja ku ai banonte është quajtur deri më 22 korrik 1944 “Mulla Kasim”. Më pas imamë në fshat (drejtues të fesë) kanë qenë edhe Mulla Dahriu, Mulla Nuhu dhe Mulla Beho (Behaudini).

Afro 400 vjet më parë ajo familje kishte nivel të mirë kulturor dhe mbante “emër të mirë”, si në fshat dhe në tërë krahinën. “Emër të mirë” që e trashëgoi deri në 22 korrik të vitit 1944, kohë kur u shpërngul nga vendi bashkë me gjithë komunitetin çam mysliman. Rreth viteve njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë, në qytetin e Rrogozhinës, ku banonim në një bashkëbisedim me babain, mësova se edhe i ati i Hizdrës, Gjika ishte drejtues i kishës katolike në fshatin e tij.

Kisha emërtohej Kisha e “Shën Gjergjit”, themelet dhe gërmadhat e së cilës ishin edhe në fëmijërinë time. Sot mbi gërmadhat e saj, banorët e ardhur të besimit ortodoks, kanë ngritur kishën e fshatit. Në vazhdën e ndërrimit të toponimeve, nga viti 1957 fshatit Risian njihet me emrin “Agios Georgios”, që shqiptohet “Shën Gjergj”, një ripërtëritje e para vitit 1600. Nga kjo më vjen ndërmend një thënie mitologjike, ku Zeusi e ka ditur mirë se: "heret apo vonë secili do të zbresë në perandorinë e Hadit posa ka ardhur njëherë në botë".

Gjenocidi ortodoks grek në familjen tonë solli dhe një humbje të madhe me dëmtimin e Bibliotekës së familjes, e cila ishte pasuruar dekada të tëra me libra që prej shek.XVII-të. Pjesa më madhe e librave mbeti e groposur në truallin e shtëpisë në Risian, më pas dhe në vazhdim groposeshin rrugës së mërgimit, ndërsa në vitin 1967 kur praktika fetare u ndalua zyrtarisht në Shqipëri, u bë përsëri një seleksionim i librave nga babai, të cilat u varrosën në afërsi të shtëpisë tonë në Rrogozhinë. Aktualisht në bibliotekën e familjes time, ndodhen disa pak prej atyre librave, ato që shpëtuan nga censura e egër e rregjimit të kaluar.

Fisi “Mulla Kasim” dhe ai i “Hoxhenjëve”, jetonin në hyrje të katundit kur vjen nga Gumenica. Në administrimin e fshatit, me emrat e dy fiseve dhe fiset e tjera, njiheshin edhe lagjet e fshatit. Lagja e “Hoxhenjëve” u shkëput nga lagja “Mulla Kasim” nga fillimi i shekullit XIX-të në kohën e Mulla Dahriut, për arësye të zmadhimit të lagjes “Kasimenj”. Dahriu jetoi 94 vjet dhe ishte babai i 5 djemve: Çerçizit, Nuhut, Harunit, Isklamit dhe Shefikut. Çerçizi, ose siç i thërrisnin shkurt Çaj, lindi një djalë dhe një vajzë; Nuhu po ashtu një djalë dhe një vajzë; Haruni një djalë; Isklami dy djem dhe një vajzë; Shefiku nuk pati jetë të gjatë.

Kur u bë dëbimi masiv dhe i dhunshëm, trashëgimtarët e “Dahrinjëve” përbëheshin: Nga familja e Çait, jetonin e shoqja me djalin dhe  vajzën; nga Nuhu, jetonin e shoqja, djali, vajza, nusja e djalit dhe 3 nipa e 3 mbesa; nga Haruni jetonte ai, gruaja, nusja e djalit, një nip e një mbesë; nga Isklami, jetonin gruaja, dy djem, një vajzë, 2 nuset e djemve, një nip dhe një mbesë; ndërsa Shefiku kishte ndërruar jetë. Trashëgimtarët e Mulla Dahriut, në kohën e largimit nga Çamëria ishin 26 veta.

Sot, në janar të vitit 2020, trashëgimtarët e Mulla Dahriut, janë 122 veta, nga të cilit më i madhi në moshë jam unë dhe mbas meje vjen një kushuri, ai është 3 vjeç më i vogël. Të dy kemi lindur në Risian (Rrëzanj), të tjerët vijnë mbas nesh dhe kanë lindur në Shqipëri. Nga fëmijët e Dahriut rronte vetëm Haruni. Gjatë udhëtimit vdekjeprurës nga Qafë-Bota deri në Delvinë vdiqën nga sëmundja dhe uria Haruni 70 vjeç, Xheladini nipi i Harunit 6 vjeç dhe Habibeja 11 muajshe, mbesa e Nuhut. Nga “dahrinjtë” në Shqipëri vazhduan jetën 23 veta. Tre nga djemtë e Dahriut zgjodhën për vendqëndrim, që nga viti 1944 e deri sot qytetin e Durrësit, ndërsa trashëgimtarët e Nuhut, djalit të Dahriut, mbas disa vendqendrimeve, nga viti 1974 jetojnë në qytetin e Tiranës. Ngjarjet e mëdha që ndodhën në vitin 1991, nuk mbetën pa përfshirë në emigrim nipër e mbesa dhe stërnipa e stërmbesa të Dahriut, si në Itali, Zvicër, Francë, Angli, Irlandë, Gjermani dhe në SHBA.

Që nga shpërngulja e dhunshme e banorëve të fshatit tonë, më 22 korrik 1944 asnjë prej dahrinjëve nuk kishte shkuar për vizitë në Çamëri dhe as në fshatin e tyre Risian (Rrëzanj). Vizitën e parë në fshatin tonë e bëri ime shoqe në vitin 2000, pas saj shkoi Enveri, djali i Mulla Behos, në mars të vitit 2002 dhe mbas tij, fshatin dhe tërë krahinën e Çamërisë e vizitova disa herë edhe unë me djemtë e mi dhe familjet e tyre. Shtëpia ku kishim lindur, ishte e banueshme, e mirëmbajtur dhe dallonte nga banesat e tjera. Ajo, nga niveli i detit ndodhet në pikën më të lartë të fshatit dhe se 75% e shtëpive ishin të pabanuara, të rrënuara, çati të rëna, gërmadha gurësh të avllive të rrëzuara.

Familje të mëdha dhe fisnike në fshatin tonë përmendeshin: Kasimenjtë, Hoxhenjtë. Çuçatë, Balinjarët dhe Zekatë. Krushqitë bëheshin kryesisht benda fshatit. “Fara” e “dahri-njëve”, në dijeninë time, kishte mardhënie krushqie me “farën” e “Balinjarëve”, të “Çuçatëve” dhe “Zekatëve”. Gjyshja nga nëna, Ildishani ishte bijë nga qyteti i Prevezës, familjarët dhe të afërmit e saj ishin përfshirë në shpërnguljen e parë, atë të vitit 1923 dhe u vendosën në qytetin e Izmirit. Krushqitë e “dahri-njëve“ të brezit të tretë u shtrinë edhe në qytetin e Filatit, në fshatrat Varfanj, Dolan, Skopjonë, Vërselë, Dhërmicë, Gurrëzë dhe Vrastova.

Në mbyllje të temës zgjodha gjetjen e Bilal Xhaferrit, i cili ka shkruar: “Koha na ka vënë në provën e qëndrestarëve, të luftës, punës dhe shkronjës”. Po. Ne kështu kemi qenë, jemi dhe do të tillë do mbetemi!

Askush nuk na kërkoi të shkruajmë për të vërtetat tona, me përjashtim të thirrjes së vendlindjes, kockat dhe zërat e nëndheshëm (të Hadesit) që u larguan nga kjo jetë me maraz të madh, rrjedhojë e gjenocidit ortodoks grekovrasës.

(Pjesë nga Libri i 13: “Tjetërsimi i të vërtetave”)

Fahri Dahri, Studjues i “Historisë së Rajonit të Çamërisë”

Tiranë, më 17/01/2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora