Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Një ditë do kthehem me kujtimin e Nënës

| E premte, 31.01.2020, 09:58 PM |


P o e z i

Sejdi BERISHA:

NJË DITË DO KTHEHEM ME KUJTIMIN E NËNËS...

1.

Ka sa kohë që kam mall

Për të ardhur tek Ti

Kullë, s’di e kujt je

Vetëm e di se aty u linda

E tash të kam histori

Që më përcëllon...

2.

Do të vij një ditë

Edhe pse e di

Tash vetëm muret

Kacul të kanë ngelur

Ndoshta relikt i gëzimit

Për lindjen time

Edhe i buzëqeshjes së nënës

Për djalin që e lindi

3.

Do të dal një ditë tek Ti

Dhe ahurit do t’ia mësyj

Se aty më lindi nëna

Nuk kishte ku tjetër

Në Kullën e huaj

Bile pip në këmbë

Më kishte lind

Për të mos u përlyer

Nga baglat në ahur

Dhe, do të rri aty

Për aq kohë

Sa ta kujtoj nënën

Duke më lindur

Dhe atëherë ta përqafoj

Për sakrificën e saj

Se rrugëtim të bëfshëm kemi bërë

4.

Derisa ta kujtoj rrëfimin e saj

E cila as në tokë

Lëshuar nuk më ka

Se foshnja duhet të lind e pastër

Për këtë arsye

Si duket

Edhe me stinët kurrë pajtuar s’jam

Por

Gjithnjë përmalluar më kanë

Më kanë forcuar

Rebel më kanë bërë

Nuk e di pse kështu

Se unë, shpirtin të butë e kam

Edhe të tërin mbështjell me lot

5.

Do kthehem një ditë

Tek Kulla ku u linda

E di se do përmallohem

Se nga ajo

Tani asnjë gjurmë mbetur s’ka

Bile asnjë gur

Diçka për të treguar

Dhe e di

Dhembja do të më rëndojë

E do kthehem

Me kujtimin e nënës

Që një vizitë

Tek varri i saj ma detyron

E pastaj të ngarkohem

Me një bagazh historie

Me plagë e kujtime

E me plotë fjalë të pathëna

Që jetën dhe tokën rëndojnë

6.

Një ditë

Patjetër do kthehem

Tek Kulla ku u linda

Me frikën e flokëve të thinjura

Dhe, athua...

Ku e kam unë vendlindjen

Apo, ndoshta...

Jam njeri i pa vendlindje

Sa më pëlqen kjo e fundit...

7.

Po po

Një ditë do kthehem tek Kulla...

Ku u gëzua nëna

Me lindjen time...