E shtune, 20.04.2024, 06:43 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Tribun i popullit...

E enjte, 30.01.2020, 08:44 PM


Vllazen e Motra Shqiptarë!

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh librin:

Daniel GAZULLI - Fritz RADOVANI

Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!

Ia kushtojnë, Autorët.

Dhjetor 2010.

Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007

Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010.

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

3 Tribun i popullit...

Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë”.

Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit.

Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.

Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.

Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.

Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.

Në vitin 1931 asht ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.

Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.

Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë  mëdha.

Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”...

Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.

Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm...

Në trazimet e vitit 1924 ishte përkrah Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’ kishte si të ishte ndrysh. Atyne që fenë dhe klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u kujtojmë se ndër figurat madhore të atij viti demokratik të papërsëritshëm ishin një pop, Noli, dhe një frat,  At Fishta.

Më 1925 At Fishta detyrohet të mërgojë në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën e Dragobisë, të Gurakuqit vra në Bari t’ Italisë e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër.

Mbas kthimit prej mërgimit, murgu poet, prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog, gazetar e diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike. Po prap Ai asht shembull i shkëlqyeshëm i intelektualit që e vijon luftën ku drejtpërdrejt e ku tërthoras, nëpërmjet shtypit. Sikur Fishta të na kishte lanë “vetëm” publiçistikën e Tij plot vlera, përsëri Ai do të kishte zanë vend nderi në Enciklopedinë e Vërtetë Shqiptare, ashtu siç kishte zanë vend nderi në Enciklopeditë e Europës për së gjalli jo vetëm si epik i madh, por edhe një ndër satirikët ma të shquem të kontinentit, me veprat madhore “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.

Legjendë e gjallë, tashma 60-vjeçar, merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit, tue i lanë nder Atdheut me përfaqësimin e Tij tue akuzue haptas mbrapaskenat e Beogradit e të Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të cilën e botoi të plotë në vitin 1937, sidhe arrinë të plotësojë e të përmirësojë “Mrizin e Zanave” me lirika nga ma brilantet në shqip, e pse jo, në letersinë botnore.

E na vjen me u shprehë  me fjalët e Tij në Vlonën e Flamurit para arkivolit të Avni Rrustemit:

“…fatzeza, moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora