Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neki Lulaj: Plagë zemre

| E merkure, 29.01.2020, 07:22 PM |


Neki Lulaj

PLAGË ZEMRE

Kallinjtë e grunoreve thërrmohen e ndrijnë

Nën prushin e diellit që ngroh  si nëna para fëmijës

Plangun e dashur  puth buzëmalluar përsëri

Gurët e Kullës prek me tamthat e mallit të thinjur.

Jam endacaku i shtigjeve më të larta të botës

Askund  s’e gjeta ngrohtësinë si në vatrën e vendlindjes

Gurgullimin e qetë të lumbardhit mes fushës së pasosur

As mulliri, as plakun plisbardhë me hire mençurie

Bebëzat e syve po me përpëliten si krahë  shqiponje

Dhembjen e   fsheh në shpellën e në mjegullën në shpirt

Me kovë të ndryshkur mbush ujin në oborre

E heq etjen e viteve  nëpër kallamishten që nxjerr filizë.

Kujtimet e mia zgjohen  në plagët që më merr zemra.

Le te mbyllën thellë në kutinë me ëndrra Pandore

Sa dua të kënaqëm me  këngë majekrahu petalendezura

E të më kthehet fëmijërija e ikur shtigjeve  kohore

Sa të gjata i kishte bota rrugët pa kulm, pa prag

Sa gjatë e këndova këngën e Kurbetit në kohëra

Nëpër vagonat e ngurtë metropoleve ndeza mall.

Në botë më të bukur se atdheun- vendlindjen time s’e takova.

-Nga Gjermania, Janar, 2020-