Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Hytbi Tarelli lindi në Devoll, por vepra e tij i përket gjithë Shqipërisë

| E merkure, 29.01.2020, 07:24 PM |


HYTBI TARELLI LINDI NË DEVOLL, POR VEPRA E TIJ I PËRKET TË GJITHË SHQIPËRISË

Hytbi Tarelli, veprën e vetë që e kishte më të shtrenjtë se veten, statujën e heroit Adem Jashari, e mori në krahë dhe, nga Kanadaja, e çoi atje ku ishte vend i shenjtë i heroizmit dhe i lirisë, në Prekaz të Kosovës

Nga Viron Kona

E njoha Hytbiun në një vit të shënuar për kombin tonë, në vitin e 100-Vjetorit të Pavarësisë. E shoqërova atë, së bashku me të vëllanë, mikun tim Kadriun. Shëtitëm në bulevarde dhe sheshe të Tiranës, biseduam për ndryshimet, për ndërtesat që s`ishin më dhe për të rejat, për mjediset e gjelbëruara, shfaqëm konsiderata por edhe merakun që disa gjëra mund të bëheshin më mirë. Vizituam ekspozitën ku shfaqeshin punimet për konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Hytbiu ndihej më shumë se i gëzuar, ai ishte i lumtur. Thoshte se ishte me fat që po merrte pjesë në atë ngjarje të madhe në përkujtim të ditës më të shënuar të kombit, pavarësisë, të shpallur më 28 Nëntor 1912. Kompozimi i i tij “Memoriali” që kishte paraqitur në atë konkurrim, ishte një bashkëpunim artistik me arkitektin Hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton dhe punon, po në Kanada. Bëmë edhe fotografi, bashkëbiseduam edhe për vepra të tjera të paraqitura në atë konkurs, kaluam edhe një drekë bashkërisht të ftuar prej Hytbiut. Ajo ditë mbeti për ne e paharruar, një kujtim i çmuar. Nuk thonë kot që ditët nuk janë ato që ke jetuar, por ato që mbeten në kujtesë. Gjatë gjithë kohës që ishim bashkë, shihja gjendjen emocionale të Hytbiut, bukurinë e shpirtit të njeriut të mirë dhe të ditur, që shprehte ndjenja të çiltra dhe të sinqerta, që nëpërmjet fjalës përcillte mesazhe paqeje dhe dashurie. Siç shprehen miqtë dhe shokët e  tij që shkruajnë në këtë libër: “Hytbiu, miku dhe shoku i të gjithëve, përmbi talentin kishte thjeshtësinë, mirësjelljen, urtësinë, respektin, shpirtin e madh dhe fisnikërinë. Të dëgjonte me kujdes pa të ndërprerë, me shikim aq të butë e të qetë... Në çdo fjalë kishte diçka të bukur, që të bënte të mendoje, të qeshje, të gëzoje, të mësoje...”

Hytbiu e  kishte me shumë merak të vishej me kostumin kombëtar shqiptar, aq sa Kadriut dhe mua “na ranë këmbët” për ta gjetur atë kostum nëpër dyqanet e  Tiranës. Ia treguam këto Hytbiut, duke vlerësuar dashurinë dhe respektin  tij për veshjen kombëtare shqiptare.

-Po,-tha,-ai kostum ishte i plotë, i bukur, pa asnjë mangësi. E doja jo vetëm ta vishja vetë, por edhe t`ua tregoja të tjerëve, miqve, shokëve, por edhe kanadezëve. Doja t`u tregoja atyre se sa e bukur është veshja kombëtare shqiptare. Në bisedë sollëm edhe Lord Bajronin. Piktura që e paraqet atë më bukur, është ajo që ka realizuar piktori Tomas Filips, i cili  e ka paraqitur Bajronin të veshur me kostumin tradicional shqiptar...

Një shpirt të bukur dhe të lirë kishte Hytbiu, një krenari dhe dashuri të rrallë për atdheun dhe kombin, një nderim të jashtëzakonshëm për figurat kombëtare. Se ndryshe, nuk do t`i përkushtohej atyre duke i shprehur me aq përkushtim, finesë dhe bukuri: “Nusja ilire”, “Genti Mbreti i ilirëve”, “Medaljoni i Flamurit” “Himnin Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, “Tekst atdhetar i gdhendur  në gur”, “Mëmëdheu”, Shtatorja e “Nënë Terezës” dhe “Momente të gëzuara”, “Ali Pashë Tepelena”, “Isa Boletini”, “Adem Jashari”; ngjarjet e mëdha kombëtare: “Besëlidhja e Lezhës”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Kongresi i Manastirit”, “Dita e Artë” -shpallja  e Pavarësisë”, por edhe portrete të artistëve si ai i Mirush Kabashit dhe këngëtares me famë botërore Inva Mula… Me vepra të tilla artistike dhe me të tjera  që përcjellin art të vërtetë te shikuesi, artisti Hytbi Tarelli ia arriti të shprehte talent të madh, aftësi dhe vizione, mençuri dhe mprehtësi, teknikë të përkryer në penel dhe në daltë,  origjinalitet në trajtim të karaktereve, në pamje, realizim dhe përmbajtje. Ai shfaqet edhe si një artistë romantik, por, po aq, edhe realist, ai  ëndërron dhe krijon i përfshirë gjithnjë dhe tërësisht në frymëzim, ashtu siç sythet dhe lulet që çelin nën erërat pranverore. Të tillë shpirti kishte Hytbiu, donte të nderonte jo thjesht veten, por vendin e tij, për të cilin ndihej krenar dhe e ëndërronte gjithnjë. E si mund ta harrojë lexuesi i këtij libri momentin kur duke udhëtuar në Shqipëri, ai i kërkoi shoferit ta ndalte makinën dhe, duke u kërkuar falje udhëtarëve të tjerë, u tregoi bukuritë e peizazhit shqiptar dhe u tha: ”-Unë jam piktor dhe jetoj në Kanada. Nuk dua ta humbas këtë pamje magjike të qiellit shqiptar. Dua ta marr me vete këtë copë qiell dhe retë që lodrojnë mes tyre. Këto pamje nga vendlindja ime, dua t’ua tregoj edhe mërgimtarëve të tjerë, që jetojnë në dheun e largët. Dua t’i hedh në telajo. Kemi shumë mall...”

Hytbiu ishte talent i lindur, një vlerë kjo e cila iu shfaq që në fëmijëri dhe që ai e ushqeu me përkushtim dhe dashuri gjatë gjithë jetës. Siç kujton vëllai i tij Kadriu, por edhe vet Hytbiu, kujtimet më të hershme që shprehnin dashurinë e tij për artin ishin vizatimet në moshën 5-6 vjeçare në anët e hambarëve të drithit, ku për të vizatuar përdorte thëngjij. Me skicat e asaj moshe ai mundohej të shprehte botën që e rrethonte, natyrën, pemët, lulet, zogjtë, gjithçka që i bënte përshtypje, gjithçka të dashur dhe të bukur.

Hytbiu nuk kreu shkollë të posaçme artistike, ndonëse e kishte ëndërr. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, fitoi konkursin për në Liceun Artistik të Tiranës, por nuk u lejua të shkonte atje. As më vonë në Institutin e Lartë të Arteve. Arsyeja ishin absurditetet e kohës, fantazma  e biografisë. Por Hytbiu nuk u tërhoq, ai bëri më shumë, bëri shkollën e  jetës, shkollën që i dha hov, motiv dhe kuptim shpirtit dhe zemrës së tij, duke ia falur këto cilësi e virtyte të tij edhe veprave të artit. Sa bukur i thoshte bashkëshortes: Unë kam dy dashuri: Ty dhe Artin. Kështu dhe eci në jetë, me besnikëri dhe përkushtim të lartë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të shtrenjtë, por dhe ndaj artit që e deshi aq shumë. Me këtë frymë e dashuri ai i përcjellë veprat edhe sot tek ne, por edhe tek brezat që do të vijnë. Ata do të shikojnë dhe do t`i përjetojnë vlerat artistike të Hytbi Tarellit, por edhe do të mësojnë nga ai shembullin se si punët e nisura, dëshirat dhe ëndrrat, pasionet dhe qëllimet, duhen çuar me vullnet e këmbëngulje deri në fund. Ata do të kujtojnë këshillat e tij  që rridhnin nga përvoja  krijuese: ”Duaje artin, jeto me artin dhe  sakrifiko për artin!».

Edhe ne sot jemi entuziast, jam i sigurt edhe ata që do të vijnë, kur të dëgjojnë se artisti Hytbi Tarelli, veprën e vetë që e kishte më të shtrenjtë se veten, statujën e heroit Adem Jashari, e mori në krahë dhe, nga Kanadaja, e çoi atje ku ishte vend i shenjtë i heroizmit dhe i lirisë, në Prekaz të Kosovës.

Si dhe artistë të tjerë, ai dëshironte që veprat t`i gëzonte populli, ndaj dhe donte  që edhe vepra të tjera t`i shikonte në vendet e duhura. Për “Skënderbeun”  e larë me flori, thoshte: “Ky bust më ka lodhur por e kam punuar me shumë dashuri. Kur e përjeton krijimin, e mposht lodhjen. Kam dëshirë që ai të vendoset në ndonjë mjedis shqiptar”. Në krijimtarinë e Hytbiut janë me dhjetëra punë të ndryshme të shpërndara nëpër institucione shtetërore dhe galeri arti, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e  Bilisht, por dhe shumë prej tyre në Kanada. Ato i gjen në shkolla, qendra dhe sheshe publike, parqe, por edhe në shumë familje shqiptare që vet Hytbiu ua ka falur me gjithë zemër dhe  bujari.

Falënderimi dhe mirënjohja shkojnë kurdoherë bashkë, kur bëhet fjalë për njerëz dhe artistë si Hytbi Tarelli. Ndaj ne sot e  falënderojmë Hytbiun për ato vepra artistike me klas, me botë dhe plot jetë, për ato vlera të rralla dhe origjinale, të cilave mendja, dora dhe shpirti i artistit të vërtetë u dha  frymë, energji, bukuri, stil, lëvizje, ajër, dritë, gjallëri, plasticitet, ngjyrë, u dha shpirt, ndjeshmëri dhe jetë, i bëri të pavdekshme. Hytbiu projektoi një rrugë të hapur dhe plotë dritë, ku sot po  ecën plot siguri biri i tij i dashur Elisi, i cli me talentin e spikatur, po i ngre edhe më lartë vlerat e rralla të babait të tij të talentuar, artistit të rrallë dhe mendjendritur.

Janë të shumtë ata që kanë shkruar në këtë libër. Detyra ime si recensent ishte që të bëja një vlerësim kritik për veprën. Por çfarë mund të bëj tjetër, veçse t`u  shprehë të gjithëve respekt, nderim të thellë dhe mirënjohje për gjithçka ata kanë shkruar, duke vënë në vend të fjalëve, ndjenja të dala nga thellësia e shpirtit dhe nga zemrat e tyret të bukura për njeriut e dashur dhe  artistin e shquar Hytbi Tarelli. Të gjithë kanë shprehur ndjenja të thella dashurie për Hytbiun, dhembje dhe mall që s`e kanë më pranë, por edhe krenari për veprën e tij.

Viron Kona

Tiranë, më: 08. 11. 2019.