E marte, 19.03.2024, 02:02 AM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Çka do bëjë pritja pa mua

E marte, 28.01.2020, 08:33 PM


SABILE KEÇMEZI-BASHA

ÇKA DO BËJË PRITJA PA MUA

GJUMI I PËRGJUMUR

Gjumi i papërgatitur për rrugë

Më hanë tmerrësisht rrugën

Çdo gjymtyrë të lodhur ma gjumon

Nuk më shikon dot në sy

Nga urrejtja dhe xhelozia e përgjumur.

Nata mbrëmë, polli

Drithërimë gjumore jashtë planetare

Dhe ende nuk e di

Ku fjeti gjumi i përgjumur

Kur mungoi mbrëmë

Edhe në ëndrrën time të përflakur.

E nesër,

Mikja ime

Edhe vdekja

Do të gjykohej

Për vdekje.

ÇKA DO BËJË PRITJA PA MUA

Në udhëkryq

Qëndron pritja pa mua

Endet

Në vertikale

E hapat e ardhjes

E shpojnë tej për tej

Pritjen.

Pritja akoma pret

Pritjen

Në hijen e barit.

Unë nuk jam aty

As sot as nesër

Për të pritur

Pritjen e bleruar.

O zot

E nesër

Çfarë do

Pritja pa mua

Në udhëkryq

Të jetës noprane.

QAFËKALIMI PËR AT-DHE

Çdoherë që eci trotuareve diellore

Mikja ngryset nga kllapia

Yjet më rriten në gishta

Ngadalë digjen brinjët e kufirit tej për tej

Pikëpyetjet mbulojnë rrugët e ballit

Edhe pas kësaj, gjymtyrët dhëmbin

Duke ecur në natën futë

Kujtesa  erdhi e paftuar

Me tri trokitje të panjohura

Për të pyetur

Ku ndodhet

Qafëkalimi për AT-Dhe?

Baca edhe më tej heshtë.

LAPIDARËT QË (S) FLASIN

Të boshatisura janë

Të gjitha arteriet e atdheut

Për dashurin e madhe që e (se) kemi

Lapidarët që (nuk) flasin

Ne këmishën e tyre të ngushtë.

Barbarët edhe dashurinë e vranë

Besën e dhënë e kanë nëpërkëmbur

Për të gjithë yjet që ngritën e bien

Për ditët që s’do vijnë.

Unë jam aty

Dhe nuk jam.

Këngën e kënduar, harruar e kemi

E TI...

Përsëri përsërit

Lutjen e  lodhur...

DRITHËRON

Drithëron

Si zogu i pastrehë

Dhe laçe-laçe bënë, në ikje

Sa sy të mëdhenj

Ka frika

Nga liria.

Sonte

Kur partiturat shkruhen

Rrjetet  thuren në agim

Për të zënë piskë

Ëndrrën e fjetur.

Qeshjet lemeritëse dëgjohen

Menjëherë në anën tjetër

Tek pragu i kullës së djegur.

Hesht, heshtje në heshtje

Se nesër çdo gjë do të çel

Si një vit më parë.

HESHTJE

(Shehides)

Sot,

Heshtja jote flet

Më shumë se të gjitha fjalët

Që i ke thënë në jetën tënde

Dhe me askënd nuk u përshëndete.

Asgjë në valixhe nuk mbështolle

I  le për një ditë tjetër

Për një ditë të paardhur

Për t’i marr.

Ti hesht,

E koha është për kafe

Gjumë i rënd ka pllakosur mbi arkivol

Askush nuk bën pyetje, ku je

Pse mungon, ku është buzëqeshja jote?

Askush nuk komenton shkuarjen tënde

Herët, vërtet herët ishte për të shkuar

Mëtanë...

Dikush pyet

Se çfarë kafe pi

Sot në këtë ditë morti.

Heshtje...

Edhe më tej hesht...

Zogjtë bëjnë grevë, nuk cicërojnë

Lulet sot nuk çilen me mëngjes

Të presim ty...

A thua ku ke mbetur.

Sa e ftohtë është kjo ditë korriku

E dielli përcëllon

Në shpirtin kallkan.

Sot

Prita se do përshëndetemi

Si dikur

Ti nuk u duke fare

Si është vallë e mundur

U befasova.

Mortin e kishte marrë mortja

Qava me lot

O zot!

Trishtueshëm u ndjeva

Sa heshtazi

Shkojnë të dashurit...

EC, E MOS BESO

Ec, e mos beso

Kujtimi kur kumtin jep

Mbi fushën e ballit

Unë jam edhe më tej

Aty

Më tha kipci im

Dhe hetojë

Hapin e harresës

Mbi KUSHTETUTË.

Edhe ti je këtu

Në kornizë

Ku acari shtrëngon dhëmbët.

Në arenë luftimi

Me robërinë

Dhe

LIRIA qesh.

E  PACIPË

Sa e pacipë

Dhembja mbi samarë të historisë

E arkeologjia e grisur

Mbledh gjymtyrët

Copë-copë

Në fushën e kuqe.

Mesazhi përsëri vjen

Vazhdimisht

Me tri të panjohura.

Noprane janë udhët

Që shkojnë e vijnë

Në drejtime të kundërta.

Ne jemi këtu

Dhe buzëqeshim.

PAK ÇMENDURI

Nuk prish punë

Po qe se nganjëherë

Jemi pak të çmendur,

Pak tekanjoz

Dhe pak

Të marrë.

Nuk prish punë

Të sillemi pa kode

Dhe të rrënojmë

Muret makabre

Nga të çmendurit

Që na ndajnë.

Nuk prish punë

Ehu... bre burrë

Çfarë pëshpëritin

Butakët e brumbujt

Rrugëve të lodhura

Të shtruar me pikëpyetje

Të lodhura nga stinët.

MOS KËRKO FALJE

Kurrë mos kërko të të falin

As mos kërko falje pa nevojë

Se bota rrotullohet

Edhe pa lejen time

Tonë.

Bursa,  17.07.2011

GJUMI

Gjumit vazhdimisht
Askush nuk i bënte vend
Për një sy gjumë
E nata për çdo natë e përqeshë
Gjumin e kotur.

Mike moj
Sa karagjoz  ishte
fati i nëpërkëmbur

I dal nga ëndrra

E sot

E përgjumur është

Edhe stina

Që mezi ka mbërritur

Në kullat tona

VETMIA E VETMUAR

Vetmia ecë e vetmuar, e lodhur

Shtrihet te pushoi
nga ecejaket në punë Sizifi


E Ti, edhe më tej

E pikturon ATDHEUN
Me tri të panjohura

Në lëkur gjarpri

Në pëlhurën e grisur
Këmbët babëlok të hidhnin vallen

Që kurrë nuk e kishe lozur

Ata iknin... iknin... babëlok

Se daullja ballas i shponte timpanin

Një të martë nëna ofëkëlliu

Shtëpia mbeti me tre mure

Më thuaj pse ike babëlok
Pa ma tregua ëndrrën e kuqe
Që e ruaje tinëz

Në arkën e pluhurosur

Nga kodoshët dhe nga harrimi

VEGJETIM


Unë, Ti e Harresa vegjetojmë
Katallanët zgërdhihen

Në hyrje të katakombës

Pa më thuaj edhe një herë

Lektisjen që nuk ma tregove
Se në udhëkryq
U trembë koha

U tkurr këmisha

Hartat u ripunuan

Historia foli

Në shtegun matanë

Me romuze

Dhiaret u puqën

Maja e Olimpit foli shqip

Jo... ti nuk mbetesh e vetmuar

Kurrën e kurrës

Se unë jam aty...
Hija e jote...

ISHULLI

Në ishullin e harruar
I zbulova enigmat

Vardar

Me tri te panjohura


Këtu nuk ka rrugë

As ëndrra të purpurta

Bacë, kah të kaptojë

Për të arritur deri te Itaka

Vallen e Sardanës

Edhe më tej e lozin

Robërit

Me dalmate të bardha

Po dalmaten, babëlok

Kush e qepi

Në këtë stinë vere

Kur përcëllon dielli

Mbi kalldrëm malli

TË VEÇUAR NË VEGULLI

Këtu ku jemi
Nuk ka telefon
As letër

As libër

E as laps për të shkruar

Këtu hesap si epej askujt

Nuk ka as pëllumba
Nuk ka as stuhi
As furtune
Por zukama e gjinkallave
Te nakatos shpirtin

Më amanetove të të shkruaj
Për kohen
Për pikat e vëlimeve

Se sa është temperatura
Se a ka marramendje koha
Nga  vapullimi

Sonte meteorologët kumtuan
Nuk do të bije shi

E breshër... nuk është e ditur
As më freskët nuk do të bëjë
Unë, ti e vetmia
Do te qeshim me parashikimin

9 korrik 2017, Antalia



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora