E hene, 29.11.2021, 08:22 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dashurohemi

E marte, 28.01.2020, 06:37 PM


Dashurohemi

Nga Edison Ypi

Në fshatin tonë i duam marrëzisht gratë. Për Dashurinë vrasim e vritemi, rrahim e rrihemi, vjedhim e vidhemi. Kur vjehrri im ishte ushtar në Shkodër dhe njohu vjehrrën time, për hatër të saj rrahu një mëhallë të tërë. Kot. Ose si thuhet nëpër libra; Për Dashurinë e pafundme ndaj saj. Ndërsa vëllai i tij kur u fejua në Librazhd, vetëm pse iu duk se dikush i bëri një shenjë të fejuarës së tij, theu mbi dyqint krahë, këmbë, brinjë, kyçe, të atyre që i dolën përpara. Një djali i xhaxhait tim u marros pas një perrie në fshat. Babai i saj s'deshte që s'deshte. I thoshte "s'je i sërës". Ky i tha " E ke lexuar apo jo Romeon dhe Xhulietën ? S'pyet dashuria për sërë. Lëri nazet. Ma jep çupën". Babai i vajzës nuk u tund. Djali pa ç'pa, iku në Greqi. Punoi ca kohë. U kthye. Atë që s'e bëri dot Shekspiri, e bëri kurbeti. Me paratë e emigracionit ndërtoi vilë me katër kate, një kat më lart se babai kapriçioz i vajzës, të cilit vajti i tha; Hë, po tani që unë vilën e kam me katër kate dhe ti e ke me tre kate, kush është i sërës, unë apo ti ? Tjetri u bind. Ja dha çupën. U martuan. S'kaloi një vit, nga lodhja e kurbetit dhe e ndërtimit të vilës, "Romeos" së kurbetit j'u shpif një sëmundje e trurit që ja mpiu gjymtyrët duke e bërë të zërë qoshen si mos o Zot. Nusja, Xhulieta e sërës së 4 kateve e ndau. Iku. U kthye te babai i sërës së 3 kateve. Një tjetër fshatari ynë ja vuri synë një skraparlleshe. Mirpo e gjeti belaja. Nuk e dinte se skraparllesha kishte hapur fjalë; Ja marr burrë me shtatë çifligje, ja s'martohem kurrë. Dhanë e morën t'ja shkulnin nga mendja çifligjet, e çuan nëpër të gjitha magjistricat e Myzeqesë, deri edhe në Teqenë e Alipostivanit, meazallah. Djali u çmend nga dëshpërimi. Skraparllesha në dritare me sytë në horizont pret kot Princin e Kaltër me shtatë çifligje. Ehu sa raste të tilla kemi ne në fshat. Ca që i deshën gratë aq tepër sa për tua plotsuar të gjitha tekat vodhën ose u muar me trafiqe dhe sot janë në burg. Ca nëpër spitale psikiatrike, ca që nëpër botë janë martuar me zezake dhe kineze. Në katundin tonë nuk numurohen të çmendurit nga Dashuria. Para ca kohësh, dy burra, ndërkohë që vazhdonin ti dashuronin gratë e veta, ranë marrëzisht në sevda me gratë e njëri-tjetrit, ky me gruan e atij, ai me gruan e këtij. Në pamundësi të një kombinacioni poligamik me dy gra dhe dy burra që mund të këmbeheshin sa herë të donin, çka nuk e pranon Kanuni i shqiptarit, dy burrat pasi vranë gratë e njëritjetrit, vranë edhe njëritjetrin, dhe nga fshati ynë u zhduk një herë e mirë rraca e ultraliberalëve. Dashurohemi "për vdekje" dhe "për jetë". Dashurohemi "jetevdekjepërqafuar". Një kushuriri im ra në dashuri me veten e vet. Braktisi gjithçka, grua, fëmijë, shtëpi. Ka ikur rri i mbyllur në një kasolle në mes të ullinjve në faqe të kodrës. Mban vetëm krëhër dhe pasqyrë. I çojnë për të ngrënë kush një tas me fasule kush një bidon me dhallë. Kemi një beqar që s'dihet pse s'i mbushet mendja të martohet. Është bestyt. Ka mësuar Kuranin përmendësh. Njerëzit e tij enden nëpër fallxhorë. Pinë kafe. Përmbysin filxhanin. Shohin çfarë thotë llumi për fatin e tij. Ai hiç. Jam martuar me Perëndinë, thotë. Ne nuk lexojmë gazeta, libra, revista, nuk shohim televizor. Ne nuk dashurohemi me dashurira të lehta, dashurira të pashijshme, që nisin urtë e vazhdojnë butë, që rrjedhin si mjaltë e rrëshqasin si gjalpë. Ne gratë i dashurojmë rëndë dhe gratë na dashurojnë marrëzisht ne. Edhe i rrahim nga pak gratë. Tek ne në katundin Skapidh ku gratë i rrahim dashuria është më e zjarrtë se në qytetin Skakar ku gratë i puthin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora