E premte, 19.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Mendime

Vehbi Bajrami: Falja e Bajramit dhe të gjitha ritet tjera fetare tek besimtarët tanë...

E merkure, 15.10.2008, 08:49 PM


Vehbi Bajrami
Falja e Bajramit dhe të gjitha ritet tjera fetare tek besimtarët tanë muslimanë duhet të bëhen ekskluzivisht në gjuhën shqipe

Nga Vehbi Bajrami, New York, Yllyriapost

Kur botova shkrimin me titull: “Urime Bajrami (në gjuhën shqipe)” në gazetën “Illyria” (nr. 1788), edhe pse e kisha të qartë se problemi ishte delikat e gati “tabu” për ta diskutuar publikisht, nuk e kisha menduar se do të kishte kaq shumë reagime nga lexuesit.

Artikulli, që bënte fjalë për faljen e Bajramit në Prishtinë, u shoqërua me replika, me shkrim e me telefonata, pro dhe kundër. I pari qe një person nga Tirana, që m’u prezantua me emrin Olsi, i cili dukej mjaft i shqetësuar nga shkrimi im i botuar edhe në gazetën “Shekulli” dhe “Express”. Ai, siç tha, ndjehej i fyer, siç pretendonte se ndjeheshin të fyer shqiptarët muslimanë, për idenë time që ritet fetare shqiptarët e fesë muslimane t’i kryenin në gjuhën shqipe.

- A je ti kundër fesë muslimane? – më pyeti ai, sikur të isha ulur para një gjykatësi.
– Jo, - ia ktheva shkurt. - Nuk jam kundër fesë muslimane e as kundër ndonjë feje tjetër. Ajo që kam kërkuar është: shqiptarët muslimanë t’i luten Zotit në gjuhën e tyre. “Illyria” është e hapur për mendime të lira dhe ju mund të dërgoni një shkrim për mospajtimet e shqetësimet tuaja lidhur me shkrimin.
- Fakti se nuk qenkeni kundër fesë muslimane, na lehtëson shqetësimin tonë, - tha Olsi dhe këtu përfundoi biseda me të.

(Olsi nuk e kishte pasur aq lehtë të më gjente nga Tirana. Së pari kish telefonuar në “Zërin e Amerikës” në Washington dhe ish kolegët e mi e kishin drejtuar tek “Illyria” në New York).

Nuk vonoi e në adresën elektronike erdhi një reagim tjetër. Personi që reagonte, A. Sinani, siç shkruante, ishte një teolog i diplomuar në Kajro. Në reagimin e tij, të botuar në numrin 1789 të gazetës “Illyria” ndër të tjera ai shkruan: “Kurani është i vetmi libër qiellor, nga të gjithë librat e Zotit, që është ruajtur i pandryshuar. Ne lutjet i lexojmë në gjuhën arabe, më saktë në gjuhën e Kuranit, për faktin se çdo përkthim i fjalëve të Zotit është zbehje e asaj që Zoti e ka shpallur dhe e ka thënë në Kuran. Ata që nuk kanë mundësi apo nuk mund t ‘i mësojnë pjesët kur’anore në arabisht, lejohet që t’i thonë në gjuhën shqipe”.

Nuk do të përmend shumë të tjerë që përmes telefonatave e letrave më përgëzuan për shkrimin, shumica e tyre shqiptarë të besimit musliman, që ishin të një mendje me mua: T’i lutemi të madhit Zot në gjuhën tonë, në gjuhën që e kuptojmë ne e na kupton dhe ai.

Reagimi më i gjatë ndërkaq erdhi në redaksinë tonë nga Rexhep Elezaj, shkrimin e të cilit e botojmë të plotë në gazetë, ashtu siç e ka nisur përmes postës elektronike. Pasi më quan një gazetar që “nuk posedon njohuri elementare mbi fenë islame dhe rregullat e saj juridike (sheriatit)”, ai përsërit disa herë se “falja e namazit nuk mund të bëhet në gjuhë tjetër përpos asaj arabe”. Elezaj e mbron mendimin e tij me dy argumente: veresetin (që të them të drejtën nuk e kuptoj se ç’kuptim ka) i cili thotë: “Me të vërtet ne ua zbritëm atë (Kur’anin) në gjuhën arabe” dhe, porosinë e profetit Muhamed: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur”.

Asnjëra e as tjetra nuk ma mbushin mendjen për t’u pajtuar me z. Elezaj e bashkëmendimtarët e tij. Natyrisht se Kurani lindi në botën arabe dhe ai nuk mund t’u sillej arabëve në një gjuhë tjetër që nuk e kuptonin (si shqiptarët që sot nuk e kuptojnë arabishten) dhe kjo nuk mund të jetë një arsye, që pas kaq vjetësh, sërish, kjo të mbetet e vetmja gjuhë e muslimanëve përmes të cilës duhet t’i luten Zotit.

Elezaj shkruan se Zoti përdori gjuhën arabe jo rastësisht sepse “ajo i ka plotësuar të gjitha standardet linguistike, që i kanë kërkuar shprehjet hyjonre të përdorura në Kur’an nga ana e Krijuesit, e që nuk ka qenë rasti me gjuhët tjera…”.

Ndoshta kjo mund të ketë qenë e vërtetë për atë kohë, por sot ka shumë gjuhë më të zhvilluara se gjuha arabe dhe nuk bën përjashtim as gjuha shqipe, të cilës nuk i mungon asgjë për të shprehur çdo lloj lutje. Nëse kjo është e vërtetë, pra që gjuha arabe na qenka e vetmja që plotësuaka standardet për të thënë shprehje hyjnore, si u arrit atëherë përkthim i Kuranit në gjuhën shqipe e në shumë gjuhë të tjera të botës dhe madje të kuptohet fort mirë?

Argumenti tjetër, porosia e profetit Muhamed: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur”, nuk më duket i denjë për të mohuar gjuhën shqipe në ritualin fetar. Nëse i parafrazojmë këto fjalë, profeti Muhamed nuk thotë përdorni gjuhën arabe kur i drejtoheni Zotit. Thjeshtë ai porosit besimtarët të ndjekin mënyrën se si falet ai (mënyra fizike) e jo fjalët e lutjes. Pra fjalët: ”Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur”, nuk do të thotë faluni vetëm arabisht, por më imitoni mua në lëvizjet, që bëj, ndërsa vetë lutja sot mendoj mund të jetë e shqiptuar në gjuhën e besimtarit.

Elezaj, nga ana e tij, këmbngul disa herë pra që namazi të falet vetëm në arabisht. Sipas tij, kjo është miratuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë në botë. Kush ishin këta dijetarë dhe kur e morën një vendim të tillë? A pati edhe dijetarë jo arabë, kur u mor vendimi në fjalë? Ka një dokument të shkruar për këtë? Sa për shqiptarët muslimanë besoj se nuk kanë qenë aty se ata vonë u konvertuan, në fenë që ka për bazë gjuhën arabe.

Pra, sipas z. Elezaj, vendimin që namazi të falet vetëm në arabisht e morën njerëzit, jo profeti Muhamed. As ndërmjetësi i Zotit, Xhibrili, që i komunikoi profetit Muhamed Kuranin, nuk thotë që gjithë popujt e botës me fe muslimane, të luten vetëm në gjuhën arabe. Për më tepër, edhe z. Sinani, siç e citova në fillim të këtij shkrimi thekson se “ata që nuk kanë mundësi apo nuk mund t ‘i mësojnë pjesët kur’anore në arabisht, lejohet që t’i thonë në gjuhën shqipe”.

Kur dihet se shqiptarët që e kuptojnë gjuhën arabe mund të numërohen në gishtrinj, kjo nënkupton se ata është shumë e natyrshme që lutjet e Kuranit t’i bëjnë në gjuhën shqipe. Gjithçka hyjnore mund të përcillet në gjuhën e bukur shqipe dhe jam i bindur se efekti shpirtëror tek besimtarët do të jetë shumë herë më i fuqishëm.

Njerëzit mund të marrin vendime që i përshtaten kohës e rrethanave, siç ka ndodhur me shumë fe të tjera të botës. Shembulli më i mirë për ne është liturgjia e parë shqipe e predikuar nga Fan Noli më 1908. Deri në këtë kohë mesha bëhej në gjuhën greke. Noli i madh, pa pyetur grekët, të cilët po ashtu thonin se greqishtja është e vetmja “gjuhë e Zotit”, përktheu lutjet fetare nga greqishtja dhe futi gjuhën shqipe në kishën ortodokse shqiptare. Deri vonë, shqiptarët katolikë kryenin lutjet në gjuhën latine. Edhe ata shkuan gjurmëve të Nolit. Përkthyen librat e shenjtë dhe sot, si shqiptarët ortodoks, luten në gjuhën e tyre.

E shqiptarët muslimanë? Falen në xhamitë e tyre e nuk dinë se ç’thonë kur i drejtohen Zotit. Siç u mblodhën dijetarët islamë në botë, që sipas Elezajt, morën vendim që namazi të falet vetëm në gjuhën arabe, dijetarët tanë muslimanë, mund të mblidhen e të marrin një vendim, sa më shpejt aq më mirë, (sepse janë vonuar tepër), që ceremonitë fetare tek shqiptarët muslimanë të kryhen vetëm në gjuhën shqipe. Ky nuk është veprim kundër Kuranit. Ky është veprim që forcon besimin në të, kur njerëzit e kuptojnë domethënien e tij. Në këtë vendim, do të duhej të futej edhe një nen ndëshkues ndaj të gjithë atyre që vazhdojnë të predikojnë arabisht për masën që nuk i kupton.

Në reagimin e tij, për pjesën ku unë shtroja pyetjen se përse kryemyftu Tërnava gjatë faljes së Bajramit në Prishtinë nuk i përmendi me emër “miqtë” që ndihmuan të çlirohet Kosova, z. Elezaj shkruan: “Del e qartë se zotëriu në fjalë nuk e njeh fare politikën ndërkombëtare që bëhet ndaj Kosovës në planin global, por as atë në raportet Kosovë-botë arabe-islame”.

Nuk e di se për çfarë “plani global” flet autori në raportin Kosovë – botë arabe. Nëse ka diçka që shqiptarët nuk e dinë, le ta thotë, por ajo që shihet në shesh deri në këtë ditë është se vendet arabe nuk kanë qenë në anën e Kosovës për njohjen e pavarësisë së saj, e nuk kanë qenë në anën e saj të drejtë as në kohën e mikut të tyre të madh, Josip Broz Titos, e as në kohën kur Millosheviçi dëboi një milionë shqiptarë nga vatrat e tyre. Bile kish shtete arabe në atë kohë që bashkëpunonin ngushtë me Serbinë kundër Kosovës, siç po bashkëpunojnë me Serbinë shumë prej tyre edhe sot. Është mirë që Elezaj ta zbërthejë këtë “plan global” në mënyrë që të na ndihmojë të kuptojmë “nëntekstin” e fjalëve të myftiut Tërnava, i cili, ditën e Bajramit në xhaminë e madhe të Prishtinës, nuk i përmendi me emër Amerikën dhe shtetet perëndimore kur falënderoi ata që ndihmuan çlirimin e Kosovës.

_____________________________________________

Vehbi Bajrami - Publisher Illyria Newspaper
481 8th Avenue Suite 937
New York, NY 10001
Phone: 212 868 2224
Fax: 212 686 2228



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora