E enjte, 28.03.2024, 05:52 PM (GMT)

Speciale

36 llojet e torturave të tmerrshme që u përdorën gjatë diktaturës komuniste

E diele, 26.01.2020, 01:35 PM


Rrahje me dru, shpim i mishit me tel të djegur, futja e kripës në mish, lënia në ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, varje me kokëposhtë, shtrëngimi i gjinjve me pinca, maçoku në tumane, mbushja e gojës me kripë , futja e jashtqitjes në gojë…

Kjo listë e hartuar nga  Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, bazuar në një dokumentacion të gjerë arkivor dhe dëshmi gojore nga ish të persekutuar, cilësohet si lista zyrtare e torturave të përdorura gjatë regjimit komunist nëpër qelitë e hetuesive, zyrat e ish Sigurimit të Shtetit dhe rrethana të tjera represioni, gjatë viteve 1945-1991 në Shqipëri.

kujto.al e sjell të plotë listën e torturave si më poshtë:

Llojet e torturave

1-Rrahje me dru, deri në shkaktimin e plagëve

Është torturë klasike e përgjithshme e bërë në hetuesi nga oficerët e Sigurimit e ndihmësit e tyre. Kjo torturë konsiston në goditjen me dru ose thupra (drunj të vegjël) të të pandehurit në kokë ose pjesë të trupit. Është përdorur masivisht kundër të gjithë të pandehurve apo personave të kapur sekret nga Sigurimi. Kjo lloj torture konsiston në goditjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme me një mjet të fortë. Ka qenë një torturë e “thjeshtë” që nuk kërkonte shumë kushte apo mjete.

2-Kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru

Zhvillohej kur kishte avancuar faza e torturës dhe kishin filluar të zinin kore. Nga kjo torturë e rëndë ka vdekur në vitin 1947 Loni Adam, ish funksionar i ambasadës amerikane, ndërsa trupin kishin filluar ta hanin krimbat. Kjo lloj torture mund të kalonte deri në çmendjen e personit nga dhimbja e madhe.

3-Shpimi i mishit me tel të djegur

Ka qenë torturë barbare e përdorur sidomos vitet e para. Personit i ngulej një tel i nxehur në mish e cila depërton lehtësisht mbi mish e nga kjo kalon drejtpërdrejt në kockë. Prekja e kockës kishte pasoja të rënda sepse kalonte në humbjen e jetës, ose pasoja të rënda në shëndet, por edhe në çmendje. Nga përdorimi i kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.

4-Përdorimi i rrymës elektrike në veshë e në trup

Ka qenë teknikë e përdorur nga Sigurimi dhe hetuesia. Përdorimi i madh i kësaj metode ka çuar në çmendje shumë persona. Rryma elektrike kalonte në trupin e personit të marrë të pandehur, në mënyrë që ai të thyhej për të pranuar procesin ose treguar gjëra në kurriz të të tjerëve.

5-Futja e kripës në mish

Përdorej për të acaruar gjendjen e të pandehurit. Kjo lloj torture përdorej në rastin kur plagët kishin përparuar. Përdorimi i kësaj torture kishte efekte psikike të forta, duke kaluar shpesh edhe në çmendje.

6-Lënia në ujë të ftohtë apo në fuçi uji

Ishte koha kur i pandehuri nuk pyetej. Trupi i lihej në një pellg me ujë në dimër në mënyrë që të kishte pasoja në shëndet. Pasojat ishin në dobësim zemre, mushkëri të sëmura, etj. Po ashtu personi vendosej në një fuçi uji. Kjo metodë përdorej kryesisht kur ishte gati ta zinte gjumi si dhe në orën e gjumit.

7-Lënia pa bukë deri në vdekje

Është një torturë e përdorur në hetuesi, por në raste speciale edhe në burgje. Ka ndodhur p.sh. me ish kryeministrin Kostaq Kota që vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1948.

8-Lënia pa bukë për disa kohë

Përdorej në hetuesi dhe në izolim në burgje. Përdorimi i kësaj torture synonte thyerjen e të pandehurit në mënyrë që ky të mendonte se jetën e kishte të shkurtër.

9-Lënia zhveshur në të ftohtë

Përdorej në hetuesi dhe pothuaj në burgje si masa disiplinore. Kjo lloj torture kishte edhe efekte psikologjike për nga fotografimi i pamjes kur i dënuari lihej të shikohej nga të burgosur të tjerë.

10-Jeleku

Përdorej si mjet ndihmës për të rritur efektin e torturës. Muço Sali deklaronte: “Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha”. Jepej ideja sikur njeriu ishte vendosur në hell për t’u pjekur.

11-Dinamit në trup

Vendosja e dinamitit në trup kishte efekt në zemër dhe në tru. I pandehuri kërcënohej se do hidhej në erë. Oficeri i Sigurimit vazhdimisht mbante shkresën në dorë duke dhënë përshtypjen se mund ta ndizte fitilin. Rriste stresin dhe ankthin me shpejtësi të madhe, duke kontribuar në sëmundje të rënda e të pashërueshme.

12-Shtrëngim i gjinjve me pinca

Një torturë e përdorur te meshkujt, linte pasoja në lëkurën e mishit të personit që torturohej. Përdorej sepse gjinjtë si gjëndra lëshonin efekt të fortë dhimbjeje.

13-Futja e të pëgërëve (jashtëqitjes) në gojë

Kryhej shumë vitet e para sidomos ndaj klerikëve që mbanin mjekër. E kanë përdorur ndaj Sheh Ibrahim Karbunarës. Jo vetëm që të shkaktonte dhimbje nga era e keqe, por grumbullonte edhe mizat.

14-Varje me kokë poshtë

Është përdorur rëndom ndaj personave të akuzuar për krime shumë të rënda politike. Ka qenë ndër torturat më rraskapitëse e cila linte pasoja të mëdha mendore.

15-Lidhje me lin

Lidhja me fijet e linit shkaktonte vija në trupin e një njeriu. Kjo lloj lidhje shkaktonte deformime, të cilat i shiheshin personit gjatë gjithë jetës.

16-Lënie në diell

Përdorej si torturë për të burgosurit e për të paraburgosurit, në degë të punëve të brendshme ose në kampe pune. Nuk përdorej në burgje. Në kampe, i dënuari lihej në diell, kryesisht muajt e verës, në vendet ku punohej. Kjo jo vetëm për t’i shkaktuar torturë, por edhe për të shërbyer si shembull për të tjerët.

17-Maçoku në tumane

Përdorej kryesisht ndaj femrave. Maçoku futej brenda tumaneve të femrës dhe pastaj goditej me dru nga jashtë. Përpjekja e maçokut me thonjtë e tij për të dalë nga kjo gjendje, shkaktonin dhimbje të mëdha te femra që kishte veshur tumanet.

18-Përgatitje e varrit

Përdorej në dy forma: e para, para një varri të hapur ku bëhej gati improvizimi i vrasjes së të dënuarit dhe e dyta, kur i pandehuri hapte vetë varrin ku mendohej se do varrosej.

19-Arma në gojë

Mjet presion që zhvillohej shpesh gjatë hetuesisë. I pandehuri kërcënohej se do vritej nëse nuk tregonte.

20-Tentativë për çnderim të vajzës

I bëhej drejtpërdrejtë  personit të pandehur ose shërbente si mjet presioni ndaj tij, kur i sillnin një femër të familjes si gruan, vajzën, etj.

21-Djegia e organeve seksuale

Përdorej djegia me benzinë, e provuar ndaj Alfred Ashikut nga oficeri Cole Bashari.

22-Rrahja me kamxhik

Përdorej me kamxhikët e kafshëve. Kamxhiku i lëshohej në qafë të pandehurit në formën e një gjarpri që mblidhet shpejt rreth një peme. Por përdorimi i kamxhikut përdorej edhe si rrahje e drejtpërdrejtë në vend të drurit. Pasojat ishin të mëdha si, dëmtim i mishit, i enëve të gjakut, etj.

23-Lëshimi i pikës së ujit në kokë

I pandehuri lidhej në një tavolinë dhe nga tavani i lëshonin periodikisht pika të forta uji që binin rëndë në kokë.

24-Vendosja e mangallit në vapën e gushtit

I futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës (dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.

25-Lënia në këmbë

Përdorej për të lodhur e sëmurë të pandehurit. Shkaktonte sëmundjet e kockave, mesit, etj.

26-Lënia për të fjetur mbi çimento

Përdorej në hetuesi dhe në biruca gjatë vuajtjes së masës disiplinore.

27-Shkaktimi i etjes dhe mbushja e gojës me kripë

Përdorur nga hetues Irakli Kocani.

28-Lidhja me hekura në mur e lënia për disa ditë ashtu

Është përdorur nëpër qeli ndaj të paraburgosurve. Ka shkaktuar dhimbje kockash e organesh të brendshme.

29-Detyrimi për të kënduar natën

Vendosej muzika për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin natën.

“Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga Sigurimi i ushtrisë”.

30-Futja në biruca të errëta

Dëshmi: “Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër”.

31-Lyerja me marmelatë

Dëshmi: “Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë”.

32-Shurdhimi

Vënia në stres të përgjithshëm, duke shkaktuar zhurma të pandërprera. Kjo torturë është provuar e kryer në burgun e Burrelit.

33-Përdorja e tymit brenda qelive

Shkaktohej nga djegia e materialeve të ndryshme e futja e tymit të tyre nëpër qeli. Provuar e kryer në burgun e Burrelit.

34-Futja në arkivol

Mjet presioni për të pranuar procesverbalin e hetuesisë. I pandehuri mbyllej brenda arkivolit për disa minuta ose orë, duke i krijuar përshtypjen e vdekjes.

35-Goditja me pëllëmbë e me shqelma

Ka qenë tortura më e përhapur dhe fillestare. Ajo ushtrohej nga hetuesit si fazë e parë e torturës psikologjike. Hetuesi e përdorte për të thyer të pandehurit e dobët, në mënyrë që të pranonin sa më shpejt procesin.

36-Hedhja nga lartësia

Torturë e përdorur shpesh në hetuesi, sidomos ndaj moshave të thyera. Shpesh herë prej kësaj torture, të proceduarit kanë vdekur.

Për më shumë vizitoni: kujto.al



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Enver Memishaj: Major Ahmet Lepenica në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës Pal Neçaj: Tragjedi e jetuar Sabile Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë Vebi Xhemaili: Sa e madhe ishte Shqipëria sipas hartave ruse (1878-1880) Vebi Xhemaili: Në Dibër fitoi Shqipëria në luftë kundër xhonturqve për arsim kombëtar Ajete Zogaj: Bisedë me Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha Vebi Xhemaili: Xhemë Gostivari - Ikona e trimërisë shqiptare Vebi Xhemaili: Komandanti i Dervenit që gozhdoi forcat partizane Sabile Basha: Dokumentet që dëshmojnë diferencimin në Universitetin e Prishtinës më 1981 Avzi Mustafa: Grigor Përliçevi - Shkrimtari që i këndoi fatit të shqiptarëve të Rekës së Epërme Fotaq Andrea: Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin ''Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999'' Sabile Basha: Dezinformatat e Beogradit kundër grupeve e individëve shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë Avzi Mustafa: Remzi Nesimi - Për gjuhën shqipe Sabile Basha: Libër-dëshmi për të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989) Sabile Basha: Libër i dhembjes dhe i krenarisë Fotaq Andrea: Les Pélasges, ont-ils existé?! Sabile Basha: Dëshmi për vlerësimin e situatës politike e të sigurisë në Kosovë nga kryesia e komitetit krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës Thanas Gjika: Partia asgjësoi edhe komunistët e ndershëm Fotaq Andrea: E trishtë, shumë e trishtë Sabile Basha: Një dokument ''Top Sekret'' për reagimet ndërkombëtare të demonstratave në Kosovë më 1981

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora