Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Adem Demaçi dhe Danilo Kish

| E shtune, 25.01.2020, 10:18 AM |


Adem Demaçi dhe Danilo Kish

Nga Blerim Latifi

Ishin vitet ’50 të shekullit të kaluar. Aleksandër Rankoviqi, shefi i UDB-së, policisë politike famëkeqe jugosllave, në kulmin e fuqisë së tij, kishte ndërmarrë një fushatë sistematike terrori mbi shqiptarët e Kosovës. Një student i ri nga Kosova po studionte Letërsinë Botërore në Beograd. Ishte i tërhequr, por edhe të tjerët nuk preferonin të shoqëroheshin me të. Quhej Adem Demaçi. Një ditë iu afrua një student me prejardhje hungarezo-malazeze. Quhej Danilo Kish. Atij i kishte rënë në sy vetmia e studentit nga Kosova dhe e ndjente se duhej t’i ndihmonte të mos e vuante atë. Iu afrua, i zgjati një cigare, por kosovari refuzoj duke i thënë se nuk e pinte duhanin. Një ditë tjetër e ftoi të pinin nga një gotë raki, aty afër fakultetit. Sërish kosovari ia ktheu : Nuk pi alkool! Atëherë Danilo Kish i tha : Po me vajzat si i ke punët? Demaçi iu përgjigj : Nuk më interesojnë! I habitur me refuzimet e tij të njëpasnjëshme, Danilo Kishi i tha : E për çfarë jeton ti? Demaçi nuk iu përgjigj. Pastaj ditët rrodhën dhe rrugët e të dyve u ndanë : Danilo Kishi u bë shkrimtari më i mirë në Jugosllavi, ndërsa Adem Demaçi i burgosuri më i madh politik i saj. 28 vite burg për lirinë e popullit të tij janë përgjigjja e Adem Demaçit në pyetjen e Danilo Kishit.