E enjte, 20.02.2020, 02:59 PM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Diplomacia ndryshe e Grenell për Kosovën

E shtune, 25.01.2020, 12:17 PM


Diplomacia ndryshe e Grenell për Kosovën

Nga Enver Bytyçi

Përfaqësuesi special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, vizitoi Kosovën dhe sot është për vizitë në Serbi. Ai ka shpalosur disa nga detajet e platformës amerikane për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb dhe është takuar me aktorë të shumtë të politikës në Prishtinë e sot në Beograd. Dhe nga gjithë kjo diplomaci duket qartë se SHBA-të kanë vendosur të kyçen fort në procesin e vendosjes përfundimtare të paqes në rajon.

Grenell nuk foli në Prishtinë as për kufijtë, as për Jugosllavinë e Re, as për minishengenin, iniciativa këto të promovuara me aq bujë nga kryeministri shqiptar. Ai shfaqi një diplomaci ndryshe gjatë qëndrimit të tij në të dy vendet në konflikt. Cilat ishin disa nga specifikat e kësaj diplomacie?

Së pari, diplomati amerikan ka dhënë të kuptojë se SHBA-të do ta drejtojnë vetëm lokomotivën e paqes në rajon. E vërteta është se lufta në Kosovë, bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, çlirimi i vendit janë kryesisht vepër e amerikanëve. Nëse do pritej konsensusi evropian, si atëherë edhe sot, Kosova dhe rajoni nuk do të gjenin e nuk do të gjejnë paqe. Kjo thjesht se Europës i mungon kohezioni dhe konsensusi në politikat e sigurisë e ato të jashtme. Secili vend ruan pavarësinë e tij diplomatike e për pasojë prej 12 vitesh BE nuk ka mundur t’i bindë Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë që ta njohin Kosovën. Ndaj ndërhyrja amerikane sjell më shumë shpresë, më shumë rezultat. Megjithatë kjo specifikë vlen për diplomacinë amerikane në përgjithësi.

Së dyti, diplomacia Grenell ndryshon nga diplomacia e mëparshme amerikane si dhe nga ajo europiane për faktin se niset nga premisa ekonomike dhe e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës e të Serbisë, si dhe të të gjithë rajonit, si kusht për zgjidhjet politike. Zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies shihen si kushti themelor që politika të bëhet më e arsyeshme dhe t’u japë fund konflikteve të krijuara. Por kjo premisë kërkon kohë. Megjithatë iniciativat konkrete për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë mund të sfumojnë politizimin e dialogut.

Depolitizimi i dialogut rrit shanset e Kosovës për sukses diplomatik, sepse në këtë rast fiton arsyeja, logjika e gjësë dhe jo forca e diplomacisë dhe politikave diversioniste e kërcënuese serbe. Kjo do të çojë në krijimin e konceptit qytetar të shtetit dhe do tëzbusë pasionet dhe idiomat nacionaliste, nga të cilat vuan Serbia shumë më tepër sesa Kosova. Nacionalizmi serb është shkaku i stanjacionit në zgjidhjen e konfliktit midis dy vendeve. Zbutje e politikës do të thotë zbutje e toneve nacionaliste. Edhe në këtë rast peshorja e avantazheve anon nga Prishtina.

Së treti, Richard Grenell ka kërkuar sërishmi të hiqet taksa Haradinaj ndaj mallrave serbe. Por për herë të parë ka artikuluar në Beograd se heqja e taksës do të duhet të ndodhë njëherësh me heqjen dorë nga ana e Serbisë për ta penguar pavarësinë e Kosovës dhe për të lobuar kundër saj. Po të kemi parasysh kërcënimin e para dy javëve të kryeministres Brnabiq, sipas së cilës shteti i Kosovës do të jetë i shpërbërë vitin tjetër, ky kusht është përsëri në favor të Kosovës. Në fund të fundit taksa u vendos menjëherë pasi Beogradi ushtroi metoda të pandershme për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Madje qeveria në Prishtinë e artikuloi aso kohe këtë akt si një ndër arsyet kryesore për vendosjen e taksës. Edhe qëllimi i zvarritjes së dialogut nga ana e Beogradit ka për qëllim lobimin dhe korruptimin e vendeve të ndryshme për tërheqjen e njohjeve. Heqja dorë e Serbisë nga zhbërja e pavarësisë është në një farë mënyre njohje e saj.

Së katërti, emisari i presidentit Trump kërkoi nga palët që procesi i dialogut të fillojë e të përfundojë shpejt. Kjo do të thotë se administrata Trump është në kërkim të një suksesi diplomatik të dukshëm, me qëllim që kjo të shërbejë si dëshmi për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti. Kjo kërkon gjithashtu që ky sukses të ishte i tillë vetëm me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës dhe vendosjen e paqes në rajon. Sepse vetëm përmbyllja e shtetësisë së saj do të konsiderohej sukses. Ndaj dhe kërkesa për ritëm të shpejtë mbetet avantazh për Kosovën.

Së pesti, Grenell erdhi në Prishtinë për të nxit përmbylljen e procesit të formimit të qeverisë. Ai takoi të dy palët në bisedime, Vetëvendosjen dhe LDK-në, si dhe deklaroi se nuk përbën pengesë për SHBA-të që Albin Kurti të jetë kryeministër i vendit. Njëkohësisht e paralajmëroi në një farë mënyre Thaçin, kur tha se edhe në vendet me demokraci të zhvilluar qeveritë krijohen në një hark kohor të gjatë. Kjo sepse Thaçi e kishte vënë Kurtin para alternativës: Ose formo qeverinë, ose të çmandatova!

Ngado që ta shohësh, vizita e Richard Grenell në Prishtinë dhe Beograd, do të duhej të shihej si një sinjal shumë pozitiv për zhvillimet në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë rajonin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT