Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahja Drançolli: Në kujtim të mikut nga ditët shkollore

| E merkure, 22.01.2020, 08:20 PM |


Jahja Drançolli:

Në kujtim të mikut nga ditët shkollore: Presidenti historik i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova lindi në Labanon-in e lashtë (Cercë, në afërsi të Istogut), një ndër vendbanimet më emblematike të Dardanisë, emri i të cilit në aspektin onomastik provon kontinuitetin gjuhës iliro-arbërore edhe në këtë pjesë të Dardanisë së lashtë!

Në pranverën e vitit 2005 duke vazhduar hulumtimet për përpilimin e Hartës Arkeologjike të Kosovës një ekip i Institutit Arkeologjik të Kosovës kishte arritur në fshatin Cercë (rrëzë maleve të Moknes), të zbulonte një artefakt të veçantë dhe mbase edhe unik në territorin e Republikës së Kosovës. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një pllakë-tullë (Laterculi) nga argjila me dimensione 0.26 x 0.26m dhe me trashësi 7cm. Pllaka ruan mbishkrimin me një përkushtim të shkruar në sipërfaqe me dore të lirë, si dhe me shkronja jo të rregullta. Mbishkrimi në tullë është skalitur në botë (argjilë) të butë para pjekjes me ndonjë mjet apo instrument të mprehtë druri. Madhësia e shkronjave lëviz nga 3 deri në 5 cm, kurse thellësia e kanalit të shkronjave oscilon nga 0,1-0,2 cm. Materiali epigrafik i këtij mbishkrimi, pasqyron aktin e inaugurimit të një banje të quajtur Labanon, përkatësisht Albanon. Është fjala për një metatezë Al->La-. Një metatezë të këtillë e kemi ndeshur sidomos në mbishkrime të shek.VI. Këtej, sipas gjuhës së laterkulit, por edhe sipas shembujve nga mbishkrimet e ngjashme mund të themi se është fjala për një mbishkrim nga antikiteti i vonshëm dhe mesjeta e hershme. Labanoni, ndërkaq, duhet të ketë qenë në një areal jo fort larg nga vendi i gjetjes së këtij laterkuli. Materiali i shkruar në pllakë gjithashtu ndihmon shumë në reflektimin e të kaluarës të ngritjes së objekteve ushtarake, atyre civile e publike në hapësirën e Provincës së Dardanisë, ku përveç punëtorive tullash ushtarake të udhëhequra nga praepositi, që ishin më të numërta për kohën në fjalë, në rastin tonë mendojmë se kemi të bëjmë me një punëtori tullash civile të skllevërve apo të liruarve (libertus). Pllaka në fjalë është studiuar hollësisht dhe aktualisht është pjesë e ekspozitës në Muzeun Kombëtar të Kosovës.