Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valbona Halili: Suksesi më i madh albumi “Hall me burrë, hall pa burrë

| E diele, 12.10.2008, 10:53 PM |


Albert Zholi
INTERVISTA/ Valbona Halili: Ishte një punë  shumë dinjitoze, ku kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili
Suksesi më i madh albumi “Hall me  burrë,  hall pa  burrë”
Hyrje
Një këngëtare potente që daljen në skenë e përcolli me sukses të menjëhershëm. Dhe  pse ka studiuar për kanto, ajo është lidhur me këngën popullore pazgjidhshmërit pasi  kënga popullore i dha suksesin dhe i hapi rrugën e vërtetë të skenës. Repertori i saj përmban kryesisht këngë të Shqipërisë së Mesme, këngë të cilat ajo i këndon plot pasion duke hyrë në radhët e këngëtareve më të sukseshme të kësaj kënge. E qetë dhe e çiltër  ajo gjithmonë është në kërkim të së resë, të së bukurës, pasi tashmë dihet që kënga popullore ka fituar terren dhe numri i këngëtareve popullore po rritet nga dita në ditë. Dhe pse repertori i këngëve të saj po rritet nga dita në ditë, ajo nuk e mohon se suksesin më të madh e ka arritur me albumin  Suksesi me albumin “Hall me  burrë,  hall pa  burrë”
Koncertet e saj i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ajo gjithmonë edhe pse kërkesat i ka në rritje, do të këndojë skenat shqiptare, aty ku mori duartrokitjet e para dhe dëshifroi perspektivën si këngëtare. Por është një fakt që ajo nuk le rast pa e përcjellë, momenti më i bukur ngelet pjesëmarrja në spektaklin “12 në Hollivud”,
Diku ka një fillim. Ky fillim mund të jetë i suksesshëm, por edhe një dështim. Kur dhe si ka qenë fillimi i skenës për Valbonën. Me  cilën këngë  ke dalë për  herë  të parë në skenë?
Kënga me të  cilën unë  jam prezantuar  për herë të parë  ka  qenë  kënga “Një natë me Hënë” në  spektaklin “12 në Hollivud”, kompozuar nga mjeshtëri nga Fatmir Lela  dhe orkestruar nga Shpëtim  Saraçi. Kjo është fillesa e rrugës së suksesit tim për të mos ju ndarë më kësaj rruge të vështirë dhe të bukur.
Deri në këtë paraqitje, keni kaluar disa shkallë. Kush e ka zbuluar talentin e Valbonës në hapat e  para të  këngës?
Ndoshta rastësi. Në tetëvjeçare kam qenë nxënëse në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Aty kam filluar të mësoj për violinë. Më pas duke u marrë me muzikë fillova të imitoj këngëtaret. Mësuesja ime e pianos Afërdita Morina më  dëgjon dhe më thotë se duhet të vazhdosh për kanto. Ajo më dha shtysën e  parë. Ishte pak e vështirë në fillim. Më dukej si një ëndërr e largët. E paarritshme. Mendoja se këngëtaret janë të një planeti tjetër. Pasi kur dëgjoja këgëtaret shqiptare të muzikës popullore mbërthehesha nën magjinë e zërit të tyre. Fillova të punoj, gjurmoj. Mundësitë mu dhanë, unë fillova të hap dyert e këngës.
Çdo profesion ka sekretet e veta. Dhe për të arritur perfeksionin, shkolla është rrugëkalimi më i sigurt. Ju keni  mbaruar  shkollën për kanto?
Në vitin 1988 kam mbaruar  për kanto. Ishin vitet e liberalizimit të jetës në vend. Atëherë muzika e lehtë filloi të marrë përparësi. Ishin vitet e fillimit të proceseve demokratike, ku njerëzit shpreheshin më hapur dhe frika sikur ishte larguar. Kënga popullore ishte lënë paksa në hije.
Para këtyre proceseve kur  ke dalë  për  herë të parë  në skenë  për të kënduar?
Kur kam mbaruar liceun artistik atëherë fillojnë aktivitet e mia të mirëfillta. Fillimet e  mia  të para  kanë qenë në dekadat  e majit që  bënte  shkolla dhe  përfaqësonim shkollën tonë. Kur mbarova  liceun  artistik unë u aktivizova me Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. M’u desh të bëja shumë punë, sepse zërin  nuk  e  kisha ende të formuar.
Çfarë  të  veçante  të   solli  “12 në  Hollivud”?
Kur kam  hyrë,  hyra  me mendimin  jo se  do të fitoja sepse  ishte  dalja  për  herë të parë në skenë të tillë, por doja të shihja se deri ku arrinin mundësitë. Vija  mbas  një fatkeqësie, humbjen e  nënës. Dashuria për të, dëshira e saj për të kënduar, ajo ndjesi që  kisha  brenda vetes se duhet të arrija diçka, bënë që të gjeja forcat dhe të prezantohesha sa më dinjitoze në këtë spektakël. Jam pritur shumë  mirë  deri në gjysmë finale. Ndoshta  nuk  shkova  në finale  sepse  unë isha në  një festival që u zhvillua  në  Turqi me një grup folklorik. Rëndësi ka që jam  pritur  mirë. “More djalë me sytë e zinj” “Eja të lutem”, janë këngët me të cilat kam debutuar.
A ke pasur ndonjë moment që jeni ndjerë keq në spektaklin “12 në Hollivud”?
Kisha shumë emocione, por edhe ai emocion ishte i bukur. Gjithmonë ku ka emocion puna del edhe më mirë. Në ndonjë moment mendoja se nuk do më dalë zëri.
Albumi juaj i parë kur u realizua, sa këngë kishte dhe me kë ke bashkëpunuar?
Albumin  tim të parë e kam realizuar me mjeshtërin e këngëve  popullore,  kompozitorin Fatmir Lela. Kemi qenë bashkë me Fatmirin në Zvicër. Shtysa e  parë ishte Fatmiri që të realizoja këtë album. Ai më futi në këngët e Shqipërisë së Mesme  ku Valbona përfaqësohet edhe sot, pa i ndarë  edhe trevat e  tjera. Por Valbona e gjen mirë  veten tek kënga  popullore e Shqipërisë së Mesme. Mund të them se  kam  qenë  një nga këngëtaret e para që kam realizuar   një album. Atëherë nuk kishin dalë akoma shtëpitë diskografke. Unë të gjitha tekstet i kam të shkruara dhe kompozuara nga Fatmiri dhe të regjistruara  tek studioja e  Shpëtim Saraçit. Albumi titullohej “Një  natë me hënë”.
A pati sukses  ky album?
Ka  pasur, si brenda  dhe  jashtë vendit.
Sa  albume keni  realizuar  gjithsej?
Për momentin kam realizuar 3 dhe jam në projekt të albumit tim të katërt. Albumi i dytë është “Sa  më mungon, o nënë”, këtë ia dedikoj nënës  time. Ky album u realizua në vitin 1996. Albumi i tretë u realizua në vitin 2007 dhe titullohej “Hall me  burrë,  hall pa  burrë”. Ka një titull intrigues.
Kush album ka  pasur  suksesin më të madh?
Suksesin më të madh e kam pasur tek albumi i tretë. Unë njihem shumë  me fabulën e këngës “Hall me burrë dhe hall pa burrë”. Ishte një punë shumë dinjitoze, ku kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili dhe të gjithë  suksesin unë ia dedikoj Edit. Suksesi i këngëtares mbështetet tek disa elementë. Teksti, muzika, orkestra, shtëpia diskografike. Në këtë album shtëpi muzikore  ishte ajo e  Edit,  tekstet të autorit Jorgo Papingji. Pra ishte një staf i kompletuar në këtë album. Ishte një punë në grup. Kur  punon për një album në grup dhe me përgjegjësi, albumi del shumë cilësor. Me këtë album kam marrë shumë urime dhe përgëzime.
Në  sa  vende të botës  keni shkuar dhe keni kënduar?
Thuajse gjithë Europën. Më shumë në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi.
Këngët që ju këndoni janë tuajat, apo janë këngë të kënduara më parë nga këngëtarët e Shqipërisë  së Mesme?
Meqenëse përfaqësoj dhe këndoj këngët e Shqipërisë së Mesme  tek  albumi i fundit kam pasur materiale të vjetra gjithmonë të  riorkestruara (të përpunuara), në një variant të ri, gjithmonë nga kompozitori Edi Balili. Tani tek albumi i katërt me të cilin punoj do të ketë dhe këngë të reja, por edhe të ripunuara. Besoj se ky album do të jetë një hap cilësor. Po punojmë me shumë përgjegjësi.
Si titullohet ky album?
Ende se kemi vendosur, për të mos thënë se është sekret (qesh).
Ju keni studiuar për kanto, keni hequr dorë përfundimisht nga kjo lloj muzike  dhe i jeni përshtatur  vetëm këngës  popullore?
Isha shumë e dashuruar  me këngën operistike,  por koha, jeta bën të vetën. Tashmë, më  mirë jam me këtë zë  që kam tek kënga popullore, them  se jam mirë  këtu ku jam. (qesh)
Ç’është dashuria për  Valbonën?
Është një gjë shumë e madhe. Nuk mund të përshkruhet. Eshtë magjike.
A merret  me politikë Valbona?
Më  pëlqen  politika, duke e lexuar dhe parë atë. Kur  gjej kohën e duhur  e ndjek, por jo të jem pjesëmarrëse në të.
Në qoftëse do të ktheheshe  mbrapa,  do të  bëheshe përsëri këngëtare?
Pa këngë unë nuk kam jetë. Jam  shumë e  dhënë  pas  saj.
Kush janë këngëtarët tuaj të preferuar brenda dhe  jashtë  vendit?
Idhull kam Fitnete Rexhën, Havza  Zyberin, Myslym Lelën, Ramadan Krasniqin. Por, por…më pëlqejnë  shumë këngët  turke.
Kush është pengu që  ke?
Të kisha bërë një shkollë në Turqi, ngaqë  më pëlqen shumë kënga turke.
Vetë  keni  qenë në Turqi?
Po kam qenë. Kam qenë në një festival ballkanik.

A e ndjek modën Valbona, sepse thuhet që këngëtaret në përgjithësi  harxhojnë  60% të fitimeve për veshje?

Kam mënyrën time të të veshurit. Unë harxhoj dhe nuk  kursej për veshjen. Modën jo se e ndjek,  por  mundohem  të jem afër saj.

-Rrobat i bleni  të gatshme apo keni stilisten tuaj?

Më shumë i blej. Por kam stiluar me Zina Kondin, Rezarta Skifterin 

Ke ndonjë grimier stabël?

Po, kam grimierin tim Turin, është grimier i shumë  këngëtarëve  dhe ndjehem mirë tek ai.

Sot me gjithë këto aktivitete që ke a jeni e lidhur me  librin?

Është mirë të lexosh, por koha nuk më del. Gazetën  e  lexoj,  por  jo gjithmonë.

Dita më e  vështirë për  ju në jetë kush ka qenë?

Më e vështira, nuk dua ta kujtoj.

Po dita më  e bukur?

Dita më mirë ka qenë kur nxora albumin e fundit dhe suksesi i tij ka qenë ditët më të bukur për  mua.

Ç’do të thotë të jesh këngëtare?

Të jesh e kujdesshme dhe e sjellshme, pasi je gjithmonë mes njerëzve që të njohin dhe që presin vetëm argëtim. Imazhi duhet të jetë i pëlqyeshëm.

Kush është problemi më i madhi shoqërisë së sotme shqiptare?

Në aspektin miqësor mund të them se nuk ka shoqëri shumë të pastër, pasi ka hyrë smira, xhelozitë, mëritë, inati, por them se  duhet të duhen më shumë.

Ju vetë jeni tip e shoqërueshme apo jeni  e rezervuar?

Jam e shoqëruar shumë me kolegët e mi më të afërt, por duke ruajtur distancat që kërkon koha dhe normat shoqërore. Shoqëria është përgjegjësi.

Çfarë do të vlerësoje tek një femër, bukurinë apo inteligjencën?

Më mirë të dyja.

Tek një njeri çfarë  vlerësoni më shumë?

Sinqeritetin  gjithmonë ndaj meje.

Në qoftë se do të kishe në dorë çfarë do të ndryshoje apo do të jepje në shoqërinë e sotme shqiptare?

Të jepja sa më shumë dashuri. Për momentin kjo po mungon  shumë tek njerëzit. Eshte problemi i kohës.

Kush është hobi juaj?

Kur kam kryer liceun më pëlqente shumë baleti në atë  kohë. Sot të  merem me palestër.

Jeni supersticioze?

Po jam.

A mbani dietë?

Ka  raste edhe mbaj, por  kjo nuk ndodh shpesh. Recetat janë të bezdisshme.

Kë  keni makinë  të preferuar?

Nuk  kam ndonjë. Mjafton të ndjehesh mirë në udhëtim.

Në  ç’orë  ngriheni   në  mëngjes ?

Në  orën 10-të. Kur dielli bie mbi sy.

Kur jeni e angazhuar më shumë në dasma, koncerte apo aktivitete të  ndryshme?

Në  muajin gusht në dasma, muajt e tjerë në  koncerte.

Kush është zona më e preferuar  që  ju thërrasin?

Meqë këndoj këngët e Shqipërisë së Mesme preferohem në Tranë, Durrës, Shijak, Kavajë, pa  lënë mënjanë veriun dhe jugun.

Boxe

Ku i kalon Valbona pushimet

Sa herë vjen sezoni i pushimeve neve jemi të ngarkuar  me  punë, kjo nuk ndodh vetëm me mua. Por them se është periudha e vjeshtës, apo më  mirë e  dimrit. Jemi të kundërtit e njerëzve. E ka profesioni. Kur të tjerët bëjnë plazh, ne argëtojmë të tjerët. Më pëlqen më shumë t’i bëj jashtë pushimet.

Huazimet dhe kënga autoktone  shqiptare

Në materialet e mia nuk ka pasur  huazime, janë  gjithmonë materiale dhe kompozime të reja, pa lënë mënjanë materialet e vjetra (të ripunuara), të mbështetura në tabanin popullor. Këtë e kam kërkuar dhe vetë, por ka qenë dhe zgjedhja e vetë kompozitorëve me të cilët kam bashkëpunuar. Kënga po huazohet shumë,  por  është publiku ai  që i  dëshiron  dhe i mirëpret autoktonet. Publiku është lodhur me këngët e huazuara.