Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Rikujtesë e përjetshme

| E shtune, 18.01.2020, 12:39 PM |


RIKUJTESË E PËRJETSHME

Nga Prend Buzhala

Ka, janari shqiptar, tragjikën dhe heroikën e tij. Për çdo janar, nëpër vitet e acarta të dhunës dhe në kohë më të qeta, jemi përkulur para emrit të madh të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Janari i kapërcen kufijtë kalendarikë me heroikën e tij, me martirët e mëdhenj të kombit e me demiurgët e fjalës shqipe, me ngjarjet e kryengritjet që kanë ndodhur nëpër janarët e historisë. Janë kryeidetë, kryemrat, kryengjarjet e kryefjalët e shpirtit tonë. Dhe vjen Adem Jashari, ky kryeemër i lavdisë shqiptare, për t’i dhënë shenjë historisë më të re. Sa shumë tragjedi e sa shumë krenari është derdhur në këta emra e në këto ngjarje, që e lartësojnë racën shqiptare. Dhe që përcollën mesazhe lirie, afrie e qytetarie drejt Evropës. Janari është kryeformula e tragjedive të mëdha, po edhe e ringjalljeve të mëdha, që e shquajnë Kujtesën e Kombit në përvjetorët e lavdisë. “Kjo tokë ka prodhuar më shumë heroizma se sa grurë”, ka kënduar një poet shqiptar.

Kur para 38 vjetësh përgjakej një qytet gjerman në zemër të Evropës me gjakun e tre burrave të shquar të Kosovës, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, vetëm njerëzit e rrallë të rezistencës shqiptare do të besonin në fjalët profetike të Jusufit, i cili në flakën e madhe të demonstratave shqiptare të vitit 198l thoshte:

"Doli sheshazi mospajtimi i shqiptarëve me armikun e egër qeverinë shoviniste të Beogradit; bota që sot po e bën veshin shurdh e syrin qorr për çështjen shqiptare, në mos sot nesër do të detyrohet patjetër të ballafaqohet në mënyrën më serioze me këtë çështje deri në fitoren tonë përfundimtare".