Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Mos cito

| E hene, 20.01.2020, 11:35 AM |


Mos cito

Nga Edison Ypi

S'ka gjë që e zbulon mjerimin intelektual më tepër se citimet.

Ti që shkruan në gazetë e në revistë, që flet në televizion, që mban fjalime, llomotit në kafene, e s'lë rast pa cituar mendimtarët e shquar, filozofët, shkrimtarët, ekonomistët, politikanët, ideologët;

Mos cito !

Mos cito se na e kalle datën.

Citimi është i panevojshëm për ty vetë dhe i refuzueshëm për gjithë të tjerët. Lere se ç'kan thënë të tjerët. Secili thotë të vetën. Thuaj tënden dhe mos cito.

Citatet, maksimat, kuotat, ekzistojnë, janë zbavitëse, madje dhe të vlefëshme, se gjallërojnë dhe pasurojnë mendjen, por nuk janë për tu kopjuar nga kopjacët dhe përsëritur nga papagallët.

Përdori dijet, leximet, përvojat, për të pasuruar veten që të kesh çfar të thuash vetë ti dhe të mos citosh të tjerët.

Cituesi është një vemje që shkon me shpresën e marrë se po citoi do citohet.

Padurimi për të cituar është shpallje e mungesës së kreativitetit, ngushtësisë së mendjes, pakuptueshmërisë së botës. Citon më shpesh ai që është më i varfër në ide, më bosh në stil, më shterp në fantazi, më i paaftë në improvizim, dhe në përgjithësi më i paturpshëm dhe më budalla.

Le që citojnë, por nuk citojnë çfarë duhet cituar.

Për shembull Konica ka thënë edhe këtë që nuk e citon asnjë citues;

"Shqiptari i afrohet aq tepër zjarrit të dashurisë për Shqipërinë, sa djeg veten".

Ose shprehja e Çajupit; "Po ta zuri rrota bishtin, lere ta këpusi, se pa bisht njeriu jeton, por pa rrotë nuk ka ku shkon". Që as këtë nuk e zë njeri me gojë dhe padrejtësisht është lënë në harresë.

Një shembull tjetër është citati cinik i Nolit të madh që duket si i menduar enkas për cituesin tonë dembel e parazit;

"Nuk është kurrë as herët as vonë për shqiptarin që s'bën asnjë punë".

Ka dhe të tjera citate të lëna në harresë.

Citati monumental i Shekspirit për shembull; "Mos lëviz, aty ku dëshiron të ndodhesh, je !".

"Mjerë ai lider që tregon vazhdimisht të njëjtën përrallë" ka thënë Kisingeri i pavdekshëm për liderët që nuk e ndryshojnë avazin për të mbajtur me gajret miletin.

Ka një thënie madhështore Ahmet Zogu para se të vdiste; "Vrava si gjithë mbretërit ca kokrra që e kishin hak. Ama në vrasje nuk implikova shtetin".

Tolstoi; "Në krye të funeralit ata që do lotojnë më tepër do jenë ata që do të vrasin".

"Të afërmit, miqtë, familiarët, të urrejnë. Të largëtit të duan". As për këtë citat kaq të bukur të filozofit pesimist Shopenhauer s'kujtohet asnjeri.

Nuk mund të lihet pa u cituar Montaneli i madh; "Gjëja më e vlefshme që mund të bëni me gazetat, është të fshini bythën".

Mos cito !

Budallallëku yt, pordhacllëku yt, deliri yt, shpifja jote, intriga jote, janë shumë më të dobishme se sa citimi yt.

Vështirë është të improvizosh. Të citosh është kollaj. Unë, për shembull, citimet e mësipërme i sajova. Pse të mos i sajoja përderisa cituesit i kanë katandisur lexuesit ta besojnë çdo citim.