Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Shpirt Artisti

| E diele, 19.01.2020, 12:33 PM |


Shpirt Artisti

Nga Edison Ypi

-Rënkoj kur flas, qaj kur këndoj, e kam gjoksin zjarr, mëndjen vullkan, kam Shpirt Artisti, më duhet një skulptor.

-Pra e do skulptorin të gdhendi në allçi kuaj me krahë, kuçedra që nxjerrin zjarr nga goja, tigra dhe luanë ëndërrash, shqiponja krahëhapura në fluturim që t'i vendososësh te porta dhe mbi muret e shtëpisë ?

-Jo jo, e dua skulptorin të më gdhendi mua, jo në allçi, në mermer

-Shtatore mermeri për surratin tënd ?!

-Ma gjej skulptorin të ma bëjë shtatoren dhe leri ofendimet. Paret i kam gati. Më ka mbetur skalitësi. Shtatoren e meritoj. Pa shtatore ndjehem i mjerë. Dua të pavdekësohem. Jo kot. Jo se m'u tek. Jo për interesin t'im. Jo për lavdinë e vetes. Për të mirën e Shqipërisë. Kam Shpirt Artisti.

-Nga një shtatore për shqiptarët që kanë Shpirt Artisti, Shqipëria do shndrrohej e tëra në një pyll me më tepër shtatore se shkurre. Megjithatë mos u mërzit. Do ta gjej për ty një skulptor gjenial, një Mikelanxhelo, ta gdhendi shtatoren tënde më madhështore se "I menduari" i Rodenit ta vendosim ku ishte shtatorja e kurvit

Pas ca ditësh, një tjetër,

-Trullosem kur dëgjoj bilbilin. Dridhem si purteka kur bje muzgu. Më dridhet kurmi kur vjen mbrëmja. Fërgëlloj si gjethja kur fryn puhiza. Por nuk di ta shpreh vetë zjarrin që më djeg kraharorin. Atë zjarr dua të m'i ndezë një tjetër. Për të mirën e njerzimit. Që shpirtin t'im prej artisti të mos e mbulojë balta e mediokritetit dhe pluhuri i harresës. Që shpirti im prej artisti të mos humbasi nëpër katakombat e harresës, por të shërbejë brez-pas-brezi si dëshmi e gjenialitetit të sotëm shqiptaresk përfaqësues i denjë i të cilit unë jam, dua një Shekspir, një Balzak, një Kadare, një Dostojevsk, të shkruaj për mua një roman që të mbetet në shekuj.

-Pa merak. Do ta gjej për ty një Shekspir.

Kaluan ca ditë.

-Të duhet një piktor i madh që ta bëjë ty një portret të denjë për tu ekspozuar në muzeumet më të famshëm të botës ? i thashë njërit që po rrinte i menduar në kafene. Çfarë preferon, Leonardo apo Botticelli ? Fol !

-Kur lind dielli bëhem me krahë, kur shoh Hënën zhytem në mendime, me këtë Shpirt Artisti kaq të spikatur që kam, besoj se një Botticell më përshtatet më tepër.

-Botticelli do, Botticelli do ta gjej.

Pas këtij që kërkoi Botticelli, tjetri me Shpirt Artisti ishte njëri që zjente përbrenda.

-Vagner, tha, sa të bëjë.

-Patjetër, i thashë, e rregullojmë, do ta kesh brenda javës. Por a s'më thua, ç'e do aq buçitës ?

-E dua aq të fuqishëm që simfonia që do më kushtohet mua të mos jetë më pak gjëmimtare se shpirti im prej artisti.

-Pa merak. Vagner për ty, Mikelanxhelo, Shekspir, Botticell, për tre të tjerët, janë hall që zgjidhet. Hall që nuk zgjidhet është kush mundet me qeveris kaq shumë shqiptarë me shpirt artisti ?!