E marte, 04.08.2020, 09:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Daut Demaku: Mendimi pozitiv është ardhmëria e njerëzimit

E marte, 14.10.2008, 09:31 PM


Daut Demaku
Intervistoi: Sabir KRASNIQI

 

Dimensionet konkrete të Mendimit pozitiv

 

MENDIMI POZITIV ËSHTË ARDHMËRIA E NJERËZIMIT

(pjesa e parë)

 

Kush është Daut Demaku?

 

Daut Demaku është njeriu që  solli një frymë të re në shoqërinë shqiptare: frymën e mendim të ri botëror, frymën e mendimit pozitiv, frymën e NGRITJES SHPIRTËRORE.  Ky njeri, me mendjen e një urtaku dhe me një shpirt energjik, arriti për një kohë shumë të shkurtër të bëjë revolucion në të menduarit kosovarë duke i thyer mendësitë arkaike dhe zëvendësuar ato me sintezën më të bukur, më domethënës dhe më të dobishme që ka mundur ta kultivoj ndonjëherë mendja e njeriut, me dhuratën më madhore, më kulminante, e siç e quan me shume krenari edhe ai vet, me çelësin e lumturisë njerëzore. Dhe me plot të drejtë, pa kurrfarë droje në  subjektivizëm të tepruar, ky mendimtar, ky ideator e afirmator i kësaj fryme të re në të menduarit tonë, e meriton epitetin: OSHO - shqiptar. 

            Daut Demaku u lind më 13 tetor 1944 në Abri (Drenicë), ku edhe kreu shkollën fillore, ndërsa arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në  Prishtinë. Qysh si student ishte vite me radhë kryeredaktor i gazetës së studentëve të Kosovës “Bota e re”, njëkohësish edhe kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës. Më vonë punoi si gazetar dhe redaktor i Redaksisë së Revistave Kulturore të “Rilindjes”, për të kaluar pastaj si redaktor përgjegjës i Kooperativës Botuese të Librit Bujqësor në Prishtinë. Dhe, së fundi, ishte drejtor i Edicionit të Botimeve të “Rilindjes” deri në vitin 2003.

            Përveç artikujve të shumët, të botuar në sa e sa gazeta e revista shqiptare e të huaja, Daut Demaku deri më tani ka botuar edhe mbi 20 libra në fushat e ndryshme të letërsisë dhe të literaturës inspirative, duke filluar nga vepra e parë “Brigjet e thata”, kur ishte student i vitit të parë, të botuar nga “Jeta e re” më 1967  e deri te libri (që sapo doli nga shtypi) “Tregime shqiptare dhe mendimi pozitiv - 1”.

            Prej kur e njohim ne Daut Demakun?

 E njohim gjatë golgotës kosovare të vitit 1999, ku u dëbuan dhunshëm mbi një milion shqiptarë, Daut Demaku, në bashkëpunim me Shoqatën alternativo-shkencore “UNIVERSI” me qendër në Zvicër, përgatiti projekpropozimin për hapjen urgjente të Qendrës psikoterapeutike të përkohshme në Tiranë, për trajtimin e të traumatizuarve nga lufta.

            Menjëherë pas luftës filloi me botimin e literaturës inspirative dhe në prill të vitit 2000, themelon dhe udhëheq OJQ-në “Qendra e Mendimit Pozitiv” në Prishtinë. Arrin të moderoj një emision (mujor) televiziv në RTK me titull “Mendimi pozitiv”, i cili më vonë bartet në Radio-Kosovë (me të njëjtin emërtim) por tash si emision i përjavshëm e që ndiqej nga dhjetëra-mijëra dëgjues  në mbarë rruzullin tokësor (emetohej edhe përmes internetit). Vazhdon me ligjërata e tubime të panumërta që mbaheshin çdo javë në Prishtinë, por edhe nëpër qendra të ndryshme të Kosovës, ku është aktiv edhe sot e kësaj dite, e që pandërprerë mban kurse të ndryshme për ngritjen shpirtërore dhe është drejtues i “Qendrës së Mendimit Pozitiv” në Prishtinë

 

            Për web faqen www.sa-kra.ch i morëm këtë intervistë:

 

 

            Cilat ishin fillet e kësaj mënyre të re të të menduarit?

 

            Cila ishte shkëndija e parë që aktivizoj energjinë tuaj për t’ju përkushtuar me kaq devotshmëri kësaj fryme të mendimit të ri botëror, frymës së mendimit pozitiv?

 

            Daut Demaku: Ndalë njëherë të marrë frymë, sepse kur e lexova biografinë time – gati sa nisi të më rritet mendja, por ju e dini që unë mendjamdhësinë e kam armik, që dua ta luftojë me të gjitha mjetet – prandaj po marrë frymë thellë, po e uli kokën dhe po përgjigjem në pyetjen tuaj.

            Në fillim ju kërkoj falje, si thonë të mençurit e botës se: nuk kam kohë t’iu përgjigjem SHKURT. Por, ju lus e  sidomos lexuesit e kësaj faqeje, ato konstatime që ju duken pa vlerë -  e keni lejen time t’i hapni dritaret dhe t’i hidhni në kontenier të mbeturinave pa asnjë hezitim. Unë them se: ai që i banë konak të keqes – nesër, e keqja do t’i bëhet pjesë e jetës.

            Në “Kurset për freskimin e dijes” për të cilat kam shkruar detajisht në romanin “Magjia e urtisë” – njërin prej kushteve për pranim e kemi pas dhënien e BETIMIT  - se kurrë nuk do ta themi emrin, adresën e atij institucioni. Kërkesa e Mësuesit tonë për këtë BETIM ishte shumë e arsyeshme dhe bazohej në këtë thënie: dituria është pasuria e parë në jetën njerëzore, e ne, ne që askush asgjë nuk na ka dhuruar falas – askënd të huajnë (ASKËND) NUK E PRANOJMË  në këto kurse – në qoftë se nuk është i gjuhës dhe gjakut tonë. Kjo është arsyeja pse nuk e them xixën e vërtetë, por mbi të gjitha ishte edhe gjakimi im jetësor, dëshira ime kulminante në këtë jetë, që të jem sa më afër njerëzve që për KARTË IDENTITETI  e kanë mençurinë dhe vetëm mençurinë. E ju e dini – hebreitet i kanë dhanë njerëzimit shumë vlera të shkencës, kulturës dhe ekonomisë. Më këtë rast po i përmendi vetëm novelistët. Prej 100 fituesve të shpërblimit më të lartë në botë – NOBELIT - 50% janë me prejardhje hebreite (e ndoshta edhe më shumë) e ata, si komb, nuk janë, në tërë botën, më shumë se dhjetë (10) milionë banorë, kurse 50 % tjetër vie nga gjashtë (6) miliardshi i banorëve të tjerë që i mban kjo planetë. Për arritjet e tyre ekonomike – mos të flasim fare: sot e komandojnë kapitalin amerikan dhe botëror – që është një dëshmi, një diplomë se nuk janë budallenj. Urdhëroni e analizoni dhe, pasi t’i keni analizuar më pyesni lirshëm: a i dua si komb, si histori, si besim fetar, apo i dua për MENÇURINË  e tyre?

            Rrugën për hyrjen time në këto kurse e ka hapur zemërgjerësia shqiptare, kur asnjë hebreit nuk ka pësuar nga thika shqiptare, siç kanë vepruar të tjerët, sidomos fqiu i ynë verior. Prandaj, duke e njohur mirë kombin tim, duke ia njohur vuajtjen e sakrificën, tërë historinë dhe dhimbjet në të gjitha periudhat – unë, Daut Demaku, ose më saktë: thërmia më e vogël e këtij kombi zemërmadh – përulem deri në tokë para çdo qenie të gjuhës e gjakut shqiptar. Dhe, sa të jem gjallë, do t’i shërbejë me devotshmëri, duke bërë përpjekje që ta them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, sidomos për ato që quhen DHIMBJE  dhe  VUAJTJE  të kombit. Ky është qëllim i lartë për mua, për këtë qëllim edhe jetoj… Mos ma merrni ketë deklaratë si patetikë folklorike, ashtu, në stilin tonë, qysh jemi mësuar t’i përbaltim edhe gjërat e shenjta. Nuk dua t’iu bindi ju, Zotin e kam dëshmitar se e them të vërtetën.

            E tash, edhe njëherë:  kah u ndez ajo shkëndijë?

            Për herë të parë po e them publikisht se kjo shkëndijë u ndez në mua – të jem krejtësisht i sinqertë: - në ditët e dëshpërimit më të thellë që mund të përjetojë një shpirt i njeriut. Nuk po e them vuajtjen time, sepse krahasuar me vuajtjet e pësimeve e të tjerëve – vuajtja ime do të duket qesharake dhe e pa pikë vlere, por po them një diçka tjetër: aty dhe vetëm aty e kam kuptuar thelbin e njërës nga të vërtetat e amshueshme se: shkolla e VUAJTJES është shkolla më e mirë në jetën njerëzore. Duke lexuar e studiuar më vonë, i kam parë sikur në film familjet e tejpasura evropiane, që nuk i kanë lejuar fëmijët t’i prekë vuajtje, nuk kanë lejuar as të vishen as të hanë vetë, sepse i kanë pas shërbëtorët e sigurt – të gjitha këto familje kanë prodhuar debila, njerëz të paaftë për jetë. Merrni me mend një fëmijë të këtillë që kurrë nuk i ka veshë vetë rrobat e veta, që kurrë s’i ka mbathë këpucët, madje as që ka ditë qysh lidhen lidhëset e tyre – e tash ky fëmijë të shkojë në komunë për një dokument, d.m.th. për një veprim fare të thjeshtë, a mund ta bëjë? Në përballjen e parë me realitetin tjetër - ai bie përtokë, sepse duke e ruajtur nga vuajtja e kanë ruajtur edhe nga jeta dhe ai ka jetuar në iluzione. E realiteti i vërtetë nuk është përrallë, por gjendje reale që ta thyen kurrizin.

            Prodhues i kësaj xixe, i kësaj shkëndije tek unë ka qenë vuajtja. Kjo është përgjigje e saktë. Karburant i këtij zjarri ishte libri “Sistemi i suksesit” i autorit, poashtu me prejardhje hebreite, Oskar Shelbah, pastaj më ndihmuan shumë letrat e lexuesve shqiptarë që kënaqeshin me këtë libër të dorës së parë të mendimit njerëzor dhe, më vonë, MREKULLIA e fjalës së gjallë të Mësuesve në Kurse dhe, sidomos, ushtrimet praktike, që nuk kanë zgjatë pak, por gati shtatë vjet. Merrni me mend këtë të dhënë: mësimit me DETYRIM i duhen dhjetë (10) vjet për të arritur rezultatet e mësimit ME DASHURI që realizohen brenda një viti. Pra, raporti është një me dhjetë. Kur më pyesin sa vjet i ke shkollë, unë them: shtatëdhjetë. Njerëzit e dinë që unë s’e kam atë moshë e lere më t’i kem 70 vjet shkollë, i hapin sytë e qeshin, e dinë se unë humorin e kam vokacion, kurse unë – unë, qebesa e di saktësisht çka po them. Por, të mos lavdërohem, se vetëlavdërimi e mjeron (e zhvlerëson) burrin. E unë kam pretendime…(opa: gati ja nisa prapë.)

Daut Demaku gjatë ligjërimit në "Qendrën e Mendimit Pozitiv" në Prishtinë

 

 

 Të gjitha në jetën e njeriut varen nga mënyra e të menduarit

 

            Ju jeni ndër të intelektualët e parë dhe të pakët, që patët kurajën të inicionit dhe të afirmonit këtë frymë të re, ose thënë ndryshe, këtë mënyrë të re në të menduarit shqiptar. Ku e keni gjetur mbështetjen për këtë veprim mjaft të guximshëm, që duke pasur parasysh mentalitetin tonë, në një farë mënyre, do të mund ta komprometonit edhe personalitetin tuaj, pra titullin dhe famën?

 

 

            Daut Demaku: Po filloj nga pjesa e fundit, fama. Fama është mashtrimi më i madh i njeriut të gjorë. Fama e njeriut zgjat aq sa zgjat flaka e një fije kashte. Për famën nuk lodhem fare.

            Në jetën time, çkado që kam marrë përdore të punojë, përpara e kam pas një pyetje të rëndë: a është vlerë për të mirën kombëtare? Shikuar nga ky kënd, kur i analizova mirë e mirë të gjitha këshillat që dalin nga literature amerikane, ktheva shikimin edhe në rrafshin e mendimit shqiptar. Për habinë time, këto dy gjëra, takoheshin në një maje të përbashkët dhe formësonin një tërësi unike për të cilën jo që ia vlente të punosh, por për të ia vlente edhe të jetosh.

            Po ta merrni, për shembull, librin tim që sapo doli nga shtypi “Tregimet shqiptare dhe mendimi pozitiv- 1” do ta vëreni vërtet një mrekulli: sa bukur korrespondon mendimi i traditës shqiptare me majat e dijes botërore. Kjo është mahnitëse. Do të gjeni tregime shqiptare, që janë majat e dijes njerëzore që populli ynë i ka bartur nëpër gjenerata me gojëdhëna dhe, kur të lexohet me vëmendje edhe komentimi që i shoqëron dhe i krahason me dijen kulminante botërore, sidomos të literaturës amerikane – do të shihni se shqiptarët e kanë SHPIRTIN  e pastër si bora në majat e larta, por edhe mendjen e kthjelltë, si ujë i  lumit malor. Kjo bindje më dha fuqi dhe siguri dhe unë këtë punë nuk e kam shndërruar në profesion, por në mision. Mua më ra hise ta nisi këtë punë (gjithmonë dikush duhet të jetë i pari) dhe jam falënderues që ndodhi kështu… Tash kemi botuar aq shumë tituj të literaturës së mendimit pozitiv, sa thjesht – nesër mund ta shkel Dautin autobusi – por kjo mënyrë e të menduarit nuk do të zhduket KURRË më nga trojet tona.

            Natyrisht asnjë punë në jetë nuk është pa rrezik. Sa më i madh të jetë rreziku – aq më i lartë do të jetë suksesi. Synimi ynë ka qenë që vetëm 2% e popullatës shqiptare ta pranojë këtë mënyrë të të menduarit (kjo është pika e masës kritike) dhe kjo është arritur për dy-tri vjet. Në fillim, në ligjëratat e mia fillonim me  më të thjeshtën: më mirë është të mendosh mirë se të mendosh keq. Më vonë kemi filluar me Ligjet kryesore që e ndërtojnë jetën njerëzore, si, p.sh. të gjitha ligjet e jetës janë për të mirën e njeriut. Të kesh shëndet të përkryer, të kesh sukses, të kesh begati sa të duash, të kesh lumturi të plotë – këto janë të drejtat themelore të njeriut, sepse: secili njeri, me lindjen e tij e fiton të drejtën që të jetojë në mënyrën që e kënaqë. Pra këto janë gjendjet normale të jetës, kurse gjendjet abnoramle janë: joshëndeti, varfëria, dështimet, fatkeqësia dhe mjerimi. Dhe merreni me mend: TË GJITHA KËTO GJENDJE VAREN NGA MËNYRA E TË MENDUARIT.

            Nuk po vazhdojë më gjatë me konstatimet e mrekullueshme që ia sjellin lumturinë njeriut, por po i përmbahem pyetjes suaj.

            Kjo mënyrë e të menduarit e ndihmon jetën e njeriut për SOT, për KËTU e për TASH. Studentët dhe mërgimtarët tonë – ishin të parët që na dhanë mbështetje dhe falë tyre – ne mbijetuam deri më sot – pa ASNJË DONACION as nga të huajt e as nga vendorët.

            Më pyeti njëherë një mik: si po të shkojnë punët? I thashë: shumë më mirë se që e meritojmë. Të nesërmen ma kishte dërguar një letër ku shkruante: Në këtë libër të shenjtë, faqe kaq, thuhet: “Zoti ua shumëzon sukseset atyre që bëjnë përpjekje për të bërë punë të mira, atyre që bëjnë punë të këqija as nuk ua zvogëlon as nuk ua shumëzon, por i dënon pikërisht për aq sa mëkatojnë, prandaj ju i keni punët më mirë se që e meritoni.” Ishte letër-mrekulli.

            Për tri vjet rresht sa e kam ligjëruar në fakultet lëndën: “Arti i mendimit pozitiv”, studentët më binin në qafë: pse kaq shumë e thekson kombëtaren, kur kjo literaturë e ka për bazë individin, madje secilin individ në planetin tokë? Asokohe pat filluar të përhapet bindja se është (edhe) turp ta theksosh kombëtaren. Këtu do të ndalem pak më shumë…

            Në qoftë se do të jesh dikushi në jetën lineare, pra në jetën horizontale apo tokësore, atëherë, PATJETËR duhet të mbështetesh në vlerën e parë të gjinisë njerëzore që quhet: komb, atdhe…

            E kam përsëritur shpesh tregimin e mjekut me famë botërore, Hipokratit të pavdekshëm. Në kohën kur Hipokrati e shpalli BETIMIN e famshëm ku thuhej se mjeku duhet ta ndihmojë pacientin që ka dhembje – qoftë të jetë mik apo armik… Pikërisht në këtë kohë Persia hyri në luftë me Greqinë. Mbreti i Persisë, kur e lexon Betimin e Hipokratit – ia shkruan një letër dhe i thotë: “Zotëri Hipokrat, ti ke thënë se mjeku duhet ta ndihmojë pacientin, që ka dhimbje, pa marrë parasysh a është mik apo armik… Ushtarët e mi të plagosur kanë dhimbje… Eja…” Hipokrati përgjigjet: “Po lartmadhëri, unë kam thënë atë që e thoni ju, por keni harruar diçka: unë para se të jem mjek – njëherë jam GREK.”

            Nuk e di që mund të këtë gëzim, lumturi apo jetë njerëzore me vlerë – në qoftë se brenda asaj jete nuk gjendet zemra dhe shpirti i kombit. Prandaj mua më dha fuqi përcaktimi im: njëherë kombi, pastaj të tjerat. Sepse kombi ynë e ka kryer shkollën e dhimbshme të vuajtjes. Unë ia di historinë, ia di dhimbjen, ia di e ia njoh fuqinë. Në të gjitha anët kufizohemi me urrejtje të fqinjëve, sepse ata e dinë dhe e njohin fuqinë tonë, por (O, Zot!...) na  vetë nuk i besojmë fuqisë tonë shpirtërore. E tash unë e kam një pyetje për ju: a ju ka ndodhë ndonjëherë ta urreni apo ta xhelozoni – QYQANIN? Kurrë. Ndaj mjerakut njerëzit ndjejnë dhembje e mëshirë, kurse ai që është më i mençur, më i zoti, më i fuqishëm se ti – eh, ndaj tij krijohet urrejtja e xhelozia deri në fobinë për ta zhdukur nga faqja e dheut – sepse ËSHTË MË I MIRË SE TI.

            Pra, edhe kjo ishte një ndihmesë e madhe, sepse njerëzit më të mirë që i ka Kosova e që vinin me shumë dashuri në Qendër, më në fund e kuptuan se në rrafshim kombëtar po ndodhë diçka e bukur…U binden se mileniumi i tretë është i shqiptarëve, se të gjithë do të kthehen në vendet e tyre, madje edhe ata që u dynden nga Karpatet – në një të afërme do të nisen rrugës së kthimit, për atje ku e kanë tokën e tyre.

           

 

Ndihmesat e pengesat

 

            Është për keqardhje, se institucionalisht (as nga “Qeveria e Shqipërisë” e as nga “Qeveria” jonë në ekzil), nuk jeni përkrahur në kohën e luftës, kur dolët me projektpropozimin për hapjen e një Qendre psikoterapeutike në Tiranë, por as pas saj (luftës), kur vërtet masa e traumatizuar nga pasojat e dhunës kishte nevojë për një trajtim të tillë. Ishte kjo injorancë, naivitet, diletantizëm etj. apo  thjeshtë mungesë e dëshirës së pushtetarëve, kur dihet se çfarë  pasojash të rrezikshme mund të sjell sindromi posttraumatik?

 

            Daut Demaku: Të gjitha që thoni ju – ishin të pranishme. Nuk gjetëm përkrahje dhe si zogj me krahë të thyer – ulem kokën. Shkrimtarët e vërtetë janë si nënat. Ku të ndien dhimbje fëmija – ndien dhimbje edhe nëna. E dhimbja kombëtare ishte tepër e acartë. Ju kujtohet mirë kur e bisedonim sindromin e luftës në Vietnam. Një Amerikë që i ka të gjitha themelatat dhe kushtet për rehabilitim, edhe sot, pas sa vjetësh – po i ndien pasojat postraumatike të asaj lufte.

            Shihni sot pasojat postraumatike të luftës së fundit. Në doktoraturën e një mikut tim, që ka pas për temë VETËVRASJET, kur e kam lexuar atëherë thuhej: shqiptarët zënë vendin e fundit me përqindje të vetëvrasjeve. Çka ndodhi pas luftës? Në Kosovë kanë ndodhur aq shumë vetëvrasje sa tash, sigurisht radhitemi në krye të tabelës klasifikuese. Duhet ta dimë të gjithë se kur NJË pjesëtar i kombit tonë vetëvritet – me vdekjen e tij – vdes edhe nga diçka e jona, e të gjithë ne të tjerëve.

            Pushtetarëve as atëherë, as sot, kjo gjendje nuk ua prishë gjumin. Pse? Sepse të qenit në politikë i ka katër dimensione:

            E para: dëshira për pushtet;

            E dyta: dëshira për t’u dukur;

            E treta: dëshira për mirëqenie personale, dhe;

            E katërta: çështja kombëtare.

            Kjo e fundit është gjithmonë farsë, sa për t’i fituar votat. Pushtetari që ndërton karrierë mbi këto katër dimensione, ai nuk ndërton karrierë politike, por ndërton SHËMTINË. Kur këto dimensione rrotullohen dhe e fundit del e para e të tjerat radhiten pas saj, atëherë pushtetari në politikë ndërton  SHËNJTËRINË. Nga historia e njerëzimit e dimë se pushtetarët që kanë vepruar sipas kësaj të dytës – populli i ka shpallë të shenjtë e disa prej tyre janë ngritur në rrafshin e profetit. Ndiej dhimbje për pushtetarët që përpiqen të hanë çka hahet e çka nuk hahet e nuk e kthejnë polin tjetër që thotë: do të jetojmë mirë për veten tonë vetëm në qoftë se jetojmë me gjithë zemër – për të tjerët. Po të ndodhë kjo ndonjëherë, jam thellësisht i bindur se shqiptarët brenda një kohe të shkurtë do të bëhen POPULL ME PRESTIGJ dhe i respektuar në botën demokratike. Nuk e di kur do të ndodhë kjo, por e di se këtë ua kemi borxh fëmijëve tonë dhe fëmijëve të fëmijëve tonë.

            Vazhdon...

 

            Në vazhdimin tjetër (pjesa e dytë) do të lexoni:

 

            -kur të do Zoti - të do edhe populli;

            -për dyshimet fillestari nën sloganin ”ËSHTË TEPËR E BUKUR PËR TË QENË E VËRTETË”;

            -rreth përpjekjeve për  ngritjes shpirtërore e edukim kombëtar;

            -për amanetin e të madhit Anton Çetta, që e bënë publikë për herë të parë;

            -për Mendimin pozitiv si ardhmëria e njerëzimit etj.

 

 

            P. S.

            Daut Demaku – “Qendra e Mendimit Pozitiv”

            Perball hotelit Grand – Prishtinë,

            rruga Nena Terezë nr. 41/25

            dautdemaku@yahoo.com

            mendimipozitiv@yahoo.com

            www.mendimipozitiv.org

            tel:  038 225 800

                   044 679 009

                   049 438 544



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora