E hene, 10.08.2020, 12:02 PM (GMT+1)

Sporti » Sporti

Albert Zholi: Flet Mjeshtri i Sportit, ish-rekordmeni atletikës Ali Murrizi

E shtune, 18.01.2020, 11:11 AM


Flet “Mjeshtri i Sportit”, ish-rekordmeni atletikës Ali Murrizi (Kali): E lashë atletikën pasi nuk po fitoja gjë as financiarisht, as shpirtërisht dhe pse arrija rezultate

-Si kam pritur Kadri Roshin, Dritëro Agollin, Panajot Panon, Ali Kastratin por veçoj Luftar Pajën

- Për ekipin e atletikës “Divjaka Ekspres” kanë shkruar dhe gazetat amerikane

-Vajzat e Divjakës morën fitore në 12 shtete, por trajtoheshin shumë keq

- Shteti asnjëherë nuk ka menduar për atletikën, rekordmenet hanin makarona

-Jashtë habiteshin me ne, kurse në Shqipëri nuk kishim kushtet elementare

Nga Albert Z. ZHOLI

Edhe pse mbiemrin e ka Murrizi, kudo në Shqipëri dhe më gjerë ai njihet me mbiemrin Kali. Një emër i madh në atletikën shqiptare. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Hajdaraj të Kavajës, të mesmen në Lushnje për veterinari dhe të lartën (Instituti i Fizkulturës) në Tiranë. Ka punuar si mësues dhe drejtues në shkollën e Sulzotaj. Është i martuar me Mimozën (që ka dhënë mësim në Sulzotaj gjithashtu) dhe kanë tre fëmijë, Alfonsin, Jurgenin dhe Brajan. Rrestoranti “Ali Kali” mbetet një ndër vendet më argëtuese e më të veçantë për pushuesit që qëndrojnë në Divjakë ose ata ditorë. Atmosfera në ambientet e këtij lokali, nuk është si tek lokalet e tjerë. Absolutisht jo! Fëmijë, adoleshentë dhe të rritur përveç ushqimit të freskët, gjejnë dhe argëtimin që iu ofron i zoti i shtëpisë. Ai nuk iu shërben vetëm me kalin e tij të bardhë, por me mikun e tij besnik nis edhe argëtimet për të gjithë klientët pasi Aliu është shumë i pasionuar pas hipizmit. Ali Kali, ish rekordmeni i atletikës bënë spektakël me kuajt aq sa të shtang dhe nuk largohesh për minuta të tëra duke e parë. Ai kalëron, shërben si dhe kryen numra të ndryshëm cirku. Por megjithatë ai sërishmi shpirtin e ka tek atletika....

Kur ishit në kulmet e sukseseve, papritur e latë sportin e bukur të vrapimit, pse?!

E vërtetë. Ishte një kohë që atletika shqiptare në femra po arrinte rezultate të larta. Po bënim emër në Ballkan dhe Evropë. Por ja erdhi një moment që u dorëzova. Dëshira përballë realitetit thuhet. E lashë pasi ju dhashë shumë-shumë këtij sporti kaq të bukur dhe nuk po fitoja gjë as financiarisht as shpirtërisht dhe pse arrija rezultate. Në vitin 1999 bëra shkëputjen përfundimtare kur me vajzat e mia isha në kulmin e suksesit. I dhashë shpirtin dhe pasurinë atletikës. I dhashë gjithçka timen më të bukur. Isha idealist, por pashë që shteti nuk interesohej fare-fare. Pra Unë si trajner kisha një rrogë simbolike dhe një mbështetje të pallogaritshme, kur në atë kohë ne ishin ndër më të mirët në Ballkan. Sportistet nuk inkurajoheshin, nuk vlerësoheshin maksimalisht kur në botë sportistet që kanë rezultate kanë trajtim special. Edhe ushqimi vlente për të dëshiruar. Atëherë çfarë të bëja? Kisha luftuar dhe punuar shumë dhe kisha lënë familjen time pa atë që meritonte. I thirra mendjes. Ishte koha ti shërbeja familjes. U ktheva në vendlindje dhe hapa këtë lokal që shihni ju. Sporti kishte bërë që familja të kishte kaluar në radhë të dytë. Isha verbuar pas atletikës.

-Kur e ke filluar për herë të parë atletikën? Në çfarë vrapimesh dhe kush të zgjodhi për të filluar këtë sport?

Më 21 shkurt të vitit 1981 në krosin kombëtar. Aktiviteti im i parë ka qenë krosi kombëtar, seleksionimin e bëri Viktor Gjermeni në Lushnjë pastaj kalova në ekipin dhe klubin e Leshnjes “Traktori”.

-Në atë konkurrim çfarë vendi zure?

-Zura vend të parë. Dhe konkurrentët ishin në shkallë Republike. Ai ishte kros masiv në rang Republike në Sarandë. Distanca 10 km. Pastaj më mori direkt klubi i Lushnjes si element dhe për 3-4 vite përfaqësova ekipin e Lushnjes dhe pastaj kam shumë histori...

-Pra 3-4 vite me Lushnjen me çfarë garash konkurroje?

Në distancat 3000 dhe 5000 m , dhe arrita rezultatin nën kampion dhe kampion për garat e mia në Shqipëri dhe pastaj mu dha mundësia që të vazhdoj Institutin e fizkulturës në 1997-98. Pastaj kalova një periudhë me “Partizanin” dhe “Studentin” dhe më vonë me ekipin kombëtar.

-Po me “Partizanin” në çfarë disiplinash konkurrove?

Po në garën time 3000-5000. Dhe vazhdova të isha nënkampion dhe kampion Shqipërie në vitet 88-89 deri në 90, pastaj kalova me klubin “Studenti” dhe pastaj krijova ekipin vetë. Krijova ekipin tim “Divjaka Ekspres”. U ktheva përsëri në Divjakë.

-Kur ke shkuar për herë të parë jashtë shtetit?

Ka qenë viti 1994, nuk më jepej mundësia më përpara pasi ishim me biografi të keqe (qesh) . Një periudhë punova dhe vrapova shumë derisa arrita që të marr Institutin e Fizkulturës sepse kisha dy faktorë negative, shtatlartësia që isha 1 e 65 dhe kriteret e Institutit ishin që duhej të isha mbi 1 e 65 I gjatë ose duhet të ishe kandidat mjeshtër . Në këtë periudhë u shpalla kampion dhe mora titullin “Kandidat mjeshtër në garat me kuaj” dhe në atletikë dhe pastaj mu dha e drejta që mund të vazhdoja Institutin e Fizkulturës që desh u përjashtova nga shtatlartësia. Kjo ishte në vitin 1998.

Kur u ktheve në Divjakë?

Jam kthyer në vitin 1993-1994 dhe pastaj krijova “Divjaka Ekspres”. Krijova grup atletike me grupmoshat nga 10-14 vjeçarë meshkuj dhe femra, por kryesisht dominova tek femrat. Rezultat qenë mbresëlënëse sepse sfidova ekipin kombëtar të Shqipërisë në 800-1000-1500-3000-10000-20 km.

-Kush kanë qenë këto femra që kanë garuar me kaq sukses?

Luisida Shejmoni u fut në 3000 që vendosi rekorde Evropian në Greqi në 11:04 për 12 vjeçarët që ishte një kohë e paarritshme edhe për moshat 18-19-22 vjeçare. Migena Gorrea në 800-1500. Migena përveçse ishte bërë jehonë ballkanike por edhe në Rusi arriti rezultate mbresëlënëse që u fut edhe e pesta në Botë ndërmjet 85 shteteve në Moskë. Margarita Prifti ishte konkurruese 10-15-20 km që ishte krah për krah me Manushaqe Takun. Kjo ishte e Kombëtares por kryesisht përfaqësonte Dinamon me specialist Hajri Alian. Kjo aksidentalisht ndërroi jetë në Greqi mbas përfundimit të aktivitetit dhe Margarita automatikisht kaloi sfidantë nr. 1 për Shqipërinë dhe shumë vajza të tjera.

-Sa vite vazhdove me këto vajza të talentuara?

Për katër, pesë vite kam administruar ekipin kombëtar të Shqipërisë me këto vajza, bëhet fjalë në vitet ’95-99 deri më 1 korrik të vitit 1999.

-Në sa shtete shkove jashtë?

Në periudhën me vajzat e Divjakës duke bërë seleksionimin kryesor arrita të shkoj të paktën deri në 12 shtete. Ne në çdo dy muaj kishim aktivitet zyrtar jashtë. Vajzat që kanë qenë cilësore kanë qenë 7, ndërsa në total kanë qenë 12 femra.

-Në cilin ambient i stërvitje atletet?

Kishim mbështetje nga Durrësi dhe nga Kavaja. Në ambientet e tyre sportive,

-A kishit mbështetje nga shteti?

Nga shteti kam pasur edhe përkrahje, nuk ka qenë përkrahje financiare por përkrahje morale po. Vajzat merrnin shpërblime dhe çdo gjë mbulohej me anë të shpërblimeve. Dietat ishin të mira por nuk përfitonin dot paga sepse ishin nën moshë.

-Përse u larguat pastaj nga trajneri kombëtar?

E pashë të arsyeshme jo për çështje të sportistëve se ata nuk i braktisa unë, por ishte mospërkrahja financiare nga shteti. Ishte një përkrahje e njëanshme. Psh, skandali që ndodhi në Korçë ku Migena Gorreja përfaqësonte shtetin jashtë kishte një dietë prej 5 dollarësh dhe i takonte që të hante vetëm makarona dhe djathë, kurse dy tre vajza të tjera po të ekipit kombëtar kishin dallim ushqimi shumë më të mirë dhe pse nuk kishin rezultatet e saj. Të 7 vajzat e ekipit tim kanë qenë yje. Po të kishte më përkushtim shteti deri në nivelin e duhur, mendoj se mund të ishin garuese edhe sot dhe do kishim marrë shumë medalje.

-Me largimin tuaj u larguan edhe këto vajza?

Po, sigurisht, u shkri ekipi.

-Si i arrite këto rezultate dhe a mund të organizohet një grup i tillë sot??

-Jo, vetëm se ndjej kënaqësinë shpirtërore se këto vajza kanë vazhduar një stërvitje origjinale ruse, sepse rusët njihen për një përgatitje të fortë fizike pavarësisht pastaj u kopjuan nga amerikanët. Vajzat e Divjakës kanë punuar për 6-7 vite pa ndërprerje. Ne ishim futur kësaj pune dhe donim rezultate. Mos arritja e rezultatit ne kishim shumë batuta edhe në qytet. Doja të thyeja mentalitetin e të gjithë njerëzve që më rrethonin që këto vajza të bëheshin jehonë botërore dhe realisht u bënë. Por ndjej kënaqësinë shpirtërore se të shtata vajzat mbaruan fakultetet, ato përveçse ishin sportiste cilësore por ishin edhe të një niveli të lartë arsimor. Këto nuk humbën gjë nga sporti por përfituan edhe sportin edhe shkollën. Ata vazhduan për juridik, mjekësi, institutin, ekonomik etj. Të gjitha vajzat përfituan nga sporti por njëkohësisht ishin me zhvillim kulturor shumë të lartë. Do më ngelej peng nëse nuk do vazhdonin shkollat e larta pasi do mendonin se ngelen pa arsim nga sporti.

-A keni nostalgji tani?

Pavarësisht se para disa ditësh mua Federata e atletikës më dekoroi me titullin e lartë të “Mjeshtrit të Sportit” por gjatë kohës që ato komunikojnë mua më rrëqethin mishtë për arsyen se ky qytet por edhe breznia e dytë larg Tiranës ka mundësi që mund të nxjerri elemente të nivelit të kalibrit qoftë ballkanik, evropian por edhe botërorë, por duhet përkrahje.

-Këtë titull e more pas sa vitesh?

Mbas 30 vjetësh, ku kisha heshtje për 30 vjet nga shteti shqiptar dhe Federata Shqiptare e Atletikës. Gjatë kësaj kohe kam pasur oferta nga Greqia ose nga shtetet të tjera që më kanë njohur si element si specialist dhe kurrë nuk kam shkuar. Nuk kam pranuar sepse deri dje unë qaja për himnin kombëtar dhe sot duhet të shkoj të drejtoj një himn të një shteti tjetër nuk është në kulturën time.

Kush ka shkruar për arritjet tuaja jashtë shtetit?

Personat që arritën që të bënin jehonë këtij ekipi dhe vetë emrit që mori “Divjaka ekspres” shkruanin edhe gazetat amerikane në atë periudhe, sepse ato shikonin edhe rezultatet e Evropës dhe të Ballkanit në atë periudhë. Gjatë kësaj kohe shkruanin edhe gazetat e huaja për një ekip që normalisht i dha jehonë edhe qytetit për të njohur se kush ishin dhe nga vinin këto vajza por edhe specialistët e Shqipërisë që normalisht i vlerësuan me një nivel shumë të lartë qoftë profesor doktor Albert Karriqi dhe Leonidha Toskën që i kisha konsulentë që më jepnin gjithmonë ngrohtësinë dhe më korrigjonin në moment të caktuara në drejtim të vajzave. Qëllimi i tyre ishte që këto të avanconin dhe mos të digjeshin si sportistë se ka momente që të gjithë programet stërvitore nuk detajohen në mënyrë të atillë sportistja të vazhdojë sa më gjatë. Kisha edhe një ngrohtësi dhe një përkrahje të madhe. Por, gjatë gjithë periudhës unë nuk flisja fare qoftë me asamblenë dhe rrija shumë pasiv në dialog me të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë vetëm e folura ime ishte pista. Kush del në pistë dhe më sfidon do të thotë se ai është më i mirë nga unë. Për 6 vite nuk doli njeri që të sfidonte “Divjaka Ekspres” dhe gjithmonë ne në qytet ktheheshim me rezultate super pozitive por edhe me krenari shpirtërore.

-Po rekordet tuaja janë thyer ndonjëherë?

Nuk mund të flas dot për rekordet, sepse ajo periudhë mund të ketë pasur edhe stimulime për të pasur impulse apo shtysa ndaj njërit apo tjetrit dhe ndoshta rekordet mund të kenë qenë edhe fallco në disa disiplina. Kjo për arsye se debatet më të mëdha që bënim ne në Federatë vinin edhe nga mëritë që kishim ne si specialist ku nëse do të futej sot në garë një atlete e nivelit kalibër, duhet të futej një kundërshtar tjetër që kjo mund të arrinte rezultate super pozitive dhe rekorde. Ishte stimulim artificial pasi kur dilnin jashtë shtetit ktheheshin të gjithë ose me tërheqje muskulore ose me këputje tendinash. Për të zbutur ambiciet dhe zënkat u detyrova që ti tërheq nga gara disa nga vajzat e këtij qyteti për ti futur në gara të tjera që nuk kishte kundërshtar. Vajzat në Tiranë që pretendonin për të thyer rekordin nuk futeshin me vajzat e Divjakës në garë, por do futeshin me ato atlete që të mos ti sillnin shumë probleme kampiones apo rekordmenes që dëshironin. Më vjen keq vetëm në drejtim të Migenës sepse ajo arriti deri në atë stad për të marrë bursën e amerikane (megjithëse ajo në atë periudhë nuk kishte mbushur moshën), dhe po të kishte pasur më shumë kujdes federata por njëkohësisht edhe specialistët që na mbulonin ajo mund të ishte yll sot. Ishte edhe mentaliteti, se si vajzë fshati nuk kishte vendin që i takon. Ne kur u futëm në garim atëherë kur Divjaka ishte fshat dhe ka marrë emrin qytet në vitin 1996 me 8 mijë banorë.

Filluat aktivitet privat. Kush e ka frekuentuar nga artistët, shkrimtarët, poetët lokalin tuaj?

Janë të shumtë njerëzit e shquar, ikona të sportit dhe artit që kanë frekuentuar dhe frekuentojnë odën-pyll këtu në Golem. Po të shumtë. Kam shumë miq këngëtarë, aktorë, profesorë, shkrimtarë gazetarë. Së pari Luftar Paja. Këtë e kam timin. Pastaj me radhë kanë qenë Kadri Roshi, Dritëro Agolli, Panajot Pano, Ali Kastrati, apo Ahmet Golemi, Kreshnik Tartari, Pavlina Evro, I boksierët Qato dhe Keta, Irini Qirjako, Hysni Zela, Petrit. Lulo, Ylli Baka, etj. Po ashtu kanë drekuar në këtë odë edhe qeveritarë e deputetë, diplomatë të huaj e turistë nga Italia, SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda etj.

-Ju keni një libër (në fakt të vjetër disa) përshtypjesh, sa veta kanë lënë përshtypjet e tyre në këto libra?\

Ah! (qesh). Janë shumë thuajse kanë arritur 82 mijë. Ta besosh. Ky libër, për nga numri i firmëtarëve, shpërndarja gjeografike e tyre dhe individualiteti i mendimeve të shprehura aty, është një enciklopedi më vete. Në sa e sa raste, kur Aliu shkon pranë tavolinave për të bërë llogarinë e shpenzimeve, është parë e dëgjuar të shprehet: “Ai fëmijë atje, kjo e moshuar, ky djaloshi këtu (për një të sëmurë), filani (emri i një sportisti…), ju që jeni i njohuri i mikut tim – dhe ndonjëherë – e gjithë kjo tavolinë, më nderuat me praninë tuaj, këtu në odën time, prandaj është në nderin tim që këtë drekë t’ua ofroj unë. Ndaj jush jam borxhli. Faleminderit që erdhët”!

Hipizmi dhe Aliu

Duke pasur pasion kalërimin, në vitin 1992, Aliu i nxitur edhe nga A. Ohri, Q. Biba dhe A.Ruçi, formoi Shoqatën e Hipizmit me anëtarë Myslim Murrizi, Miço Prifti, Mimoza Murrizi, Sokrat Labi etj. Të gjithë kanë marrë pjesë në gara lokale dhe kombëtare, kurse Aliu është shpallur edhe kampion kombëtar. Aktivitetet e kalërimit zhvilloheshin në livadhin në mbarim të pyllit, fare pranë detit. Për t’i ardhur në ndihmë kësaj shoqate, Aliu ngriti pranë pistës së hipizmit një lokal të vogël ku mblidheshin të apasionuarit e garave me kuaj, para dhe pas stërvitjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora