E marte, 19.03.2024, 10:28 AM (GMT)

Kulturë

Nikollë Loka: Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj

E premte, 17.01.2020, 08:37 PM


Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj

Nga Nikollë Loka

Të jesh këngëtare, t’i besosh fuqisë magjikë të tingujve dhe pastaj të kapërcesh në botën e fjalëve, do të thotë ta dyfishosh veten dhe ta perceptosh dyfish misterin e krijimit. Në fakt këngëtarër jetojnë si poetë meemcë dhe vetëm pak prej tyre mundet ta bëjnë vargun të flasë. Bota poetike e çdo artisti është interesante, notat e poezive të një femre të bukur dhe artiste janë të magjishme.

Muzika në të gjitha shekujt ka prodhuar idhuj, sa në Lashtësi besohej se është njëra ndër pjesët përbërëse të shpirtit të njeriut. Te grekët, nocioni “muzikë” kishte kuptim më të gjerë, deri aty sa dijetari erudite, Platoni do të çudiste shekujt me shprehjen: “Sa më e mirë të jetë muzika në shtet, aq  më i mirë do të jetë shteti”. E kjo shprehje gjen konkretësinë e vet, diku këtu afër. Kujtojmë Austrinë qiellore që jeton përmes magjisë së tingujve.

Marrëdhëniet e para të muzikës me letërsinë kanë qenë të ndërsjellta, sa u shndëruan në forma alternative komunikimi, por Aristoteli i jepte vendin e parë muzikës, duke e quajtur si “më fisnikja e shkencave të qytetëruara”. Për të ecur nëpër kohë me mendimin e gjenive, një i madh tjetër, Flobér do të thoshte se “në letërsi ka muzikë”, ndërsa Markez kishte pohuar njëherë se “një studiues i veprës së tij, ndoshta krejt rastësisht, kishte arritur të shquante në strukturën e romanit “Njëqind vjet vetmi” të njëjtën strukturë me poemën simfonike  “Kossuth” të Bartòkut, të cilën, siç thotë ai “i dëgjonte pa pushim gjatë kohës kur po shkruante romanin”.

Në shqip, muzikën dhe poezinë i kemi lënë afër, nganjëherë bashkuar në një te rapsodët apo kantautorët, ne kemi rapsodi, balada, elegji dhe nuk e dijmë saktë ku përfundon poeti dhe nis këngëtari. Teksa mendoj për lidhjet poezi-muzikë, më bie ndërmend se muzikantët kanë preferuar t’i quajnë veprat e tyre me emërtime të huajtura prej letërsisë dhe arteve të tjera të fjalës: rapsodi, balada, elegji.  Ekziston një nënlloj i poezisë dhe një nënlloj i muzikës, pagëzuar me terma që gjuhësisht vijnë nga e njëjta rrënjë, nga i njëjti burim etimologjik: sonatë dhe sonnet.

Nën pushtetin e magjishëm të një muzike prej tingujsh që flasin, gjendemi teksa lexojmë librin “Ajo” të këngëtares-poete Mirsadë Krasniqi, që siç shkruan vetë, është nisur para pesëmbëdhjetë vitesh, pasi, ashtu siç shprehej Alda Merini, “poezia është ajo që ndien, ajo të futet nën lëkurën tënde dhe të trazon indet më të fjetura, ato që ti i ke lënë aty për vite të tëra, pa i prekur”…

Mirsada vjen me një vëllim poetik të bukur që t'i sjell të gjitha gjendjet shpirtërore, të gjitha ngjyrat, për të shprehur pjesën tjetër të vetvetes...” Ajo”...,nuk është thjeshtë titull libri, por edhe një dimension i ri ku në fjalë ka tinguj dhe anasjelltas.

Poezia është krijim shpirtëror, ndaj edhe jeta e shpalosur në poezi- për mua- është forma më e bukur e rrëfimeve intime për thellësitë e jetës- për ato ndjesi që burojnë nëpër vena, por që rrallë artikulohen në ligjërimin publik. Në këtë libër trajtohet tema e madhe e ekzistencës njerëzore, uni në dimensionin real dhe surreal të autores.  Autorja kalon shumë kohë duke pritur, në shumë mënyra pritjesh, e vëmendshme ndaj asaj që pret, e pasigurtë brenda pritjes së saj.

Poezia, ka tagër të jetë jeta e rrëfyer përditë, me të gjitha karakteristikat e saj, por me një ligjërim superior dhe me gjuhë të kultivuar. Mjeshtëria e vargut, ritmi, muzikaliteti, ligjërimi poetik, apo nënteksti përbëjnë, të ndërthurura në një realitet kompleks, magjinë e krijimit.

Mënyrat e leximit të një poezie janë të pafundme. Poezia është, më së shumti, gjuhë, të paktën, ana e dukshme e saj, ana e prekshme, ajo që stampohet në letër dhe lexohet është vetëm gjuhë. Poezia, si shprehje artistike e të bukurës, nuk mund të lindë  pa atë proces të pavetëdijshëm të shpirtit, i cili njihet në fjalorin tonë si “intuitë”, apo " frymëzim ". Artistët e krijojnë të bukurën si shfaqje dhe si thelb, në një marrëdhënie harmonike. E bukura te artistët është një kompleks pamjesh dhe një mister. Me poezinë, bukuria shprehet me fjalë, metafora, simbole dhe me teknika të mrekullueshme poetike, të cilat nuk gjenden në të folurën e përditshme. Arti më së shumti është shprehje e mendimeve që qëndrojnë thellë në mendje, apo lart mbi krye; shprehje e emocioneve, perceptimeve dhe dëshirave të shprehura bukur. Është bukuria e formës dhe e thelbit,si forma më e lartë e shprehjes.

Arti përmes fjalës shemb barriera, shtron ura, hap porta të mbyllura, krijon horizonte, përmbys kohë. Realiteti artistik na mahnit me mekanizmat e tij të shprehjeve artistike që depërtojnë natyrshëm në çdo mjedis ku s’shkilet, veç shkohet me frymëzim prej artisti, duke mbetur bashkudhëtar me artin e krijimit, shoqëruar me një ndjenjë dlirësie, frike, ankthi, shprese, çudie dhe  adhurimi. Të gjitha përjetimet e poetes artiste burojnë nga arti dhe format e bukurisë shfaqen si struktura arti, si pjesëza përjetimesh. Bukuria nuk shihet as nuk preket, vetëm se përjetohet përtej perceptimeve të së zakonshmes, në një kohë ndryshe,  frymëzuese, parashikuese e të dobishme dhe, nganjëherë që të jep dhimbje e bëhet rrugë loti e bredh pa hije,  që i mungon natyrshëria dhe hija e vet. Prandaj poetja nuk dëshiron të jetë trofe fitorje në sirtarin me dry, as mëngjes i freskët i një vere të thatë. E që të mos bëhet gëzof dashurie që dikush të ngrohë shpirtin e akullt, i flet unit poetik “Mos e robëro ëndrrën”! Vetëm një shpirt prej artistje mendon edhe për ëndrra të lira dhe e çon dimensionin e lirisë në horizonte aq të paarritshëm. Pasi liria ia zbulon shpirtin e fshehtë të lumturisë edhe kur është e dehur në mungesë..., kur kërkon fytyrën e dikujt, por si shprehet ajo: “nuk shoh asgjë/ atë asgjë të trishtë/ që ma fali koha”, ku sytë kurreshtarë eten për asgjënë, në një horizont të pafund ngjyrash.

Nuk kishte si të mos silleshin në këtë vëllim përjetime që lidhen me muzikën, teksa këngëtarja-poete këndon në fundin e pafund në një labirint ëndrre, në  poezine “Ëndërrkeqja; dhe nën tingujt e melodisë së vjetër ende vallëzon, në poezine “Kohës”, teksa dialogon me hijen: Ti moj hije mos më ndiq pas/ u  lodhe kot që kohën të keqes ia fal/ dua të këndoj me zërin kristal/ që ta vret veshin, në poezinë “Hije tinzare”. Në poezinë “Zani” këngëtarja i kthehet vetes dhe në gjashtë vargje shpreh të gjithë pengun e saj të moskuptimit: Një melodi hyjnore/ më erdhi nga ajo maje Olimpi/ sikur më pëshpëriti diçka në vesh/ më dha dashurinë për muzikën/ pasionin që s’munda t’i ndahem më/ më dha atë zë kanarine/ që s’munda ta nderoj//.

Artistja poete, me fjalën e vendos veten në stacione pritje, në kërkim të kohës së saj prej tingujsh dhe fjalësh, në një horizont të pafund ngjyrash, në një kohë ku e sotmja është më e bukur se dje, më e bukur se vetë dielli...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora