Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Apeli i 88 intelektualëve - Bashkësia Ndërkombëtare ta gjykojë Beogradin

| E enjte, 16.01.2020, 08:48 PM |


APELI I 88 INTELEKTUALËVE: BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE TA GJYKOJË BEOGRADIN, PËR RREZIKIMIN E PAQES NË MAL TË ZI  DHE NË RAJON

Nga Adil FETAHU

Krizat shoqërore,  kombëtare apo ndërkombëtare,  asnjëherë nuk paraqitën si rrjedhojë e natyrshme, por ato nxitën prej dikujt, për shkaqe dhe interesa të caktuara. Tollovitë që u zhvilluan kohëve të fundit në  Republikën e Malit të Zi, u nxitën dhe mbështetën  nga  Serbia. Natyrisht, aty ka dorën e zgjatur edhe Rusia, e cila, duke shfrytëzuar nacionalizmin dhe klerofashizmin serb, dëshiron ta destabilizojë  nga brenda Malin e Zi që është anëtare e NATO-s. Pretekst për këto tollovi të dhunshme u mor miratimi i Ligjit për  Bashkësitë dhe  Liritë Fetare në Mal të Zi. Me atë Ligj janë ndreqë padrejtësi të ligjeve të mëparshme sa i përket statusit dhe pronave të Kishës  Ortodokse të Malit të Zi. Bie fjala, me këtë është anuluar Dekreti i Regjentit Aleksandar Karagjorgjeviq, i cili në vitin 1920 e kishte suprimuar pavarësinë (autoqefalinë) e Kishës Ortodokse të Malit të Zi pasiqë, pas Luftës së Parë Botërore, shteti i Malit të Zi ishte shuar dhe aneksuar Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe as nuk i përmendj emri.  Tash që Mali i Zi  prej vitit 2006 është shtet i pavarur, e ka kthyer shtetësinë në kapacitet të plotë, madje është edhe anëtare e NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian,  ka dashur të rregullojë në mënyrë të pavarur edhe këtë segment të bashkësive dhe lirive fetare.  Në hartimin e atij Ligji, është bashkëpunuar me Komisionin e Venecias, për të qenë në harmoni të plotë me standardet europiane. Mirëpo, Beogradi zyrtar dhe Kisha Ortodokse Serbe assesi  nuk mund të pajtohen se  Mali i Zi vërtetë është bërë plotësisht i pavarur nga Serbia. Raportet midis Serbisë dhe Malit të Zi iu gjasojnë raporteve të Rusisë me Ukrainën. Prandaj, në këto raporte mbahen në fuqi tensionet dhe herëpas-here ato   shpërthejnë e prodhojnë ngjarje të dhunshme. Kështu, bie fjala, në vitin 2016, Mali i Zi mezi u mbrojt nga një grushtshtet ruso-serb, që u përpoq ta rrëzojë qeverinë e Gjukanoviqit. Ngjarjet e fundvitit të kaluar: konflikti në Parlament, protesstat e dhunshme disaditëshe nëpër rrugët e Cetinjes dhe Podgoricës, atmosfera e shpërthimit të luftës qytetare,  ishin përpjekja e dytë e dhunshme për ta rrëzuar qeverinë e Malit të Zi, këtë herë me ikonografi kishtare,  gjoja se me ligjin e përmendur po rrezikohet  Kisha Ortodokse Serbe dhe pasuria e saj në Mal të Zi. Kisha serbe nuk e njeh pavarësinë e kishës ortodokse të Malit të Zi as të Maqedonisë. Këto dy të fundit akoma nuk e kanë marrë njohjen e Patrikanës Vaselenje të Stambollit dhe nuk i njeh as Patrikana e Moskës. Prandaj, KOS  këto  dhe pasurinë e tyre gjithnjë i  konsideron se pjesë të vetat.

Kryengritja kishtare  në Mal të Zi kishte mbështetjen e hapur strategjike,  financiare, logjistike dhe të komandimit  nga  Beogradi zyrtar, nga   Kisha Ortodokse Serbe dhe nga pjesa më e madhe e opozitës në Serbi. Serbia historikisht ka qenë dhe ka mbetur gjenerator i krizave dhe luftërave në Ballkan. Natyrisht, ne prapavijë e ka mbështetjen e Rusisë, sepse  ajo është e brengosur për përafrimin dhe anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në NATO e në Bashkimin Europian, prandaj prodhon kriza, sikur ishte puçi kundër qeverisë në Mal të Zi (2016), provokimi me trenin për Kosovë, rrëmuja e krijuar në Kuvendin e Maqedonisë. Është kjo një luftë e ftohtë, me gaca zjarri  herëpas-here midis Rusisë dhe Perëndimit, në terrenin e përshtatshëm të Ballkanit të pa stabilizuar.

Kjo lloj lufte speciale e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, është përcaktuar në “ Memorandumin 2” (2011) të Akademisë së Shkencave të Serbisë, që ishte dhe mbeti dokument sekret, i pa shpallur, që iu dërgua të gjithë anëtarëve të qeverisë, udhëheqësve shtetërorë, politikë, diplomatikë, kishtarë, ushtarakë, policorë e të tjerë, si një program dhe doracak udhëzues, se si  duhet të veprojnë për realizimin e qëllimeve të njëjta që kishte “Memorandumi 1” (1986), por tash me mjete dhe metoda tjera, për të dëmtuar interesat e shteteve fqinje dhe për t’i destabilizuar ato.  Në qershor 2011,  unë kam botuar një analizë të përmbajtjes,  qëllimit, efekteve dhe pasojave që synohet të arrihet me zbatimin e  “Memorandumi 2”.  Duke pare ndërkohë efektet praktike të zbatimit të atij memorandumi,  analizën e kam përsëritur, të zgjëruar dhe argumentuar edhe  në gusht të vitit 2017, me qëllim që t’iu tërheq vëmendjen  strukturave politike e shtetërore të Dardanisë sonë dhe të vendeve tjera në rajon.  Për ata që kanë pasur rastin ta lexojnë tekstin e Memorandumit 2, apo analizën time të atij memorandumi, këto ngjarje destabliizuese që po i bëjnë Serbia e Rusia në Ballkan, nuk janë befasi.

Duket se me vonesë të madhe iu ka rënë ndër mend një elite të ish-politikanëve dhe intelektualëve të rajonit të ish-Jugosllavisë, të ngrejnë zërin e tyre kundër rrezikut që po i kanoset rajonit nga agresioni (i sofistikuar) serb kundër shteteve fqinje. Dhe, ata zërin e tyre e ngritën me një Apel, të cilin përmes Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Beograd, ia dërguan (30 dhjetor 2019) bashkësisë ndërkombëtare dhe disa mediave  të rajonit. Apelin e nënshkruan 88 personalitete nga radhët e ish-burrave shtetërorë, politikanë, historianë, avokatë, shkrimtarë, artistë,gazetarë,etjj, nga të gjitha shtetet e dala nga ish-RSFJ.  Ja përmbajtja e Apelit:

Apel për gjykimin e rrezikimit të paqes në Mal të Zi dhe në rajon nga ana e Beogradit

Shteti i Malit të Zi i është ekspozuar tentimit për ta destabilizuar:  është rrezikuar paqja, integrieti territorial, rendi kushtetues, sundimi i ligjit dhe barazia e qytetatrëve dhe të drejtat e barabarta të kishave dhe të bashkësive fetare.

Është fjala për një nga seria e tentimeve të Beogradit zyrtar që Malin e Zi ta kthejë në suaza të shtetit të Serbisë dhe në këtë mënyrë ta pengojë konsolidimin e tij si shtet i pavarur dhe sovran.  Pavarësinë e tij shtetërore, suprimuar pas okupimit serb në vitin 1918, Mali I Zi e ripërtëriu në referendumin e mbajtur më 21 maj 2006.

Me miratimin e Ligjit për Liritë dhe Bashkësitë Fetare, të përgatitur në bashkëpunimin me Komisionin e Venecias dhe të harmonizuar me standardet më të larta europiane për atë lëmi, Mali I Zi (vetëm sa) e ka ndryshuar ligjin e miratuar para gjysëm shekulli. Njëherit, me këtë (ligj) e ka anuluar Dekretin e Regjentit Aleksandër Karagjorgjeviq, të vitit 1920, me të cilin ishte abroguar pavarësia (autoqefalia) e Kishës Ortodokse të Malit të Zi. Kështu, tash ësht mbyllur korniza juridike-shtetërore e Malit të Zi. Prandaj, sulmi i nacionalistëve serbomëdhenjë ndaj ligjit mbi liritë bashkësitë fetare, është vetëm pretekst  për tentim të grushtshtetit.

Në tetor 2016, Mali i Zi arriti të mbrohej nga grushtshteti ruso-serb. Në qoftë se  arrihet kjo  tentativë e re e destabilizimit të Malit të Zi, pasojat e saj të drejtëpërdrejta do të jenë konfliktet e armatosura, humbja e jetës së njerëzve dhe shkatërrime materiale.

Strateg, patron, logjistikë dhe urdhërdhënës  i tentimit të fundit për destabilizimin e Malit të Zi është Beogradi zyrtar, respektivisht pushteti  i  Serbisë,  Kisha Ortodokse Serbe  dhe  pjesa më e madhe e partive opozitare.  Edhe këtë herë, elitat serbe në mënyrë konsesuale kërkojnë nga pushteti i Serbisë të reagojë në mënyrë radikale.

Ua tërheqim vërejtjen se mekanizmat për destabilizimin e Malit të Zi janë të njëjtia si ato të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Edhe qëllimi i tyre është i njëjtë: ta mbajnë Malin e Zi nën patronatin shtetomadh të Beogradit, si mënyra më e sigurtë e ruajtjes së idesë për Serbinë e Madhe.  “Përmendoret” e politikës së tillë të Beogradit zyrtar janë gjenocidi, pastrimet etnike dhe krimet masovike të luftës kundër humanizmit, të kryera në Kroaci, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.

Mali I Zi është zgjedhur nga Beogradi zyrtar dhe aleatët e tij si victimë për rigjenerimin e politikës së Sllobodan Millosheviqit ndaj shteteve fqinje, ndër të tjera edhe për shkak se (Mali Zi) është përcaktuar për shoqëri qytetare, për integrime euro-atlantike, për mbrojtjen e pakicave dhe për marrëdhënie më të mira me fqinjët.

Edhepse nacionalizmi serb i ka humbur  gadi të gjitha shtyllat e forcës,  besojmë se është me rëndësi t’ua tërheqim vërejtjen  për pasojat fatale të politikës së tillë të Beogradit. Solidariteti rajonal është imperativ për të gjithë popujt e Ballkanit, të cilët duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të gatshëm për sifda të reja.

Për shkak të rëndësisë së Malit të Zi, si shtet prijës në integrimet euroatlantike në Europën Juglindore, konsiderojmë se është i palejueshëm pasiviteti i institucionave europiane dhe i qeverive të vendeve demokratike  në gjykimin e kësaj tentative të re të destabilizimit të Malit të Zi, sipas parimeve dhe metodave  të Sllobodan Millsooheviqit. Me fushatën politike, kishtare dhe mediatike të dezinformimit nga Beogradi, që po zhvillohet në Podgoricë e Banjallukë, është rrezikuar seriozisht paqja jo vtëm në Mal të Zi, veçse në tërë rajonin.

Për shkaqet e theksuara, apelojmë te të gjithë akterët e bashkësisë ndërkombëtare  dhe të rajonit, që pa hamendje ta gjykojnë destabilizimin e Malit të Zi dhe të rajonit që po e krijon dhe nxitë Beogradi zyrtar”,- thuhet në Apelin e 88 personaliteteve nënshkruese, dhe  vazhdon lista me nënshkrimet e 86 prej tyre:

Llatinka Peroviq, Stjepan Mesiq, Millan Kuçan, Budimir Llonçar, Bogiq Bogiçeviq,Haris Sillajxhiq, Azem Vllasi, Velko Bullajiq, Bogdan Tanjeviq, Sherbo Rastoder, Ivo Goldstein, Husnija Kamberoviq, Millivoj Beshllin, Momir Samarxhiq, Nikolla Samarxhiq, Zhivko Andrijasheviq, Dragan Markovina, Edin Omerçiq, Adnan Prekiq, Ivo Vajgl, Zharko Papiq, Dimitrije Popoviq, Senad Peçanin, Tamara Nikçeviq,  Sonja Biserko, Millorad Popoviq, Boris A.Novak, Mirjana Mioçinoviq, Vlladimir Arsenijeviq, Fillip David, Svetisllav Basara, Nenad Prokiq, Veton Surroi, Andrej Nikollaidis, Shkelzen Maliqi, Vlladimir Milçin, Dino Mustafiq, Radmila Vojvodiq, Emir Haxhihafizbegoviq, Natasha Miciq, Çedomir Jovanoviq, Nenad Çanak, Bojan Kostresh, Alleksandar Olenik, Tanja Petovar, Alleksandar  Sekulloviq, Sinan Alliq, Nerzuk Çurak, Edina Beiçiroviq, Gjyljeta  Mushkolaj, Sllobodan Backoviq, Sllavko Kukiq, Esad Durakoviq, Branka Dragoviq, Dinko Gruhonjiq, Sllobodan Sanxhakov, Tomisllav  Markoviq, Behlul Beqaj, Llulla Mikijel, Srgjan  Shushnica, Izabella Kisiq, Reuf Bajroviq, Agron Bajrami, Sllavisha Llekiq, Boris Varga, Zllatko Dizdareviq, Boshko Jakshiq, Dragan Banjac, Mijat Llakiçeviq, Gordana Susha, Boro Kontiq, Dragan Bursaq, Emir Sulagiq, Natasha Govedarica, Snezhana Çongradin, Pavlle Radiq, Bojan Tonçiq, Dushan Mijiq,  Ivo Komshiq, Suzana Kadiriq, Qerim Bajrami, Esat Rastoder, Rusmir Mahuteqehajiq, Millosh Çiriq dhe Ferid Muhiq.

Reagimet ndaj Apelit

Sapo u publikua Apeli, rrjeti i mediave elektronike gëlonte nga reagime të ndryshme. Reagimet më të shumta ishin kundër Apelit, madje nënshkruesit i quajtën tradhtarë, ndërsa për  disa prej nënshkruesve që janë deputetë, politikanë ose në profesione të ndryshme të financuara nga buxheti i Serbisë, kërkohej të merren masa.” E kuptojmë pse shqiptarët, myslimanët dhe ateistët e tjerë janë nënshkrues të Aoelit, por nuk i kuptjmë ata të cilët paguhen nga buxheti i shtetit të Serbisë’, thonë disa nga komentuesit e Apelit.  Është simptomatike se  ka pasur distancim familjar, kur djali publikisht distancohet nga i ati  nënshkrues i Apelit. Kjo  tregon se  gjenerata e re  është e manipuluar dhe indoktrinuar me nacionalizëm e shovinizëm.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Beogradi nuk ka kurrëfar faji për ngjarjet në Mal të Zi; në asnjë mënyrë nuk kemi marrë pjesë, përveç se kemi shprehur brengën dhe kujdesin për popullin dhe kishën tonë. Edhe rastin e Malit të Zi  Vuçiqi e lidhë me Kosovën, duke thënë të mos provojnë shqiptarët të miratojnë një ligj të tillë, gjoja  për dofarë kisha të tyre në Kosovë.

Opozita serbe është përmbajtur nga komentimi i ngjarjeve, përpos rasteve kur, për interesa të veta  (Vuk Jeremiq) e akuzon pushtetin për pjesëmarrje në trazira, pasi që po heshtë për gjithë atë që po ndodhë në Mal të Zi’

Është e çuditëshme se me gjithëse se krejt gjithë ato ngjarje u zhvilluan me pretekst të mbrojtjes së kishës dhe pasurisë së saj,  me ikonografi kishtare, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriku Irinej nuk është paraqitur publikisht për këto ngjarje, përveçse thotë se iu ka shkruar disa letra kryetarit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe mitropolitit Amfillohije, dhe po pret përgjigjen e tyre, ndërsa me Vuçiqin ka pasur takime personalisht, për ta shqyrtuar situatën.

Partia Radikale Serbe ka kërkuar nga pushteti që sa më parë të inicojë thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimi të Kombeve të Bashkuara,  për të shqyrtuar rrezikimin e serbëve dhe të kishës serbe në Mal të Zi.  Ndërkaq, kryetari i asaj partie, krimineli i gjykuar nga Tribunali i Hagës,  ultranacionalisti Sheshel,  ka thënë  “duhet t’i nisim aradhat  çetnike për në Mal të Zi, dhe pasi ta pushtojmë, ta bëjmë himnin e ri të Malit Zi me këtë përmbajtje:  Cetinje qe jedne noqi, u çetniçke ruke doqi” (shq. Cetinja një natë do bier në dorë të çetnikëve)!

Komentet e postuara në rrjetet sociale lidhur me “Apelin 88”, në pjesën më të madhe janë kundër Apelit, madje janë me një gjuhë të vrazhdë e denigruese kundër nënshkruesve.

Sapo e pa dritën “Apeli 88”,  forcat më destruktive në Serbi, në bashkëveprim me kishën e tyre,  nxituan ta bëjnë një peticion, të cilin e quajtën “Apel për mbrojtjën e Kishës Ortodokse Serbe në Mal t Zi”. Sipas tyre, brënda 24 orëve peticionin (apelin e tyre) e nënshkruan mbi 9000 veta: klerikë, besimtarë, qytetarë dhe profile të ndryshme të jetës publike, politike e kishtare. Ata  lusin edhe Patrikanën e Moskës dhe atë të Stambollit të mos lejojnë Malin e Zi ta formojë kishën e vetë pavarur sipas kuteve të shovinistëve të pa fe, të mendësisë fisnore e partiake, dhe të mos lejojnë uzurpimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të psurisë së saj në Mal të Zi.

Sidoqoftë, tensionet në marrëdhëniet  Serbi+Rusi me Malin e Zi,  të cilin e konsiderojnë si “Sparta e Serbisë”,  dhe jo vetëm me te, do të vazhdojnë edhe në të ardhmën, sepse kjo është strategji dhe taktikë e tyre në projektin e Serbisë së Madhe qe afro dy shekuj (prej vitit 1844). Memorandumi 2 i Akademisë së Shkencave të Serbisë, për destabilizimin e shteteve fqinje, është program i përgjithshëm dhe secili segment i shtetit ka për detyrë ta zbatojë atë, kurse pakicat serbe në shtetet fqinje sherbejnë si klientë dhe kali trojës për të krijuar trazira të brendshme, të dirigjuara, financuara e përkrahur nga Beogradi dhe Moska.

Edhe ideja e Vuçiqit për themelimin e “Mini-shengenit” ballkanik, është në këtë funksion.