Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neki Lulaj: Kthim vitesh

| E hene, 13.01.2020, 07:39 PM |


Kthim vitesh

Nga Neki Lulaj

Ma ka bërë ditëlindja më të bukur buzëqeshjen hirplote.

Më duhet të mbledh shporta me urimet më të freskëta.

Kosova më sjell të rizgjuar ninullat e ëmbla të Lokes

Vitet e hapat futen urtësisht nëpër rreshta.

Vijnë të gjithë brengat e gëzimet si bisku i filizit.

I lidh kohërat me fjongo të kaltra, të kuqe.

Në supe më bien petalet e luleve të Belles-Bërliqit.

Puhiza e dëborës së bardhë mbi flokë më ulet.

Gjethet e lisave u vyshkën e prapë u gjethuan.

Të tjera dashuri u ndërruan në djepe me ninullat

Ditëlindjet e mia me dritë kurbeti karvanuan.

Mes librave shkuan dhe ditët gazmbushura.

E më rizgjuan një Valle Shpatash në ditë të largëta kurbeti.

Ku fjalëshqipja më bëhet këtu si shtizë drite.

Në rrudhat e gjoksit hej, sa vite koha më treti

E dëshirat kërkonin çelësa sa një qiell me yje.

Jam udhëtar veshur mes një petk gëzimi dhe trishtimi.

Dhe me thinja jeta më ka bërë arkitektë ëndërrbukur.

Jam në majën e malit a pranë trokashkës së një mulliri.

E bluaj mielllin e bardhë për sofrën e mbushur.

-Nga Gjermania, 13 janar 2020-