E premte, 29.03.2024, 02:17 AM (GMT)

Kulturë

Thanas Gjika: Mjeshtër i kujtimeve dhe i hollësive artistike

E hene, 13.01.2020, 09:21 PM


MJESHTËR I KUJTIMEVE DHE I HOLLËSIVE ARTISTIKE

(Ese kushtuar shkrimtarit Ylli Demneri)

Nga Thanas L. Gjika

Ylli Demneri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe krijuesve të Kinostudios me dokumentarin “Kur flasim për poezi“ (1984) me të cilin mbrojti dipllomën. Ky krijues ka një jetë dhe një krijimtari të ndryshme nga kineastët dhe shkrimtarët shqiptarë.

Ai u lind nga bashkimi i një nëne të bukur skraparlie me një baba të urtë tiranas në një ditë të bukur fundshkurti 1961 kur kishin çelur mimozat. “Bukuria më ka ndjekur gjithnjë”, do të shprehet ai. Në maternitet e priti mamia e bukur Lili Toptani (sipas rrëfimeve të nënës së tij); në klasën e parë ia mësoi alfabetin mësuesja më e bukur e shkollës; në gjimnaz puthi së pari shoqen më të bukur të klasës. Gjatë viteve studentore në Institutin e lartë të arteve do të marrë pjesë si aktor në filmin “Në çdo stinë”, ku subjektin e mban pezull bukuroshja armeno-shqiptare Anisa Markarian. Shkoi për studime pasuniversitare në kryeqytetin më të bukur të Europës, në Paris, ku u specializua për kinematografi dhe që prej njëzet vitesh punon si drejtor artistik në revistën parisiane “Le journal des Acteurs Sociaux”.

Për çudinë e të gjithëve, ky djalosh që filloi të shkruante poezi e ditar që në bankat e gjimnazit, botoi së pari pasi arriti pjekurinë e tij, pas të pesëdhjetave. Për vonesën e daljes si shkrimtar, ai të kujton disi italianin Giacomo Casanova (Xhakomo Kazanova), i cili filloi të shkruante e botonte romane pasi mbushi të gjashtëdhjetat. Mirëpo ardhja e këtyre dy krijuesve në letërsi ka ndryshime thelbësore në motivet shtytëse, në përmbajtjet ideo-artistike që trajtojnë dhe në gjininë letrare që lëvrojnë. Casanova, nga fundi i shekullit XVIII, rrëmbeu penën e romancierit për t'u hakmarrë ndaj shoqërisë së lartë e cila e pati braktisur dhe mënjanuar si të pavlerë. Kurse Demneri, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI, iu fut krijimtarisë letrare jo për hakmarrje, por për të shprehur mendimet e tij të pjekura për emancipimin e shoqërisë sonë, shoqëri e cila në shumicën e saj ende vuan nga nostalgjia ndaj sistemit komunist. Kur kritikon dukuri të së kaluarës komuniste, Ylli përdor fjalë e shprehje kritike me emocionalitet të butë, aspak hakmarrës.

Duke qenë kineast i mirëformuar, Ylli krijon me lehtësi imazhe e tablo jetësore. Ai ka tre pasione: të shkruajë, të pikturojë dhe të fotografojë. Një ditë do të kemi prej tij edhe albume me vepra vizuale, por sot për sot prej tij kemi në qarkullim prej shtëpisë botuese ODEON pesë botime të librit të parë “Më kujtohet” (Tiranë, 2011, 260 f). në format xhepi; një vëllim me korrespondenca “E dashur A.” (botuar dy herë, 2015 dhe 2016, 219 f).; librin “Bloc-notes”, (2016, 280 f). në format të zakonshëm me vëzhgime, skica portrete dhe tregime; përmbledhjen poetike “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”, (2017, 120 f). dhe volumin e dytë të librit “Më kujtohet” 2018, (266 f).

* * *

Mbi të gjitha Tirona e dashur, gjyshja dhe Kadareja

Ylli Demneri erdhi në letrat shqipe me një gjini të re të palëvruar më parë në letërsinë tonë: me fragmentin. I sinqertë, si është ai, e tha hapur se nuk e shpiku llojin e ri letrar, por këtë formë e gjeti te libri “Je me souviens” (Më kujtohet) të shkrimtarit francez Georges Peres. Pas leximit të këtij libri, ai sqaron: “fjalët u shpenguan, imazhet morën krahë”. Kështu Demneri rrëfimtar u çlirua duke na dhuruar copëza kujtimesh ku nuk ndiqet një vijimësi kohore, as një ose disa linja subjekti, dhe as ndonjë tematikë e caktuar. Në këto copëza kujtimesh ka shumë jetë edhe pse ato nuk përbëjnë një autobiografi, një grup tregimesh a novelash dhe as ndonjë roman. Dy librat e tij “Më kujtohet” (vol. I, me 590 copëza dhe vol. II, me 359 copëza) janë një kolanë e hapur, e cila mund të vijohet prej tij, por dhe prej krijuesish të tjerë. Këto sprova të na japin kurajë të gjithëve të nxjerrim nga thellësitë e shpirtrave tanë copëza kujtimesh nga jeta familjare e shoqerore në çdo kënd të Shqipërisë ku kemi jetuar.

Unë, si korçar i vajtur në Tiranë, ku jetova 34 vjet në vitet 1962 - 1996, pata rastin të jetoja dhe punoja nga afër me banorë origjinalë tironas dhe kam vënë re karakterin mikpritës, qëndrimin e butë dhe larg sherreve, ndershmërinë dhe karakterin punëtor e qefli të tyre. Ylli Demneri, si djalë vendali dhe i talentuar di të driçojë këto tipare dhe dukuri, si dhe tipare të tjera të kryeqytetit tonë dhe të banorëve të tij.

Mërrëdhëniet kryesore të autorit me bashkëfamiljarët e tij përqendrohen te marrëdhëniet e tij me gjyshen, njeriun që ishte gjithë kohës prezente në shtëpinë Demneri. Babai e mamaja punonin jashtë shtëpisë, iknin herët e vinin vonë, por Ylli nuk u rrit me çelësin e shtëpisë në qafë, sepse gjyshja e përcillte për në shkollë dhe po ajo e priste kur ai kthehej nga shkolla me gjellën e ngrohtë te soba. Të djelave për mengjes i bënte përshesh bukë të thata duke i përzier me ujë të valë dhe ca gjalpë e djathë të bardhë, që gjyshja e quante “valë” (apo «papare» siç i thoshte gjyshja tjetër toske nga Skrapari).

Nëpërmjet skenave të vizatuara me shumë ekonomi e shohim atë tek fshin oborrin, mbledh e pastron hurmat e rëna natën. Për të bërë muhabet me të, vinte ndonjë komshie që pinte kafe te kuzhina. Sjelljet dhe gjuha e gjyshes plot përkëdhelje e bënë djaloshin të ëmbël. Në kontrast me ëmbëlsinë e gjyshes jepet ashpërsia e babait, të cilin autori guxon të thotë se e merrte inat në ato momente kur i thoshte: “Mos të dëgjoj të qash!”, pasi i kishte dhënë një shuplakë djegëse.

Në librat e tij ndjejmë Tiranën dhe Tironën. Jetën e Tiranës gjatë viteve të diktaturës dhe Tironën e shtëpive prej qerpiçi ku ai ka lindur e është rritur. Jeta e djaloshit tironas ndjehet edhe në kalimet nga njëra kinema te tjetra, blerja e biletave me shtyrje të forta, shikimi i filmave edhe më këmbë, ndonjë puthje në errësirë gjatë shfaqjes, etj. Ai rikujton radhët e popullit nëpër dyqane për të blerë prodhimet e pakta, bërtitjet: “Ka dalë ullinj!”, pritjet në radhë për një pllakë bukë të shumë aktorëve, këngëtarëve, shkrimtarëve, muzikantëve:

“Më kujtohet dyqani i bukës në rrugën Asim Vokshi. Rreth drekës aty mund të shikoje: Fitnete Rexhën, Skënder Sallakun, Odise Paskalin, Gaqo Çakon, Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Llazar Siliqin, Ramadan Sokolin, Fatmir Gjatën, Dhimitër Xhuvanin, Kel Kodhelin, Mentor Xhemalin, Gjon Athanasin, Pirro Milkanin ose Margarita Kristidhin, Violeta Manushin, Xhanfize Kekon, Drita Pelinkun (më shpesh Hysen Pelinkun), Vera Zhejin, Besa Imamin, Nasho Jorgaqin, Alfred Uçin, Margarita Xhepën, Safo Markon, Spiro Çomorën, Aleks Budën, Rifat Teqen, Kristo Themelkon - duke mbajtur radhën për të blerë bukë.”

Kur lexova emrat e gjithë këtyre intelektualëve, ndjeva një keqardhje për mjaft prej tyre. Ndjeva keqardhje për mjaft prej tyre sepse mbas ndërrimit të regjimit mbetën nostalgjikë të sistemit komunist, sepse mendonin si skllevër se partia i bëri të ishin dikushi, dhe nuk e kuptonin se ishin aftësitë e tyre individuale, që ua shfrytëzoi partia për t'i bërë ushtarë të propagandës së saj.

Një kontrast të këndshëm me sjelljen socialiste të shveshur nga mirësjellja krijojnë kujtimet për gjuhën që përdorte kushëriri i autorit, shitësi i bulmetit Demneri te Rruga e Durrësit, i cili vijonte të thoshte «zotni, zonjë, të lutem dhe faleminderit», si në kohën kur e kishte pasur dyqanin e vet.

Puna dhe jeta e regjisorit Viktor Gjika e ka frymëzuar regjisorin e ri, të shkruajë një portret për këtë krijues të talentuar, për të cilin thekson: “Megjithë epokën dhe rrethanat ku punoi, si kineast krijoi vlera kinematografike, si artist vuri në shërbim të këtij arti gjithë talentin dhe pasionin e tij. Profesionist i vërtetë, ai hodhi bazat e kinemasë moderne shqiptare në kuadrin e realizmit socialist.” (“Bloc – notes” f. 42).

Mes shkrimeve tek “Bloc-notes” do të vemë re mrënjohjen ndaj Petraq Kolevicës, për librin “Lasgushi më ka thënë” ku ai përmblodhi thënie e kujtime të Lasgushit, për të zbuluar papajtueshmërinë e poetit kombëtar ndaj regjimit komunist. Vepra e tij zëvendësoi mungesën e një autobiografie të këtij poeti të shquar që u largua nga krijimtaria origjinale mbas nëntorit 1944.

Mes kujtimeve të tjera vijnë koncertet e Vitit të Ri të Orkestrës Simfonike të Vjenës, varietetet Canzonissima të këngëtarëve italianë të shtunave mbrëma, emisionet e drekës së Radio Rait, etj. Si dhe shëtitjet e Ismail Kadaresë përgjatë bulevardit të madh gjatë drekës. I shqetësuar prej atmosferës armiqësore që u krijua ndaj këtij krijuesi pas botimit të romanit “Nëpunësi i Pallatit të Endrrave”, Ylli pa ëndërr sikur Kadareja po binte nga shkallët (që përkon me titullin e librit të George Orwell), një natë para se Dritëro Agolli ta kritikonte në Plenumin e KQ të PPSH të vitit 1974 (“Më kujtohet”, 2, f. 63). Dyshja Kadare – Agolli, si dyshe kryesore e krijuesve të letësisë sonë të viteve 1960-1990 është bërë objekt pasqyrimi edhe në copa të tjera për të shprehur mendimin se midis tyre kishte ndryshime të mëdha jo vetëm në krijimtari, por edhe në karakter. Ata jetonin të dy te i njëjti pallat te Rruga e Dibrës, karshi MAPO-s, Kadareja te kati i dytë, kurse Dritëroi te kati i tretë. Në katin e parë ishte një restorant ku pianikët bënin zhurmë dhe Kadareja ankohej për shqetësimin që ata i shkaktonin, kurse Dritëroi nuk ankohej. Autori sqaron: “Dritëroi nuk ankohej, jo pse banonte më lart, por ishte vetë gjithmonë tapë.” (“Më kujtohet” 1, f. 178).

Ndryshimet midis këtyre krijuesve, Demneri gjen rast t'i vërë re që në rininë e tyre duke riprodhuar dhe interpretuar dy foto të tyre ku kanë dalë si zboristë ushtarakë të kohës studentore. Këto dy foto ai i kishte gjetur rastësisht në internet dhe si kineast që di t'i lexojë, zbërthen domethëniet e tyre duke krijuar një vëzhgim kritiko-letrar të spikatur.

Duke parë portretin e Dritëro Agollit, sqaron:

“Dritëroi pozon. Ndjehet mirë i ulur mbi stolin përpara bezes së zezë. Eshtë përgatitur për këtë pozë. Krehur me shumë, shumë kujdes. Asnjë fije floku nuk lëviz. Qaforja e bardhë qepur po ashtu me kudes rreth jakës; vetullat e ngrysura, shikim i ngrysur duke pozuar (sipas idesë naivo-romantike) mendimtarin. Njërën shpatull më të ulët se tjetra për të formuar diagonalen që krijon dinamizëm, sipas modës së viteve 40-50. Shikon nga aparati (nga ne), por nuk vështron plotësisht drejt e në sy. Një pjesë e vështrimit është kthyer nga imazhi i tij. I përqendruar në kurorën e flokëve. Asnjë lëvizje të shkujdesur, që të mundë të prishë krehjen, maskën (atë që dëshiron të tregojë).”

Kurse duke parë portretin e Ismail Kadaresë, vëren:

“Ndërsa Kadare ngjan sikur e kanë ulur me forcë përpara aparatit fotografik. Qëndron, por nuk pozon. Asnjë kënaqësi në të pozuarit. Eshtë i kthyer në objekt. Një imazh i vjedhur. Flokët e pakrehura, xhaketa e kopsitur minutën e fundit (me urdhër), pa qafore dhe, mbi të gjitha, vështrimi: një përzierje revolte, indinjimi e frike njëkohësisht. Ngjan më tepër si fotogarafi e një robi lufte apo e një të burgosuri. Kadare shikon nga aparati duke ia ngulur sytë. Një vështrim që të gozhdon për nga intensiteti duke të kujtuar shprehjen e R. Barthes-it se 'Kushdo që vështron drejt e në sy është i çmendur.”

Për të mbyllur vëzhgimin e tij, autori ia vendos dy fotot përpara vajzës së vet, një adoleshente, pa i dhënë asnjë sqarim se kur, ku dhe pse janë bërë ato. Ajo jep shpjegimin e saj: “Së pari kemi të bëjmë me dy epoka të ndryshme”, i përgjigjet ajo. “Si të ndryshme?” e pyet babai i befasuar nga komenti i saj. “Ai majtas (Dritëroi) i përket një periudhe më të hershme, ndërsa ky djathtas (Kadareja) një periudhe më moderne”. Dhe autori shton se vajza e tij “i ka thënë të gjitha. Ka thënë atë që thuhej për stilin e tyre. Për t'i rënë shkurt, njëri me një stil të vjetëruar, tjetri modren.” (“Bloc – notes” f. 128-129).

Formimi letrar solid dhe leximi i vëmendshëm i veprave të Kadaresë, vetvetiu e ka çuar Demnerin te disa vlerësime personale me vlerë: “Gjatë viteve të diktaturës, dalja e romaneve të Kadaresë (jo i poemave, - Th. Gj.), ishte ngjarja më e madhe artistike. Çudia ishte se në atë jetë pa ngjyra e monotone, ku në të gjitha fushat e artit mbizotëronte një mediokritet i larë, i filtruar mirë nga sita e ideologjisë komuniste dhe i ekspozuar me një lloj kujdesi muzeal, arti i Kadaresë shfaqej si një mbrekulli e rënë nga qielli (qelli ishte e vetmja mundësi për të futur diçka në Shqipëri). Pra në atë art të sterilizuar çdo ditë e më shumë nga 'mësimet' e Enver Hoxhës, shkrimet e tij qenë e vetmja gjë që na bënte të ndiheshim bashkëkohës me botën e qytetëruar. Më tepër se aq ato ishin një mbijetesë morale... Ai solli një letërsi moderne. Dhe si thotë Deleuse 'Çka është e re ( e paparë) është e paharrueshme'.” (“Bloc – notes”, f. 48-49).

Gjatë vizitës që bëra unë me Julian në Paris në nëntor-dhjetor 2019, pata rast tv takohesha me Yllin. Duke ditur se ai dhe Kadareja mbas tetorit 1990 jetojnë në Paris, si dy krijues shqiptarë që kanë fituar azil politik, e pyeta për marrëdhëniet e tij me Kadarenë, shkrimtarin që ai e ka simpatizuar dhe e simpatizon më shumë se krijuesit e tjerë shqiptarë.

“Kadarenë e kam xhiruar dy herë, tregoi Demneri, një herë në shtëpinë e tij në Tiranë më 1984, kur po krijonim me Diana Gjiknurin dokumentarin 'Kur flasim për poezinë' dhe një herë në Paris kur kërkoi azilin politik. Kësaj radhe isha me një regjisor francez. Shtëpia ku ai banon është jo larg nga vendi ku punoj unë. Por nuk kam kërkuar ta takoj për kafe a biseda private. Lidhjet e mia me veprën e tij janë shumë 'të ngushta', kurse me vetë autorin, jo.”

“Po, a keni rezerva ndaj Kadaresë si njeri dhe krijues?”, e çpova, për të mësuar opinionin e tij të mëtejshëm.

“Për krijuesit e talentuar, tha Ylli, lexuesit nuk duan të dijnë për karakterin dhe dobësitë e tyre. Askush nuk do të dijë sot për karakterin e Homerit. Kurse për lëkundjet ideore të veprës, unë, si e kam thënë dhe në librat e mij, Kadaresë duhet t'ia falim lëkundjet, sepse e tillë ishte koha e diktaturës, ku askush nuk mund të shkruante e botonte pa paguar haraçin ndaj sistemit. Kryesore është se letërsia jonë dhe ajo botërore përfitoi shumë prej veprës së tij.”

Mendësia e lirë e krijuesve shqiptarë të Jugosllavisë, si ajo e poetes Edi Shukriu, e studiuesit Rexhep Qosja dhe e disa krijuesve brenda Shqipërisë si e përkthyesit Pashko Gjeçi, piktorit Sadik Kaceli, Maks Velo, shkrimtarit Petro Marko, etj. e ka tërhequr Demnerin, prandaj ai e ndjen për detyrë qytetare të riprodhojë kujtimet që i kanë lënë leximi ose shikimi i veprave të tyre, ose lënia në anonimat e P. Gjeçit, mbajtja në Bibliotekën Kombëtare “në rezervat” e librave të krijuesve shqiptarë të Jugosllavisë, etj. Mes “fotografive” të ndaluara gjatë periudhës komuniste, por të regjistruara në kujtesën e tij, gjejmë dhe atë të votimeve qesharake me 99.99 % pa kaluar te dhoma e izoluar, mbledhjet e shumta nëpër ndërmarrje e lagje, që autori i quan “Kohë burgu” (“Më Kujtohet” 1, f. 166).

Leximi i këtyre copave e njeh lexuesin me aspekte të shumtë të jetës reale të kryeqytetit tonë dhe të banorëve të tij, ia shton nostalgjinë ndaj jetës së dlirë të popullit tiranas, natyrisht larg nostalgjisë ndaj diktaturës dhe diktatorit. Konkretisht e bën lexuesin të ndjehet më tiranas, se sa djehej para leximit të këtyre copave. Kështu, autori e ka kryer misionin e tij si bir i denjë i kryeqytetit. Që në parathënien e librit të parë «Më kujtohet» 2011, autori jep sqarimin e vet: “Në tekstet e mëposhtme flitet për ngjarje, situata, dialogë, imazhe, fjalë, shprehje, gjeste, sende, persona, etj., që, në një mënyrë apo një tjetër, ishin pjesë e jetës sonë të përditshme. Në disa prej tyre ndihet një lloj nostalgjie, por kjo s’ka të bëjë aspak me kohën e diktaturës. Aspak. Është nostalgjia që ndjen gjithkush për kohën e fëmijërisë dhe rinisë së tij, në çfarëdolloj sistemi politik qoftë, e që është e lidhur më shumë me shqisat e të parit, të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit e të shijuarit.”

* **

Letra së dashurës A. të shkruara nga “kafazi i artë”

Gjendjen e të gjithë shqiptarëve, që ikën nga atdheu drejt Perëndimit pas vitit 1990, të shtyrë nga mungesa e lirisë dhe varfëria, ky autor e karakterizon si një kalim nga një burg në një tjetër. Këtë lloj të ri burgu ai e quan “kafazi i artë” që krijohet nga malli për vendlindjen. Të shpërngulurit jetojnë midis dy vendeve, dy gjuhëve, dy kohëve. Dhe këtë dyzim ai përpiqet t'ia transmetojë së dashurës “A” përmes letrash të mbushura me aspekte të ndryshme jete. Momentet dashurore janë përshkruar me ndjeshmëri të lartë, por ato janë dhënë me masë pa teprime. Synimi kryesor i autorit janë transmetimi i mendimeve, meditimeve, përvojës së jetës, pasuritë mendore dhe shpirtërore të autorit, i cili ia rrëfen së dashurës për ta pasuruar dhe botën e saj. Ai tregon si i kalon ditët, ç' libra lexon, ç' filma, ç' ekspozita ka parë, ç'mësime ka nxjerrë nga jeta e pastakimeve të para lakuriqe nën kuvertë te pullazi i shtëpisë, apo në mbrëmjet dehëse nëpër rrugët e Tiranës. Pas disa deklaratash e përshkrimesh dashurie, autori ngutet të deklarojë: “Sonte të mbaj në kujtesë, ashtu siç mbaj zemrën” (f. 14).

I rrëmbyer prej librit me kujtime “Vivre avec Picasso” shkruar prej gruas së këtij piktori, Demneri ndalet te përshkrimet e laboratorit krijues të Pablo Picasso-s. Ai riprodhon prej librit të asaj që do bëhet më vonë gruaja e piktorit pjesë nga ato kujtime ku tregohet puna me përqendrim të lartë, zbërthimi i imazheve të Picasso-s që punonte pa model, dhe së fundi riprodhon dhe dy vizatime, modele të një gruaje që mban botën, si të ishte një lodër, etj.

Duke qenë njohës i historisë së kinemasë, autori ka dëshirë t'ia tregojë së dashurës, pra dhe lexuesit, idilin që lindi pas këmbim letrash dhe këmbënguljes për lidhje telefonike, midis aktores amerikana Ingrid Bergman me regjisorin italian Roberto Roselini. U kuptuan aq shumë midis tyre, sa që gjatë xhirimeve të filmit pati një lidhje dashurie edhe pse të dy ishin të martuar e me fëmijë. Një aventurë që përfundoi me skandal, të cilin Ingridi e vuajti gjatë pa kuptuar se kishte gabuar...

Dashuritë e krijuesve të mëdhenj si Pushkini e Çehovi janë subjekte letrash të tjera, të cilat nuk po ndalem t'i tregoj.

Në një letër tjetër, Demneri tregon me kënaqësi emocionet që përjetoi gjatë një vizite turistke në brigjet turke të detit Egje. Çfarë gërmadhash dhe monumentesh pa në Efes, ç' përshtypje i la afërsia fizionomike midis popullit turk dhe atij shqiptar, afërsi të cilën ai nuk e di se buron nga fakti që fiset mongole selxhukide (të parët e popullit turk) u përzienë së pari me popullsinë trake të Azisë së Vogël, pra me një popull vëlla me ilirët. Populli turk pasi u përzie me trakët i humbi tiparet mongoloide, sytë me bisht dhe ngjyrën e verdhë, mori shumë fjalë prej trakishtes dhe u bë i ngjashëm me banorët e gadishillit Ballkanik me të cilët vijoi të përzihej edhe më tej pas formimit të Perandorisë.

Jeta plot mundime e mëdyshje e emigrantit e mundon edhe Demnerin. Edhe ai jeton midis atdheut dhe vendit të ri. Dashuria që i kishte falur e dashura A, e mban lidhur me atdheun. Flirtet që ajo i pati dhuruar me trup e shpirt, janë kthyer në mendjen e tij në shtëpi, atdhe, gjuhë, pra në ato gjëra të çmuara që e mbajnë në këmbë në dheun e huaj. Më tepër se një letër ky shkrim është një skicë kushtuar emigranitit në përgjithësi. Për ta përforcuar idenë e vet, autori përdor si ilustrim artistik pikturën «Emigranti» të piktorit shqiptar Agim Sulaj, ku shihet një burrë i fortë që ecën i vendosur drejt së ardhmes duke mbajtur në dorë një valicë, së cilës i ka rënë fundi dhe nuk mban asgjë brenda saj. Në fund, kur emigranti arrin pas shumë vuajtjesh të blerë një shtëpi të madhe për familjen e tij, shikon se fëmijët nuk i flasin shqip, se ai ka mundësi të shkojë me pushime në atdhe, por atje çdo gjë ka ndryshuar, nuk është më atdheu që ai sheh në ëndrrat e tij, madje dhe njerëzit janë tjetërsuar...

Pasi lexoi kujtimet e vajzës së Stalinit, Svetlana Alliluyeva (Svjetllana Alilujeva), Demneri i shkruan së dashurës: “Kam qenë i emocionuar nga sinqeriteti dhe nga forca e saj për t'u ngritur mbi lidhjet e gjakut dhe i befasuar nga qartësia në gjykimet e të atit” (f. 160). Autorin e kap dëshpërimi sepse midis fëmijëve të diktatorit shqiptar Hoxha nuk ka asnjë që të jetë ngritur e t'i afrohet sado pak nivelit qytetar të vajzës së diktatorit Stalin. Ajo pati deklaruar me shumë sinqeritet: “Kur të vijnë sytë është e pamundur të kalosh si e verbër” (f. 160). Svjetlana, pasi analizon veprën e Stalinit, arrin në konkluzionin e vet: “Krijimi i një bote gjysëm-birrucë, gjysëm-kazermë, ja thelbi i “meritave të mëdha historike të babait tim” (f.173). Për çudi në Shqipëri vijojnë të jetojnë si të verbër jo vetëm familjarët e diktatorit Hoxha, por edhe shumë ish-komunistë e ish-funksionarë të regjimit diktatorial. Ata janë sot deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, mburren me bëmat e tyre të dikurshme dhe kërcënojnë për marrje të jetës ndaj të gjithë atyre si Agron Tufa, Kastriot Dervishi, Uran Butka, Çelo Hoxha, që zbulojnë e denoncojnë krimet e diktatorit dhe të shërbëtorëve të tij.

* * *

Krijimtari e mirëfilltë letrare artistike

Për një regjisor që është marrë me krijim filmash artistikë, skenarë filmash, etj nuk është e vështirë të krijojë dhe vepra letrare të mirëfillta si poezi, skica, tregime, novela, romane, drama, etj. Një shembull të suksesshëm e dha regjisori Dhmitër Anagnosti me hartimin dhe botimin e romanit “Koburja nga Europa” 2014 dhe të përmbledhjes me skica, tregime e novela “Ulliri, pema e dhimbjes” 2019. Kështu ndodhi dhe me Ylli Demnerin. Pasi e sprovoi veten si memuarist i dy librave “Më kujtohet” dhe autor letrash “E dashur A.”, ai është edhe autor poezish të llojit Haiku japonez te libri “Njëqind e njëmbëdhjetë haiku”.  Në librin me skica, ese, portrete dhe tregime “Bloc – notes”, arritja më e spikatur është tregimi “Fotografia” (f. 207 – 212), ku subjekti, i cili përbëhet nga një ngjarje e krijuar prej autorit dhe jo i mbështetur mbi kujtimet e tij, shtjellohet me përthyerje dhe digresione të herëpasherëshme. Tregimi ka një ndërtim kompozicional shumë premtues që dëshmon se së shpejti prej këtij autori do të kemi dhe krijime të tjerë të suksesshëm. Fillohet me zhurmën që bën telefoni pasi kishte marrë një sms: “Ke mundësi të takohemi sot rreth orës 11:00 në kafenenë 'Tre shokët'? Do jem dhe dy ditë në Tiranë, Ana.” Më tej vijon rrëfimi në vetën e parë. Tregohet se Ana ishte e dashura e autorit 29 vjet më parë. Ishin nxënës gjimnazi në Tiranë. Përshkruhet nata e fundit e ndarjes së tyre, plot lot e ngashërime. Pastaj portretizohet Ana Drishti, vajzë e bukur e padrojtje, e cila iu afrua e para. Ajo kishte dy buzë të plota që dukej sikur donte ta kafshonte jetën, ishte bijë e një funksionari të diktaturës. Jepen më tej disa marrëdhënie shoqërore në klasë e shtëpi të Anës, dhurimi i një stilolapsi Blic nga ana e saj, disa shikime të Hit Parade në kohë dreke në TV te shtëpia e saj, etj.

Pa vijuar më tej tregimin, autori e ndërpret rrëfimin e linjës së dashurisë dhe kalon te pika kulminante, te ndërhyrja e një oficeri të Sigurimit, i cili e thëret djaloshin një ditë të hënë te zyra e sekretares së partisë së shkollës. Nga kërcënimet e oficerit të Sigurimit marrim vesh se djaloshi quhej Arben Dajti, dhe se ky kishte ardhur prej Shkodre në Tiranë për të marrë maturën. Për shkak të biografisë ai kishte ndërruar mbiemrin dhe kishte marrë mbiemrin e dajës së tij. Arbenit iu kërkua që të ndërpriste lidhjet me Anën dhe të ndërronte klasën, përndryshe do ta plasnin dhe atë në burg ku do të piqej me të atin. Djaloshi e ndjeu veten të trembur dhe të poshtëruar...

Më tej tregohet se dashuria midis tyre kishte lindur me një të parë dhe pa treguar se në çfarë rrethanash lindi kjo dashuri e parë e tyre, autori përmend shkurt një takim nga Liqeni Artificial dhe kthimin nga një ekskursion me autobuz nga Saranda në Tiranë. Ata kishin qëndruar në rreshtin e fundit, Ana ia kishte marrë kokën mbi gjunjët e saj dhe ia krihte një cullufe të pabindur flokësh. Dashuria e tyre ishte zhvilluar në fshehtësi, por ja Sigurimi e nxori nën dritën e prozhektorëve për ta asgjësuar...

Kalohet te takimi pas 29 vjetësh te kafe 'Tre shokët'. Arbeni kishte vite që punonte si fotograf. Rrëfimi vijon në vetën e parë: “Kur hyra në kafenenë 'Tre shokët', për disa çaste nuk e njoha. Ndryshimi, shndërrimi, ishte i madh. I paimagjinueshëm. Ai theu brutalisht imazhin që kisha ruajtur përgjatë atyre njëzet e nëntë viteve; atë të një gjimnazisteje me belin e hollë (që arrija t'ia mbërtheja me dy duart), ovalen e bukur të fytyrës, atë refleks të bukur mbi flokët ngjyrë gështenjë, që tani ishin lyer për të fshehur thinjat. Sytë, vetëm sytë ishin po ato, i njëjti shkëlqim, sidomos kur buzëqeshi. Edhe pse u mundova që të mos e jap veten, m'u duk se arriti ta lexonte atë mbi fytyrën time...”

Ana kërkoi që Arbeni ta uronte, sepse ishte bërë gjyshe, por ai nuk nxjerr dot asnjë fjalë. Më tej, kur ajo e pyeti: “Më trego, çfarë ke bërë gjatë kësaj kohe?” Ai iu përgjigj: “Asgjë.” dhe shtoi me vete: “Në fakt, asgjë nuk kisha bërë gjatë atyre viteve. Kisha jetuar me kujtimin e saj. Mes mallit dhe urrejtjes. Çdo gjë tjetër kishte qenë vetëm arrati. Arratisje nga kujtimet. Tek të gjitha vajzat që kisha njohur më pas, kisha kërkuar atë...”

Tregimi mbyllet me kërkesën e Anës për t'i bërë një foto sepse donte ta kishte gati për gurin e varrit. Kjo kërkesë Agronit i kujtoi rrobat e vdekjes që gjyshja e tij kishte bërë gati dhe i ruante te sëndyqi, shumë vjet para se të vdiste.

Thjesht e qartë transmetohet ideja, se të dy kishin shtyrë vitet si viktima të diktaturës komuniste...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora