Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Letër-lakmusi i jetës

| E hene, 13.01.2020, 08:30 PM |


Prend BUZHALA:

LETËR-LAKMUSI I JETËS

(Çast përsiatjesh lirike në një dimër pa borë)

E larmishme është jeta

që shpaloset fleta-fleta,

si stinët e një viti, herë me shira e herë me thatësi,

si stina e re që dallon prej stinës së vjetër

si dimri me skllotë që dallon prej një dimri tjetër,

si një vit jete që vjen me furi

prej të parit e deri te i fundit vijnë ndryshe e ndryshe

deri kur një çast gjithka vjen në ngrysje.

Asnjëherë nuk vjen i njëjti vit,

e njëjta rrëfenjë a i njëjti mit,

asnjëherë e njëjta stinë nuk përsëritet,

kot barabitesh,

ashtu si nuk vjen asnjëherë e njëjta e diel

e gjithmonë aty gjendet i njëjti diell.

A nuk është kjo një lojë,

lojë stinësh dhe lojë jete,

dhe, ti nuk e heton:

nuk qenka as e njëjta bojë as blojë,

as e di ku ishte e ku mbete.

Fazat e jetës sate, që nga rinia

e deri te plejqëria,

ndjekin po të njëjtin ritëm të natyrës,

ky ritëm na e përshkon edhe ritmin e gjallimit,

mu si na ndryshojnë vijat e fytyrës,

e si ky ritëm natyre na e gllabëron

e kafshon

edhe ritmin e kohës sonë.

Atëherë, ndalemi e mendojmë:

ky qenka një tregues

si një letër-lakmus:

sa qenie të vdekshme qenkemi

e si para të panjohurës stepemi.

Gjithçka,

e përfundimisht

kurrë asnjëherë të gjitha nuk mund t’i arrijmë,

gjithçka

e pambarimisht

as frymën nuk kemi më ku ta shtrijmë.

(Prend Buzhala, 13 janar 2019)