E enjte, 28.03.2024, 09:48 PM (GMT)

Kulturë

Tregim dhe Poezi nga Suzana Kuqi

E diele, 12.10.2008, 10:04 AM




   Dita -  zemër nëne   - Nga Suzana Kuqi




            Një  trokitje e lehtë në derën e jashtme  e zgjoi nga
gjumi. I shoqi  po flinte i qetë në krah të saj . Kush të jetë në këtë
orë, donte dhe ca minuta të shkonte tre e mëngjesit. Dita futi këmbët
e zbathura në shapka e ngadalë e me kujdes që të mos bënte zhurmë,
doli në korridor. Trokitjet u përsëriten. Përse vallë nuk i bie ziles,
kush të jetë ? Djemtë  flinin në dhomën e tyre, pra nuk ishin ata, e
ky ishte sinjal që e përdornin vetëm njerëzit e shtëpisë a ndonjë
fqinjë. Sikur e kishin bërë me fjalë, asnjë nuk përdorte zilen,
trokisnin. Befas , edhe pse mendimi ju duk qesharak , zemra i gufoi.
Altini, i miri i nënës që m'u thanë sytë për t'a parë...
              - Kush është ?- pyeti me zë të ulët , por nuk mori përgjigje.
              - Kush është ?- përsëriti ajo me zë pak më të lartë.
Nuk u përgjigj njeri, por ç'rëndësi kish , kushdo që të ishte ,nuk
ishte Altini i saj . Ah sikur të ishte ...
Ajo rrotulloi çelësin në bravë duke e larguar këtë mendim, veçse ja
shtonte mallin .Me siguri ndonjë fqinjë që ka ndonjë hall . Duhej të
bënte durim edhe dy javë, Altini i kish thënë se e kishte prerë
biletën e tragetit për në fund të muajit kur do të fillonte lejen.Një
vit, mendoi , një vit kam bërë si kam bërë , do të duroj edhe dy javë.
Dera u hap me një zhurmë të lehtë. Shkallët ishin të errëta, e kush i
linte poçat gjallë atje, fëmijët e shkallës nuk linin dy gurë bashkë,
përfshirë edhe djemtë e saj. Një siluetë e njohur  e bëri t'i
shkallmohej zemra nga gëzimi, ulur mbi shkallën në të cilën binte
fasha e dritës nga dera e hapur.
          -Altin , bir i nënës , eja brenda !- ajo hapi tërësisht
derën e desh të shkonte e t'a tërhiqte prej dore.
          - Shëëët !- i biri vuri gishtin mbi buzë e pastaj buzëqeshi
kur pa fytyrën e hutuar të nënës,- mos bërtit se do të zgjosh babanë e
vëllezërit.
          - Përse je ulur aty mor bir, eja brenda se do ftohesh.
I biri e shikonte dhe buzëqeshte.
          - Nuk ftohem mama, erdha sa të të përshëndes një minutë , do
të vij më vonë në shtëpi.
          - Përse më vonë , ku do të ikësh ?
         - Të takoj Anilën, por thashë më parë të të shikoj ty.E di që
nuk do të të gjej ...do të shkosh në punë.
         - Eja brenda bir !- Dita bëri një hap jashtë pragut drejt tij
, por ndërkohë ai u çua e filloi të zbriste shkallët.
         - Më vonë nënë, më vonë . Erdha të të shoh se më kish marrë
malli dhe desha të të thoja se ... se të kam telefonuar rrallë, por
kam menduar gjithnjë për ty dhe se... e dua shumë nënoken time. Shko
të flesh tani, unë kam çelësin tim për të hapur derën.
Ah, ta dish se sa më ka marrë malli mua , psherëtiu ajo tek shihte të
birin që zbriste shkallët. Eh, rini, është i dashuruar im bir, do të
shkojë të takojë të fejuarën. E mori inat një çast Anilën, por kur
mendoi se ai kish ardhur për të parë atë të parën, vuri buzën në gaz.U
kthye në shtrat , por sapo u shtri u çua. Ku e mbante shtrati atë, i
biri ishte kthyer nga mërgimi ,për drekë do të ishte në shtëpi. Ajo u
drejtua në kuzhinë duke bërë me mend menunë e gjellëve që i pëlqenin
më shumë atij. Kur u zgjua i shoqi dhe djemte, e gjetën tek gatuante ,
e ajo u tha se ... nuk kish patur gjumë e nuk dinte se ç'të bënte. Nuk
mund t'u thoshte se Altini kish qenë aty pak orë më parë dhe nuk ishte
futur në shtëpi , pastaj fundja, donte t'u bënte një surprizë. A kish
surprizë më të bukur ?Përcolli të shoqin për në punë e djemtë për në
shkollë ,e shkoi tek fqinja lart që të telefononte në zyrë. Atë ditë
ajo do t'a bënte pushim


.


                    Dita kish shtruar tryezën , kish vendosur gotat
dhe pjatat më të mira që kish. Dërgoi vajzën e fqinjës për të blerë ca
birra dhe një shishe verë e i futi në frigorifer të ftoheshin. Nuk
mund të dilte vetë, donte që i biri kur të kthehej t'a gjente në
shtëpi ? Po Anilën , të fejuarën a do t'a sillte ? Sa budallaqe kish
qenë që nuk ishte kujtuar t'i thosh që t'a sillte dhe atë për drekë.
Të gjitha ishin gati, punët i fluturonin nga duart, asnjëherë mishi
nuk ishte pjekur aq shpejt, petat nuk ishin hapur aq shpejt veç... ato
akrepat e orës së murit nuk kishin qenë asnjëherë aq të
ngadalta...Priste të vinte ora e drekës, me siguri atëhere do të
vinte. Një e trokitur në derë e bëri të hovte nga divani ku ish ulur
për t'u shplodhur dy minuta. Eshtë ai, gati sa nuk briti nga gëzimi
teksa vraponte drejt derës. E hapi me padurim e buzëqeshja ju zbeh
pak. Ishte fqinja lart.
           - Të kërkojnë në telefon - i tha ajo
           - Altini ? - ajo nuk priti përgjigje e i ngjiti shkallët dy
e nga dy. Receptori i zi bënte kontrast me çentron e bardhë dhe asaj i
kaloi nëpër mend e njëjta pyetje që i kalonte sa herë që e kërkonin në
telefon: përse i bëjnë të zinj ? Le t'i bëjnë çdo lloj ngjyre që të
duan, vetëm jo të zinj . Por nuk ja kish shprehur këtë mendim fqinjës
së mirë ...
             - Alo Altin !- as që e çoi nëpër mend se nuk ishte ai.
             - Alo ! Nëna e Altinit ?- jo nuk ishte i biri, duhej të
ishte ndonjë shok i tij që e kish marrë vesh se ishte kthyer.Sa shpejt
qe hapet lajmi.
             - Unë jam, keni ndonjë porosi për Altinin ? M'a thuaj, do
t'ja them kur të vijë në shtëpi.
Pasoi një hop heshtje.Zëri që pasoi ishte i mekur.
              - Po flas nga Italia... Kisha një lajm , fatkeqësisht të
hidhur. Të rroni ....... Altini....mbrëmë......aks.....rrug....
më.......keq......shokë......trupin....dy ditësh....
Lëshoi receptorin e doli jashtë.Ajo që kish dëgjuar ishte shumë për
veshët e zemrën e saj, por ajo nuk e besonte. Filloi të zbriste
shkallët ngadalë . Ja atje tek ato shkallët atje, pak më poshtë ishte
ulur Altini i saj, ajo e kish parë, kish qenë aty. Befas mendja filloi
t'i rrotullohej, atje ,atje, Dita humbi ekuilibrin e po binte. Zgjati
dorën e u kap  pas parmakut të shkallëve, për këtë punë janë bërë, për
t'u mbajtur e pështetur në to, e për të mos lënë njerëzit të
bien...Por jo për mua...Rroku me forcë me të dyja duart parmakun e
shkallëve e u përkul jashtë tij...






                            Lajmi i vdekjes aksidentale të Altinit ,
na shokoi të gjithëve ne ,banorët e lagjes , e po aq edhe lajmi se e
ëma ishte hedhur nga shkallët sapo kish marrë atë lajm. Altini kish
emigruar i ri fare ,kur u hap porti në Durrës, ishte shtatëmbëdhjetë
vjeç . Varfëria , dëshira për të thyer kufijtë , e cila është akoma më
e fortë tek të rinjtë , dëshira për të ndihmuar familjen e shpresa e
një jete më të mirë e më të bukur... Kishin kaluar pesë vjet nga dita
që kish ikur për herë të parë. Ishte rritur , ishte fejuar me Anilën,
shoqen e dikurshme të klasës. Ishte djalë i mirë , i edukuar e punëtor
. Kishte mjaft cilësi të mira, i vetmi difekt i tij ishte ... se ishte
shumë i mirë me të gjithe e me shokët në veçanti.Atë natë të së
djelës, duke u gdhirë e hëna, dy shokë i kishin telefonuar sei makina
e vjetër që kishin ishte prishur tek po ktheheshin nga diskoteka e i
kishte lënë në mes të rrugës.. Ishte çuar nga gjumi,  e kish dalë.
Gjatë kthimit,ca minuta para se ora të trokiste tre e mëngjesit , një
kamion ... kishin vdekur të tre, të tre të një moshe...
Dita ... Dita nuk vdiq edhe se muaj të tërë ju lut e ju ankua Zotit
që të shkonte pranë të birit, malli i të cilit i kish djegur zemrën
për pesë vjet me rradhë. Sigurisht , theu këmbë e krahë, por për fat
nuk ju dëmtua rëndë shtylla kurrizore. Nuk e pa të birin kur e sollën
në shtëpi, ndodhej në spital e derdhur e tëra në allçi. Ndoshta më
mirë për të, fati ja kish kursyer pamjen e atij trupi të dashur të
katandisur në atë mënyrë sa nuk njihej.E qau të birin , e torturoi
veten me ndjenjën e fajit që i vishte vetes.Përse e kish lënë të ikte,
përse nuk kish këmbëngulur që të kthehej me kohë...  e ç'i duheshin
nënëzezës paratë e tij...
Kanë kaluar vite, e duket sikur Dita është qetësuar, jeta e ka marrë
në rrjedhën e saj. Dikush do të thotë koha, koha shëron plagë, qofshin
këto edhe të mëdha. Nuk është ashtu, ajo plagë është e hapur e do të
vazhdojë të jetë e tillë, deri ditën kur Zoti do të vendosë t'a marrë
pranë vetes. Eshtë diçka tjetër që e mban Ditën, që i ndez
buzëqeshjen, e cila gjithsesi nuk zhvishet dot nga një  vel i hollë
trishtimi . Dita është nënë,është e duhet të jetë nënë edhe për dy
djemtë e tjerë. Duhet të mbushë me gëzim e dashuri ditët e tyre , jo
me dhëmbje e pikëllim.Nuk mund të jetë aq egoiste sa të mendojë vetëm
dhimbjen e saj duke ua helmuar jetën.Sepse Dita ka zemër nëne ,e zemra
e nënës ...është e madhe, aq e madhe sa përmban tragjedinë e hidhur të
humbjes së një fëmije dhe farën e gëzimit e dashurinë pa kufi për
fëmijët e tjerë. Ndryshe goditja e fatit që u mori vëllanë, do të
ishte akoma më e rëndë për ta  .Dhe ishte vërtetë fat që nuk e pa
trupin e të birit. Kujtimi i fundit i tij , është ajo siluetë e
hajthme, ata sy të mbushur me mall e dashuri , ajo buzëqeshje e bukur
dhe ato fjalë... e dua shumë nënoken time...Ani se askush nuk e kish
besuar kur e kish treguar, ajo e besonte...

FUND

 

 

Një vajzë e bukur  kalon rrugës...

   Gjuri lehtas
   përthyhet
   në çdo hap
   flokët mbi supe
   të hajthmë
   mantel i artë
   dy buzë
   gonxhe
   të një trëndafili
   një nënqeshje
   e dlirë
   si një rreze dielli...

  ... rrugës
   po kalon një vajzë...

  Je vajzë
  apo... je ëndërr
  që rrugës fanitet...

   shikime të panumërta
   mbi hapat
   e tua përmbysen...

  zemra prej nëne
  me ankth
  përpëlitet
  bijë ,mbi ç' sy vallë
  shikimi yt
  do të ndalë ..?






          Befasohem...


          U befasova
          se si qielli
          ka të njëjtin
          shkëlqim
          të syve të tu
          edhe se
          në  ngjyrë tjetër...

         Se si profumi
         i tokës
         ajrit
         detit
         pemëve e luleve
         është i njëjti
         me atë
         të lëkurës tënde...

        U befasova
        bija ime
        kur mendova,
        se sa të ngjashme
        janë gjërat e dashura
        me gjërat e bukura
        që na dhuron
        jeta...





       Xhelosia

       Nata më zbriti në shpirt
       si furtunë errësire
       e pamëshirshme
       e tmerruar pashë
       si dogji
       çdo gjë të bukur
        e bëri shkrumb
       mori edhe hirin
       e iku tutje
       duke lënë pas
       veç
       një bishë mostruoze
       që ushqehej
       me mishin
       e trupit te saj.







             Vetem kohë...

              Më duhet
              vetëm kohë
              të të kërkoj
              të të gjej
              të të them:

              ja ku jam
              e plotë tani
              sepse...
              isha një trup
              vetëm me hije
              e shpirtin e kisha
              tek ti...

 


 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora