Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Emigranti

| E diele, 12.01.2020, 10:29 AM |


Poezinë "Emigranti" e kam shkruar në vjeshtën e vitit 2010, në Suedi, dhe sa herë kthehem këtu apo vizitoj famijlarë a miq në mërgim, e përjetoj fort. E përjetoj ngashëm si atë vjeshtën e mugët, kur meditoja për fatin e emigrantit dhe shkruaja këto vargje.

E përjetoj fort, sepse e shoh në sytë e qindra emigrantëve të trishtuar, që janë të dërmuar nga nostalgjia dhe kujtimet.

EMIGRANTI

Ndue Ukaj

Ai ka vetëm pyetje.

Përgjigjet i ka të ndrydhura

nëpër xhepat e ndotur me nostalgji të betonuar.

Ai ka vetëm kujtime dhe ato i sillen rreth qafës,

dhe si guri i mullirit e tundin një hapa para e disa mbrapa.

Në ujëvarën e rrëmbyeshme e frushkullon kujtesa dhe ia rrëmben kohën-

kohën që kurrë s’e sheh;

kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.

Ai s’është njëri nga ata nën qiellin plot furtuna,

ku ec, ha, bën dashuri dhe lutet.

Atdheu i shpendëve është qielli

i peshqve deti

i emigrantit është pikëllimi

dhe ai i shumëfishohet si retë e zeza kur tërbohet qielli.

Në rrugët e panjohura përkund nostalgjinë

dhe kërkon njëshin në zerot e pafundme.

Testamenti i Odiseut i digjet në dorë,

e gacat e kallin flakë si rreze tropikale.

Në Itakën e munguar hedh shikimin,

mbrëmje e mëngjes.

Ai shtegton rrugëve të pikëllimit

dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.

Dhe çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr: kthimin në njësh.

Teksa oaza e shkretëtirës ia thith dëshirat, kujtimet.

Emigrantit kjo dhimbje e madhe,

me thesin e pikëllimit bredh rrugëve të shpresës.

Pret vendime të bahet njësh në zerot e pafundme.

Çdo ditë e presin të panjohura në pyllin e dëshirave, i prehet shikimi i butë dhe pritja e thellë.

Emigrantit kjo dhimbje e madhe,

si zog i mërdhir kërkon folenë e shpresës

dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar