Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Bardhyl Gjonçaj - Psherëtima dhe mall

| E hene, 13.01.2020, 02:51 PM |


“Psherëtima dhe mall” një kontribut pretendues poetik  i autorit Bardhyl Gjonçaj

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist

Vëllimi poetik “Psherëtima dhe mall” që keni përpara, është një kontribut pretendues poetik  i autorit Bardhyl Gjonçaj. Në fakt, jo gjithnjë këto ndërmarrje poetike modeste janë njëkohësisht edhe të suksesshme.  Por, në rastin e autorit tonë, si modestia edhe suksesi, janë puqur, janë bashkuar, mbajnë njëri-tjetrin në mënyrë mjaft mbresëlënëse. Kjo, sigurisht, është për t’u përshëndetur.

Poezitë e këtij libri, janë jo thjesht frymëzime, por sidomos ato janë edhe ngacmime të forta e të thella shpirtërore. Në to është jeta, e djeshmja dhe e sotmja, është kujtesa dhe malli, dashuria dhe morali; në to gjen meditim e filozofim, gjen revoltë e rebelim qytetar e njerëzor.

Një ngjyrim të bukur i japin vëllimit poezitë lirike, erotike, dhe ato romantike në përgjithësi. Ato, ngjajnë si një degë e kaltër lumi që derdhet në një lumë tjetër edhe më të madh, më të gjerë e më të zhurmshëm.

Në poezinë “Pa ty” thuhet mes të tjerash: “Ti më je si lot i valë/ Si një puthje që s’harrohet/ Je dëshirë por edhe mall/ Je si yll që përvëlohet...” Duke shëtitur nga poezia në poezi, nga vargu në varg, mund të veçojmë: “Ishin të bukura ato ëndrra pa faj/ Për ne mëkatarët, atëherë fëmijë...” Dhe të merr me vete vala e poezisë dashurore, ndjenjat e pastra, portretet vajzërore mjaft të bukura, me gjetje origjinale sipas shijes së autorit.

Në këtë lumë poetik, shpaloset bukur dhe me një përzgjedhje të goditur ndjeshmëria njerëzore, poezia e qytetit tim, poezia e atdheut, e strehëzës dhe e lagjes së vjetër, e shtëpisë së fëmijërisë e rinisë, që sot rri e kyçur, braktisur në këtë kohë emigracioni... Kjo lloj tematike nuk e lë të qetë autorin, asaj nuk i shmanget dot, madje, ai e ka si detyrim t’i prekë, ti trazojë këto tema që shpesh sot trajtohen si folklorizma..., t’i ringrejë në këmbë e të rimarrë prej tyre krenarinë dhe dinjitetin. Ndërgjegjja poetike, në fund të fundit është po aq edhe kombëtare!

Vështrimi poetik i autorit, zgjerohet bindshëm tek realiteti shoqëror, shpesh i dhimbshëm. Sepse, poezia vërtet që del nga vetvetja, por ajo nuk ka sesi të mbetet thjesht një rrëfim i vetvetes, kur jeta përreth thërret, qan ose qesh. Këtë e ndien sidomos te poezitë “Botë e mbarsur”, “A ka Zot”, “Kur të vdes”, “Përse”, etj. Jo vetëm në këto poezi autori është i drejtpërdrejtë me dhimbjen dhe padrejtësitë shoqërore, por edhe në ato me tematikë romantike, përshkruese-natyre, vërehet një lloj nervi, qëllimi dhe tendencioziteti... Kështu, këto lloj poezish nuk janë thjesht “natyrë e qetë”, por një natyrë që flet, që ngacmon, që provokon dhe lë një mesazh që del përtej  yllit apo hënës, përtej vjeshtës dhe gjetheve të zverdhura...Pra, aludimi me realitetin e përditshëm është më se i qartë.

Dhe këtë prezantim poetik mund ta mbyllim me disa vargje të poezisë “Vjeshtë”, ku autori konkludon: “Qeshu pakëz dhe ti moj vjeshtë/ Leri hapësirë diellit të ndrijë/ Pëlhurën e reve shpërndaje lehtë/ Pëllumbthit të shpresës/ Hapi rrugë të vijë...”