Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Qeveri e unitetit kombëtar

| E shtune, 11.01.2020, 12:17 PM |


Qeveri e unitetit kombëtar

Nga Blerim Latifi

Dështimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë, duket se i bën të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme. Partitë tjera me gjasë nuk janë të gatshme për një formulë tjetër të koalicionit qeveritar. Nuk është demokratike kur koalicioni postzgjedhor nuk e pasqyron rezultatin e zgjedhjeve. Por, edhe zgjedhjet e parakohshme nuk premtojnë të sjellin zgjidhjen e duhur. Gjasat më të mëdha janë që edhe pas tyre do të kemi situatë ngërçi të njëjtë, sikurse e kemi tani. Pra, rrezikojmë që edhe për një gjysmë viti tjetër të mos kemi qeveri që funksionon në kapacitet të plotë ekzekutiv. Qeveria teknike është një variant tjetër i humbjes së kohës. Mbase gjëja më e duhur është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, e cila brenda një viti do të përfundonte marrëveshjen me Serbinë, do të bënte reformën zgjedhore, si dhe ndryshimet kushtetuese për ta nxjerrë institucionin e presidentit nga negociatat partiake të ndarjes së pushtetit, duke e vendosur zgjedhjen e tij të drejtëpërdrejtë nga populli. Në këtë mënyrë shteti do të dilte nga bllokada e dyfishtë në të cilën ndodhet : nga bllokada në politikën e jashtme dhe bllokada në politikën e brendshme. Natyrisht, krejt kjo bëhet e mundur nëse politikanët e vendosin interesin shtetëror, para interesit të egove të tyre për pushtet.