E premte, 19.04.2024, 11:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhevahir Lekaj: A e kishte Pjetër Bogdani origjinën nga Bojdanët e Pukës?

E shtune, 11.01.2020, 10:07 AM


A e kishte Pjetër Bogdani origjinën nga Bojdanët e Pukës?

Shkruan Xhevahir Lekaj

Është një temë që po e hapim për herë të parë, duke u nisur nga dëshmitë dhe rrëfimet e ndryshme që na vinë ndër shekuj. Askush më parë nuk e ka ngritur këtë pikëpyetje përreth Pjetër Bogdanit. Ne nuk po vulosim asgjë, thjesht po sjellim në dritë disa të dhëna e fakte historike dhe njerëzore që lidhen ndërveti.

Do të ndalemi tek 3 pika kryesore: a) etimologjia b) historia c) migrimi (zhvëndosja) • 1) Shpjegimi i fjalës “Bogdani” dhe prejardhja JO sllave e tij. Së pari emri “Bogdani” është në trajtën latine qysh nga koha e Perandorisë Romake kur latinishtja ish gjuhë e zyrtare e vetë Perandorisë dhe jo sllave. Serbët padrejtsisht, si gjithçka tjetër, mundohen të përvetësojnë këtë emër vetëm se në sllavisht kjo fjalë paska kuptim “E dhënë nga Zoti.”

Kjo mjafton që ata si gjithçka tjetër të mundohen ta rrëmbejnë e grabisin padrejtsisht. Po mirë, meqë serbët thonë që ky emër paska origjinë sllave, atëhere sa serbë njihen me këtë mbiemër në lashtësi? ASNJË!!! Të gjithë pinjollët e njohur me këtë mbiemër, janë SHQIPTARË me kombësi. Meqënëse jemi tek shpjegimi i këtij mbiemri, në Pukë e hasim edhe në trajtën “Bogdani” por edhe në trajtën “Bojdani/Bojdânët” apo “Bogdâjt”. Bogdanët apo siç emri thirret në dialektin pukjan si “Bogdâjt” apo “Bojdanët” janë ndër fiset e vjetra të Pukës, pikërisht në Midhë të Pukës.

Edhe sot akoma ekziston dhe kemi lagjen e Bojdanit apo Bojdanëve në Midhë të Pukës. Meqënëse dhamë trajtën “Bojdani”, vlen të përmendet një tjetër fakt plotësues që ky emër ka kahje latinishte (italishte) dhe jo sllave, sepse gjuha italiane zëvëndëson gërmen “G” me “J” në shumë raste. Psh. kemi Sardegna në Itali që shqiptohet edhe Sardinia. (Sardinja) Kemi gjithashtu qytetin antik shqiptar Dêja, por që në kronikat italiane na jepet si Dagna. (Danja)

Pra, shikoni zëvëndësimin e “G” në “J”. Kështu kemi BOGDAN-BOJDAN. Por, siç thamë, në Pukë është e ruajtur në të dyja trajtat. • 2) Të dhëna historike për Bogdanët/Bogdâjt/Bojdânin e Midhës në Pukë. Në harta të ndryshme Bojdanin e Midhës së Pukës e gjejmë si “Bogagni”. Kështu na shfaqet edhe në hartën e kartografit të shquar të viteve 1670, italianin G. Cantelli. Ja çfarë shkruhet në revistën prestigjoze “Hylli i Dritës” për Bojdanin (Bogdanët e Pukës) në vitin 1938 nga i madhi Nikollë Gazulli (Dritë e lavdi i pastë shpirti!!!) i cili la AQ SHUMË të dhëna historike, shkencore, dokësore, etj. për Pukën e pukjanët, që ishin edhe gjaku i tij. ......”Bojdani â i venduem mbë nji luginë me nji teposhte të madhe, e, shi ndenë Maje Voepulë, qi dán Midhen prei Berishe. Bojdani âshtë i trajtuen prei do tokëvet qi duken si me kjenë lpiza të mbërthyeme për nji mur; âsht vend si me kjenë forcé!!! (Shënim: Forcé në gjuhën e vjetër do të thotë Kështjellë). –

Këtú mbas gojdhane kje trolli i parë i Midhajvet: Prekë Gjoni i Bojdanit, plak nja 70 vjetësh, ndë vjetë 1922 më diftote se ndë Bojdan u danë Shala e Midha. Nji palë thonë ndë Bukurush (Bukurishte) të Berishës. ...prei së Lèmi ndë Katund të Midhës te Guri i Pares gjinden shpesh të holla të vjetra; nji ndër to qi më rá ndë dorë ishte e Gordjanit (perandor ilir i Perandorisë Romake) e cila ruhet ndë Muzén e Misjonit Fluturues. Midha dahet ndë këto lagje: Bojdani (trolli i parë vendue prej véri); Tmugu (prei veri lindje) ashtu edhe Katundi i Midhës; Bushati, Qëroku, Skuraqi janë nd’e rrëmakten e sheut të Rrëvishtit (lum i vogël qi e danë Midhen dysh). Të gjitha këto lagje janë të nji fisit, përpós Skuraqit qi thonë se janë prej Skurajsh (Malësija e Durrësit)”. - Nikollë Gazulli / 1938.

Për Bogdanët e Pukës na flet edhe Ipeshkv Frang Bardhi rreth 4 shekuj më parë. ...”Prej Dedajve shkuem në Dushnjesh qi gjendet pranë Iballes. Janë njerëz shumë t'egjer dhe rebelë të sulltanit, 8 milje larg nga Dedaj. Dushnjeshi me Bogdajt, Misajt dhe Manjen, bâhen 20 shpi dhe 200 frymë. Dushnjeshi, Bogdani me Misaj kanë kishen e vet n'emën të shna Prendes, të vogël, të rrethueme në mur dhe të mbulueme me rrasa. Nuk ka asnjë stolisje. Ditën e shna Prendes, që bie ditën e sh'Anës, sjellin shumë qirinj dhe e rrethojnë kishën me ta. ....

Këtu nuk mujta me meshue, as me thânë kurrnji detyrë të vizitës për nji shkak qi na ngjau, të cilin do ta shënojmë mâ poshtë”. - Ipeshkv Frang Bardhi / 1637. Atëhere, me çfarë u pa e tha më lart, është e qartë se Bogdanë/Bogdâj ka në Pukë, në trojet e tyre me shekuj e shekuj. Është mëse e qartë që ka fis me këtë emër e gjithashtu edhe vend me këtë emër. • 3) Dëshmi dhe fakte të migrimit (shpërnguljes) së fiseve rreth Midhës së Pukës për në Kosovë. Që fiset e Pukës si Thaçi, Berisha, Komani, Kabashi, Bogdanët, Buzhala, Kryezinjtë, etj. kanë migruar e janë zhvëndosur për në Kosovë, kjo temë nuk “han” aspak debat. Mbiemri Berisha në Kosovë përmban një numër të rreth 44 mijë banorëve. Në Junik, Deçan e mbarë Rrafshin e Dukagjinit sipas dhjetra studiuesëve dhe historianëve fis më i madh është ai i Thaçit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora